Akademik Prof. Dr. Anastas Angjeli: “Bashkë ndërtojmë të ardhmen” drejt punësimit të sigurt, duke edukuar një brez të denjë

Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë zhvilloi ceremoninë madhështore të diplomimit të studentëve të nivelit Bachelor dhe Master, Brezi i 13-të. Presidenti i Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë Akademik Prof. Dr. Anastas Angjeli, u shpreh se: Për mua çdo ceremoni diplomimi është e ndryshme nga tjetra, por emocioni mbetet gjithmonë i njejtë.  Ne kemi hyrë në vitin e 16-të, që nga dita kur hodhëm gurin e parë të themelimit të Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë.  Ndaj edhe pas kaq vitesh, entuziazmi që unë shoh në këtë ditë të veçantë në sytë tuaj, krenaria në sytë e prindërve tuaj për këtë arritje të madhe, natyrisht jo vetëm na mbush me frymëzim, por mbetet gjithashtu përgjegjësia jonë më e madhe për cilësinë e diplomave që ju mbani në duar. Kjo përgjegjësi ka bërë, që ne të gjithë bashkë të mos ndalemi për t’u përmirësuar dhe zgjeruar vit pas viti me programe të reja studimi, kurrikula bashkëkohore   që i formojnë studentët tanë  me njohuritë e domosdoshme duke i kthyer diplomat e tyre në “Passaportat” e një karriere të suksesshme dhe punësimi të sigurtë.

Slogani ynë “Bashkë ndërtojmë të ardhmen”, nuk është thjesht një ndërlidhje fjalësh, por është pikërisht vizioni ynë për t’i parë të realizuar ëndrrat dhe dëshirat e tua, në profesionin që keni zgjedhur. Ky mbetet detyrimi, por edhe kënaqësia jonë më e madhe. Kjo sepse Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë është një institucion ku studentët mësojnë si të mendojnë, jo çfarë të mendojnë. Qëllimi ynë kryesor është të zhvillojmë arsimin, dijen dhe të kuptuarit për të mirën e shoqërisë. Filozofia e edukimit e UMSH bazohet në idenë e arsimimit, duke lidhur përvetësimin e njohurive, aftësive dhe specializimit profesional për pregatitjen e qytetarit të përgjegjshëm që kontribuon në shoqëri. Kjo ditë mbyll një cikël duke hapur derën e madhe të mundësive që ju të gjithë të jeni profesionistë të denjë të së ardhmes.

NOA

Ju sot diplomoheni në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë, por nga çdo studim dhe analizë që ne kemi bërë me mbi 13 mijë të diplomuarit tanë ndër vite, unë dua t’ju garantoj se 85% e tyre janë punësuar brenda 6 muajve nga dplomimi dhe pjesa më e madhe e tyre janë të kënaqur me punën e pagën që kanë. Kjo, na bën të jemi krenarë se e kemi përmbushur misionin tonë, për të edukuar një brez të denjë.

Prandaj ne nuk jemi ndalur duke ofruar sot mbi 50 programe studimi bachelor dhe master dhe doktoraturë   në 4 fakultetet tona. Kemi arritur  të mbulojmë gjithë spektrin e studimeve në fushën e Ekonomisë, Teknologjisë, Drejtësisë, Shkencave Humane dhe Shëndetësisë. Kjo gamë e gjerë programesh, jo vetëm që ka rritur përvojën tonë akademike, por gjithashtu ka kontribuar për t’ju pergjigjur nevojave te tregut, dhe në progresin social dhe ekonomik të vendit si edhe në ndërlidhjen e shoqërisë shqiptare me atë rajonale dhe globale. Filozofia e Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë është e ndërlidhur pikërisht me trinomin e rëndësishëm që bashkon :-cilësinë dhe standartin e lartë në mësimdhënie, duke transmetuar sa më shumë dije të reja studentët, kërkimin shkencor si dhe përfshirjen në punën me projektet e bashkëveprimin me komunitetin e biznesit, duke u bërë pjesë e ndërkombëtarizimit tonë-si një domosdoshmëri e progresit.

Studentët tanë sot falë bashkëpunimit me programin Erasmus plus, kanë mundësinë që të ndjekin studimet jo vetëm në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë, por të kryejnë një a më shumë semestra në një prej universiteve më të njohura europianë me të cilat ne kemi marrëveshjë, me financim të plotë nga Bashkimi Europian. Janë mundësi të shkëlqyera që nuk duhet t’i humbë asnjë student i ri që i bashkohet universitetit tonë. Universiteti Mesdhetar promovon dhe mbështet nismat inovatore të studentëve tanë duke i suportuar ndër vite. Në këtë mënyrë, forcohet pozicionimi specifik i Universitetit Mesdhetar si një qendër inovacioni në mësimdhënie dhe kërkim shkencor ku merren parasysh nevojat përkatëse të institucioneve shtetërore, biznesit dhe shoqërisë. Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë, është universiteti i së ardhmes. Në vitin 2030 Shqipëria pritet të jetë pjesë e BE-së, me të drejta të plota dhe ju duhet të jeni pjesë e këtij procesi, sepse me ju , me kontributin tuaj ky qëllim do të bëhet realitet. Dhe natyrshëm Ju do keni fatin t’i shijoni frytet e këtij antarësimi, por nga ana tjetër duhet të jeni profesionistët e rinj, që punojnë me të njejtat standarde si këto vende. Të dashur të diplomuar, diploma që ju merrni sot është një pasaport që ju hap dyert e jetës , por ky nuk është fundi i studimeve, por fillimi i një faze të re, ju duhet të vazhdoni të studjoni, në programet master e doktoraturës dhe në ngritjen e mëtejshme profesionale, për arsye se jetojmë në një botë që ndryshon me shpejtesi dhe ju duhet të bëheni pjesë e këtij ndryshimi, ta përqafoni atë.