1920-15 Gusht-2020/ Sot, Sport Klub Tirana feston 100-vjetorin e themelimit

1564
Sigal

Speciale nga Bedri Alimehmeti dhe Bektash Pojani: Historia 1 shekullore e “Bardhë e Bluve” të kryeqytetit, krenaria e futbollit Shqiptar. Si lindi Klubi “Tirana”, dhe kush janë 25 formacionet që kanë fituar 25 tituj Kampionë Bardheblutë kanë shënuar 3257 gola, Rexhep Maçi autor i golit nr.1, Majkëll Ngo autor i golit nr. 3257!

Dossier/ 1920-15 gusht – 2020 Një shekull nga themelimi i Sport Klubit “Tirana”, një histori triumfesh që nuk rresht

Gjerdan suksesesh bardheblu 

SK “Tirana” krenari e futbollit shqiptar

Nga: Bedri ALIMEHMETI, Bektash POJANI

Eshtë meritë e shumë brezave nga themelimi i kësaj skuadre e deri më tani që ka ditur të intensifikojë në mënyrën më autoritare të mundshme shkallën e ambicieve të saj për trofetë e kampiones së Shqipërisë

SKEDA

KLUBI  FUTBOLLIT  TIRANA

 

Data e themelimit: 15 gusht 1920

Vendi i themelimit: Qyteti i Tiranës

Selia e klubit: Stadiumi “Selman Stërmasi”

Telefon / Fax: 00 355 4 22 56 899, 00 355 4 22 56 898

E-mail: [email protected]

Stadiumi ku i zhvillon ndeshjet:

“Selman Stërmasi” kapaciteti  9 500 shikues

Ambienti stërvitor: Kompleksi “Skënder Halili”

Presidenti i Klubit: Refik Halili

Drejtori i klubit: Arbi Laçi

Numri i trofeve që mban: 53

Kampion i Shqipërisë: 25 herë

1930, 1931, 1932, 1934, 1936, 1937, 1964-1965, 1965-1966, 1968, 1969-1970, 1981-1982, 1984-1985, 1987-1988, 1988-1989, 1994-1995, 1995-1996, 1996-1997, 1998-1999, 1999-2000, 2002-2003, 2003-2004, 2004-2005, 2006-2007, 2008-2009, 2019-2020

Fitues i Kupës së Shqipërisë: 16 herë

1939, 1963, 1976, 1977, 1983, 1984, 1986,1994, 1996, 1999, 2001, 2002, 2006, 2011, 2012, 2017

Fitues i Superkupës së Shqipërisë: 11 herë

1995, 1999, 2001, 2003, 2005, 2006, 2007, 2009, 2011, 2013, 2017

Kampion në kategorinë e parë: 1 herë

2017-2018

Zanafilla……

 

Në gazetën turke “Hyriet” e vitit 1908, është botuar një lajm i shkurtër në të cilin bëhet fjalë për një ndeshje futbolli luajtur në Kamëz. Protagonistë të atij takimi kanë qenë një grup djemsh nga Kamza dhe një grup djemsh nga Tirana, ardhur enkas në ambientet e fermës së atdhetarit Refik Bej Toptani “Nderi i Kombit”, i cili sipas shkrimit në fjalë, ka qenë ideatori e organizatori kryesor i këtij eventi vërtetë të pazakontë për kohën, që u zhvillua për nder të ardhjes në pushtet të xhonturqve (23 janar 1908). Ndeshja është luajtur në një fushë mbuluar nga bari, ku në dy skajet anësore të së cilës në vend të portave me trarë vertikalw e traversë horizontale kanë shërbyer veçse dy “hunj”. Gjithwsesi, edhe pse në kushte të tilla, që (sot) lënë për të dëshiruar, takimi ka qenë shumë interesant e është ndjekur nga një numwr i konsiderueshëm shikuesish dhe ka përfunduar me fitoren e thellë të Tiranës 8-1!

Kaq thuhet në atë informacion të shkurtër, të asaj gazete turke faksimilen e së cilës për fat të keq nuk e kemi siguruar. Megjithë mungesës së këtij dokumenti, mendojmë se ky “fakt” dëshmon më së miri për hershmërinë e topkambës luajtur në Tiranë. Madje në një farë mënyre zhvillimi i kësaj ndeshje shënon edhe derbin e parë historik Tirana-Kamza. Vërtetësinë e këtij lajmi na e përforcon edhe ajo çka shkruan në dokumentat e tij Lef Nosi, sipas të cilit “në Tiranë ka patur shoqëri sportive të organizueme që në vitin 1906”.

Por nuk mbaron këtu. Një fakt tjetër shumë interesant, i cili gjendet bukurfort pasqyruar me detaje në gazetën “Zgjim e Çqipërisë” me drejtor Abdyl Kadri e datës 21 prill 1911, fq. 2, art. 174. Në atë artikull bëhet fjalë për një turne futbolli zhvilluar gjatë një panairi në Rahije të Fierit ku merrnin pjesë qytetet: Tirana, Lushnja, Kavaja, Peqini, Berati, Elbasani, Vlora dhe Fieri. Me pak fjalë ja ç’ka shkruante gazeta e atij viti të largët lidhur me zhvillimin e atij turneu futbolli, deri më tani i evidentuar si i pari turne futbollistik në Shqipëri:

“…Në Rahije të Fierit bëhet një panair i madh. Në këtë panair kishin ardhur nga Tirana, Elbasani, Kavaja e Peqini, e nga vise të tjera. Për të mbledhur të hollat e vendit që n’ në shitblerësit, katundaria kish caktuar të birë e Mydyrit…..këtu u mblodhën shumë popull, ku me këtë rast u zhvillua edhe një aktivitet sportiv top’kambë, me skuadra të formuara nga qytetarë e katundarë të ardhur nga këto qytete, gjithsej 8 skuadra, që u ndeshën në këtë lojë të re, për të fituar një shpërblim, i cili kishte një vleftw sa 6 monedha ari…”Nga data 7-14 prill, në qytetin e Fierit, u zhvillua një turne futbolli me pjesmarrjen e 8 skuadrave të Tiranës, Kavajës, Elbasanit, Peqinit, Lushnjes, Beratit, Vlorës e Fierit. Skuadrat u ndanë në 4çifte, duke u ndeshur me sistemin e eliminimit, me nga një takim. Më pas 4 fitueset, u ndeshën në gjysëmfinale dhe më pas në finale. Të gjitha takimet janë luajtur në Fier. 1/4 FINALE; FIER, 7 deri më 10 PRILL 1911.  07.04.1911, ora 15.00 “TIRANA” – “ELBASANI” 9-4.  08.04.1911, ora 15.00 “KAVAJA”-“BERATI” 8-2, ora 15.00 “PEQINI” – “VLORA” 11-3. 10.04.1911. ora 15.00 “TIRANA” – “KAVAJA” 4-0. 12.04.1911 ora 15.00 “FIERI” – “PEQINI” 2-16. FINALJA , FIER 14 prill 1911, ora 15.00 “TIRANA” – “PEQINI” 6-1. TIRANA SHPALLET FITUESE E TURNEUT, NË PANAIRIN E FIERIT. Kupën dhe çmimin e mori kapiteni i Tiranës z. Zyber Hallulli.”

Më pas nëpër lagjet e atëhershme të qytetit si: “Abdulla Bej”, “Sulejman Pasha”, “Ali Efendi”, “Poshtri”, “Lagja e Re” etj, si dhe në sheshet pranë xhamive, teqeve, kishave, shkollave e sidomos në kopështet e familjeve të nderuara tiranase: Petrela, Toptani, Lleshi, Kokonozi, Fortuzi, Çeliku, Alimehmeti, Qorrali, Pazari, Kika, Gjinali, Qyqja, Tufina, Xhafa, Lundra etj. Sipërfaqe të tëra kopshtesh liheshin pa mbjellë e punuar, për t’u ofruar djemve të tyre mundësinë e argëtimit, kryesisht nëpërmjet zhvillimit të lojrave të shumta popullore. Pak nga pak, e nxitur kryesisht nga mjaft djem që studionin në universitete europiane, të cilët kur ktheheshin gjatë verës me pushime, sillnin me vete jo vetëm mënyrë të re veshje e sjellje, menduari apo të jetuari, libra e kulturë, arte pamore apo muzikë, por edhe të rejat më të fundit të sporteve e lorajve që ushtroheshin në vendet ku studionin, si edhe mënyrat e përparuara të grupimit e organizimit në shoqëri sportive. Nxitur prej kësaj fryme të re që po vinte perëndimi, rinia tiranase filloi ta ndjente, shijonte dhe bënte pjesë të vet edhe lojën e bukur të futbollit.

Gradualisht nëpër të gjitha lagjet e Tiranës apo edhe në rrugica të veçanta të saj, linden grupimet e para sportive me emra tejet domethënës si: “Djelmnia”, “Agimi”, “Shpresa”, “Pashko Vasa”; “Moisi Golemi”, “Naim Frashëri” etj. Veçmas futbollit dhe lojrave me dorë, djelmnija tiranase në ato vite kishte pasoin të veçantë marshimet dhe shëtitjet turistike, ku zbulonin e njiheshin me bukuri të rralla të natyrës, që treva e Tiranës ti ofronte me tepri. Shpesh kryenin ngjitje në malin e Dajtit në kalatë e Petrelës dhe Prezës, apo organizonin gara me biçikleta deri tek ura e Beshirit ose Tiranë-Vorë e kthim. Grupet e bojskautëve ishin të shumtë dhe aktivitetet ku ato merrnin pjesë ishin të panumurta. Gjatë ditëve të nxehta të verës ushtrohej rregullisht noti nëpër pellgjet e Erzenit, Tërkuzës e Riglatës (Lumi i Tiranës), por padyshim që më të frekuentuarat mbeteshin pellgjet e Urës së Brarit. Të djelave, ende pa feksur dielli mbi Dajt, shumë familje tiranase por kryesisht grupe të rinjsh, udhëtonin kush me këmbë, biçikleta, kuaj e karroca si dhe autovetura për të zënë një vend në ullishten përqark shkëmbit gjigand, të cilin rryma e ujit e kishte çarë më dysh, duke krijuar një konfiguracion mjaft interesant prej shtatë “odash” (pellgjesh të ndarë nga njëri tjetri që komunikonin nëpërmjet kanalit të rrjedhës së ujit) me thellësi të konsiderueshme, ku uji ishte sa i ftohtë po aq edhe i kulluar. Aty në hapësirën e shtatë odave, djemtë konkuronin në gara noti të stileve të ndryshme, si dhe në hedhje nga lartësitë e thepisura të shkëmbit!

Veprimtari e dendur sportive zhvillohej ne dy shkollat e qytetit, Gjimnazin e Shtetit dhe Shkollën Teknike Harry Fultz. Një prej nismëtarëve për krijimin e shoqatës “Fryma e Re” në Gjimnazin e Shtetit u bë Prof. Dr. Shefqet Ndroqi bashkë me shokët e tij të ngushtë Dr. Isuf Dashi, Prof. Abdulla Shehri, Selman Stërmasi, Rexhep Maçi, Rexhep Luga etj. Kjo shoqatë kishte si qëllim zhvillimin e kulturës e sportit. Fill pas ngritjes së grupit teatral ata formojnë skuadrën e futbollit, e cila shumë shpejt do bëhej e njohur në gjithë qytetin. Dhe kjo jo vetëm për fitoret e bujshme që arriti ndaj Shkollës Teknike apo Gjimnazit të Shkodrës, por sidomos për talentet e vërtetë të futbollit që spikatën në radhët e saj. Bëhej fjalë për një grup djemsh të talentuar që e luanin me shumë pasjon futbollin, të cilët në të parin kampionat kombëtar do përbënit bazën e formacionit badheblu të Sportklub Tiranës.Ndërkohë të vëmendshëm ndaj këtyre veprimtarive që po tërhiqnin gjithnjë e më shumë shikues, u treguan disa familje të njohura tiranase që merreshin me tregëti. Falë kujdesit të tyre u zhvilluan mjaft veprimtari sportive ndërmjet shoqërive që Tirana i kishte të shumta. Kështu orëndreqësit e njohur Tufina, organizonin rregullisht kupën “Tufina”. Fituesit, veç kupës së trofeut, përfitonin edhe nga një orë dore të markës “Longines”. Të njejtën gjë bënte edhe familja Gjinali. Bashkë me kupën futbollistët fitonin edhe nga një kostum stofi të cilësisë së lartë të firmës “Marzzotto”, më e mira e kohës!

Lindja, themelimi dhe riçelja.

          Do të ishte Kongresi i Lushnjes (21-31 janar 1920) ai që përveçse caktoi Tiranën Kryeqetet provizor, nisi edhe ngritjen insitucionale të sportit shqiptar. Drejtuesit e këtij Kongresi inicuan një grup të rinjsh pjesmarrës në të, që ishin anëtarë të shoqatave të përmendura më lart, të formonin një komision të veçantë për hartimin e një statuti sportiv. Ky komision merrte përsipër të zhvillonte në përgjithësi të gjitha llojet e sportit, por në veçanti atë të futbollit.Nxitur prej tij, por nisur prej shembujsh të shumtë të vendeve përreth, apo edhe lindjes së simotrës “Vllaznia” në Shkodër, si dhe prej nevojës për të dale nga ai “ngujim” ndeshjesh vetëm ndërmjet lagjesh apo grupesh shoqërore, u bë e domosmoshme  që më 15 gushtin e vitit 1920, Në ambjentet e kafe “Kursal” që ndodhej në qëndër të qytetit përkarshi Bankës Kombëtare: Z. Toger PALOKË NIKAJ(Kryetar), së bashku me zotërinjtë e nderuar Toger ALI EREBARA, Toger PJERIN JAKOVA, Sekretar ABEDIN HOXHA, Sekretar ANASTAS KOJA, Nëpunës PALOKË BERISHA, Drejtor i Strehës, AVNI ZAJMI, Nëpunës HASAN FORTUZI, Kapter BESIM PAZARI, Aspirant LORO BERISHA, Nëpunës SKËNDER FRASHËRI, Nëpunës HASAN FEJZI ALIZOTI, Nëpunës AGATOKLI GJITOMI e ViI Fekeçi, vendosën krijimin e Shoqërinë Sport Club Tirana. Pas këtij akti, u hartua programi, statuti dhe u caktua emblema, që i kishte rrënjët në bardheblunë e flamurit të oxhakut toptanas dhe në thellësitë oqeanike të genit tiranas, që karakterizohet nga bardhësia e shpirtit dhe çiltërsia e ndjenjave qiellore. Të gjitha familjet tiranase sipas dëshirës dhe mundësive kontribuan financiarisht për Sportklub Tiranën. Sidomos tregëtarët e njohur derdhën sasi monetare të konsiderueshme në arkën e klubit.

Në javët e para, pas disa konflikteve të brendëshme Kryetari i Shoqërisë Palokë Nikaj largohet nga drejtimi i saj. Ndërkaq zgjidhet Kryetari i ri Toger Ali Erebara. Veprimi i parw që do të bënte kryesia e përbërë prej Ali Erebarës, Avni Zajmit dhe Loro Berishës, ishte institucionalizimi zyrtar i Shoqërisë. Ata ju drejtuan Ministrit të Brendshëm Ahmet Zogu, i cili menjëherë nxorri njëkohësisht vendimin për legalizimin e Shoqërisë dhe një ndihme financiare prej 1000 frangash ari. Sakaq, njëkohësisht ju nis një shkresë e njejtë kryeministrit të kohës Z. Sulejman Delvina dhe Kryetarit të Bashkisë Z. Fuat Toptani, për dhënien e lejes në caktimin një sheshi, ku Sportklub Tirana të zhvillonte normalisht aktivitetin e saj sportiv. Kryetari Bashkisë z. Fuat Toptani bëri të mundur dhënien me qera të truallit në Shallvare. Kjo fushë në atë kohë shtrihej në zonën përballë hotel Dajtit. Saktësisht në hapësirën ku sot shtrihet parku “Rinia” dhe më tej matanë rrugës nga bregu i Lanës në truallin ku janë ngritur pallatet e Shallvares e deri aty ku ndërpritet me rrugën e sotme “Myslym Shyri”. Vlen të theksohet se ajo ishte natyralisht një fushë ideale, qoftë prej shtrirjes në gjatësi në pozicionin gjeografik veri-jug, apo edhe prej drenazhimit që kullonte direkt në Lanë. Shpjegohej në dy mënyra emërtimi “Shallvare” i kësaj fushe. Së pari, thuhej se ky emër i kishte mbetur qysh nga koha e pushtimit ottoman. Ku ushtarët e garnizonit turk të vendosur në Tiranë stërviteshin dhe kryenin gara të karakterit fizik e ushtarak. Gjatë aktivitetit ushtarët zhvisheshin nga mesi e lart dhe i kryenin ushtrimet vetëm me shallvare (mbathje të gjata burrash që në gjuhën turke quhen shallvare)! Ndërsa sipas mënyrës së dytë, thuhej se ky emër trashëgohej prej ishpronarit të saj arumunit Mihal Shallvari!

Këto ishin vetëm fillimet. Më pas në vitet 1929-1930 “Shallvarja” u rrethua me dërrasa, u ndërtua pista e atletikës me katër korsi, gropa e hedhjes etj. Madje kampionët e parw të saj Sportklub Tirana i ka pasur në atletikë, në të parin kampionat kombëtar të zhvilluar në vitin 1929. Rekordet e Zabit Çokut në 100 m 11” 02, të Abdyl Këllezit në 200 m 24” 1, të Isuf Dashit në 100 m/p 19” 8 etj, janë jo pak domethënës për kohën.  Tashmë Shoqëria që mbështetej njëkohësisht nga Ministria e Arsimit dhe ajo e Brendshme, nisi punën për ndërtimin e fushës së “Shallvareve” dhe ndërtimin e zyrës së saj. Por fatkeqësisht trazirat e vitit 1922 bënë që të humbeshin materialet e mbledhura për ndërtim, ç’ka shkaktoi edhe ndërprerjen e punimeve. Pas kësaj Kryetari Erebara jep dorëheqjen dhe Shoqëria pas dy vitesh aktivitetesh kalon një situate të vështirë. Kështu do të kalonin dy vitet pasardhës. Në vitin 1924 lind ideja e një organizimi të ri. Shoqëria e quajtur Gjurmësia Shqiptare, mori drejtimin e skuadrës së futbollit. Kjo Shoqëri që financohej nga Ministria e Arsimit, kishte si mision kryesor të saj organizimin e udhëtimeve të rinisë shkollore për njohjen e të gjitha vendeve të Shqipërisë.Gjurmësia Shqiptare e riorganizoi tërësisht skuadrën që përbëhej prej djemsh të rinj kryesisht shkollarë. Për vetë specifikën e tyre, udhëtimet në mbarë vendin, Gjurmuesit kudo që shkonin organizonin ndeshje futbolli. Kjo do t’i jepte skuadrës së Tiranës një rëndësi mbarëkombëtare. Një vit më pas skuadra njihej me emrin “Gjurmuesit Republikanë”. Ajo filloi të stërvitej gjatë gjithë javës dhe kërkoi ndeshje me skuadra të tjera. Ky ishte vetëm fillimi. Skuadra zhvilloi ndeshje pambarim anembanë vendit duke korrur fitore të shumta si në Korçë, Shkodër, Pogradec, Kolonjë, Delvinë, Kavajë, Durrës, Elbasan, Peqin, Fier etj. Vetë 11-shi i Tiranës mori emër të mire ngado, duke u bërë kështu promotor në përhapjen e lojës së futbollit në mbarë Shqipërinë.Në radhët e skuadrës gjatë kësaj periudhe u aktivizuan lojtarë të tillë si: Xhevat Sarezi, Hysen Kusi, Anastas Koja, Isuf Dashi, Hasan Reçi, Qemal Shkalla, Galip Mati, Dilaver Qerimi, Hysen Hallulli, Vedat Frashëri, Shefqet Ndroqi etj.

Në vitin 1925 fillon lartësimi i figurws së të madhit Selman Stërmasi. Shoqëria zgjodhi Këshillin e ri Drejtues të saj të përbërë prej: Zotërinjëve Avni Zajmi, Selman Stërmasi, Bahri Toptani, Irfan Gjinali e Anastas Koja. Në harkun e këtij viti u zhvillua edhe takimi i parë ndërkombëtar me “Cernagorac” të Cetinës. Kjo ndeshje u zhvillua në Tiranë dhe u humb me rezultatin 1:3. Me nismën dhe këmbënguljen (pas konsultimeve të shumta me studentë që studionin jashtë e që vinin gjatë verës për pushime) e zotërinjëve Selman Stërmasi, Ali Erebara, Avni Zajmi e Anastas Koja, në 3 janar 1926 vendosën unanimisht të riçelin klubin me emrin e parw “Sportklub Tirana”.

“Sot data 3 kallnur 1926, dita Djel – ora 10 p.d. të posht-nënshkruemit u mblodhën në sallën e Bibliodhekës (Muze) për me vendos mi pikat e pashtshënjueme: 1. Si nisjatorët e Shoq. Sport – Clubit të Tiranës i formuem më 15 Gusht 1920, vendosëm t’a riçelim Clubin me emrin e tij Sport – Club” me qendër në Tiranë” (ky është teksti i plotë i pikës së parë së Proçes Verbalit të mbajtur gjatë kësaj mbledhje që gjindet në AQSH, ç’ka vërteton edhe njëherë datën e themelimit të Sporklubit). Gjatë periudhës deri në pragkampionatin e parë kombëtar, Sportklubi zhvilloi shumë ndeshje miqësore brenda vendit. Të tilla ishin ato me “Lulëzimin” e Durrësit, “Tomorin” e Beratit, me ekipet e Shkodrës etj. Lojtarët që u aktivizuan në këto vite ishin: Llazar Miha, Bexhet Jolldashi, Irfan Gjinali, Selman Stërmasi, Stefan Shundi, Adem Karapici, Hysen Kusi, Anastas Koja, Xhelal Kashari, Fiqiri, Bahri e Iliaz Toptani, Reshat Tafalla, Aqif Domini, Isuf Dashi, Shefqet Ndroqi, Besim Pazari, Ramazan Hidi, Qemal Dibra, Gjergj Koja e Selman Qinami.

 VITI 1930

Më 5 shkurt 1930, “Sportklubi” njofton riformimin e “Parisë vepruese” të përbërë nga Z. Teki Selenica (kryetar) ,Z. Petro Korçari dhe Z. Zoi Xoxa (këshilltar), Z. Anastas Shundi (sekretar) dhe Z. Anastas Koja (arkëtar). Ndërkohë Kryeministri i Shqipërisë, Shkëlqesia e Tij Z. Kostaq Kota, pranoi të jetë Kryetar nderi i “Sportklub” Tiranës. Po këtë ditë Paria e Sportklubit, konfirmoi zyrtarisht pjesmarrjen e tij në Kampionatin e Parë Kombëtar të Futbollit. Në pragkampionat, një javë para fillimit të tij, më 31 mars, përurohet Fusha e re e Shallvares me ndeshjen “Urani” i Elbasanit – Sportklub Tirana 1- 0. Sipari i kampionateve kombëtare shqiptare të futbollit u ngrit më 6 prill të vitit 1930. Ndeshjet filluan në orën 15 30. Qysh në start Sportklubi luan në Shkodër përballë “Bashkimit Shkodran” në finale e pare të atij që hyri dhe mbeti në histori, si “derbi shqiptar”. Shkodranët fitojnë 3-2 duke i shkaktuar humbjen e vetme në këtë kapionat tiranasve.

3257 GOLA BARDHEBLU

Rexhep Maçi, autor i golit nr: 1 bardheblu!

Ka ndodhur më 6 prill 1930 në ndeshjen e parë të kampionatit të parë të topkëmbës shqiptare në transfertën shkodrane ndaj “Bashkimit Shkodran”. Vendasit udhëhiqnin me avantazhin e një goli, ishte pikërisht Rexhep Maçi ai që i dha topit goditjen përfundimtare për në rrjetë dhe i rëndësishëm mbetet fakti që ky është goli i pari historik bardheblu, në vazhdën e qindra të tjerëve që do t’i hapnin rrugën vargut të gjatë të 3257 golave, që kanë shënuar deri  tani në kampionatet kombëtare futbollistët e FK Tirana.

Majkëll Ngo, autor i golit nr: 3257!

Ka ndodhur më 29 korrik 2020 në “Air Albania Stadium” në ndeshjen e fundit për javën XXXVI të kampionatit 81-të kombëtar në përballjen me Bylis të Ballshit. Në minutat e para të takimit ka qenë anglezi Majkëll Ngo, që pas një goditje me kokë e ka përcjellë topin drejtë rrjetës duke sigluar golin nr: 3257 bardheblu në veprimtaritë zyrtare tw 81 kampionateve të topkëmbës shqiptare. Një ndeshje kjo që përfundoi 1-1, luajtur vetëm për “statistikë” ngaqë Tirana e kishte siguruar titullin XXV kampion dy javë para përfundimit.

Në kampionatin e parë morën pjesë 6 skuadra: Sportklub Tirana, “Skënderbeu” i Korcës, “Bashkimi Shkodran”, “Teuta” e Durrësit, “Urani” i Elbasanit dhe Sportklub Vlora. Pas përfundimit të gjithë ndeshjeve, Sportklub Tirana dhe “Skënderbeu” i Korçës u renditen në vëndin e parw me pikë të barabarta në klasifikimin përfundimtar. Komisioni i Kampionatit të Futbollit (FSHF-ja aktuale), i përbërë nga Z. Said Toptani (kryetar), Z.Mihal Sherko (anëtar), major Ali Erebara (anëtar), major O. Morra (anëtar) dhe prof. G. De Marchis (anëtar), vendosën 29 qershorin në Korçë dhe 6 korrikun në Tiranë, si datat e dy ndeshjeve finale për përcaktimin e titullit kampion. Por korçarët të pakënaqur (kundërshtim gjykimi) nga rezultati 0-0 i takimit përmbylles së kampionatit, luajtur më 22 qershor në Fushën e Shallvareve, nuk pranuan të paraqiteshin fare në të dyja takimet.  Megjithatë, Sportklubi zbriti në fushë e lojës dhe priti 45 minuta sipas rregullores. Nisur nga ky fakt, në datën 9 korrik 1930 K.K.F.(Komisioni i Kampionatit të Futboltit) shpalli “Sportklub Tiranën” si kampione të Shqipërisë

Dorëzimi i titullit u zhvillua me një ceremoni të veçantë. Më 20 korrik 1930, në orën 10: 30 skuadra e Sportklub Tiranës, u paraqit para Naltmadhnisë së Tij Mbretit, në banjat e Durrësit, shoqëruar prej Z. De Marchis (përfaqësues i K.K.F-së), prej Këshillit të Shoqërisë dhe prej lojtarëve të Tiranës. Ceremonia madhështore u përcoll nga banda e qytetit të Durrësit. Mbreti Zog shoqërohej prej Princeshës Myzejen. Lojtarët gjatë ceremonialit mbanin të veshur uniformë krejtësisht të bardhë dhe jo atë karakteristiken bardheblu, me të cilën luajtën gjatë gjithë kampionatit. Kjo për faktin se kjo uniformë e bardhë ishte vendosur si protokollare për prezantimin para Mbretit. Binte në sy një fakt tjetër interesant, mbi fanelën e secilit futbollist ishte vendosur shqiponja dykrenare në shenjë nderi për kampionen. Të cilën gjashtë here Sportklub Tirana dhe një here “Skënderbeu” si kampionë të viteve ’30, i kanë mbajtur gjatë gjithë sezonit, për t’ja dorëzuar fituesit pasardhës. Një traditë e ngjashme me “scudetto-n” tringjyrëshe të flamurit vendosur në fanelën e futbollistëve fitues të Seria A, për çdo vit në Itali.

Në fjalën e rastit, Naltmadhnija e Tij Mbreti Zog theksoi:

Tani due me ju porositë tre sende që janë tre parime që dëshiroj t’ju rekomandoj. E para: të ndjekni zhvillimin e plotë të dashnisë për Atdhe. E dyta: zhvillimin me zemër të kulluet e pa asnjë djallëzi të vllaznimit të plotë midis Djelmnisë dhe zhvillimin e bashkimit kombëtar. E treta: Disiplinë. Duhet të dini se pa disiplinë nuk mërrihet në asnjë sukses. Po s’pati disiplinë në mes, ç’do gjë humbet vleftën e vet. Djalëria po s’dha shëmbëllën e disiplinës, përpjekjet qe bën janë nul. Kini për udhëheqës këto tre këshilla e duke iu mbëdhtetur këtyre parimeve, ecni para, ju që jeni shpresa e të arthmes. E arthmja e kombit asht sigurue e pra e arthmja e juej asht e sigurtë. Shpresoj se do të vazhdojë edhe pas kësaj suksesi qi keni fitue dhe uroj të përparoni edhe ma”. Pastaj u luajt hymni kombëtar, i cili gjatë gjithë kampionateve të paraluftës qe një detyrim për t’u egzekutuar para çdo ndeshje në ato qytete ku kishte orkestër frymore. Kupën e kampionatit, një top futbolli prej bronzi, kapitenit Irfan Gjinali ja dorëzoi Princesha Myzejen. Në mbrëmje, drejtuesit e Sport Klubit, futbollistë, dashamirës, autoritete vendore dhe persona të tjerë festuan në ambjentet e hotel restorant “Metropol” në rrugën “Mbretërore” (sot “Barikada”), që i bie të ketë qenë diku aty në mes ku sot janë godinat nëntëkatshe. Nga personalitetet e kohës në atë festë ishin të pranishëm edhe figura publike si profesor Ramazan Jarani apo gazetari i njohur Nebil Çika etj.

Dhe pas këtij triumfi të parë në historinë e tij vargëzimi i titujve kampionë, i fitimit të Kupës së Shqipërisë dhe i Superkupës në harkun kohor të një shekulli do të regjistroi në galerinë e arsenaleve të FK Tirana plot 53 trofe kombëtarw, pa përmendur ato lokalë si kupa përvjetorësh, kupa gazetash, turne të Spartakiadave Kombëtare etj.

25 fomacionet, që kane fituar 25 titujt kampion

Kampionati I 1930 – Titulli I

  1. Gurashi, A. Shehri, I. Gjinali, Xh. Kashari, V. Kajano, Sabati, Ll. Miha, M. Gurashi, B. Jolldashi, Sh. Ndroqi, I. Dashi, S. Stërmasi, A. Karrapici, Begolli, E. Hajnali, H. Kosova, Z. Çoku, R. Maçi. Tr. Selman Stërmasi

Kampionati II 1931 – Titulli II

  1. Gurashi, Samini, Shehri, Çoku, Kajano, B. Jolldashi, Gjinali, Agolli, Sabati, Karrapici, Dashi, Kusi, Kosova, M. Gurashi, Begeja, Hajnali, Miha, Stërmasi. Tr. Selman Stërmasi

Kampionati III 1932 – Titulli III

Shehri, Tirana, B. Jolldashi, Agolli, Kajano, R. Jolldashi, Kusi, Karrapici, Maluçi, Begeja, Stërmasi, Hajnali, Dashi, Korça, Jegeni, Sabati. Tr. Selman Stërmasi

Kampionati V 1934 – Titulli IV

  1. Gurashi, Çoku, F. Janku, H. Maluçi, Jakova, Keçi, Karrapici, Lleshi, Stërmasi, Lushta, Petrela, Begeja, Korça, Aleksandwr Stamati, M. Gurashi. Tr. Samu Singer

Kampionati VI 1936 – Titulli V

  1. Gurashi, Zebishti, Hobdari, F. Janku, Çoku, Hima, Kusi, Karrapici, Jakova, Aleksandwr Stamati, Alla, Mirdita, Lushta, Petrela, Hajnali, M. Gurashi, I. Gjinali. Tr. Selman Stërmasi

Kampionati VII 1937 – Titulli VI

Gurashi, Zebishti, Skuka, F. Janku, Llambi, Karrapici, Plluska, Jakova, Hasan Balla, Mirdita, Lushta, M. Gurashi, Hajnali, Kashariqi, M. Petrela. Lisi, Alla. Tr. Selman Stërmasi

Kampionati XVII 1964-1965 – Titulli VII

Elini, Bathorja, V. Konomi, Gjoka, Xhaçka, Bukoviku, A. Mema, S. Hyka, B. Ishka, O. Mema, Saraçi, Halili, Kasmi, Bylyku, Frashëri, Bytyçi, Verrija. Tr. Myslym Alla

Kampionati XVIII 1965-1966 – Titulli VIII

  1. Elini, B. Tafaj, Frashëri, Halili, Kasmi, A. Mema, N. Bylyku, O. Mema, Xhaçka, Bukoviku, Bytyçi, S. Hyka, B. Ishka, Gjoka, Kazanxhi, Verrija. Tr. Myslym Alla

Kampionati XXX 1968 – Titulli IX

  1. Tafaj, Habibi, Frashëri, Dhales, O. Mema, A. Mema, Bytyçi, Xhaçka, Bukoviku, Kazanxhi, S. Hyka, B. Ishka, Gjoka, Çela, Nurishmi, Gjoni, Verrija. Tr. Myslym Alla

Kampionati XXXI 1969-1970 – Titulli X

  1. Tafaj, Mihallaq Konomi, Frashëri, Dhales, Kasmi, A. Mema, Çela, Xhaçka, Hyka, Hatibi, Bytyçi, Kazanxhi, Ishka, Gjoka, Bukoviku, Shala. O. Mema, Nurishmi. Tr. Myslym Alla

Kampionati XLIII 1981-1982 – Titulli XI

Sharra, Gj. Dinella, Baçi, Bimo, Vladi, Armadhi, Naçi, Hyseni, S. Mema, Omuri, Alimehmeti, Sengla, Muça, Minga, Kola, Vila, Gëzdari, Josa, Liti, L. Metani, A. Demneri. Tr. Enver Shehu

Kampionati XLVI 1984-1985 Titulli XII

Mersini, Sharra, Rroga, Baçi, Hodja, Bimo, A. Lekbello, Omuri, Liti, S. Mema, Josa, Minga, Muça, Kola, Ramadani, A. Bylyku, Stoja, Alimehmeti. Tr. Enver Shehu

Kampionati XLIX 1987-1988 Titulli XIII

Mersini, Sharra, Kepi, Sako, A. Lekbello, Alimehmeti, Josa, Stoja, Omuri, Minga, Muça, Kola, Daja, Riza, A. Fortuzi, Ramadani, A. Ruci, Liti, Hodja, D. Papadhopulli, Bardhi, Ismaili. Tr. Shyqyri Rreli

Kampionati L 1988-1989 Titulli XIV

Mersini, Sharra, A. Lekbello, Hodja, Alimehmeti, Josa, Bardhi, Stoja, Ramadani, Kepi, Minga, Kola, Riza, Liti, Daja, F. Ismaili, Sako, Sh. Lekbello, R. Hyka, Luzi, Ar. Mema, Omuri. Tr. Shyqyri Rreli

Kampionati LVI 1994-1995 Titulli XV

Kokuri, E. Kasmi, Nallbani, Dede, Minga, Gallo, Baholli, Kukli, E. Hyka, Ar. Mema, Kola, Fejzolli, Stoja, Miloti, I. Fortuzi, Malko, Tole, F. Dhales, Prenga, Sula, Zela, Merkoçi, Mulleti Tr. Shkëlqim Muça

Kampionati LVII 1995-1996 Titulli XVI

Nallbani, Kasmi, Minga, A. Mergjyshi, Mulleti, Kola, E. Sula, Mema, Baholli, Gallo, Malko, Dede, Ruhi, Dhales, Kukli, E. Hyka, Prenga, Miloti, Alimehmeti, S. Bulku,

Çoçlli, C. Caslli, Ismaili, I. Fortuzi. Tr. Sulejman Mema

Kampionati LVIII 1996-1997 Titulli XVII

Nallbani, E. Kasmi, Kapllani, Alimehmeti, Dede, Çoçlli, Ruhi, Gallo, Ismaili, Hushi, Sina, Domi, Shaba, Kukli, Merkoçi, Mema, S. Bulku, Baholli, T. Stërmasi, Miloti, Riza, Zalla, Ohri, I. Fortuzi, Kola, Bushi, Drita, A. Tafaj, Ilir Karaj, Stavre. Tr. Enver Shehu

Kampionati LX 1998-1999 Titulli – XVIII

Nallbani, Hidi, Ferhati, Alimehmeti, Ruhi, Sina, A. Tafaj, A. Zëre, O. Osmani, Ilir Karaj, Çoçlli, S. Bulku, Duro, Iliazi, Ohri, E. Bulku, Stërmasi, Liti, Xhafa, Merkoçi, Malko. Muka, Dabulla, Prenga, Ishka, Mema, A. Zeqo, Ismaili, Gallo, Dede, A. Demneri. Tr. Sulejman Mema

Kampionati LXI 1999-2000 – Titulli XIX

Nallbani, Ferhati, F. Kasmi, Sina, Alimehmeti, Dede, Dabulla, Ar. Mema, A. Tafaj, Z. Kenesei, L. Vukovics. P. Sutori. S. Bulku, Memishi, E. Bulku, Prenga, Rizvanolli, Riza, J. Kapaj, A. Vito, I. Hidi, J. Driza, F. Ymeri. Liçi.  Tr. Shkëlqim Muça

Kampionati LXV  2002-2003 – Titulli XX

Egbo, Hidi, Sina, Dabulla, Dede, Venhof, Ar. Mema, A. Tafaj, E. Bulku, S. Bulku, Merkoçi, I. Fortuzi, A. Veraj, M. Halili, A. Agolli, G. Hajdari, R. Jupi, S. Lici, F. Xhafa, S. Patushi, R. Vata, Muka, Prenga, Begolli (Baqolli), L. Vladi. Tr. Fatmir Frashëri, Krenar Alimehmeti

Kampionati LXVI 2003-2004 – Titulli XXI

Hidi, Sina, Dabulla, A. Tafaj, Dede, Pinari, Muka, G. Hajdari, I. Fortuzi, M. Halili, A. Agolli, Lici, S. Bulku, Patushi, Prenga, E. Bulku, Merkoçi, Nebiu, A. Muça. Shkreli, F. Xhafa, Devolli, Kalari, Tafaj, Manastirliu. Tr. Mirel Josa

Kampionati LXVII 2004-2005 – Titulli XXII

Hidi, Merkoçi, E. Bulku, Behari, Dabulla, A. Agolli, A. Tafaj, Patushi, Muka, F. Xhafa, I. Fortuzi, M. Halili, Sina, A. Muça, S. Bulku, G. Hajdari, Pape Sene, Ardit Beqiri, Duro, G. Çipi, Nallbani, Bakalli, Eleandro Pema, Fagu. Tr. Sulejman Starova

Kampionati LXIX 2006-2007 – Titulli XXIII

Nallbani, Pisha, Dede, Abraham, E. Bulku, Allmuça, Patushi, Fish, Muka, K. Duro, Penja, Sinani, E. Pema, Salihi, Merkoçi, G. Hajdari, Hidi, Bakalli, Sefa, Çeliku, Fation Muhamedi, Kalari, Fjolla, Çapja, Abazaj, Turdiu, Arapi, A. Duro, Gl. Tafaj, Çela, M. Metani, Hysa, E. Sharra. Tr. Shkëlqim Muça

Kampionati LXXI 2008-2009 – Titulli XXIV

Nallbani, Koronovski, Dabulla, Kçira, Tusha, A. Lila, T. Osmani, Devolli, Abraham, S. Lilaj, Deliallisi, D. Xhafaj, Memelli, B. Hajdari, Sefa, Arapi, Muka, Sorra, Migel Metani, Pashaj, Endri Tafaj, Ferra, Kuka, Toni Pezo. Kristiano Muzaki, Patushi, Rinush Karaj, Rrudho Tr. Blazh Sliskoviç, Agustin Kola, Mauro Bençivenga, Alban Tafaj

Kampionati LXXXI 2019-2020 – Titulli XXV

Lika, Bakaj, Doka, Hoxhallari, Muça, Vangjeli, Osmani, Karabeci, Ismailgeci, Çelhaka, Batha, Kale, Torasa, Ngo, Cobina, Dunga. Morina, Hasani, Muçi, Stafa, Berishaj, Kraja. Sigiide, Halili, Tr. Ardian Mema, Emanuel Egbo.