Sheshi i Akademisë së Arteve u mbush me emocionet, përjetimet dhe suksesin e kurorëzimit të përkushtimit të viteve universitare të studentëve të brezit të trembëdhjetë, të të diplomuarve në UMSH. Në ceremoninë më kryesore për nga pesha dhe rëndësia si akademikë, por dhe emocionalë, në shoqërinë e familjarëve, miqve dhe pedagogëve që kanë qenë mbështetje për ta gjatë viteve të studimit, janë hedhur në ajër kapelat, si një simbol i sukseseve që sapo kanë filluar.

Diplomimi i këtij brezi përkon me një etapë të veçantë të Universitetit Mesdhetar, atë të gati 16 viteve histori suksesi. Tashmë universiteti Mesdhetar i Shqipërisë ka zgjeruar oferën akademike për të përmbushur pritshmërinë e profesionistëve të rinj që dalin nga bankat e UMSH. Pas Fakultetit të Shkencave Ekonomike që përgatit ekonomistët e rinj, Fakultetit të Drejtësisë dhe Shkencave Humane, që përgatit juristët, politologë, diplomatë, specialist komunikimi, Fakultetit të Informatikës që ecën në vijë të drejtë me zhvillimet teknologjike, tashmë Fakulteti i Shkencave Mjekësore, është risia me e re e Mesdhetarit, për t’u ofruar studentëve të gjitha kushtet shkencore për t’u përgatitur në fushën e shëndetësisë.



Universiteti Mesdhetar është i çertifikuar për standardet e cilësisë nga Komisioni Europian, ku studentëve do ju njihen kreditet në vendet e BE-së.
Ky Universitet është tashmë, një nga universitetet më elitare në vend me 4 fakultete ,50 degë studimi dhe me mbi 14 mijë të diplomuar që nga themelimi i tij, të punësuar në administratën publike dhe sektorin privat, brenda dhe jashtë vendit.
Ceremonia e diplomimit në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë kishte të ftuar të veçantë, të cilët mbajtën për studentët fjalime motivuese dhe frymëzuese për studentët e sapo diplomuar , të cilët nisin tashmë etapën e re si profesionistë të së ardhmes.
Prof. Dr. Anastas Angjeli: “Bashkë ndërtojmë të ardhmen” drejt punësimit të sigurt, duke edukuar një brez të denjë

Presidenti i Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë Akademik Prof. Dr. Anastas Angjeli, u shpreh se: Për mua çdo ceremoni diplomimi është e ndryshme nga tjetra, por emocioni mbetet gjithmonë i njejtë. Ne kemi hyrë në vitin e 16-të, që nga dita kur hodhëm gurin e parë të themelimit të Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë. Ndaj edhe pas kaq vitesh, entuziazmi që unë shoh në këtë ditë të veçantë në sytë tuaj, krenaria në sytë e prindërve tuaj për këtë arritje të madhe, natyrisht jo vetëm na mbush me frymëzim, por mbetet gjithashtu përgjegjësia jonë më e madhe për cilësinë e diplomave që ju mbani në duar. Kjo përgjegjësi ka bërë, që ne të gjithë bashkë të mos ndalemi për t’u përmirësuar dhe zgjeruar vit pas viti me programe të reja studimi, kurrikula bashkëkohore që i formojnë studentët tanë me njohuritë e domosdoshme duke i kthyer diplomat e tyre në “Passaportat” e një karriere të suksesshme dhe punësimi të sigurtë.
Slogani ynë “Bashkë ndërtojmë të ardhmen”, nuk është thjesht një ndërlidhje fjalësh, por është pikërisht vizioni ynë për t’i parë të realizuar ëndrrat dhe dëshirat e tua, në profesionin që keni zgjedhur. Ky mbetet detyrimi, por edhe kënaqësia jonë më e madhe. Kjo sepse Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë është një institucion ku studentët mësojnë si të mendojnë, jo çfarë të mendojnë. Qëllimi ynë kryesor është të zhvillojmë arsimin, dijen dhe të kuptuarit për të mirën e shoqërisë. Filozofia e edukimit e UMSH bazohet në idenë e arsimimit, duke lidhur përvetësimin e njohurive, aftësive dhe specializimit profesional për pregatitjen e qytetarit të përgjegjshëm që kontribuon në shoqëri. Kjo ditë mbyll një cikël duke hapur derën e madhe të mundësive që ju të gjithë të jeni profesionistë të denjë të së ardhmes.
Ju sot diplomoheni në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë, por nga çdo studim dhe analizë që ne kemi bërë me mbi 13 mijë të diplomuarit tanë ndër vite, unë dua t’ju garantoj se 85% e tyre janë punësuar brenda 6 muajve nga dplomimi dhe pjesa më e madhe e tyre janë të kënaqur me punën e pagën që kanë. Kjo, na bën të jemi krenarë se e kemi përmbushur misionin tonë, për të edukuar një brez të denjë.

Prandaj ne nuk jemi ndalur duke ofruar sot mbi 50 programe studimi bachelor dhe master dhe doktoraturë në 4 fakultetet tona. Kemi arritur të mbulojmë gjithë spektrin e studimeve në fushën e Ekonomisë, Teknologjisë, Drejtësisë, Shkencave Humane dhe Shëndetësisë. Kjo gamë e gjerë programesh, jo vetëm që ka rritur përvojën tonë akademike, por gjithashtu ka kontribuar për t’ju pergjigjur nevojave te tregut, dhe në progresin social dhe ekonomik të vendit si edhe në ndërlidhjen e shoqërisë shqiptare me atë rajonale dhe globale. Filozofia e Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë është e ndërlidhur pikërisht me trinomin e rëndësishëm që bashkon :-cilësinë dhe standartin e lartë në mësimdhënie, duke transmetuar sa më shumë dije të reja studentët, kërkimin shkencor si dhe përfshirjen në punën me projektet e bashkëveprimin me komunitetin e biznesit, duke u bërë pjesë e ndërkombëtarizimit tonë-si një domosdoshmëri e progresit.

Studentët tanë sot falë bashkëpunimit me programin Erasmus plus, kanë mundësinë që të ndjekin studimet jo vetëm në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë, por të kryejnë një a më shumë semestra në një prej universiteve më të njohura europianë me të cilat ne kemi marrëveshjë, me financim të plotë nga Bashkimi Europian. Janë mundësi të shkëlqyera që nuk duhet t’i humbë asnjë student i ri që i bashkohet universitetit tonë. Universiteti Mesdhetar promovon dhe mbështet nismat inovatore të studentëve tanë duke i suportuar ndër vite. Në këtë mënyrë, forcohet pozicionimi specifik i Universitetit Mesdhetar si një qendër inovacioni në mësimdhënie dhe kërkim shkencor ku merren parasysh nevojat përkatëse të institucioneve shtetërore, biznesit dhe shoqërisë. Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë, është universiteti i së ardhmes. Në vitin 2030 Shqipëria pritet të jetë pjesë e BE-së, me të drejta të plota dhe ju duhet të jeni pjesë e këtij procesi, sepse me ju , me kontributin tuaj ky qëllim do të bëhet realitet. Dhe natyrshëm Ju do keni fatin t’i shijoni frytet e këtij antarësimi, por nga ana tjetër duhet të jeni profesionistët e rinj, që punojnë me të njejtat standarde si këto vende. Të dashur të diplomuar, diploma që ju merrni sot është një pasaport që ju hap dyert e jetës , por ky nuk është fundi i studimeve, por fillimi i një faze të re, ju duhet të vazhdoni të studjoni, në programet master e doktoraturës dhe në ngritjen e mëtejshme profesionale, për arsye se jetojmë në një botë që ndryshon me shpejtesi dhe ju duhet të bëheni pjesë e këtij ndryshimi ,ta përqafoni atë.
Ministrja Ibrahimaj: Urime UMSH, studentët përfaqësojnë të ardhmen e sipërmarrjes dhe inovacionit

E ftuar në ceremoni, Ministrja e Shtetit për sipërmarrjen dhe klimën e biznesit Delina Ibrahimaj, inkurajoi të rinjtë për ndërmarrjen e iniciativave dhe vlerësoi stafin akademik të Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë. “Ju përfaqësoni të ardhmen e sipërmarrjes dhe inovacionit në vendin tonë. Shqipëria ka nevojë për energjinë, kreativitetin dhe aftësitë tuaja të përparuara për t’u zhvilluar. Gjithashtu dua të shpreh mirënjohjen më të thellë për pedagogët dhe stafin e Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë, për përkushtimin dhe punën e tyre të shkëlqyer në edukimin tuaj”, -tha Ministrja. UMSH po përgatit mendje- student, mision ky i vyer dhe i veçantë, pasi është një kontribut për të krijuar një shoqëri më të mirë. Denaj ju drejtua studentëv duke u thënë se janë e ardhmja: Do hidhni një hap tjetër në jetë tuaj, ku vetëm me këmbëngulje ju do të arrini majat. Do jeni e ardhmja jonë në të gjitha fushat.
Prof. Dr. Ardian Civici: Të përkushtuar ndaj krijimit të brezave profesionistë

Rektori i Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë, Ardian Civici gjatë fjalës së tij theksoi se edhe pse është ceremonia e 13-të në 16 vite, çdo herë emocioni është ndryshe i veçantë.
Ne vazhdimisht kemi privilegjuar nocionin e universitetit të hapur përgjatë rrugëtimit tonë, një universitet që bashkëpunon , që hap auditorët për ekspertë dhe specialistë më të mirë, për figurat më të shquara intelektuale dhe profesionale në Shqipëri, ku gjatë procesit të studimit, studentët bëhen pjesë . Kur diskutojmë për diplomimin , vëmendja fokusohet te diploma, po unë do thoja që , ajo që sot quhet ndryshim , nuk është vetëm fakti që ju keni marrë një diplomë, po është fakti se ju të gjithë sot jeni ndryshe, më cilësor, më profesionalë dhe shumë më qytetarë të devotshëm si pasojë e këtyre studimeve që keni realizuar në rrugën e jetës. Filozofia e punës dhe mënyra se si funksionon Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë, ka në plan të parë njohurinë dhe dijen në mënyrë që çdo student të jetë i gatshëm, jo vetëm për tregun e punës, por për të gjithë karrierën, për të avansuar në të gjithë drejtimet më të mira të saj.
Gent Stroni: Fakulteti i Shkencave Mjekësore pjesë e risive dhe vizionit të UMSH

Koordinatori i Fakultetit të Shkencave Mjekësore në këtë Universitet, Gent Stroni, gjithashtu nxitën studentët të mos ndalin me të mësuarin gjatë gjithë jetës. Ai u shpreh: -Jam fatlum që jam pjesë e këtij paneli pedagogësh si pjesë e re e këtij universiteti me krijimin e Fakulteti të Shkencave Mjekësore UMSH. Studentëve u them që së pari, nuk njoh asnjë student që të mos dojë të marrë universitetin dhe nuk e kam marrë universitetin , pasi me punë gjithçka arrihet. Dhe së dyti konsideroni veten kolegë që nga momenti që keni hyrë në universitet .Ju jeni njerëzit e të ardhmes.
























