Albert Z. ZHOLI: Mirënjohje për Komisarin e Dritës, Ndrec Ndue Gjoka…

318
Sigal

Ishte iniciativa e Ndrec Ndue Gjokës hapja e 52 shkollave fillore e 47 kurse kundër analfabetizmit, në Mirditë

 

“Heroi i Popullit” Ndrec Ndue Gjoka, njeri nga bijtë e nderuar të Mirditës antifashist i orëve të para, rridhte nga një familje e varfër fshatare, por e ndershme e bujarë me tradita atdhetare e patriotike. Ai ka lindur në vitin 1919 në fshatin Bisak-Fan të rrethit të Mirditës. Fëmijërinë e kalon në prehërin e familjes. Shkollën fillore e mbaroi në të vetmin konvikt-Orosh të asaj kohe. Falë zgjuarsisë, vullnetit e talentit të tij në përfundim u klasifikua shkëlqyeshëm. Nga aty mori rrugën e dritës për të studjuar në shkollën Normale të Elbasanit ku dhe gjeti një vatër të vërtetë edukimi me djem e vajza të moshave të ndryshme dhe krahas mësimeve ai bashkëpunoi si veprimtar i tyre duke dhënë një kontribut të fuqishëm në tërë aktivitetet e organizuara në këtë drejtim. Ndrec Ndue Gjoka ishte njëri nga studentët e tyre për dije e kulturë dhe me vullnetin, përkushtimin e vendosmërinë, në mbarim u vlerësua shkëlqyeshëm. Me diplomën e Normalistit dhe pas diplomimit, ai emërohet mësues në Limaj të Shkodrës, ku punoi me përkushtim për përparimin e shkollës, e cila pati rezultate, ku nga populli e nxënësit e kësaj zone, puna e kontributi i tij u vlerësua. Më pas në vitin 1941, Ai emërohet nga organet kompetente mësues në Zllakuqan të Istokut, Pejës-Kosovë ku punoi me përkushtim për të mësuar nxënësit shqiptarë që kishin kaq shumë nevojë për dije, kulturë e arsim në atë kohë. Ishte aftësia dhe mençuria e tij, bashkëpunimi e njohja me popullin e nxënësit arsimdashës të Kosovës.

Që në ditët e para Ndrecën do e shihnim në mes fshatarëve, mësuesve e nxënësve dhe nëpërmjet bisedave, ai mësoi mjaft dhe u njoh me traditat, problemet e hallet e tyre dhe mbi baza të tilla, Ndreca si mësues i përkushtuar merrte masa të shpejta për të forcuar punën e përhapur dritën e arsimit dhe pse ai punonte me një ngarkesë të jashtëzakonshme me orë të zgjatura për arsimimin e popullit, por dhe pa u lëkundur me punën e aktivitetet si veprimtar i Lëvizjes ANÇl, ku ishte mësues e veprimtar politik-shoqëror ku puna e tij në fushën e arsimit ishte e madhe ku dhe u arrestua dy herë nga forcat e errëra. Gjatë viteve të punës si mësues në Zllatkuqan, Ndreca është vlerësuar për punën e kontributin e tij nga nxënësit dhe populli dhe mbetet në zemrat e tyre si Hero i arsimit në breza.

Në pranverën e vitit 1944, Ndreca kthehet në Mirditë dhe menjëherë hyri në lidhje dhe punoi në terren si veprimtar i Lëvizjes NÇl. Ai u lidh dhe bashkëpunoi me çetën partizane Pukë-Mirditë, me shokun e armëve Bardhok Biba, ish Komisar i kësaj Çete. Ata bashkëpunuan me forcat e Div. 2 S. që erdhën në kufijtë e Mirditës për Çlirimin e kësaj krahine të shumëvuajtur nga rregjimet antipopullore nga errësira e prapambetja. Ndreca mori pjesë në shumë luftime e beteja si në Gëziq për Çlirimin e Shpalit dhe në mjaft beteja të tjera ku më 26 tetor 1944, Mirdita u çlirua nga bisha nazifashiste. Dhe pas çlirimit, puna e Ndrecit u përqëndrua menjëherë në zhvillimin e arsimit, fillimisht për hapjen e shkollave fillore në fshatra duke i bërë thirrje djemve mirditorë, që kishin mbaruar konviktin e Oroshit dhe atyre që kishin mbaruar arsimin fillor, u caktoi atyre detyra me rëndësi për një punë të kujdesshme, për një ndërgjegje e ndjenjë të lartë përgjegjësie për hapjen e shkollave, marrëdhëniet mësues, nxënës e prindër dhe të bëhej rregjistrimi i nxënësve të moshave të ndryshme me djem e vajza pa dallim dhe të hapeshin kurse kundër analfabetizmit për të mësuar të rriturit dhe për të parën herë në historinë e Mirditës erdhën në shkolla e kurse vajzat. Por mbi të gjitha duhet përkushtim, e ndërgjegja e jonë dhe me punë e sakrifica të gjitha vështirësitë e pengesat do t’i kapërcejmë. Me çdo kusht do t’i fusim fëmijët e popullit në shkollë.

Ishte iniciativa e Ndrec Ndue Gjokës hapja e 52 shkollave fillore e 47 kurse kundër analfabetizmit, ku 90 përqind e popullsisë ishte analfabete në Mirditë në atë kohë, por me punë e kontribut u arrit suksesi i madh, u hap drita kundër errësirës në Mirditë e kudo. Për këto suksese e kontribute të mëdha duke realizuar ëndrrat e fëmijëve dhe popullit të shumëvuajtur, por arsimdashës, Ndrec Ndue Gjoka mori vlerën e Heroit të Dritës, sepse puna e tij përbënte një nga majat më të larta të historisë së arsimit në Mirditë e në mbarë vendin.

Fjala e Ndrec Ndue Gjokës ishte gur themeli në mes mësuesve, nxënësve e popullit, sepse ai ishte i qartë në veprimet e vendosmëria për shkollimin e fëmijeve të popullit, për zhvillimin e emancipimin e mirditorëve për përhapjen e dritës nëpërmjet shkollimit të njerëzve pse ai ishte një mësues normalist me shumë vision e horizont në tërë fushat e jetës dhe me përvojën e tij si mësues dhe si njohës i vendit e traditave përcaktonte drejt problemet dhe në mes shokëve, miqve, mësuesve e nxënësve fliste me gjuhën e mendjes e të zemrës. Me veprime të tilla fshatrat shprehnin besim tek Ndreca dhe i lironin dhoma e krejt shtëpinë për shkolla. Ai gjeti gjuhën e përbashkët me mësuesit e porsa emëruar prej tij dhe u afirmuan marrëdhëniet mësues, prindër e veprimtar dhe shpalosën angazhimin e tyre për vazhdimësinë e shkollës. Ishte aftësia e Ndrec Ndue Gjokës sigurimi i mësuesve djem mirditas dhe puna për përgatitjen e tyre me kurse të shkurtra pedagogjike. Me këto masa analfabetizmi u zhduk shpejt, moshat e rritura mësuan shkrim e këndim, hapja e shkollave dhe pjesëmarrja e fëmijëve u rritën dhe morën rrugën e dritës, rrugën e përparimit e të emancipimit politiko-shoqëror, rrugën e një zhvillimi të vrullshëm të arsimit me djem e vajza.

Në tërë veprimtarinë plot sakrifica të arsimit, shkëlqen si pishtar drite, puna, kontributi e përparimi i njeriut të thjeshtë e të lavdishëm të Mirditës kreshnike Ndrec Ndue Gjoka. Kjo ishte arsyeja që forcat e errësirës me propagandën e tyre armiqësore, nuk i duronin këto fitore të mrekullueshme në shërbim të popullit, sepse ata nuk donin zhvillimin e arsimin me djem e vajza, por ata kërkonin errësirën e prapambetjen shekullore, ndaj kriminelët e fshehur nëpër pyje, kërcënonin çdo ditë njerëzit e pushtetit të ri.

 

Më 17 shkurt të vitit 1946, në pabesi e vrasin mësuesin Ndrec Ndue Gjoka në krye të detyrës. Ata vranë mësuesin e fëmijëve, dritën e syve dhe diturinë për të ardhmen ashtu siç vranë dy muaj më vonë mësuesin Ndue Gjin Tuci përpara fëmijëve kur ai po zhvillonte mësim brenda në shkollë. Vrasja e Ndrec Ndue Gjokës ishte një humbje e madhe për Mirditën dhe arsimin. Ajo ishte vazhdë e forcave të errësirës, që verboheshin nga arsimi e drita. Ai ka qenë dhe mbetet flamurtari i mësuesve që sakrifikuan e flijuan në altarin e lirisë rininë e tyre. Ata u flijuan për arsimin, përparimin e të gjithë vendit, ndaj veprimtaria, kontributi e akti heroik i këtij Mësuesi Hero, janë frymëzim në fushën e arsimit për të gjithë brezat e sotëm dhe ata që do të vijnë. Si i tillë Ndrec Ndue Gjoka është një figurë madhështore  në piedestalin e arsimit në mbarë Kombin Shqiptar. Madhështia e tij nuk zbehet në shekuj. Ndreca është pishtar i shquar i arsimit shqiptar dhe prandaj përulemi me nderim e respekt para veprës së tij, sepse Ai nuk shkoi te lavdia, por lavdia erdhi tek Ai.

Ndrec Ndue Gjoka tërë jetën, punën dhe kontributin e tij i vuri në shërbim të popullit duke u karakterizuar nga cilësi e veti të larta morale politike si vendosmëria, trimëria, dashuria e respekti për punën dhe njerëzit që e rrethonin. Ndrec Ndue Gjoka për të gjitha këto veti e sakrifica për dijen e dritës  do të mbetet përjetësisht në hapësirën  e saj.