110 vjetori i lindjes së Migjenit. Ja kujtimet e Prof. Alfred Uçit

350
Sigal

“Shkëndija” dhe profanëzimi

 

Prof. Alfred Uçi * 

 Analiza e zgjatur nё kёto dy vёllime e Estetikës Migjeniane dhe e praktikës artistike të Migjenit me rastin e 100 vjetorit të lindjes dhe 75 vjetorit të vdekjes së tij më shtyn tё paraqit disa përfundime. Para së gjithash e quaj të dobishme përkundrejt ndonjë zëri të mekun, që ka kërkuar të heshtet tashmë ngaqë konstatohet se nuk është shkruar pak për jetën e veprën letrare të Migjenit, që më nxiti t’i kthehem edhe një herës angazhimit tim për këtë temë, sepse kam besuar e besoj se, siç ndodh me kryeveprat botërore, edhe vepra e Migjenit përbën një temë që mbetet për të njohur mjaft aspekte të rëndësishme që nuk janë kapur ose nuk janë trajtuar thellë; që kanë për të qenë objekt interesant hulumtimesh të mëtejshme shkencore, sidomos ngaqë tani veprën e Migjenit e kanë ose do ta kenë në dorë brezat e rinj të lexuesve e kritikëve me kulturë të re, të pandikuar nga paragjykime të vjetra të kohës së monizmit dhe të atmosferës në krizë e disi të turbullt të tranzicionit të stërzgjatur social-kulturor. Jam i bindur se, pavarësisht ç‘është thënë kryesisht për mirë , por disa herë edhe për keq, për jetën e veprën letrare të Migjenit, askush nuk e zotëron tё vёrtetёn absolute, sepse letërsia e mirëfilltë nuk është një garth apo mur që ndalon lëvizjen e mëtejshme të mendimit.

E vёrteta s’është piramidë: ndalues kufiri me tela me gjemba, por është udhё e hapur dhe merita kryesore e saj qёndron nё forcёn qё ka pёr t’i tёrhequr njerёzit pas vetes së saj dhe nё kёrkim tё parreshtur tё të vërtetave të reja. Filozofi i madh i Francёs, D. Didro të vërtetën artistike e ka krahasuar me njё bukuroshe, qё i tёrheq me hiret e saj gjithё adhuruesit e saj, të cilët shpresojnë se me pёrkushtim do t’i zotёrojnё gjithë këto hire, kurse Hirushja ёshtё edhe mё e mёnçur se sa ata, ngaqё e di se dorёzimi ёshtё fundi i hireve tё saj. Këtë e them edhe për veten time, që nuk kam shkruar pak për Migjenin, por edhe tani, pas dy vëllimeve të fundit me rastin e 100 vjetorit të lindjes dhe 75 vjetorin e vdekjes së Poetit, ngaqë u përqendrova kryesisht në argumentimin  e afirmimin e temës Estetika Migjeniane e Realizmit ekzistencial, konstatoj se ka mjaft aspekte të veprës letrare të Migjenit, që janë anashkaluar ose nuk janë trajtuar në mënyrë të plotë e që më angazhojnë për një libër me titullin: ”Eseistikë. Migjeni dhe letërsia e sotme”. Për ta konkretizuar këtë tematikë po paraqit një aspekt të problemit të gjuhës së krijimtarisë letrare të Migjenit,që është trajtuar mjaftueshëm, por disa studiues, duke përfshirë edhe veten time kemi përmendur se në krijimtarinë letrare të tij, Migjeni ka përdorur mjaft fjalë, që gjenden në ligjërimet ekleziaste, fetare, por ky problem nuk është shkoqitur plotësisht. Kohët e fundit studiuesi i mirënjohur Kristo Jorgo pat shkruar artikullin “Raporte intimisht komplekse e të sofistikuara të Migjenit me religjionin” me disa nëntituj:”Shkëndija biblike e Migjenit”; “Migjeni ateist?”. Në rrafsh stilistik disa vepra të botuara prej tij, Migjeni brenda prirjes mbizotëruese realiste e ekzistenciale të krijimtarisë ka aktivizuar leksik liturgjik, që ka ngjallur ndonjë herë dyshime e keqkuptime për qëndrimin e Poetit ndaj fesë, religjionit. Kuptohet se pjesë e pandarë e kulturës humane që Migjeni fitoi në “Seminarin e Shën Joan Teologut” të Manastirit (Bitolit), ka qenë edhe zotërimi i terminologjisë të zakonshme të teologjisë së krishtërimit, të cilin K.Jorgo e ka vrojtuar në poezi e proza të ish studentit të këtij seminari. Studiuesi është përqendruar në krahasimin e poezisë “Shkëndija” të Migjenit me parabolën mitike të “Djalit plangprishës”, të rrëfyer nga Krishti dhe që gjendet, sipas K.Jorgos , në Ungjillin e Llukës. Ky studim i K.Jorgos zhvillon më tej një analizë të thelluar të një dukurie, që është venë në dukje para tij edhe nga studiues të tjerë, praninë e disa fjalëve-terma të huazuara nga gjuha ekleziaste e mësuar nga poeti në Seminarin e Manastirit.

Përmes një analize të imtë krahasuese K.Jorgo ka formuluar hipotezën se “në vijat e përgjithshme këtë skemë strukturore e gjejmë të plotë tek poezia “Shkëndija”; por K.Jorgo e tepron disi kur pohon më tej se “transfigurimi gjenial i parabolës biblike”kërkon të ngulisë mësimet e Krishtit”, duke “krijuar një variant të kryemitit biblik të rënies dhe të ringjalljes”. Të tilla supozime e çojnë K.Jorgon më larg se ç‘mund të nxirret nga variantet paramigjeniane të ripunimit krijues të parabolës së “birit plangprishës” në letërsinë botërore. Sidoqoftë, në rrafsh stilistik veprat e para të botuara nga Migjeni bartin disa veçori, që dëshmojnë qysh në fillim prirjen e përgjithshme realiste dhe ekzistenciale të krijimtarisë së Migjenit. Kjo prirje mund të vihet në dyshim, siç ka ndodhur ndonjë herë, nga keqkuptimi mbi karakterin liturgjik të leksikut edhe në poezi, edhe në prozë. Kështu ka ndodhur edhe me artikullin e K.Jorgos, ngaqë ai nuk e ka përfillur prirjen e e rëndësishmed në historinë e letërsisë botërore, brenda së cilës ka ndodhur procesi i profanizimit të figurave mitike fetare dhe i i transfigurimit të tyre në dukuri të mirëfillta estetike, artistike.  “Eksplorim historik dhe psikologjik i miteve, i teksteve të shenjta,-ka shkruarMilan Kundera,-do të thotë: t’i kthesh ato në profanë, t’i profanizosh. Profanizimi, pra, është zhvendosja e të shënjtës jashtë tempullit, në sferën jofetare. Gjatë kohëve moderne mosbesimi rresht së qeni dyshues e provokues dhe besimi, nga ana e vet, e humbet sigurinë e dikurshme misionare, apo të patolerueshme”.(“Testamentet e tradhëtuara”, 2011, f.14). Duke mos e përfillur këtë konsideratë të Kunderës, K.Jorgo  bën një krahasim të hollësishëm midis “Shkëndijës të Migjenit dhe parabolës mitike “të birit plangprishës”, që ia ka përforcuar dyshimin se “Shkëndija” e largon Migjenin nga bindjet e tij afetare. Këtë kërkon ta provojë edhe analiza krahasimtare, profesionale e hollësishme, me të cilën K.Jorgo ndërton skemën strukturore formale “të përbashkët” me katër elemente të parabolës mitiko-fetare dhe të poezisë“Shkëndija”: ”1.Humbja e birit;2) Krimi i tij;3) Rigjetja e gëzimi;4) Ndarja festive e ngjarjes së lumtur”, duke e nënkuptuar barazinë e njëjtë me karakter fetar të të katër elementeve të strukturës së dy teksteve, që mund të dallohen thelbësisht, sipas nesh. Për lehtësi e saktësi po paraqitim të plotë poezinë “Shkëndija”, që është skematizuar, duke e dobësuar aromën laike, afetare migjeniane:

SHKËNDIJA

Nga zjarrmi i votrës u shkëput një shkëndi

dhe nëpër oxhak u vërsul në liri,/

nëpër mes t’errsinës muer udhën e qiellës

dhe në mes hyjve të natës zu vendin e Hanës.

Nndritë shkëndi e gjallë në qiellë plot me hyje,

ndritë shpirti i ri, lidhë me t’arta nyj.

Nyjet e dashnis,dashni e fëminis’

 për të mjeruemët në botë që vuejnë, derdhin lotë.

Sa bukur shkëndija xhixhillon n’errësinë!

Vallzon bashkë me hyje dhe ndrron lumnin’…

E poshtë votra fiket,/pranë saj zemra liget,

zemra e një plaku,/i cili del te praku

dh’e, ngreh shkopin në hyje shkëndin për me gjetë,

rebelin, që votrën e shtëpisë e la të shkretë…

O ti fëmi i ri! E zjarrta shkëndi!

Pse votrën e le? Më thuej, pse?, pse?

E shkëndija, hyjet, të tanë qiella arbnore,

në nett e argenta, të reja –po si hark kunore.

Zbret mbi shtëpija tona…e na gëzo’hna, gëzoh’na

dhe puthim agimin…q’ashtu rrëfejnë gëzimin.

Asgjë nuk është sajuar nga Migjeni, që ta afronte strukturën e poezisë në tërësi me elemente fetare, ndonëse mund të pranohet një afri formale me parabolën e djalit plangprishës. Në këtë rast duket e fuqishme mjeshtëria e Migjenit për çmistifikimin e miteve dhe rrëfimeve fetare dhe transfigurimin estetik të elementit gjuhësor në forma të mirëfillta të letërsisë laike, duke aktivizuar karakterin polisemantik të miteve e prrallave folklorike, duke i dhënë origjinalitet artistik dhe duke humbur, shuar aroma të largëta mitike. Ky procedim profanëzimi s’është gjë tjetër veçse mjeshtëri e Migjenit, për ta çhyjnizuar botën,- që përbën, sipas Migjenit, një nga fenomenet që karakterizonin letërsinë e kohëve moderne. Çhyjnizimi nuk shënon ateizmin, ai shënon gjendjen ku individi, njeriu që mendon, zëvendëson Zotin si themelues të gjithshkaje, bën atë veprim, për të cilin Hajdegeri e ka quajtur:”Kësisoj Zotat përfundojnë duke u larguar. Zbrazëtia që rezulton është mbushur nga eksplorimi historik dhe psikologjik i miteve”, që do të thotë t’i profanizosh mitet.f.14.

K.Jorgo bën mirë që përmend një varg emrash letrarësh të shquar që kanë shfrytëzuar këtë parabolë biblike, por do të kishte qenë më e dobishme të ishte ndalur në krahasimin e këtyre varianteve me “Shkëndijën” e Migjenit, për të evidentuar se ç‘ka të përbashkët e të ndryshme midis tyre, për ta shmangur referencën thjesht formale me emra shkrimtarësh të shquar, të cilët kanë pasur botëkuptime shumë të ndryshme jo vetëm njëri nga tjetri, por sidomos në raport me biblën e me dukuri si “Shkëndija” e Migjenit. Nga një punë e tillë krahasimtare mund të forcohej dyshimi i K.Jorgos se “Shkëndija” nuk e largon Migjenin nga bindjet e tij afetare. Në fakt prej kohësh në letërsinë botërore janë përdorur e përdoren mite, rrëfime fetare, të cilave u jepet përmes një transfiguracioni funksion i mirëfilltë estetik edhe brenda një prirjeje tradicionale sekularizuese, laike, thjesht poetike, si shprehje e idealit migjenian të  gjithë ciklit  poetik të “Ringjalljes”, brenda të cilit është përfshirë edhe kjo poezi, së bashku me “Parathënien e Parathënies” të “Vargjeve të lira”. Eshtë me rëndësi të theksohet se në këtë cikël titulli “Ringjallja” nuk ka aspak kuptim fetar dhe idea themelore e secilës poezi veç e veç mbizotërim është pa dyshimin më të vogël mohim i Zotit. Vetë K.Jorgo e ve në dyshim barazimin e përmbajtjes së “Shkëndijës” me të parabolës së birit të humbur, kur konstaton tre ndryshime, dallime të rëndësishme, të cilat sofisikisht duke i nënkuptuar si pohime, që mund të përdoren jashtë tekstit autentik migjenian ose pro ose kundër idesë biblike, mitike të rrëfimit të djalit plangprishës. Vlen të kujtojmë se në tekstet e çdo libri ose rrëfimi e ligjërimi fetar gjenden mite, rrëfime e fjalë të urta, të huazuara  nga burime parakristiane, aspak të krishtera, nga mitologjia pagane ose folklori popullor laik.Më i rëndësishëm është fakti, që figuracioni artistik i bagazhit leksikor të “Shkëndisë”është i zhveshur nga ngarkesa e kuptimi i mirëfilltë fetar; përkundrazi, Migjeni dëshmon mjeshtërinë për sekularizimin e këtij leksiku dhe mjeshtërinë e tij për ta transfiguruar qysh në fillim në figura poetike me  përmbajtje laike, madje  edhe me një frymë kritike ndaj botëkuptimit  fetar. Në krijimet që i përmendëm dhe në ndonjë tjetër shfaqet prirja e Migjenit për ta inkuadruar leksikun e tipit biblik brenda kornizës ekzistenciale të ideve estetike, duke u dhënë figurave artistike ngarkesë të pazakontë ekspresive, që ka qenë karakteristike në përgjithësi për krahun realist dhe ekzistencialist të ekspresionizmit modern europian. Prof. Ali Aliu e ndonjë studiues tjetër kosovar shqiptar për shkak të pranisë të këtij stili ekspresiv te vepra e Migjenit kanë folur për një farë ndikimi të variantit të majtë të ekspresionizmit, ngaqë fryma e skajshme realiste e ekzistencialiste e tij pëlqehej nga Poeti shqiptar. Këtu është vendi të kujtojmë se disa shpjegime të rëndësishme e të mënçura për këtë problem janë dhënë prej kohësh nga prof. Ali Aliu në studimin e tij me titullin :”Tregimi i shkurtër i viteve tridhjetë.–A mund të flitet për ekspresionizmin e Migjenit?”, të botuar në librin e tij “Rrjedhave të letërsisë”qysh më 1977.

Në këtë studim A. Aliu analizon rrethanat historike të brendshme e të jashtme të Shqipërisë në vitet 1930, që e favorizuan kultivimin e zhanrit të “tregimit të shkurtër” sidomos nga Nonda Bulka, P.Marko, A.Varfi etj., krijimet e të cilëve dalloheshin për frymë  novatore moderniteti si tregimet e shkurtra afetare të Migjenit. Vërtet Porf. Aliu i quan “arabolike”, në të cilën dallon dy inde paralele të mendimit: rrëfimi i shkurtër i improvizuar, si detaj i veçuar e i fiksuar fiktivisht nga natyra mitologjiko-anekdotike, nga njëra anë, dhe linja që nënkupton idenë e aktualizuar të autorit. Të këtilla janë rrëfejzat alternative, që manifestojnë frikën, si parandjenjë nga një tërbim i një organizmi të egër, i cili lot një valle shumë të rrezikshme me pasionet e pafre, ndërsa një stihi e pakuptueshme, si orkestër, lëshon melodi misterioze”. Migjeni i ka patur të gjalla mbresat nga leximet e kohës së shkollimit, që i ka bashkuar qoftë me fundin e ekspresionizmit, qoftë me dilemat e kohës, me shqetësimet që e preokuponin dhe e mundonin inteligjencien, e sidomos krijuesin e kohës në Europën, Ballkanin, edhe Shqipërinë e fillimit të viteve tridhjetë. Duke zbërthyer veçoritë e poetikës të këtij zhanri migjenian, A.Aliu argumenton  ngjashmëri në disa drejtime të veprës së Migjenit me variante të ekspresionizmit, që sintetizonte në vetvete realizëm militant ekspresiv me frymën humane laike të ekzistencializmit  ateist europian dhe ballkanik të dekadave të para pas Luftës së parë botërore.

Madje, nuk mund të mos kujtojmë edhe poezinë e Migjenit me titull “Lutje”, që nis me shprehjen “Të lutem, o perëndi”, e cila gjithsesi nuk mund të merret si shenjë e besimit fetar të Migjenit, por është një transfigurim i një shprehjeje të rëndomtë, të cilën Poeti e zhvesh nga kuptime fetare, ngaqë kërkon “një simfoni…plot dashuni,/të nxehtë si te vasha gjitë,/ kur vlojnë ndijesitë,të dëfrejnë lumni/t’u u përkundë n’ani/të bukur të andërrimeve të kaltër…”.  Gjithsesi, vjersha “Lutje” nuk e ka vlerën e një largimi nga ateizmi i zakonshëm i Migjenit, por është një transfigurim i bukur poetik ekzistencial. Krahasimi i “parabolës e djalit plangprishës” dhe i “Skëndijës” dhe “Lutjes” të Migjenit meritojnë të  vlerësojnë edhe me atë atmosferë që sundonte në letërsinë e filozofinë moderne europiane të viteve ’30, të Kohës së Migjenit. Dhe prandaj dua të përmend emrin e Tomas Manit, i cili njihet tashmë si shkrimtar i madh botëror, veç të tjerash, edhe për përdorimin prej tij të miteve të lashtë, edhe të krishterë, duke i profanizuar mjeshtërisht dhe duke krijuar romane të shquar si “Josifi dhe vëllezërit”, që është nxjerrë prej tij nga rrëfimet mitike biblike , duke i çyjnizuar personazhet, madje duke i parodizuar aq sa një herë pat thënë se ”Shkrimet e Shenjta të bëjnë të qeshësh, prandaj i kam trajtuar në romane të mij në plan komik”.

 

(*Redaksia boton një fragment nga libri në dy vëllime i  Prof. Alfred Uçit “Migjeni –fryma moderne e letërsisë shqipe” dhe “Estetika Migjeniane”  me rastin e 100 vjetorit të lindjes dhe 75 vjetorit të vdekjes të Poetit, botuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë.)