Albert Z. ZHOLI: Emigrantët mallkojnë shtetin

203
Sigal

 

Arat po i lënë, po marrin kurbetin, ca mallkojnë tokën, ca mallkojnë shtetin…

-Reportazh-

 

Është një orkestër e vogël me katër vetë. Këndojnë dhe u bien veglave muzikore, duke i rënë cep më cep lagjeve të Athinës. Por më shpesh i gjen nën këmbët e Akropolit e në lagjen “Plaka”, ku i gjetëm edhe ne për herë të pare. Lagja “Plaka”. Mos vallë është fjalë shqipe? Pasi edhe kjo lagje është më e vjetra në Athinë, sa vetë Akropoli. Ishim nisur për punë por…Po binte mbrëmja!

Sa i dëgjuam sazet, menduam se ishte ndonjë kasetë me këngët e njohura përmetare. Së bashku me një shokun tim, i drejtuam këmbët andej nga vinte ëmbëlsia e atyre këngëv Ishin 4 muzikantë dhe këngëtarë bashkë.

Ata të katërt ishin pranë murit të një ndërtese. Të katër esmerë, nga ata stërnipërit e muzikantëve, që solli Pirroja i madh nga Egjipti, që në Përmet e gjetkë u bënë djep- kënge në Shqipëri. Me muzikën lidhën jetën. Sikur ishin vëllezër ngjanin. Klarinetisti ishte pak më i shkurtër. U binin veglave dhe këndonin siç bëjnë grupet e herëshme përmetare, sidomos ai më famozi, grupi i Laver Bariut. Ia kishin marrë vençe një kënge të vjetër, sikur të ishin në grykën e Këlcyrës e jo në këmbët e Akropolit:

“Në qivur të shtrinë,

të veshën si nuse.

Sa hije të kishin,

të shkretat baluke!

Rreth këngës grumbulloheshin e grumbulloheshin shqiptarë e turistë të ardhur ‘pranë bukurisë greke’…Grekë janë?-pyesnin turistët. No no Grecia, Albania- u tha dikush. Ata ngritën supet. Ne dëgjonim si pa marrë frymë e ata këndonin:

“…Te gorica plakë,

po ta bëjnë varrë.

Pleqtë po rrëmojnë…

beqarët po qajnë…

Edhe ne na mori kënga dhe thoshim nëpër buzë:

“Pleqtë po rrëmojnë/Beqarët po qajnë…

Disa turistë nordikë, kështu dukeshin nga trupat e gjatë e nga tiparet e theksuara të bardha, siç i themi ne shqiptarët “të shpëlarë”, hodhën disa monedha në kapakun e violinës dhe ngatërruan disa fjalë, që donin të thoshin, “tjetër-tjetër”. Nuk shqiteshin nordikët. Tingujt e klarinetës të frenonin si me magji.

Aq donin ezmerët. Sa panë lekët dhe fjalët e nordikëve filluan:

“…Kishe dalë e rrije, afër trëndafilit.

Të digjej jeleku, nga zjarret e gjirit…”..Ah zjarret…

Bravoo, bravoo!-folën dy nga “të shpëlarët”.

Neve sa nuk bëheshim me krahë nga gëzimi e krenaria. Në ato çaste m’u kujtua një thënie e një filozofi: “ Popujt që kanë këngë të bukura, kanë të ardhme.” Po! Ne kemi këngë të bukura. E kujtova këtë thënie dhe psherëtiva. “Ku është e ardhmja e këtij populli këngëbukur si i yni?!!…” dhe shoh me keqardhje bashkëatdhetarët e mi të ikur tufa-tufa, nëpër udhët e botës. Dhe këngëtarët derdhnin shpirtin e tyre në këngë për të kënaqur zotërinjtë portë më portë e lagje më lagje. Dhe ata si ta kishin lexuar dhimbjen time, ia morën një këngë tjetër: Një këngë të dhimbëshme kurbeti:

“…Ç’ka që s’mbin bari në qafë?

Nga lotët që derdhnin gratë!

Marrin rrugën e kurbetit

dhe s’e dimë ç’vjen prej detit!

Rruga jonë, dreq o rrugë,

zgjatet për një copë bukë…”

-Zot i madh! Po ashtu po ikin shqiptarët për një copë bukë. Ikin pa kthim. Ikin si tingujt e këngës…

Një vogëlushe u lëshua nga dora e nënës dhe i dhuroi një trëndafil të kuq atij me klarinetë që po e magjepste këtë këngë. Edhe unë jam shqiptare nga Tepelena,- tha vajza. E përqafoi klarinetistin. Hodhi dhe disa dhrahmi tek kapaku i violinës dhe shkoi tek nëna. Ata shtangën. Nuk e prisnin që ajo vogëlushe të ishte shqiptare. Klarinetisti e vuri karafilin diku, aty nga qante klarineta dhe filloi:..

“…Djemtë e burrat tanë, shpirt e zemër vrarë,

arat po i lënë pa i hedhur farë.

Arat po i lenë po marrin kurbetin:

Ca mallkojnë tokën, ca mallkojnë shtetin…”

Mbetëm pa fjalë. Nuk na ikej. Njerëzit po shtoheshin. Klarineta kapte qiellin. Koha nuk na priste, ishim për punë. Po, a të ikej? A largoheshe dot nga ato këngë mbushur me dhimbje?! Muzikën nuk e bën vetëm instrumenti ose gishtat, e bën shpirti. Të detyron shpirti t’i luash gishtat, duhet të jesh i lindur me ndjenja, … Dhe ja…Ikëm me dhimbjen e gëzimit, që na kish mbushur shpirtin dhe na derdhej si kënga pambarim e katër esmerëve. Lagja “Plaka” në Akropol atë natë këndoi shqip….

 

Akropoli i Athinës është një qytet-kështjellë i lashtë, i vendosur në një ngritje shkëmbore mbi qytetin e Athinës dhe përmban rrënojat e disa ndërtesave antike me rëndësi të madhe arkitekturore dhe historike, ku më e famshmja është Partenoni . Fjala akropol e ka origjinën nga fjalët Greke akron, “pika më e lartë, ekstremiteti” dhe  polis, “qytet”). Megjithëse termi akropol është i përgjithshëm dhe ka shumë akropole të tjera në Greqi, rëndësia e Akropolit të Athinës është i madh saqë ai njihet zakonisht si “Akropoli” pa specifikim të mëtejshëm. Gjatë kohërave antike njihej edhe më mirë si Cecropia, sipas njeriut-gjarprit legjendar, Cecrops, mbreti i parë i supozuar Athinas. Ndërsa ka të dhëna se kodra ishte e banuar qysh në mijëvjeçarin e katërt p.e.s, ishte Perikliu (rreth 495–429 p.e.s) në shekullin e pestë para Krishtit, i cili koordinoi ndërtimin e tanishëm më të rëndësishëm të stilit, duke përfshirë Partenonin, Propilaja, Erekteionin dhe Tempulli i Athinës Nike. Partenoni dhe ndërtesat e tjera u dëmtuan rëndë gjatë rrethimit të vitit 1687 nga Venecianët gjatë Luftës së Moresë kur baruti që ruhej në Partenon u godit nga një top dhe shpërtheu. Akropoli ndodhet në një shkëmb të ngritur në majë, që ngrihet 150 metrash (490 ft) mbi nivelin e detit në qytetin e Athinës, me një sipërfaqe prej rreth 3 ha (7.4 acres). Ndërsa artifaktet më të hershme datojnë në epokën e Neolitit të Mesëm, ka patur banesa të dokumentuara në Atikë që nga periudha e hershme e neolitit (mijëvjeçari i 6-të para Krishtit). Luftëtari i veshur me një helmetë prej derri, nga një varr mikenas në Akropolin e Athinës, shekulli 14-13 para Krishtit. Mendohet se një pallat Mikenas ngrihej mbi kodër gjatë fundit të bronzit. Asgjë prej këtij megaroni nuk mbijeton, përveç, me siguri, një kolonë themelore e vetme guri gëlqerore dhe copa të disa shkallëve me gur ranor. Menjëherë pasi u ndërtua pallati, u ndërtua një mur qarkor masiv i Ciklopisë, i gjatë 760 metra, i lartë deri në 10 metra, dhe që varion nga 3,5 deri në 6 metra i trashë.