Albert Habazaj: Një ditë në Tërbaç…

16
Sigal

Fshati Tërbaç është drejt përmirësimit të infrastrukturës rrugore dhe zhvillimit të turizmit. Në rrugën e Tërbaçit punohet mirë. Punimet ndiqen me vëmendje, seriozitet dhe kulturë nga të zotët e shtëpisë. Kur vendi ka zot, ndihet përmirësimi i jetesës dhe normave qytetare, duket mbarësia me sjellje, veprim, punë e synime.


Në Tërbaç unë shkoja çdo muaj me time shoqe. Ka pasur raste dhe më shpesh, sipas mundësisë.

Ishte një ritual për mua, si të thuash, hapja shtëpinë e prindërve dhe veprimet e duhura, për t’u shmallur me prindërit dhe vëllain dhe për ta mbajtur shtëpinë. Kisha gati 3 muaj që nuk kisha qenë në vendlindje, për shkak të një shqetësimi shëndetësor që ende kam…

Kishte disa net që më dilte imëmë (nëna ime e ndjerë) në gjumë, në ëndërr. Nuk po ndihesha mirë dhe ia shpreha një mëngjes Mejos këto vegime dhe imazhe mallëngjyese për mua…

1.Në Varrezat e Fshatit

Paraditen e datës 3 qershor 2025, të dy, me një makinë të vogël nisemi për në Tërbaç.

I ramë shkurt nga Brati për në Majë të Boshe.

Zbritëm te varrezat dhe me qetësi u futëm brenda. Bëmë përmallimin dhe çlirimin e mallëngjimit për mungesën e Të Mirëve të mi që prehen atje.

Po më bëri përshtypje pozitive dhe u ndjeva mirë, se Sektori i Varrezave të Fshatit në Majë të Boshe ishte dritë, i pastër nga ferrat, shkurret a tjetër lloj bimësie që i kishte zënë frymën kaq vite me radhë. Kësaj radhe nuk lëshova psherëtimë keqardhje, por nderim e vlerësim për drejtuesit e fshatit dhe të Shoqatës Atdhetare Kulturore të Tërbaçit. Edhe të ikurit sikur ndihem më të respektuar, me dinjitet e sikur u lënë bekim Punëmirëve të sotëm. Më erdhi mirë, sinqerisht.

2.Asfaltimi i rrugës

Puna e nisur për asfaltimin më pëlqeu, sepse dukej që ishte një ndërmarrje serioze. Pamë makineritë e rënda, eskavatorë, buldozerë, makina 20 tonëshe, që transportonin inerte për mbushjen e rrugës, kamionçina, që lëvizin, punëtorë që punonin me përgjegjësi. Tombinot ishin vendosur, sipas gjithë parametrave, duke respektuar shtresat poshtë me zhavorr dhe beton, ishin bërë muret mbajtës, ishte niveluar dhe mbushur rruga me inerte. Ishte bërë zgjerimi i saj. Vijonte përditshmërisht, por pa bujë. Secili bënte punën që i takonte. Mirësjellja dhe mikpritja e vendasve është stafeta e traditës.

Kthehem në Vlorë i rimbushur me besim, se u bënë kaq vjet që kjo bindje po venitej, por jo. Më në fund! Në fund të fillimit.

I rikthehem njoftimit zyrtar të Bashkisë sonë Himarë: “Ka nisur zbatimi i projektit “Rikonstruksioni i rrugës lidhëse të fshatit Tërbaç me rrugën Nacionale”, një investim i rëndësishëm i Bashkisë Himarë që synon të rrisë ndjeshëm aksesin dhe lëvizshmërinë për komunitetin lokal.

Ky investim jo vetëm do të përmirësojë ndjeshëm jetën e përditshme të banorëve, por do të ndikojë pozitivisht edhe në zhvillimin e turizmit në zonë, duke e bërë Tërbaçin më të aksesueshëm për vizitorët dhe më të lidhur me rrjetin rrugor kombëtar”. Fshati Tërbaç është drejt përmirësimit të infrastrukturës rrugore dhe zhvillimit të turizmit.

Më 13 qershor shkoj përsëri në Tërbaç. Fshati në një qetësi të gjelbër dhe të qeshur. Rruga gumëzhinte nga makinat që punonin fort e saktë. Isha para portës së shtëpisë së prindërve të mi me komshiun tim, Kostandininin dhe po i thosha, që falënderimet e mia për punën e pastër tua shprehë ndërtuesve. “Ja dhe inxhinieri, që ndjek punimet”, – më tha Kotaqi. E takova dhe e përshëndeta me dëlirësi. Ishte një burrë i ri, dukej fjalëpak, serioz dhe i qytetëruar. Arjan e quajnë, inxhinier ndërtimi në profesion. Nga Burreli me origjinë. Më la mbresa të thella kjo vajtje në vendlindje, ato pak minuta bisedë me ing. Arjanin, mjetet që punonin, si një ndërmarrje gjigande, që zbukuronin gjoksin e malit të Tranajoit, në kraharorin e të cilit është Tërbaçi, që ngjan si një shqiponjë në fluturim.

Nuk isha nisur që të bëj një shkrim, të cilin (ndoshta si pakkush që kam vërejtur) firma “Alba Konstruksion” e meriton, se flet vetë puna, ajo duket, dhe m’u kujtua një fjalë e vjetër: “Gjëja e mirë nuk ka nevojë për reklamë, ajo shijohet”.

Në rrugën e Tërbaçit punohet mirë. Punimet ndiqen me vëmendje, seriozitet dhe kulturë nga të zotët e shtëpisë.

Kur vendi ka zot, ndihet përmirësimi i jetesës dhe normave qytetare, duket mbarësia me sjellje, veprim, punë e synime.

Ndihem mirë për të rinjtë që drejtojnë Tërbaçin tonë të dashur dhe shoqatën tonë me vizion të ri aq përparimtar dhe të bukur.