Agim Çiraku – pjestar i fisit me emër të madh

475
Sigal

Nga Prof. Dr. Ago Nezha

Çdo periudhë historike nxjer në pah heronjtë e vet, ose njerëzit e shquar, që bëjnë histori me bëmat e tyre. Në vitet e demokracisë tradita e fisit Çiraku nuk është venitur, pasi ka dalë në skenën administrative drejtuese dhe atë shoqërore Agim Çiraku. Ai, u lind në 31 maj të vitit 1958 në Tiranë nga një familje patriotike, me prindër të dëgjuar për trimëri siç ishte babai i tij Seit Çiraku, që bëmat e tij i përshkruam më lart dhe me një nënë fisnike që kishte lindur në Francë, nga familja me tradita e Veshajve tëVërmikut. Në Tiranë ka kryer shkollën 8 vjeçare dhe gjimnazin “ Petro Nini Luarasi”. Pas gjimnazit mbaroi Akademinë e Rendit Publik nëTiranë nëvitin 1983, për të mos u ndalur drejt rrugës së dijes, duke mbaruar Inxhinjerinë Mekanike në Universitetin e Tiranës në vitin 1992, si dhe Fakultetin Juridik në vitin 2005. Në vitet e demokracisë ka bërë emër si drejtues në disa institucione të rëndësishme shtetërore si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë Rrugore, Drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve, Drejtor i Qëndrës së Ankandeve në Kryeministri dhe Këshilltar i Ministrit të Brendshëm. Njëkohësisht është zgjedhur dy legjislatura, Anëtar i Këshillit Bashkiak në qytetin e Durrësit. Ka liçencën e avokatit dhe prej disa vjetësh është President i Federatës së Notit dhe nën kryetar i Shoqatës Atdhetare Kulturore  Labëria “Nderi i Kombit”, që prej kuvendit të pestë. Ky prezantim, tregon më së miri se ka një bilanc të pasur në sferën shtetërore dhe atë shoqërore.

Për kontributin e dhënë në shoqatën Labëria, veçanërisht me botimin e gazetës “Labëria”, është nderuar me titullin e lartë “Personalitet i Shquar i Labërisë”.

Është i martuar me Anila Llurin, me profesion ekonomiste, një familje intelektuale me prindër Xhevat e Lejla Lluri, që kanë dhënë kontribute të çmuara respektivisht në sektorin ushtarak dhe atë ekonomik.

Agimi ka dy fëmijë, një vajzë e quajtur Helga Çiraku dhe një djalë Klaus Çiraku, të shkolluar në profesione të ndryshme. Vajza Helga ka mbaruar të mesmen në Gjermani dhe të lartën në Austri për jurisprudencë dhe punon si avokate. Ndërsa djali i Agimit Klausi ka mbaruar të mesmen në Gjermani dhe të lartën në Angli, në degën Menaxhim Biznes. Aktualisht merret me Biznes privat, si President i Firmës “ Hekla” dhe është dhe botues i gazetës “Telegraf”. Duke ndjekur veprimtarinë e djalit të Agimit, Klausit, shikon si në ekran tërë rrugëtimin e fisit Çiraku, që ka një vazhdimësi mbreslënëse nga njëri brez te tjetri, që tregon se është një fis me tradita të shquara patriotike, i ngjizur në genin familjar dominant, me një trashëgimi të vyer tradicionale.

Veprimtaria e familjes Çiraku është tepër aktive dhe komplementare, duke koperuar në fushën ekonomike dhe shoqërore. Ky profil i familjes së Agim Çirakut, tregon për vizionin dhe racionalitetin që karakterizon Agimin, në gjithë veprimtarinë e tij multidimensionale.

“E kaluara dhe e ardhmja e jonë përbëjnë një të tërë. Ne jetojmë në fisin tonë dhe fisi ynë jeton te ne” shkruan Nerval. Fisi Çiraku do jetojë gjatë me shkëlqimin e brezave, që secili prej tyre ka lënë gjurmët e veta, për të mbetur një zjarr i ndezur, që nuk do shuhet kurrë.