Vijonë abuzimet në KESH, për 1 javë zhduken 4 mln euro

44
Sigal

KESH regjistroi 256 milionë euro humbje në vitin 2022, por kjo duket se nuk e ka penguar entin shtetëror të energjisë të zhvilloj një tjetër procedurë prokurimi dhe këtë herë për të siguruar energji për një javë duke nisur nga 31 korriku deri në 6 gusht.

Kjo është e disata procedurë që KESH zhvillon në harkun e një muaji. Sasia e blerë këtë herë në treg të lirë ishte e ndarë në dy lote ku në lotin e parë u blenë 33 600 MWh për një çmim të ponderuar 106.72 euro/MËh ndërkohë që u sigurua edhe një sasi prej 5250 MWh me një çmim 92.11 euro/MËh.

Në total të dyja blerjet i kushtuan KESH rreth 4 milionë euro duke çuar këtë shumë së bashku me importet e tjera të këtij viti 24 milionë euro. Ndërkohë shitjet apo eksportet e KESH gjatë këtij viti të paktën sipas procedurës së fundit që përfshinte 20-23 qershorin kanë kapur vlerën e 36 milionë eurove.

Ky vit ndryshe nga ai paraardhës është shfaqur më mirë sa i takon situatës hidrike por ardhja e stinës së verës dhe rritja e konsumit kanë bërë që Korporata të fillojnë alternimin me blerje më masive në treg të lirë në mënyrë që të vijojë të mbajë kaskadën në nivele optimale. Deri në fund të prillit sipas shifrave zyrtare të raportuara në ERE kaskada qëndronte mbi kufijtë e mesatares historike.

KESH më herët ka deklaruar se përballimi i konsumit gjatë stinës së verës do të jetë një alternim mes prodhimit në kaskadë dhe blerjeve në tregun e lirë ndërkohë që për aq kohë sa çmimet janë të përshtatshme këto blerje do të kenë prioritet në raport me termocentralet e lundrueshëm, që janë të vendosur në Vlorë.

KESH është ngarkuar me sigurimin e furnizimit me energji në vend duke marrë kompetencat që më parë kishte Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike dhe kjo në kushtet e situatës së gjendjes së emergjencës në fuqi nga tetori 2021.

Në mbledhjen e fundit të qeverisë u miratua zgjatja e kësaj emergjence deri në fund të vitit çka do të thotë se KESH do të vijojë të jetë përgjegjës për sigurimin e gjithë sasisë së energjisë së nevojshme për konsum në vend, kompanitë nuk do të kryejnë investime madhore përveç atyre që lidhen me mirëfunksionimin e rrjetit dhe prodhuesit me përparësi (HEC-et deri në 15MW) nuk do të mund të dalin në treg të lirë pasi janë në regjimin e detyrimit të shërbimit publik.

Çmimet e energjisë pavarësisht pasigurisë që ende mbetet evidente kanë shënuar një ulje të ndjeshme në raport më një vit më parë por edhe në raport me fillimvitin. Në Bursën Hungareze 1 MWh energji u shit 76 euro në bazë dhe 77.85 euro në pik kurse për datën 1 gusht çmimi i 1 MWh në bazë ishte 93.32 euro/MWh dhe 97.79 euro/ MWh në pik.