Të madh një vend a një fis e bëjnë emrat e mëdhenj

Jeta ka vërtetuar se historia e një vendi, fisi, familja lidhet pazgjidhmërisht me simbole që bëjnë epokë për mençuri, trimëri, urtësi, bujari, krenari, krijimtari, patriotizëm dhe heroizëm, që përjetësojnë vepra me karakter lokal dhe kombëtar. Madhështia e njëvendi, fshati apo fisi, nuk varet nga pozicioni gjeografik apo numri i popullsisë, por nga kontributet e veçanta të njerëzve të shquar, që lenë vulën e tyre në histori të shkruar me gjakun e pushkës, në luftërat për liri e pavarësi, ose me penë në veprat e mëdha në art e letërsi.“Është i madh ai qytet ku jeton një njeri i madh. Le të ketë ai vetëm disa pak kasolle të vjetra, megjithatë ai është qyteti më i madh i botës”. -ka shkruar poeti i madh amerikan UolltUitman. Koha ka treguar se njerëzit e mëdhenj janë meteor, që janë djegur për të ndriçuar kohën e tyre kur kanë jetuar. Rrethanat, kushtet, momentet historike kanë diktuar nevojën që të dalin njerëz të shquar në krye të çdo veprimtarie, që kanë sakrifikuar dhe jetën dhe janë përjetësuar në historinë kombëtare. Në amfiteatrin natyror të Kurveleshit, në një kreshtë mali, në këmbët e Këndrevicës dhe të malit të Çipinit, shtrihet fshati i vogël malor i Vërmikut. Kur vrojton vendndodhjen e këtij fshati, pyet veten se si janë ngjitur majëmalesh si shqiponjat banorët e kësaj krahine me një të kaluar epike të lavdishme. Asgjë nuk lind në një terren bosh. Çdo histori ka një biografi. Biografinë e fshatit, fisit apo familjes e shkruajnë njerëzit e mëdhenj, që shquhen për bëmat dhe veprat e tyre të shndritshme. Fisi Çiraku, është një fis me tradita, kontribute dhe vepra të shquara në luftërat për liri, pavarësi, çlirim kombëtar e shoqëror. Fshati Vërmik ka qenë një kështjellë natyrore, fortesë shkëmbore, rrethuar me kurorë malesh, ku banorët e tij janë shquar për trimëri, atdhedashuri, sakrificë dhe përballje të përgjakshme, duke zmbrapsur çdo pushtues të huaj. Banorët e Vërmikut, historikisht kanë treguar patriotizëm dhe trimëri në mbrojtje të trojeve të tyre, duke e kthyer fshatin në një kala, që nuk u mposht kurrë nga agresori i huaj. Në këtë epope krahinore, fisi Çiraku, ka emra të shquar, që kanë treguar mençuri, trimëri dhe atdhedashuri të pashoqe për mbrojtjen e trojeve shqiptare. Në startin e personaliteteve të fisit Çiraku do veçojmë Avdurraman Çirakun, patriotin e madh, përkrahësin dhe mbështetësin e plakut të Vlorës, Ismail Qemalin, në misionin e tij historik për shpalljen e Pavarësisë.

Fshati shënjtërohet nga veprat e njerëzve atdhetar
Biri i fshatit Vërmik, Avdurraman Çiraku, qysh në fillimet e Luftës Nacionalçlirimtare ka qenë i lidhur me luftën, me kontribute të shquara dhe kjo traditë ka ecur në hullinë e vetë duke kaluar në breza. Avdurramani ka një jetë boheme duke udhëtuar nëpër shtigjet e vështira të jetës. Ai u lind më 5 mars të vitit 1888, nëVërmik të Vlorës. Shkollën e kreu në qytetin e Vlorës në gjuhën turke, premisë kjo që i hapi një dritare për të vazhduar studimet e larta në Stamboll të Turqisë për oficer artilerie. Duke qenë njeri i hapur dhe me interesa të gjëra atdhetare, shfrytëzoi njohjet që ju krijuan me shumë patriot të shquar shqiptarë, që studionin e punonin në Turqi dhe ishin përfshirë në çështjen kombëtare. Aktiviteti i tij patriotik, nuk i shpëtoi syrit të forcave të sigurisë të qeverisë turke dhe nisën ta përgjonin e survejonin në tërë veprimtarinë e tij ditore. Avdurramani, e ndjeu rrezikun dhe për t’i shpëtuar ndonjë të papriture që e priste, u largua në mënyrë klandestine duke gjetur strehim në Marsejë të Francës. Pasi kaloi një kohë në Marsejë, u kthye përsëri në Turqi duke përfituar nga një amnisti e shtetit turk dhe shërbeu si oficer në ushtri. Edhe në këtë pozicion ndihet i kërcënuar dhe i parealizuar shpirtërisht dhe në këto kushte gjen një moment oportun dhe arratiset nga shërbimi ushtarak turk në tetor të vitit 1912, dhe shkon në Vlorë, ku kishin nisur përgatitjet për shpalljen e Pavarësisë dhe ngritjen e flamurit. U prit me vlerësim të lartë, duke e caktuar me detyrën e komisarit të policisë për qytetin e Vlorës. Aty, tregoi aftësi dhe besnikëri në përkrahje të qeverisë së Vlorës. Këto cilësi morale dhe profesionale, bënë që kur Ismail Qemali u largua për në Francë, e mori Avdurramanin si shoqëruesin e vet. Duke qëndruar për një kohë në Francë, vendosi të kthehet përsëri në Vlorë dhe vazhdoi veprimtarinë e tij patriotike. Kontributi i tij në luftërat për liri ka qënë i pandërprerë, nga 1908 deri në 1944. Është i kudondodhur, duke marrë pjesë në luftën me grekun në qafën e Llogorasë në 1914 ku dhe u plagos, si dhe në betejën e Lumës në Kukës në vitin 1916, me serbët, ku dhe aty mbeti i plagosur. Në luftën heroike të 1920, ka treguar guxim dhe trimëri në aksionet për hedhjen e Italisë në det. Komiteti Ushtarak, që drejtonte luftën e 1920-tës, e kishte ngarkuar Avdurramanin të komandonte artilerinë, që e kishte vendndodhjen në malin e Shashicës. Gjatë operacioneve luftarake ai rrëzoi një aeroplan dhe shkatërroi një benzinatë të flotës italiane në gjirin e Vlorës. Cilësitë e larta luftarake, aftësia, guximi dhe trimëria, nuk kaluan pa rënë në sy të opinionit të forcave ndërluftuese popullore. Ndaj populli i ka kushtuar një këngë, që përcjell aktivitetin e tij revolucionar. “ Të xhuma në sabah, një mjegull e zezë ra. Binin predhat nga Shashica, binin si pika shiu. I hidhte një djalë prej vendi, trim Avdurraman Aliu. Në fushë të Peshkëpisë, ra balona e Italisë, Aeroplanin kush e shtiu, trim Avdurraman Aliu. Avdurraman i Alisë, biri trim i Labërisë”. Kjo këngë fitoi qytetarinë dhe këndohej në dasma, në trapeza dhe evente të ndryshme familjare dhe shoqërore. Kur ndodhej i pranishëm Avdurramani, ndihesh keq, se nuk e donte lavdinë dhe ulte kokën për ta kaluar në heshtje. Ishte tepër modest dhe human. Ndonjë rast për të larguar vëmendjen e të pranishmëve, bënte aluzion se mos ndoshta e ka qëlluar ndonjë luftëtar tjetër!… Sa herë që përkujtohej dita e qëllimit me top e Asamblesë Kuislinge, në kodrat e Saukut, Avdurramanin e thërrisnin për nderim në Tiranë, si një nga artiljerët e parë shqiptar të suksesshëm. Në aksionet me rëndësi kombëtare, ku duhej të vepronte artileria, prijës i saj ishte Avdurraman Çiraku. Këtë e dëshmon më së miri edhe prania e tij më 16 maj të vitit 1924, si pjesëmarrës në Batalionin “Bashkimi “, i cili marshoi drejt Tiranës për përmbysjen e regjimit të Ahmet Zogut. Jeta dhe veprimtaria e tij është e mbushur me episode, ngjarje dhe aksione me karakter patriotik- kombëtar të lavdërueshëm.Ndaj ai zë një vend të veçantë në panteonin e njerëzve të shquar të luftërave për liri, pavarësi, çlirim kombëtar e shoqëror.

Fisi Çiraku kështjellë e heroizmit
Rreshti i luftëtarëve për liri e pavarësi në fisin Çiraku, nuk mbaron me Avdurramanin, përkundrazi, aty fillon kostelacioni i yjeve të shndritshëm të fisit Çiraku dhe pasohet me pinjollë të tjerë, që kanë kryer vepra patriotike në moshën e rinisë. Historinë e brezave të kaluar duhet ta mësojmë dhe ta njohim thellësisht, se ajo është thesar i bëmave të parëve tanë, që dëshmon të kaluarën dhe rrezaton një mësim dhe shembull për të sotmen dhe të ardhmen.“Është fatkeq vendi, që nuk ka heronj”,- shkruan Brehti. Historia e njerëzve të shquar të një fisi, fshati apo kombi, është një thesar, që na shërben për të zgjuar ndjenjat kombëtare. Duke njohur heroizmin e të parëve tanë, bëmat e tyre na kalojnë para syve si rrathët e ujit të një liqeni, që po të mos i regjistrojmë duke i shkruar, ato zhduken dhe kanë për t’u harruar një ditë. Historia fisnore, me të mirat dhe të këqiat e veta, është mësuese e jetës. Duke evokuar të kaluarën e historisë së popullit tonë në luftërat çlirimtare, na shfaqen heroizmat e familjeve dhe fiseve të dëgjuara, që kanë bërë emër me veprat e tyre heroike. Vatrat e ndezura revolucionare, me ndjenja patriotike, nuk janë shuar kurrë. Te fisi Çiraku, do njihemi me një tjetër patriot e atdhetar, Xhule Çirakun, që u ngjiz që i vogël me ndjenja të thella atdhetarie, duke ndjekur shembullin e paraardhësve të fisit, si pasues i Avdurramanit. Në moshë fare të re, Xhulia u lidh me Lëvizjen Nacionalçlirimtare, duke njohur krerët drejtues të kësaj lëvizje, kryesisht me birin e Tërbaçit, Hysni Kapon. Këto lidhje i rritën besimin dhe në vitin 1942, ai aktivizohet dhe merr pjesë aktive në hartimin dhe shpërndarjen e trakteve politike kundër pushtuesve italianë. Intensiteti revolucionar i veprimtarisë së tij u rrit shpejt dhe më 9 maj tëvitit 1942, ai merr pjesë në demonstratën e bukës, që u organizua në qytetin e Vlorës. Inercia për të qenë i pranishëm në çdo aksion, që do përballej me armikun, e bëri të ndërgjegjshëm që të qëndronte në vijën e parë të aksioneve me përgjegjësi historike. Ngjarjet pasonin njëra tjetrën, me një dinamikë të shpejtë. Në muajin qershor të vitit 1943, u krijua Çeta “ Avni Rustemi”, ku ai u përfshi në radhët e kësaj çete. Veprimtarinë e tij luftarake nuk e ndali në këtë stacion, por u bë efektiv i Brigatës së VI Sulmuese. Për cilësitë e tija organizuese e drejtuese, shpejt u gjend në funksionin e Komisarit të Brigatës.

Me çlirimin e vendit ka kryer disa detyra të rëndësishme në sektori e ushtrisë, si Komisar Brigade në repartet e mbrojtjes bregdetare. Ka qenë emëruar kryetar i degëve të Punëve të Brendshme në disa rrethe të vendit dhe në Ministrinë e Brendshme, deri në detyra të larta si Zv/Ministër i Punëve të Brendshme. Në të gjitha pozicionet shtetërore ku është caktuar, është dalluar për profesionalizëm, aftësi, korrektesë, sjellje të kulturuar dhe marrëdhënie të ngrohta komunikimi me punonjësit. Kudo ku ka punuar e drejtuar, ka treguar identitet dhe integritet të palëkundur, pavarësisht nga pozita e lartë shoqërore. Është sjellë si i barabartë me vartësit dhe ka fituar respektin e tyre. Ka urryer privilegjet, diktatin, autoritetin fallco, vulgaritetin, servilizmin, duke respektuar aftësinë dhe ndershmërinë e kuadrove. Ky qëndrim, e ka bërë kreativ në sytë e eprorëve dhe vartësve. Një karakteristikë dalluese e karakterit të tij, ka qenë se ka pasur një dashuri e nostalgji të thellë për vendlindjen, për fshatin Vërmik dhe bashkëfshatarët e tij. Kjo lidhje shpirtërore ka bërë që banorët e Vërmikut, të kishin një derë të hapur në Tiranë, ku gjenin përkrahje për të zgjidhur ndonjë hall a problem për fshatin dhe fëmijët e tyre. “ Vepra historike mund të quhet e përfunduar jo atëherë kur u krye, por vetëm pasi ajo të jetë bërë pronë e pasardhësve”, -shkruan Stefan Cvajg. Njerëzit me kontribute kombëtare të fisit Çiraku nuk shterojnë kurrë, janë si ato ujëvarat, që zbresin nga monopatet e maleve. Historia e fisit Çiraku, ngjan me një thesar, që duhet të gërmosh thellë ta zbulosh dhe në thellësitë e minierës dalin shumë gurë të çmuar.

Vatër e zjarrtë familjare
Krahas dy personaliteteve që përshkruam në këtë reportazh, në kostelacionin e njerëzve të shquar me kontribute patriotike të fisit Çiraku, na dalin dhe tre vëllezërit, Qemali, Seiti dhe Jonuz Çiraku. Fryma e fisit dhe shembulli i luftës partizane, bëri që këta tre të rinj të radhiten në forcat çlirimtare, edhe pse ishin ende adoleshent. Fryma e tyre atdhetare, nuk i pengoi të sfidonin moshën, të rroknin armët dhe të luftonin në formacionet partizane, duke qëndruar në frontin e luftës deri në çlirimin e Shqipërisë. Në 24 shtator të vitit 1942, në fshatin Vërmik u krijua Këshilli Nacionalçlirimtar, ku Qemal Çiraku u zgjodh Sekretar i këtij Këshilli. Ngjarjet rrodhën me shpejtësi. Lufta kërkonte përsosje organizative, në njësi fshati dhe më gjerë. Në 22 tetor të vitit 1943, fshati Vërmik krijoi Celulën e Partisë Komuniste, ku Qemali ishte një nga anëtarët më aktiv të kësaj celule. Edhe pse i ri në moshë, lufta dhe sakrificat e poqën para kohe dhe e përgatitën për t’u bërë i aftë të drejtonte jo vetëm gjatë luftimeve, por edhe mbas çlirimit të vendit, duke kryer detyra të rëndësishme, në fronte të vështira e delikate të pushtetit lehonë. Në qytetin e Fierit e kujtojnë me respekt të veçantë, pasi për shumë vjet me radhë ai kreu detyrën delikate të Kryetarit të Degës së Punëve të Brendshme të rrethit, ku spikati ndershmëria dhe korrektesa me punonjësit dhe sjellja miqësore me qytetarët. Aktiviteti i Qemalit nuk ishte i shkëputur nga vëllezërit e tij. Qemali sëbashku me Seitin, dhe disa bashkëfshatarë të tyre, ishin tepër aktiv në shpërndarjen e trakteve të Partisë Komuniste dhe demonstratat që organizoheshin në qytetin e Vlorës, për të gjunjëzuar armikun. Ka shumë raste që flasin për trimërinë dhe heroizmin e vëllezërve Çiraku, por do veçoja një prej tyre që për nga rëndësia dhe rreziku që krijoi, ishte me përmasa kombëtare. Beteja e Qesaratit të Tepelenës ka qenë tepër e rrezikshme, e përgjakshme dhe shumë e vështirë për t’u menaxhuar nga forcat partizane. Aty spikati, zgjuarsia dhe trimëria e Komandantit të Kompanisë Seit Çirakut, për të çarë rrethimin. Kjo betejë është shënuar nga më heroiket dhe më të vështirat në historinë e luftrave çlirimtare. Situatën tepër kritike dhe të vështirë, e përshkruan luftëtari Seit Çiraku, me nota tepër realiste në kujtimet e tija. Ai, riprodhon tërë ngjarjet e papritura që kanë ndodhur në atë betejë të përgjakshme në një terren tepër të vështirë: “ Terreni dhe bora na e bënë edhe më të vështirë përplasjen me Gjermanët”. Partizanët pasi kishin shpartalluar një grup gjermano-ballistësh, u futën në fshat për t’u qetësuar dhe mjekuar disa shokë të plagosur. Gjatë kohës që po qetësoheshim, forcave gjermane u kishin ardhur përforcime të shumta dhe rrethuan brigadën partizane. Lufta u bë e përgjakshme dhe e vetmja mundësi për të dalë nga kjo situatë ishte çarja e rrethimit. Komandanti i brigadës së gjashtë urdhëroi komandantin e njërës prej kompanive, që së bashku me një grup partizanësh të kapnin majën e kodrës përballë Qesaratit. Shansi i ra kompanisë së Seitit, që të përballet me një agresor të fuqishëm në numër dhe në mjete. Me të mbërritur në kodër, efektivi i partizanëve u përplas me një kompani ushtarësh gjermanë, të cilët kishin kuptuar se marrja e pikës dominante, do t’u jepte edhe fitoren. Qëlluam me breshëri ndaj komandos gjermane dhe plumbat e automatikut e prenë në mes komandantin gjerman, i cili në ato çaste hedh edhe një granat, që e kishte në dorë ndaj grupit të partizanëve. Granata i bie në parakrah Seitit, që humbi ndjenjat dhe e ka marrë veten pas 36 orësh, duke qëndruar në borë i vetëm. Partizanët e grumbulluar pas betejës, e kishin konsideruar të vdekur dhe u habitën kur morën vesh se ai jetonte dhe duke u zvarritur me këmbë e duar, ashtu i gjakosur raskapitur, mbërriti në fshat. Lufta për jetën mund çdo vështirësi. Gjëndja shëndetësore ishte tepër tragjike. Parakrahu pothuajse ishte copëtuar në copa lëkure dhe gjak i ngrirë varesh përpara trupit të tij. Pasi arriti në fshat, e çuan në spitalin partizan, por gjëndja e tij shëndetësore po keqësohej dhe më vonë e dërguan me anije drejt spitalit aleat, në Bari të Italisë. Aty qëndroi për një vit, ku u mjekua në spital. Por peripecitë e ndoqën pas. Aty rrëshqiti dhe u dëmtua në dy gjymtyrët, dhe u kurua në Gravina të Puljes, rreth 50 km larg Barit. Ky rrëfim, flet qartë për heroizmin e heshtur, të ish partizanit dhe Komandantit të Kompanisë, Seit Çiraku. Në rreshtin e tretë të vëllezërve Çiraku, radhitet më i vogli i familjes Jonuz Çiraku, që pas luftës Nacionalçlirimtare ka dhënë kontributin e tij diplomatik, në disa ambasada dhe përfaqësi diplomatike të vendit tonë, si në Bullgari, Algjeri, etj. Ai, e mbylli me nder karrierën e tij diplomatike, si përfaqësues i Shqipërisë në OKB. Një emër tjetër i ndritur i fisit Çiraku ka qënë dhe Burhan Çiraku, një intelektual me dije e kulturë të thellë në fushën e historisë dhe gjeografisë shqiptare. Veprimtaria e tij ka qenë e gjerë, veçanërisht në lëmin pedagogjik, duke përgatitur breza të tërë studentësh në fushën e historisë. Një kontribut të veçantë ka dhënë në detyrën e Drejtorit të Muzeut Historik Kombëtar për disa vite, një institucion ky i rëndësishëm në pasqyrimin e dokumentacionit dhe materialeve historike të popullit tonë, në periudha të ndryshme historike. Fisi Çiraku, ka nxjerrë përfaqësues në shumë sektor të jetës publike dhe shoqërore. Në fushën e sportit një emër i madh në futbollin shqiptar është dhe Torez Çiraku, mesfushori i dalluar i klubit kampion Dinamo, për shumë vite. Torezin e kam njohur nga afër dhe shquhesh jo vetëm si futbollist i mirë, por edhe si njeri tepër korrekt, i dashur e modest në shoqëri
Agim Çiraku – pjestar i fisit me emër të madh

Çdo periudhë historike nxjer në pah heronjtë e vet, ose njerëzit e shquar, që bëjnë histori me bëmat e tyre. Në vitet e demokracisë tradita e fisit Çiraku nuk është venitur, pasi ka dalë në skenën administrative drejtuese dhe atë shoqërore Agim Çiraku. Ai, u lind në 31 maj të vitit 1958 në Tiranë nga një familje patriotike, me prindër të dëgjuar për trimëri siç ishte babai i tij Seit Çiraku, që bëmat e tij i përshkruam më lart dhe me një nënë fisnike që kishte lindur në Francë, nga familja me tradita e Veshajve tëVërmikut. Në Tiranë ka kryer shkollën 8 vjeçare dhe gjimnazin “ Petro Nini Luarasi”. Pas gjimnazit mbaroi Akademinë e Rendit Publik nëTiranë nëvitin 1983, për të mos u ndalur drejt rrugës së dijes, duke mbaruar Inxhinjerinë Mekanike në Universitetin e Tiranës në vitin 1992, si dhe Fakultetin Juridik në vitin 2005. Në vitet e demokracisë ka bërë emër si drejtues në disa institucione të rëndësishme shtetërore si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë Rrugore, Drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve, Drejtor i Qëndrës së Ankandeve në Kryeministri dhe Këshilltar i Ministrit të Brendshëm. Njëkohësisht është zgjedhur dy legjislatura, Anëtar i Këshillit Bashkiak në qytetin e Durrësit. Ka liçencën e avokatit dhe prej disa vjetësh është President i Federatës së Notit dhe nën kryetar i Shoqatës Atdhetare Kulturore Labëria “Nderi i Kombit”, që prej kuvendit të pestë. Ky prezantim, tregon më së miri se ka një bilanc të pasur në sferën shtetërore dhe atë shoqërore.

Për kontributin e dhënë në shoqatën Labëria, veçanërisht me botimin e gazetës “Labëria”, është nderuar me titullin e lartë “Personalitet i Shquar i Labërisë”.
Është i martuar me Anila Llurin, me profesion ekonomiste, një familje intelektuale me prindër Xhevat e Lejla Lluri, që kanë dhënë kontribute të çmuara respektivisht në sektorin ushtarak dhe atë ekonomik.
Agimi ka dy fëmijë, një vajzë e quajtur Helga Çiraku dhe një djalë Klaus Çiraku, të shkolluar në profesione të ndryshme. Vajza Helga ka mbaruar të mesmen në Gjermani dhe të lartën në Austri për jurisprudencë dhe punon si avokate. Ndërsa djali i Agimit Klausi ka mbaruar të mesmen në Gjermani dhe të lartën në Angli, në degën Menaxhim Biznes. Aktualisht merret me Biznes privat, si President i Firmës “ Hekla” dhe është dhe botues i gazetës “Telegraf”. Duke ndjekur veprimtarinë e djalit të Agimit, Klausit, shikon si në ekran tërë rrugëtimin e fisit Çiraku, që ka një vazhdimësi mbreslënëse nga njëri brez te tjetri, që tregon se është një fis me tradita të shquara patriotike, i ngjizur në genin familjar dominant, me një trashëgimi të vyer tradicionale.

Veprimtaria e familjes Çiraku është tepër aktive dhe komplementare, duke koperuar në fushën ekonomike dhe shoqërore. Ky profil i familjes së Agim Çirakut, tregon për vizionin dhe racionalitetin që karakterizon Agimin, në gjithë veprimtarinë e tij multidimensionale.
“E kaluara dhe e ardhmja e jonë përbëjnë një të tërë. Ne jetojmë në fisin tonë dhe fisi ynë jeton te ne” shkruan Nerval. Fisi Çiraku do jetojë gjatë me shkëlqimin e brezave, që secili prej tyre ka lënë gjurmët e veta, për të mbetur një zjarr i ndezur, që nuk do shuhet kurrë.























