Ago Nezha: Studentët tanë shkëlqejnë në Universitetin e Stambollit

495
Sigal

Ky fakt flet dhe për një shoqëri të emancipuar të Turqisë që nuk ka paragjykime nacionaliste siç ndodh kryesisht me fqinjin tonë jugor Greqinë

Prof. Dr. Ago Nezha

Është krenari e ligjshme të entusiazmohesh kur dëgjon një lajm të bujshëm transmetuar në rrjetet sociale, për tetë studentët shqiptarë   që zunë vendin e parë në Universitetin Teknik të Stambollit. Ky fakt flet shumë për traditën arsimore në vendin tonë dhe për një gjeneratë të re që ka ambicje  të arsimohet e kulturohet në universitet  më prestigjoze të Europës e të botës. Ata synojnë  jo thjesht për të marrë një diplomë për stoli, por si lider për të përvetësuar dijet si një kapital shkencor për të ecur në rrugën e gjatë të jetës nëpërmjet konkurrencës dhe jo lëmoshës që të afron pushteti. Ky realitet tregon për disa komponentë, që kanë reflektuar në rezultatet e larta dhe kanë arritur jo vetëm një individ, por plot tetë, që përbëjnë një skuadër, që po t’i rreshtosh secili ka individualitetin e vetë diferencial. Kjo arritje është meritë e familjes, shkollës së mesme ku  janë diplomuar, mjedisit ku janë formuar dhe intelegjencës personale për secilin student.  Të bën krenar, si shqiptar që “hartën” e Universitetit  Teknik  të Stambollit e çelin studentët shqiptarë . Duke qënë se rezultatet me nota maksimale renditen kronologjikisht, klasifikimi është bërë në grupe katërshe ku kryesojnë emrat e studentëve shqiptarë. Në katërshen e parë të studentëve që kanë dalë me rezultae të shkëlqyera, listën me numurin një e çel Emiljo Mëhillaj, nga Dukati i Vlorës, i diplomuar në degën e Inxhinierisë Elektronike dhe Telekomunikacionit. Shansi për të vazhduar studimet në Turqi Emiljos, ju dha nga një bursë që fitoi nga Ministria e Arsimit, pasi doli me rezultate të shkëlqyera në provimet e maturës. Por për të nisur studimet  në një universitet me kërkesa të larta, ju desh të konkurronte dhe të fitonte të drejtën  për t’u arsimuar. Në këtë universitet pranohen më të mirët, pasi ka konkurrencë të lartë. Vullneti, ambicja, puna sistematike e këmbëngulëse, në çdo veprimtari  njerëzore, të çon drejt autostradës së suksesit. Emiljo i ka vënë synim vetes që të arrijë në majat më të larta të dijes, duke vazhduar studimin për master në Zvicër, në ETH, në Zyrih. Atje do specializohet për Inxhinieri Biomjekësore. Pasi të mbarojë specializimin, ai preferon që të vijë  dhe të punojë  për vendin e tij. Këto ëndërrime të këtyre të rinjve të talentuar, duhet t’u përgjigjet qeveria me një vëmendje, klimë  e predispozicion për t’u krijuar mundësi punësimi, duke hequr dorë nga praktikat e deri më sotme me preferenca të militantizmit, nepotizmit, krahinalizmit dhe klientelzmit. Kur të zerë vend meritokracia, shpresojmë se do bëhet Shqipëria.

Kur shikon renditjen e 10-es  së parë të studentëve të diplomuar për bachelor të vitit akademik 2019-2020, Universitetit Teknik të Stambollit, ndihesh krenar që 8-të të parët janë shqiptarë, ku katërshja e parë ka rezultatin me mesataren 3,99. Pas Emiljo Mëhillaj renditen Bianka Pajo në degën Inxhinieri Ndërtimi, Sigela Muharremi dhe  Alueda Kuka   në degën e  Ekonomi-Financë. Në katërshën e dytë renditen Arlind Billa  në degën e Inxhinierisë Elektronike dhe Informacionit dhe Xhoela Bame në degën Biologji Molekulare dhe Gjenetike, me mesatare 3,96. I treti  i universitetit me mesatare 3,94 është Alket Çiku për Inxhinieri Ndërtimi dhe i katërti Gerald Topalli  me 3,93. Listën e dhjetë shes e më të mirëve të Universitetit Teknik të Stambollit, e mbyllin dy studentët turq, Ahmet Yasin Kul në degën Inxhinieri Kompjuterike dhe  Çigdem Buse Oral,  në degën e Kimisë. Edhe në vitin e kaluar vendin e parë e ka zënë një studente shqiptare Ida Gjergji, me mesatare 4.0. Ky klasifikim tregon për standartin e lartë të shkollës së mesme në Shqipëri, që i ka paisur me dije për të përballuar kërkesat ekselente  që ka universiteti në Turqi. Ky  fakt flet dhe për një shoqëri  të emancipuar  të Turqisë  që nuk ka paragjykime nacionaliste, siç ndodh kryesisht me fqinjin tonë jugor Greqinë dhe më pak me fqinjin detar Italinë. Studentët e diplomuar si elitar tregojnë se Turqia jo vetëm që nuk i paragjykon kombësitë nga vijnë studentët, por përkundrazi  veçanërisht për  shqiptarët ka një trajtesë preferenciale pohojnë studentët. Ka ndodhur disa herë që në Greqi të dalin të parët nxënës dhe studentë shqiptar dhe u është mohuar përfaqësimi në evente kombëtare për hir të kombësisë shqiptare. Racizmi dhe antishqiptarizmi  grek është një trashëgimi historike, deri në agresive e përçmuese. Nuk është një çfaqje sporadike por një strategji dhe mentalitet që buron te institucionet në strukturat shtetërore dhe shpërndahet në arteriet e popullit grek në mbarë Greqinë.

Në Greqi antishqiptarizmi është kthyer në fenomen masiv, ndërsa në Itali është ndonjë rast i shkëputur te individ të veçantë të indoktrinuar me ndjenja nacionaliste. Një rast me një studente të talentuar në lëndën e letërsisë, mësuesja e ngre në mësim dhe pasi i përgjigjet shumë mirë e vlerëson me një notë që i korispodon me 7-të tek ne. Studentja u mërzit por nuk e dha veten. E ngriti në mësim përsëri dhe e vlerësoi me të njëjtin rezultat. Vajza e nervozuar për këtë padrejtësi fillojë të qajë. Mësuesja ju drejtua pse po qan Isida. Ajo i tha: pse më vure 7-të mësuese,  unë ju përgjigja shumë mirë. Mësuesja ja priti  se  unë s’po vë 10 italianëve, e jo ty. Studentja e acaruar dialogoi pse do më penalizosh se jam e huaj dhe u ankua te drejtori që e vuri padrejtësinë  në vend duke krijuar komision dhe studentja u vlerësua me notën 10-të. Por në Itali kemi të bëjmë me raste të shkëputura, ndërsa në Greqi me një fenomen që ka infektuar mbarë opinionin grek. Qeveria greke ankohet  dhe  flet vazhdimisht për të drejtat e minoritetit  grek në Shqipëri, kur janë më të privilegjuar se vendasit me shkolla në gjuhën greke dhe ku ka pak nxënës, me degë në gjuhën greke në Universitetin “Eqerem Çabej”,  dhe harron që shqiptarëve në Greqi ju ka mohuar shkollën, gjuhën, e deri  te emrat që jua kanë greqizuar. Kjo padrejtësi, është njëkohësisht përgjegjësi e dobësi e shtetit shqiptar, që nuk vendos marrëdhënie reciprociteti mes dy vendeve, por tregohet inferior.

Fenomeni i nxënësve me rezultate të shkëlqyera nuk shfaqet vetëm në Universitetet e Turqisë, por në të gjithë vendet e Europës dhe të botës ku ka emigracion shqiptar. Rasti i Turqisë u propogandua se ishte në grup, por ka studentë  ekselentë  në shumë universitete të huaja që nuk njihen në institucionet tona, pa folur për opinionin publik.

Do ishte e udhës që Ministria e Arsimit dhe institucionet përkatëse të evidentonin e listonin  studentët elitarë  kudo ku studjonë në Universitete brenda dhe jashtë vendit dhe t’u ofronin mundësi punësimi duke i paraprirë me një përkujdesje të veçantë shtetërore.

Arsimi është fytyra e kombit. Për të përmbushur cilësisht këtë detyrë shtetarët tanë të kujtojnë sentencën kineze se: “Po mendove për një vit mbill një farë, po mendove për dhjetë vjet mbill një pemë dhe po mendove për 100 vjet, arsimo popullin.”