Albert Zholi: 1 Qershori, Dita Botërore e Fëmijëve

893
Sigal

Ditë sensibilizimi për të ndalur dhunën dhe abuzimin me fëmijët, sidomos angazhimin e tyre në punë

1 Qershori, Dita Botërore e Fëmijëve

58% e fëmijëve kanë parë fëmijë të dhunohen fizikisht, kurse 34% e fëmijëve kanë qenë viktima të bullizmit

Përgatiti Albert Z. ZHOLI

1 Qershori është dita ndërkombëtare e mbrojtjes së fëmijëve, ku vëmendja e prindërve, shtetit dhe shoqërisë drejtohet tek fëmijët në drejtim të respektimit të të drejtave të tyre dhe rritjes të mirëqenies.  Në këtë ditë fëmijët bëhen qendra e botës dhe aktivitete të shumta u kushtohen vetëm atyre. Vetë ata ngrenë zërin për të drejtat e tyre, por në ndryshim nga të rriturit, protesta e tyre bëhet me lojëra festive. Përveçse një ditë festive, 1 Qershori është edhe një ditë sensibilizimi për të ndalur dhunën dhe abuzimin me fëmijët, sidomos angazhimin e tyre në punë kur janë ende të mitur. UNICEF që prej 1950, punon në 190 vende të botës me familjet, bashkësitë dhe qeveritë për të garantuar të drejtat e fëmijëve. Që prej 1989, shumë qeveri kanë adoptuar Konventën e OKB mbi të drejtat e fëmijëve, e cila garanton zbatimin dhe respektimin e të drejtave të barabarta për çdo fëmijë, me qëllim plotësimin e nevojave të tyre për mbijetesë, rritje, pjesëmarrje dhe përmbushjen e potencialit të tyre. Megjithatë, ende miliona fëmijë në botë janë prehë e dhunës, abuzimit dhe diskriminimit, dhe shumë të tjerëve nuk u garantohet  shëndeti, ushqimi, streha, shkollimi apo shfrytëzohen duke lypur apo punuar për të tjerë. Dita e fëmijëve u vendos në datën 1 Qershor, sepse në këtë datë është mbajtur Konferenca  Botërore e Mirëqenies së Fëmijëve në Gjenevë, në 1925. Dy vjet më pas Festa e 1 Qershorit filloi të festohet në të gjithë botën. Organizatat e Kombeve të Bashkuara, kanë rekomanduar  edhe ditë të tjera të cilat lidhen me fëmijët si: Dita Universale e Fëmijëve, e kremtuar  në 20 Nëntor, Dita Botërore kundër punës së fëmijëve, e kremtuar në 12 qershor nga ILO, Dita ndërkombëtare kundër përdorimit të fëmijëve si ushtarë, e kremtuar në 12 shkurt nga UNODA, etj, si dhe të tjera ditë të kremtuara nga OJF të ndryshme që marrin në mbrojtje fëmijët.

Origjina

Fëmijët e të gjitha moshave kërkojnë që këtë ditë të jenë të lumtur dhe ta festojnë së bashku me prindër. Kjo ditë është kthyer jo vetëm në një ditë festive, por edhe në një ditë sensibilizimi, për t’i thënë “jo!” dhunës dhe abuzimit ndaj fëmijëve. Është dita kur vetë fëmijët hapin mushkëritë për të thënë  të drejtat e tyre, por në ndryshim  nga të rriturit, protesta e tyre  bëhet me lojëra dhe festa. Në fakt 1 qershori e ka origjinën nga Shtetet e Bashkuara dhe Kina. Dita e fëmijëve u vendos në datën 1 qershor, sepse në këtë datë është mbajtur Konferenca Botërore e Mirëqenies së Fëmijëve në Gjenevë,  në vitin 1925. Në të njëjtën ditë, koincidoi që konsulli i përgjithshëm kinez në San Francisko,  mblodhi së bashku një numër të konsiderueshëm fëmijësh  jetimë kinezë të celebronin në festivalin e “Anijes së Dragoit”.  Dy vjet më pas, Festa e 1 qershorit filloi të festohet në të gjithë botën. Në ShqipëriKosovë dhe mbarë botën, kjo ditë u kushtohet fëmijëve, me aktivitete të larmishme.  Shumë vende të botës e kanë pranuar atë si festën ndërkombëtare të fëmijëve dhe realizojnë festime,  të cilat kanë si qëllim të rrisin vëmendjen  në drejtim të mirëqenies  së tyre. Kjo ditë lumturon fëmijët dhe prindërit e tyre, kur shohin  fëmijët me buzëqeshjen e tyre të ëmbël.

Studimi i organizatës “Save the Children” për problemet e fëmijëve shqiptarë

Organizata “Save the Children”,  ka publikuar në vitin 2018,  studimin “Zëri i të Rinjve në Shqipëri”, mbi shqetësimet që ata kanë për sot dhe të ardhmen e tyre. Nga studimi doli se, afro 58% e fëmijëve kanë parë fëmijë të dhunohen fizikisht, kurse 34% e fëmijëve kanë qenë viktima të bullizmit. Shumë vajza  në zonat urbane dhe ato rurale, rreth 40% e tyre, kanë rënë pre e bullizmit dhe janë ngacmuar dy herë më shumë se djemtë. Mbi 56% e fëmijëve mendojnë se strukturat përkatëse duhet të bëjnë më shumë për të eliminuar fenomenin e bullizimit. Rreth 87% e fëmijëve mendojnë se strukturat përkatëse duhet të bëjnë më shumë për të ndihmuar fëmijët, që dëmtojnë veten. Afro 90% e fëmijëve e konsiderojnë shumë të domosdoshëm praninë e psikologut/ punonjësit social në shkollë. Rreth 94% e fëmijëve mendojnë se qeveria duhet të bëjë më shumë për të ndihmuar fëmijët, që ndihen të përjashtuar për shkak të varfërisë, diskriminimit etnik apo aftësisë së kufizuar. Afro 89% e fëmijëve të anketuar mendojnë  se politikëbërësit  duhet të dëgjojnë mendimet  e fëmijëve për çështje që u përkasin atyre. Mbi 60% e fëmijëve deklarojnë, se ata nuk kanë patur aspak, ose pak mundësi,  për t’u dëgjuar nga politikëbërësit dhe 81% e tyre, do të donin të kishin më shumë akses në vendimmarrje. Pothuaj 30% e tyre deklarojnë , se nuk kanë mundur të japin në shkollë mendimet e tyre për çështje që iu përkasin. Rreth 97% e fëmijëve,  kanë informacion për të drejtat e fëmijëve;  89% e tyre kanë marrë këtë informacion nga shkolla. Por 39% e fëmijëve nuk dinë,  ose janë të pasigurt, se ku mund të drejtohen kur ndihen të dhunuar, ose të trajtuar në mënyrë të padrejtë, ndërkohë që 10% e fëmijëve nuk ndihen të sigurt në shkollë. Mbi 25% e djemve në zonat rurale përballen me vështirësi financiare, të cilat i kanë penguar për të marrë pjesë në veprimtari shkollore dhe/ose jashtëshkollore gjatë vitit të fundit. Pothuajse gjysma e fëmijëve, 49,9% e tyre, ndihen pesimistë për një kohë të gjatë, ndërkohë që vetëm 45% e tyre janë optimistë për gjetjen e një pune pas përfundimit të shkollës. Afro 73% e fëmijëve raportojnë se ndihen të stresuar nga detyrat në shkollë dhe 75% e fëmijëve ndihen të stresuar nga rezultatet në shkollë.