/Gazeta TELEGRAF
Sa herë që skuadra e zemrës zhvillon ndeshje në fushën e saj, diku në shkallët e stadiumit ulet dhe ndjek atë në shoqërinë dy fëmijëve të tij, ish-futbollisti dhe kapiteni i njohur i Tiranës, Krenar Alimehmeti. Të veshur të tre me fanellat bardheblu, sepse siç e thotë dhe vetë Krenari, kjo fanellë, është bërë pjesë e familjes Alimehmeti për më shumë se gjysëm shekulli më parë, kur babai i vet ishte një tifoz i thekur i futbollit tiranas, kur qitësi Gëzim Alimehmeti, gjyqtari i basketbollit Flamur Alimehmeti apo çiklisti dhe më vonë gazetari sportiv i suksesshëm Bedri Alimehmeti, bënin pjesë në familjen e madhe sportive të Tiranës. Por e veçanta qëndron dhe në faktin tjetër shumë domethënës, sepse të dy fëmijët kanë një njohje të admirueshme të klubit të futbollit të Tiranës. Të dy janë aq të apasionuar ndaj futbollit, saqë tani ndoshta e kanë mësuar, se babai tyre ka një karrierë shumëvjeçare të sukseshme, madje dhe kapiten me Tiranën.
Dhe për Krenar Alimehmetin dashuria për futbollin nis që në moshën kur ishte fëmijë, duke luajtur futboll në sheshet dhe rrugicat e lagjes së vjetër të tij, diku poshtë rrugës “Fortuzi”, dhe tek ajo fushë përballë shkollës “Harry Fulltz”. Nga rrugicat e kësaj lagjeje kanë dalë dhe futbollistë të tjerë cilësorë që kanë përfaqësuar denjësisht futbollin “bardheblu” të kryeqytetit si: Agustin Kola, Skënder Hodja, Florian Riza, Luan Metani dhe Indrit Fortuzi. Por si shumë të tjerë dhe Krenar Alimehmeti edhe pse e dashuron fort futbollin, fillimet e tij në sport do t’i ketë me basktebollin në fushën e shkollës pranë gjimnazit “Partizani”. Por syrit të një specialisti si, Skënder Halili nuk mund t’i shpëtonte ky djalosh me atë trup të formuar që dallohej shumë nga shokët e tjerë. Rekomandimi për talentin 13-vjeçar, Krenar Alimehmeti, do ishte për trajnerët e ekipeve të moshave Resul Ahmeti dhe Sami Shuapi. Dy vite më vonë në moshën 15 vjeçare pinjolli i familjes sportive Alimehmeti, do jetë pjesë e ekipit të rinjve të “17 Nëntorit”, që në ato vite drejtohej nga Ilir Muca dhe Haxhi Arbana. I saktë në çdo veprim, tepër deciziv në ndërhyrjet e tij, mbrojtësi Alimehmeti prezantonte me shumë talent të ardhmen e vet, në planet e trajnerëve të ekipit të parë të Enver Shehut dhe Ali Memës.
Dhe rritja sportive fillon dhe piketohet me kalimin e tij tek ekipi “Shpresa”, si pjesë e klubit të Tiranës. Ndeshja e tij e parë si titullar me fanellën “bardheblu” do jetë në janar të 1984 kur ishte vetëm 18 vjeç, në atë ndeshje për Kupën në Peshkopi, ajo midis “Korabit” dhe “17 Nëntorit”. Një prezantim shumë dinjitoz për mbrojtësin Krenar Alimehmeti, që gjatë gjithë kohës kishte mbuluar nga afër sulmuesin e shpejtë dibran Shpëtim Toskën. Kaq është dashur që trajneri Enver Shehu, si një ‘usta’ i vërtetë i talenteve t’i japë këtij mbrojtësi vendin që i takon, në rradhët e asaj skuadre “bardheblu”, që rivalizonte fort dhe fitonte tituj kampion dhe kupa në përballjet me Partizanin, Dinamon, Vllazninë dhe Flamurtarin. Dhe ajo skuadër klasike me lojtarë të tillë si Mersini, Sharra, Baçi, Hodja, Omuri, Josa, Lekbello, Liti, Ramadani, Muca, Mema, Stoja, Bimo, Minga, Kola dhe të tjerë ishte modeli i futbollit shqiptar, ku diku, midis këtyre emrave qëndronte dhe djaloshi i ri, Krenar Alimehmeti. Dhe nga modeli i këtyre futbollistëve ai mori motivim që shumë shpejt të kthehej në një lider të vërtetë për skuadrën e tij “bardheblu”.
Si mbrojtës anësor, ose i vendosur diku në qendër të saj, Krenari për çdo ndeshje do merrte detyrën për të mbuluar nga afër sulmuesin më të rrezikshëm të skuadrës kundërshtare. Nuk ishte një detyrë e lehtë kjo, kur gjatë gjithë ndeshjes do bëje mirë rolin “bodigardit” ndaj sulmuesve të tipit të tillë si: Shehu, Millo, Çobani, Fortuzi, Bejzade, Kushta, Bubeqi, Vukatana, Martini, Sinani, dhe shumë e shumë të tjerë. Ndaj çdo njërit prej tyre duhej përqëndrim i madh, për t’i mos lejuar këta “gjahtarë” të golit të shënonin gol tek porta e tij. Dyluftimet ajore, mbulim i rreptë në çdo sektor të fushës ishin pjesë e veprimeve të tij. Gjithësesi, pas çdo ndeshjeje, Krenar Alimehmeti, do të ndahej si një mik i mirë me çdo sulmues, edhe pse në fushën e lojës ka qëndruar fort për gjithçka kundër tij. Shoqëria sportive e tillë është, ndaj dhe sot Krenari mban shoqëri dhe miqësi me shumë prej atyre që në ato vite kanë qenë të kundërt në veprime gjatë zhvillimit të ndeshjeve. Në harkun e katër viteve me ekipin “bardheblu”, nën drejtimin e trajnerit Enver Shehu, mbrojësi energjik Krenar Alimehmeti do t’i gëzohej bashkë me shokët e skuadrës fitimit të tre titujve kampion në sezonet 1984-1985, 1987-1988 dhe 1988-1989, si dhe fitimit të Kupës të Republikës në vitin 1986, nën drejtim të trajnerit të njohur Shyqyri Rreli ish “17 Nëntori”, ose sot “Tirana”, bëhen një skuadër shumë e fortë dhe tëpër konkuruese.
Titujt rresht si nënkampion, por dhe shumë herë finalistë të Kupës. Në pjesëmarrjet për Kupat e Europës, “bardheblutë ” e kryeqytetit, pasi kishin lënë pas ato ndeshje të bukura për Kupën U.E.F.A në vitin 1987, kur kalonin Dinamon e Bukureshtit dhe turin e dytë eleminoheshin nga Malmoe–Suedi, në sezonet 1988-1989 dhe 1989-1990, vazhdojnë traditën e mirë në eventin e Europa-Champions, ku eleminoheshin në turet e dyta nga ekipe të mëdhenj si: Goteborg dhe Bajer-Mynih. Në këto ndeshje mbrojtësi Krenar Alimehmeti lë mbresa të admirushme, duke i detyruar drejtuesit e ekipit kombëtar ta bëjnë pjesë të ekipit kombëtar. Por kjo ndodh vetëm për një ndeshje, atë të 19 Tetorit 1989, kur Shqipëria humbiste me rezultatin 1-0 në qytetin Katovic kundër Polonisë. Përse nuk u bë përsëri pjesë e ekipit kuqezi, kjo është një pyetje e mbetur ende pa përgjigje. Me fillimin e lëvizjeve të futbollistëve shqiptarë jashtë vendit në klube të tjera futbolli, në vitin 1991 Krenar Alimehmeti, sëbashku me shokun e vet Florian Riza, do aktivizohen për një sezon në Superligën turke me skuadrën Adanademirsport dhe më vonë ai do vazhdojë për dy sezone tek Gelcibiriligi e Ankarasë dhe mbyll aventurën në futbollin turk në Maj 1995 me skuadrën Altay të Izmirit.
Është 29 vjeç dhe rikthehet të luajë përsëri futboll tek skuadra e zemrës së tij, ‘bardheblu”, tek Tirana. Aty gjen miqtë e vjetër Minga, Kola, Nallbani, Fortuzi, Bulku, Dede, Gallo, Malko, Sina, Merkoci e Dabulla. Trajnerët që kanë drejtuar Tiranën në ato vite, Sul Mema dhe Millan Baci, do t’i besonin mbrojtësit Krenar Alimehmeti, jo vetëm motivimin e skuadrës, por dhe shiritin e kapitenit. Dhe në korsinë e viteve 1995-2002 Tirana do jetë fituese dhe 4 titujve të tjerë kampion, 4 kupave të Republikës si dhe 2 Superkupave. Në nostalgjinë që japin këto momente, si një kapiten që ka ngritur lart trofetë e fituara, kapiteni Alimehmeti kujton sezonin 1998-1999 me president Lutfi Nurin, kur për herë të parë në historinë e tyre “bardheblutë ” e kryeqytetit fitonin kupë dhe kampionat. Në fund të sezonit 2002 në moshën 36 vjeçare, kur fiton dhe kupë n e Republikës, kapiteni Krenar Alimehmeti do t’i jepte lamtumirën futbollit me këtë bilanc tek Tirana e tij e dashur: me 508 ndeshje të zhvilluara, me 7 tituj kampion , 5 kupa dhe 2 Superkupa të fituara dhe 14 ndeshje ndërkombëtare për Kupat e Europës dhe Ballkanike.
SKEDA E KRENAR ALIMEHMETI
Lindur: Në Tiranë , më 17 Gusht 1966
Karriera si futbollist: Me Tiranën në vitet 1984-1991 dhe 1995-2002, në vitet 1991-1995 me skuadrat turke “Adanaspor” , “Celcibirigi” dhe “Altay”
Roli në skuadër: Mbrojtës dhe kapten skuadre
Ndeshje të zhvillura: 508 ndeshje për kampionat dhe Kupa dhe 14 ndeshje për Kupat e Evropës dhe Kupat Ballkanike
Trofe të fituara: Me “Tiranën 7 herë titullin kampion kombëtar, 5 herë Kupën e Shqiperisë dhe 2 herë Superkupën
Karriera si trajner: Tek Tirana në vitet 2003-2007 ndihëmës trajner,2007-2008 dhe 2010 trajner tek “Elbasani” , 2013 administrator tek “Tirana” dhe 2014 “Tirana B” dhe trajner i ekipeve të moshave .
Vlërsimet: “Mjeshtër Sporti”, “Mjeshtër i Merituar Sporti”, “Nderi i futbollit Shqiptar” dhe “Mjrshtër i Madh”


























