Albert Habazaj: Epika popullore labe në Luftën e Vlorës

875
Sigal

 Këngën për këtë epope e kanë kënduar, së pari, ata që kanë marrë pjesë në atë luftë me armë në dorë e me këngë në gojë

EPIKA POPULLORE LABE PËR LUFTËN E VLORËS

 MSc. Albert HABAZAJ

Shkurtore

Lufta Kombëtare e Vlorës, në Epikën Historike dhe në të folurën popullore quhet Epopeja e Njëzetës. Ngjarjet e mëdha shkruhen në histori e përjetësohen në këngë. Këngën për këtë epope e kanë kënduar, së pari, ata që kanë marrë pjesë në atë luftë me armë në dorë e me këngë në gojë, si: Xhebro Gjika, Mato Hasani, Nase Beni, Arshi Xhelili, Rrapo Meto, Sheme Sadiku, Xhemil Veli Duka, Sinan Mullahu, Selim Hasani, Sheme Vela, Mustafa Luçi, Isan Sejdini etj. Vërejmë se, shumica e krijuesve kanë qenë pjesëmarrës në ngjarje. Këngët historike të Njëzetës, na vijnë si rrëfim popullor në vargje, me rimë e melodi, si narracion, si tregim, që nëpërmjet të kënduarit shprehin mendim poetik historik për figura të gjalla, reale, konkrete.Natyrshëm mund të shtrohet pyetja: Po sot, kush e këndon këngën e Luftës sëVlorës, ku, ç’ mosha, ç’gjini, kur, sepse vërejmë që grafiku i aplikimit të Epikës popullore labe për Luftën e Vlorës shënon rënie, dhe ndoshta s’do të bjerë dhe ca kohë, sepse të paktën në Vlorë ka dy bastione folkorike të forta në Dukat e në Armen, por në këtë 100- vjetor të nderimit të saj ajo u rizgjua e fluturoi hapësirave labërore edhe në Drashovicë e Mesaplik, në Tërbaç, Kaninë e Velçë.

  1. Epika historike – hipotekë e kësaj ngjarjeje kombëtare

Gjurmimet nga vrojtimet dhe ekspeditat në terren na kanë krijuar mundësi të vjelim bartës, të tillë, që me prurjet e tyre na kanë falur urtësi e visare folkorike, se vetëm trimit i këndohet kënga. Dhe kënga na duket sikur është ditar në vargje i luftës për Kotën: “Nata e pesë qershorit/ Allaturka, ora tre,/ Ndizet gjaku’ arbërorit,/ Ndizet e bëhet rrufe./ Zigur Lelua na thotë:/ “Djema, hidhuni mbi ta!? O burra, brenda në Kotë,/ Ta dinë kush jemi nà,/ Ta marrë vesh një botë,/ Që s’para bëjmë shaka/ Çave para si flamur,/ Kapedan, more Zigur!”. Një këngë tjetër për Kotën dhe Zigurin: “Ranë  komitat në Kotë,/ Komita në Kotë ra./ U vra Ziguri në portë,/ Zigur Lelua ç’u vra,/ Rrufe djemt’ e cmokthinjotë/ Se ç’u bëtë lakëra”. Dhe një tjetër për Selam Musain, i cili zuri një top nga gryka: “Nuk harrohet Kota kurrë,/ Kur mbi tela shkonim ne,/ Edhe kur Selam Musai/ Shkrepte natën si rrufe,/ O Selam, zemër me çika,/ E zure topin nga gryka”. Është edhe një këngë e përvajshme, regjistruar ndër plakat e Bolenës: “Qaj Bolen’ e vure vajnë,/ Për ca trima që t’u vranë…”.

 

  1. Këngë për Luftën e Vlorës në vëllimin Këngë popullore historike

Fjala e humbet vlerën kur shpalosen visare folklorike si: “-Kanan, t’u prish bukuria/ – Le të rrojë Shqipëria!” Ky dialog në këngë midis dy miqve të llogores së lirisë: luftëtarit këngëtor dhe luftëtarit hero është jo thjesht një përshkrim i sakrificës njerëzore të individit për një gjë të shenjtë, siç është hapësira e pamatë e lirisë, por më tepër, është paraqitje brilante e flijimit për Atdhe, nëpërmjet të bukurës në trajtën sublime, dhënë nga rapsodi intuitivisht, (ngaqë s’ka patur gjasa e mundësi ta njihte të bukurën si kategori estetike). Vetëm në dy vargje kemi histori dhe këngë, kemi personazhe misionarë, që koha dhe hapësira i caktoi të bëhen misionarë (pa urdhëra e dekrete) – njëri misionar i lirisë, me gjakun që fali dheut mëmë dhe tjetri misionar i ndërtimit shpirtëror, të shpirtit që rron nëpërmjet këngës, e cila na vjen dhe sot e këtë ditë si monument i gjallë, në lëvizje, jo thjesht si dëshmi arkivale e komunitetit përkatës a si gjurmë shpirtërore e kujtesës sociale, por si qarkullim gurgullues i folklorit, si stafetë që sfidon periudhat, sepse është ngjizur nga e vërteta historike dhe pasqyrimi artistik i realitetit historik, i ngjarjeve e personazheve realë. Këngëtori dhe heroi na mbushin trurin me imazhe homerike dhe eskiljane, sepse epikja konkrete trazohet me tragjiken reale, saqë ngjitet nëpër qiejt e abstarksionit universal dhe kthehet po aty ku ndodhi ngjarja, ku u bë historia dhe ku ajo u përjetësua në këngë, në Kotë të Labërisë, sepse në atë stinë të stuhishme vere të etur për shirat e lirisë, në atë teatër luftarak “Obobo, ç’na qënkej Kota!/ Më e bukur se Evropa!” Përsëri këngëtori e përdor si metaforë fjalën diamantine të shpirtit krenar që dhemb, ndaj nuk i thotë Kanan Mazes thjesht: “O Kanan, po qysh vdiqe ashtu?!”dhe të ulërijë e të çjerrë faqet nga dëshpërimi, por, siç i ka hije trimit, i drejtohet burrërisht, me fisnikëri: “Kanan, t’u prish bukuria!…” për Shqipërinë e lirë, për Vlorën e çliruar. Vetëm në raste të tilla kënga i bën nur një njeriu. Duke punuar me vëllimin “Këngë popullore historike”: Tiranë; Instituti i Shkencave, 1956, kemi shënuar 43 njësi folklorike që përbëjnë ciklin e Luftës së Vlorës. Ky cikël është shumë i pasur dhe interesant; nxjerr në pah shpirtin shqiptar, që u ngrit kundër Perandorisë së Re: “Breshkaman i breshkamanit,/ Dil steresë, jo limanit!”. Epika historike e Luftës Kombëtare të Vlorës, 1920 na jep një tablo informative të plotë, saqë, shpesh herë si burim i paturbulluar, bëhet hipotekë e ngjarjes historike, deri në imtësi, kuptohet, duke respektuar parimin fonetik dhe bartësit, komunitetit ç’i pëlqen:“Maji, më njëzet e nëntë,/ N’ Barçalla, në Mal të Shënjtë,/Ngrenë plan populli vetë:/ “Të desëm për dhen’ e shtrenjtë!/ Të desëm për Barçallanë!”/Fshat më fshat kartat u ndanë,/ Vunë çet’ e kumandarë”…

  1. Këngë për Luftën e Vlorës në vëllimin “Këngë popullore të Labërisë”

Nga studimi i teksteve poetike të epikës popullore labe në këtë vëllim, vërehet që janë tekste burimore, thurur e kënduar nga bartës që e kanë njohur luftën e Vlorës në transhetë e saj, në zjarrin e betejave me pushtuesin, me vargje lakonike, ku me pak fjalë jepet imazhi i gjallë i tymit e zjarrit të asaj lufte çlirimtare: “Kam tre vjet, po gjë vesh s’mora/në ç’mendim gjëndetë Vlora,/ bejlerë, a u thaftë goja,/ mos na shisni për të holla!/ Agallarë e efendi,/ mos na shisni n’Itali!/ Rrofsh, more Osmën Haxhi,/ të qenë dy-tre si ti,/ nuk na grisej flamuri,/ nga një palo mbretëri/ që ka breshkatë zadi! [Vlorë, 1944][KËNGË popullore të Labërisë, Mbledhës të folklorit, v. 8, IKP të ASH të RSH, mbledhur, përgat. dhe pajisur me shënime nga Fatos Mero Rrapaj, Tiranë, 1991, nr. 996, f. 1147].Kënga e mbarënjohur “Evropa shkruajnë e thonë” na vjen në disa motërzime. Në vitin 1954, Fatos Mero Rrapaj ka regjistruar në Vuno të Himarës një varaint pak të njohur, por besueshmërisht i thurur në transhetë e luftës nga patrioti dhe luftëtari poet Nase Beni po nga Vunoi: “Evropa shkruajnë e thonë:/ “Ç’është kështu si  dëgjojmë?/ “Po bënet dufek në Vlorë,/ shqipëtarëtë lëftojnë/ me një mbret dyzet miljonë./ Zënë jesirëna thonë,/ zënë jesirë italjanë”/ “Po me se lëftojnë vallë?/ se topa e armë s’kanë,/ as vaporë e aropllanë!”/ “Me sëpata e me hanxharë,/ dufeqet lidhur me gjalmë,/ fishekët në xhep i mbajnë,/ në tri ditë pak bukë hanë;/ po s’ka tabje e istikamë,/ top vapor e aropllanë,/ t’i përgjunjë ata asllanë./ Në pëjetçi dhe për armë,/ asnjë mungesë nuk kanë,/ marrën nëpër italjanë,/ në të vrarë e në të gjallë,/ nëpër depotë ku janë,/ me to rrëzojnë aropllanë![NGË popullore të Labërisë…Vep. e cit., nr. 1006, f. 1159].Vetëm me 7 vargje na vjen një këngë nga Qeparoi, të cilin po e paraqesim, sikurse të gjitha këngët e tjera, duke respektuar parimin fonetik, ashtu siç e mbledhur folkoristi në vitin 1955: “O flamur, shqipe me derte,/ të kërkuam e na erdhe,/ na erdhe i kuq me shqipe,/ erdhe dhe vëndin e ndrite./ Na erdhe si ill karvani:/ në Vlorë ballë Sazani,/ u mbit në det italiani…”. Kjo këngë është ngritur në verën e vitit 1921, ku ushtria kombëtare, me kërkesën e patriotëve bregdetas, hyri në Qeparo bashkë me Anest Qesarin po nga Qeparoi, oficer dhe pjesëmarrës në Luftën e Vlorës.

  1. Shenja europianizimi dhe Epika Historike e Luftës së Vlorës për Europën

Nga cikli i EHLV, vërejmë se, në tetë njësi folklorike, këngëtari dhe luftëtari popullor i drejtohet Europës apo e përmend atë. Si i drejtohet  Europës? Përse e përmend kontinentin e vjetër? Po ndalojmë pak tek varianti i botuar në “Epika Historike, 3”: “Moj Vlor’ e bukur në gropë,/ Moj Vlor – o!/ Skel’ e parë në Evropë/ Moj Vlor – o” etj. Nuk ka dyshim që Vlora as ka qenë dhe as mund të jetë skela e parë e kontinentit europian, por është e drejta e folklorit të çelë shtigje që të vërshojë në këngë “parimi i zbukurimit, simbolizimi nga pozitat e bashkësisë”. Gjithashtu, është mision i folklorit të frymëzojë njerëzit, në rastin konkret, trupat kombëtare vullnetare të Njëzetës, sepse kënga epike ka karakter mobilizues, për të ngritur moralin e luftëtarëve në luftë. Po e konkretizojmë me një variant me pesë vargje, me tetërrokshin tradicional, me rimë të përputhur AA…, të regjistruar në Nivicë të Kurveleshit, 1952 nga folkoristi i njohur Qemal Haxhihasani:“Sa e bukur qënkej Kota,/ Më e bukur nga Evropa!/ Bytym mitrolos e topa! – Kush u hoth në Kot’ i pari?/ – Shaban Dorac kapetani,/ seç vate te xhenerali”. Një motërzim tjetër na vjen: “Obobo, se ç’qënkej Kota/ Më e bukur se Evropa!”… Në fakt, Kota ka qenë një qendër komune (sot njësi administrative), që, maksimumi, mund të quhet qytezë rurale, pa ndonjë gjë të re, të veçantë. Në tekstin poetik shquan prirja ndaj të bukurës, sublimes, lidhja e të bukurës me të dobishmen, dinamizmi estetik dhe parimi i zbukurimit por në këtë rast, hiberbolizimi rrok përmasa pacak; s’qenka gjë Europa përpara Kotës! Vërtet, që kënga labe, në rastin konkret, epika popullore labe nuk është armë, por për Njëzetën pati peshë specifike frymëzimtare të lartë sa për 10 pushkë, sepse ndikoi fuqishëm në moralin e forcave vullnetare të Çlirimit. Një shekull më parë, më 3 shtator 1920, me krenarinë e motivuar të labit dhe me nderin e Çlirimtarit, luftëtari dhe rapsodi popullor Mato Hasani, me trimat e pushkës e këngës, hoqi vallen Nuk e bëjmë kabull na/ të jemi për nën-ë botë”!