Ago Nezha: Arrestimi nga nazistët i Seit Boshnjakut, Siliqit etj

340
Sigal

Kujtimet e artistit me  Hamid Shijakun,  Vasil Shanton dhe nga jeta në burgun e Shkodrës

Banori i burgjeve naziste Seit Boshnjaku, Llazar Siliqi dhe dy motrat  e tij

Nga forcat e Gestapos në vitin 1943, në burgun e Shkodrës u futën Llazar Siliqi me dy motrat

Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare kishte arritur kulmin e saj, duke u shtrirë me intensitet të lartë në të gjitha krahinat e Shqipërisë. Okupatori gjerman megjithëse i angazhuar me forca të shumta në numër dhe i armatosur me mjetet më moderne po pësonte disfatë pas disfate, nga dita në ditë nga lufta jonë Nacionalçlirimtare. Në një situatë të trazuar e tepër kritike , ishte bërë si bishë e tërbuar nga disfatat që po pësonte dhe për t’u hakmarrë filloi arrestimet dhe masakrat e djegiet e shtëpive në të gjithë fshatrat e Shqipërisë. Veprimet e tij shtazarake, ishin për të ngjallur frikën dhe për të futur panik në popull. Në këtë kohë, kur nazistët gjermanë bënin shumë kujdes në identifikimin e personave që propagandonin dhe luftonin pushtuesit, Seiti pa marrë parasysh asgjë e shtoi veprimtarinë e tij patriotike. Ai fliste kudo kundër pushtimit, merrte pjesë në aksione të ndryshme, shpërndante parulla dhe trakte. Në Shkodër ai ishte ndër të parët në çdo aksion dhe veprim antifashist. Ai, kishte rënë shumë në sy të pushtuesit dhe ishte i ndërgjegjshëm se një ditë do të arrestohej, por urrejtja ndaj pushtuesit nuk e lejonte që të kthehesh prapa si kapitullant, ndaj luftonte pa ju trembur syri ndaj çdo të papriture. Në mes tyre, ndër të parët që kishte rënë në sy për aktivitet antifashist ishte dhe Seiti me 20 shokë të tjerë, që nuk do t’i shpëtonin dot arrestimit,. Në fundin e vitit 1943, Seiti arrestohet befasisht. Dikush e kishte spiunuar.

Ai fillimisht burgoset në Shkodër

Në Shkodër filloi odiseja e burgimit, që do ta shoqëronte në çdo hap të jetës së tij partizane. Jeta në burgun e Shkodrës ishte tepër e rëndë dhe e papërballueshme nga mjerimi, torturat çnjerëzore dhe mjedisi poshtërues. Çimkat dhe morrat ishin banorët më “ autoritar”, që lëviznin pa kufizim, si në autostradë, në trupat e të burgosurve, që mundoheshin t’i pastronin me duar, por që ishte e pamundur të evitoje sulmet e këtyre parazitëve, që aty gjenin strehimin dhe ushqim pa pagesë. Por, torturat nuk kishin as fillim e as fund. Nuk mjaftonin trysnitë e përditshme që ushtronin gardianët e burgut, por filluan dhe torturat më të kualifikuara nga forcat e Gestapos, me rrahje sistematike me kërbaç, me djegie cigare, me hedhje të ujit të ftohtë në kokë, dhe heqje me darë të thonjve të këmbëve dhe të duarve, e tjera mënyra shtazarake nga më barbaret. I tërhiqnin të lidhur me litar si të ishin kafshë dhe i futnin në një kanal ujërash të zeza të përziera me fekale, që të jepnin shpirt. Megjithëse ushtronin tortura nga më çnjerëzoret për t’i poshtëruar dhe nënshtruar, ideali dhe morali i këtyre njerëzve të “hekurt”, i bënte të papërkulshëm, sa që imagjinata njerëzore e bën të pabesueshme këtë realitet të rezistencës titanike, superhumane. Ata, edhe në këto kushte çnjerëzore, besonin në misionin e tyre, se një ditë të afërt vendi do çlirohej nga bisha naziste. Ky besim ua rriste moralin dhe qëndronin sypatrembur para çdo sjellje shtazarake të pushtuesit. Komandat e forcave partizane i kishin përgatitur efektivat e tyre, që të tregoheshin të kujdesshëm edhe kur të binin në kurthin e armikut, për të mos dhënë informacione dhe sekrete që komprometonin qëllimin final të luftës partizane. Solidariteti, besimi te njëri tjetri dhe dashuria mes tyre, shumëfishohej para vështirësive që po kalonin nën diktatin e forcave naziste. Në kushtet e terrorit dhe torturave në qelitë e burgut, si kundër reagim forcohej uniteti, rritej vendosmëria dhe besimi në fitoren e luftës. Në burgjet naziste kishte jo vetëm të burgosur politik por dhe ordinerë, nga fshatra të ndryshme të zonës malore, veriore, që ishin dënuar me 10 dhe 15 vjet burg dhe që e vuanin dënimin afër të burgosurve politikë. Trajtimi dhe të ushqyerit e të burgosurve ishte më afër natyrës shtazore se sa njerëzore. Ju jepesh një racion minimal sa për të mbajtur frymën. Edhe pse ishin bërë kockë e lëkurë, shpresa dhe besimi në fitore i bënte tepër energjikë, falë dhe rezistencës që buronte nga mosha e re e të burgosurve.

Ushqimi ju servirej në kolektiv, si kafshëve në grazhd.

Kishte të burgosur që nuk u vinte gjellë dhe shokët e ndanin mes njëri tjetrit, për t’u krijuar dhe atyre një racion sa për të mbajtur frymën. Seiti në kujtimet e tij, tregon se mes tyre ishte dhe një italian, i quajturi Barburini, i cili kishte një simpati të madhe për të burgosurit politik. Në burgun e Shkodrës, torturat ishin ritual i përditshëm e i përnatshëm pa u ndërprerë, si një “orkestër frymore” që ndërroheshin instrumentistët e terrorit. Në këtë situatë kondraverse, reagimi i të burgosurve ishte tepër aktiv dhe në këto kushte buçiste kënga revolucionare dhe bëheshin greva që shtypeshin me forcën e kamxhikut nazist. Gjatë ditës dhe gjatë natës, ushtrohej presion fizik dhe psikologjik, për të paralizuar veprimet aksionare të burgosurve. Forcat reaksionare, bashkëpunëtorët e fashizmit ushtronin dhunë dhe presion sistematik te të burgosurit, që t’i detyronin ata të braktisnin frontin e luftës partizane. Por më kot. Kjo ishte një utopi e armikut të jashtëm, pushtuesit nazist, që në aleancë me kolaboracionistët vendas, kërkonin të nënshtronin dhe të shuanin frymën luftarake të partizanëve të burgosur. Për këtë qëllim ata përdornin forma nga më të ndryshmet, nëpërmjet agjitacionit, premtimeve dhe kërcënimeve, për të ulur sado pak moralin dhe për t’i detyruar që të largoheshin nga fronti i luftës çlirimtare. Manovrat ishin nga më të ndryshmet. Ju ofronin edhe privilegje apo favore për të lëshuar deklarata, se do ndërprisnin aksionin dhe do braktisnin luftën Nacionalçlirimtare. Por të gjitha këto premtime nuk zinin vend në ndërgjegjen e të burgosurve partizanë, që ishin të përbetuar për jetë a vdekje, për të fituar lirinë e Atdheut. Të gjithë shokët qëndronin të vendosur, sypatrembur e burrërorë, ndaj gjithë makinerisë kërcënuese të armikut. Ky ishte morali i hekurt partizan, që kishte zënë vend në mendjet dhe zemrat e luftëtarëve të lirisë, që në çdo rrethanë të mos e njohin frikën, presionin, të përballonin torturat dhe të mos e kursenin edhe jetën po ta lypte nevoja e atdheut, në moshën më të bukur, në lulen e rinisë, siç e dhanë shumë shokë që rrokën armët kundër armikut. Kishin kurajo dhe guxim heroik, duke vepruar nën hundën e armikut të Gestapos. Pa iu trembur syri organizonin mbledhje politike, ku vlerësonin situatën e Luftës Nacionalçlirimtare dhe në këto kushte ilegaliteti përgatisnin dhe organizonin shfaqje teatrale, për të rritur moralin dhe argëtuar efektivët luftarak me skeçe satirike, ku ironizonin forcat armike dhe kolaboracionistët e Ballit dhe Legalitetit, që ishin bërë palë me ta, në dëm të lirisë së atdheut. Seiti, falë karakterit të tij sanguin, ishte i kudondodhur, sa në frontin e luftës, ashtu edhe në përgatitjen e shfaqjeve ku luante disa role për të përmbushur galerinë e personazheve që kishte shfaqja. Ishin një grup shokësh si Seiti, Asim Bushati, Xhemal Boriçi, si dhe djali i tij Sadullahi, që kishin shoqëri të ngushtë e besim te njëri tjetri dhe bisedonin dhe bënin plane se si mund të shpëtonin nga burgu i Shkodrës, duke u arratisur. Ishte një ndërmarrje e vështirë, që kërkonte fantazi, trimëri dhe zgjuarsi për të dalë fitimtarë, se mund të përfundoje në grykën e pushkës të rojeve të burgut dhe ta humbisje jetën për një llogaritje pasionante të moshës. Por jeta e kishte pjekur para kohe këtë brez heroik dhe i kishte bërë të aftë për të realizuar aksione, që si rrokte dot arsyeja e pushtuesit dhe lakenjve të tyre me emër shqiptar, por pa gjak shqiptari, që kishin shitur moralin, besën ndjenjat dhe lëkurën te pushtuesi, për pesë aspra. Në planet që kishin ndërtuar për arratisje, rezultonin tepër të guximshme, për ta boshatisur burgun duke marrë me vete jo vetëm të burgosurit politik por dhe ata ordinerë, që vuanin në të njëjtat qeli. Mbasi studiuan terrenin, rrethanat dhe faktorin njerëzor, arritën në një ide racionale, se e vetmja mundësi për t’i shpëtuar ferrit të burgut të Shkodrës ishte prerja e tavanit.

 Kështu vepruan

Për fatin e tyre të mirë, tavani ishte prej dërrase të vjetëruar, që mundësonte lehtësi në çpim. E menduan gjatë, që pasi të shponin tavanin, nga nënçatia e pullazit të dilnin në qoshen e murit nga prapa burgut, nga ku me anë të çarçafëve të zbrisnin poshtë. Kjo skenë të kujton katakombet te romani Konti Monte Kristos, kur zbrisnin me litar. Ata, duke e njohur realitetin e burgut, e gjykuan se deri këtu situata nuk ishte e pamundur dhe jo shumë e vështirë. Mirëpo burgu ishte i rrethuar nga të katër anët, nga 4 roje të xhandarmërisë, që e bënte operacionin shumë të vështirë. Atëherë gjetën si rrugëdalje versionin që duhej të punohej për të kompromentuar të paktën dy xhandarë, që të ishin aleatë të tyre në këtë aksion. Kjo gjetje, i shpinte drejt një suksesi propabël. Pasi i studiuan të katër rojet, që ishin bij të Shkodrës, rezultoi se njëri prej tyre të ishte simpatizant i tyre, xhandar Idrizi, që në rrugë të fshehta ndihmonte luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Një strategji kjo, e mirëstudjuar dhe e projektuar me fantazi e vizion të qartë, për të arritur qëllimin final. Paraprakisht idenë e arratisjes e biseduan me Idrizin dhe ai, ishte plotësisht dakord, por duhej patjetër që të rekrutohej dhe një shok tjetër i tij, për të realizuar aksionin. Ky mision do realizohej kur të bënin për vetë dy rojet e pasme të burgut, që do mundësonin natën largimit të tyre, duke i lajmëruar në momentin më të mundshëm, kur pasmesnate binte vigjilenca dhe arratisja bëhej pa rrezikuar asnjë prej të burgosurve. Dilemat ishin të mëdha. Që të mos rrezikoheshin të burgosurit, por njëkohësisht të mos fajësoheshin dhe rojet. E, siç thotë populli në sentencën e tij: “ Duhej mishi që të piqej, por dhe helli të mos digjej”. Ky skenar rezultoi i suksesshëm. Qëllimi që i kishin vënë vetes organizatorët e këtij aksioni të rrezikshëm, ishte që të gjithë të burgosurit t’i shpëtonin prangave dhe të dilnin të lirë në mal partizan, që të luftonin kundër okupatorit për çlirimin e atdheut. Mendimi ishte pjekur plotësisht dhe ishin të gjithë të një mëndje për ta realizuar këtë ide, edhe pse mbarte rreziqe të mëdha dhe mund të rezultonte tragjik. Por kur je në kthetrat e vdekjes e torturave, mundohesh të çlirohesh me çdo mjet prej tyre dhe i merr parasysh dhe kostot. I gjithë aksioni ishte projektuar në mendjet dhe ndërgjegjen e tre shokëve besnik dhe mbahej sekret, deri në momentin e realizimit. Kur të fillonte zbatimi konkret, do lajmëroheshin një ose dy orë para veprimit për arratisje. E gjithë platforma u mbajt sekret. Seiti, bisedoi me italianin Barberi, i cili kishte shumë aftësi dhe ishte mjeshtër për veprime inteligjente. Kur Seiti ja prezantoi aksionin, Ai, e aprovoi menjëherë dhe shprehu gatishmërinë për ta realizuar në klandestinitet, duke pranuar të gjitha variantet e sugjeruara nga treshja organizatore. Pasi shprehu dakortësinë, kërkoi si mjet operacional një thikë, për të filluar nga puna. Për të krijuar një terren të favorshëm, treshja në rrugë konservative biseduan me marshallin e burgut se kishin nevojë për t’i lyer dhomat me gëlqere, duke i thënë se na mbytën çimkat,saqë janë bërë të padurueshme. Kjo ishte një taktikë e zgjedhur me mençuri, për të lejuar që të futesh në ambientet e burgut gëlqerja. Dhe gëlqeren sipas kërkesës së tyre, pas disa ditësh ua prunë në kapanonin e burgut. Në zinxhirin e veprimeve të tyre, ishin parashikuar të gjitha hallkat se si do funksiononin. I nxorën të gjithë shokët jashtë në oborr, duke i lajmëruar se asnjëri prej tyre nuk do futesh në dhoma, pa mbaruar lyerja e gjithë ambienteve. Një nga dhomat e burgut ishte emërtuar dhoma e “ shkodranëve”, pasi aty jetonin treshja shkodrane, në katin e dytë, që pozicionohej karshi oborrit të burgut, që komunikonte me ambientet e jashtme me dy dritare. Njërin prej shokëve të tyre Qazimin, e kishin lënë roje para hyrjes së dhomës, që të mos lejonte njeri që të hynte brenda. Në këto rrethana,filluan të zbatonin idenë që kishin projektuar për t`i shpëtuar izolimit në burg. Italiani i talentuar siç tregon Seiti, filloi prerjen e tavanit mjeshtërisht në një kohë rekord, pa krijuar asnjë incident dyshues. Ndërkohë që italiani priste tavanin

 Seiti po bojatiste dhomën me një furçë të keqe

Për të realizuar këtë veprimtari me sukses, u deshën vetëm dy orë, falë veprimeve të shpejta, të shkathëta e të kujdesshme të Barburinit. Në tavan, u pre një kuadrat sa të nxinte një njeri për të dalë jashtë. Italiani Barburini pasi e hapi kuadratin, hipi vetë dhe bëri provë që kalohej lehtë, pavështirësi. Kjo kishte shumë rëndësi për të realizuar arratisjen në njësinë e kohës, se aksioni do kryhej me shpejtësi të rrufeshme, për ta bërë të mundur që të dilnin të gjithë të burgosurit. Seiti, si primar i këtij organizimi e falënderoi Barburinin, për shkathtësinë dhe përpikmërinë që tregoi në një kohë rekord për hapjen e tavanit dhe i kërkoi që të mos komunikoj me askënd, por ta mbajë sekret. Por, shqetësimi ishte se pasi të mbyllej vendi i prerjes së tavanit, të mos dallohej lehtë nga të pranishmit. Por Barburini, me qetësinë dhe sigurinë që e karakterizonte, i tha Seitit: mos u shqetëso se këtë dilemë e zgjidh unë fare lehtë. I kërkoi Seitit që t’i sillte ca tul buke, ta lagte me ujë, ta bënte si brumë dhe ta vendoste në kuadratin ku ishte hapur tavani, ku do dilnin të burgosurit. Kështu u veprua pasi pruri brumin Seiti, Barburini e vendosi me kujdes dhe e mbylli të çarën e tavanit, e leu me gëlqere, që të humbiste gjurmët dhe eliminonte çdo dyshim të mundshëm nga ana e oficerëve të burgut. Seiti, tregon për aftësitë e Barburinit, që arriti ta kthej në identitet tavanin, saqë edhe vetë ai që ishte dëshmitar i tërë atyre ndryshimeve, nuk dallonte dot se ku ishte vendi që ishte hapur tavani. Ky fakt e entuziazmoi shumë Seitin, saqë nuk dinte se si ta përgëzonte dhe falënderonte, ndaj veç fjalëve mirënjohëse, e përqafoi me adhurim autorin e kësaj mjeshtërie të veçantë.Mbasi kishte mbaruar gjithë procesi i lyerjes, erdhën shokët plot kuriozitet dhe kur i panë dhomat të lyera e pastruara, të befasuar shprehën falënderimet e tyre për këtë ndryshim që kishte pësuar ambienti i fjetjes. Ëndrrat e përbashkëta për t’u arratisur flinin në ndërgjegjen e tyre, pa i folur me gojë njëri tjetrit. Ishin ditë dhe netë ankthi, që kishin rënë në kllapi se kur do merrte zgjidhje plani i tyre, që e kishin projektuar nismëtarët e heshtur. Shpresa i inkurajonte, por durimi ishte sosur dhe prisnin tërë shqetësim se kur do vinte ora e triumfit, që të shpëtonin nga kthetrat gjakatare të Gestapos. Me anën e gardianit të burgut Idrizit, arritën që të fusin brenda efektivit dhe një revolver “ Nagant “, që ja dorëzuan Seitit, por ai ja dha shokut të tij të ngushtë Asimit, që ishte tepër i kujdesshëm dhe gjakftohtë. Ai, hezitoi, por Seiti insistoi dhe e porositi që ta fusë në brendësi të dyshekut dhe po të lind nevoja e kanë për çdo eventualitet të mundshëm, që mund të krijohen nga situata kritike të paparashikuara. Te Asimi, Seiti kishte shumë besim për vetë karakterin e tij stoik, dashamirës, human, besnik, trim që si trembej syri para çdo të papriture. Seiti, përshkruan shumë ngjarje anormale në burgun e Shkodrës. Një prej tyre, është revolta popullore e qytetarëve të Shkodrës, që në një pragmesnate oshtinin rrugët nga këngët revolucionare, që shprehnin revoltën e brendshme ndaj okupatorit nazist. Gjermanët, kjo situatë i revoltoi shumë dhe të nervozuar bërtisnin si bisha të tërbuara. I gjithë qyteti ishte pushtuar nga një kakofoni zhurmash, që vinte nga drejtime të ndryshme dhe përplaseshin në qendër. Zhurma e njerëzve, kryqëzohej me zhurmën e makinave dhe shpërndahej si një ciklon, që thërriste për alarm nga ana e gjermanëve. Këto klithma ranë dhe në veshët e të burgosurve, që të habitur nuk dinin se çfarë po ndodhte jashtë mureve të izolimit dhe për të shuar kureshtjen pyetën gardianin e burgut. Ai i sqaroi, se janë një grup të burgosurish që kanë ardhur nga burgu i Tiranës, të cilët ishin grumbulluar nga të katër anët e Shqipërisë. U krijuan situata të reja, tepër të ndërlikuara, që e rritën koifiçentin e vështirësive për të realizuar aksionin e arratisjes.

Lista e të arrestuarve nga forcat e Gestapos në vitin 1943, në burgun e Shkodrës. 1. Llazar Siliqi ( me dy motrat ) 2. Teodor Siliqi( me dy motrat) 3. Xheladin Fishta 4. Seit Boshnjaku 5. Kasem Trashani 6. Jakup Trashani 7. Jup Trashani 8. Gani Duli 9. Pahri Ecni 10. Hoxha i Draçinit ( Hafizi ) 11. Ibrahim Hafizi 12. Xheladin Bushati 13. Shyqyri Bushati ( i biri i Xheladinit ) 14. Shefqet Bushati 15. Jakup Ruzi 16. Xhemal Bushati 17. Sami Bushati 18. Xhemal Boriçi Ago Nezha 1. 55 19. Sadullah Boriçi 20. Qazim Llazani 21. Zef Shoshi 22. Gjovalin Broci 23. Ramiz Draçini 24. Spiro Shallvari 25. Muhamet Zeneli 26. Ymer Pahija 27. Esat Sylja 28. Shyqyri Haxhija 29. Muhamet Tafili 30. Ali Beci 31. Shaban Sedi 32. Tofik Duli, etj.(daja i Lilit) Siç shihet në këtë listë emrash që prezantojmë, në Luftën Nacionalçlirimtare janë përfshirë jo vetëm individë të veçantë, por edhe pjesëtarë të familjes: si motra, vëllezër e fëmijë të tyre, pa menduar se një ditë do jepnin edhe jetën për çlirimin e vendit nga okupatori. Ky shembull është unikal, në këtë epope të papërsëritshme në historinë e lavdishme të popullit tonë, në luftërat për liri, pavarësi, çlirim kombëtar dhe shoqëror.