Sigal

Miniera e Selenicës. Treni – dekovil Selenicë – Vlorë. Banorët e hershëm dhe fshatrat e bashkisë

Ergys Alushi, Novruz Barjami

vijon nga numri i kaluar

SELENICA

Qyteti i Selenicës është qendra e bashkisë Selenicë. Selenica ndodhet në lindje të qytetit të Vlorës, 27 km larg tij. Qyteti është i vendosur në një zonë kodrinore në bregun e majtë të rrjedhjes së poshtme të lumit Vjosë.

Miniera e Selenicës

Miniera e bitumit, në Selenicë, është nga më të vjetrat në vendin tonë, dhe nga më të rrallat në të gjithë Evropën. Sipas të dhënave historike në Selenicë, “zjarret e përhershëm” ose “çezmat që digjen”, që shumë autorë të antikitetit i kanë paraqitur si shfaqje të mrekullueshme dhe objekte adhurimi e besimi, kanë qenë të njohura qysh në kohën e Aristotelit, Strabonit, Elianit, Plintit, Plutarkut, deri tek Karl Paçi, Novak, Baldaç, për të përfunduar tek ata të sotmit.

Në shkrimet e dijetarit dhe filozofit të kohës së vjetër, Aristotelit, për vendburimin e serës së Selenicës thuhet: “Në Apolloni, që ndodhet pranë krahinës ilire të Atlantitëve (Atintanëve, Taulantëve), thonë se ka asfalt që nxirret nga toka dhe zift që shpërthen prej saj si uji dhe nuk ndryshon aspak nga ai i Maqedonisë, por është i një natyre më të zezë e më të trashë”.

Në vitin 1934, nga zbulimi i gërmimeve të vjetra nëntokësore, me mbeturina armature rrethore druri, u gjetën kandile e vegla pune të periudhës romake.

Shumë dijetarë tregojnë se pjesëtarët e kryqëzatës së 4-të, kanë qëndruar në Shqipëri, e posaçërisht në Vlorë, nga ku kanë marrë me vete sasi të mëdha sere. Sipas njoftimeve historike, aty nga shekulli i 16-të mësohet se nuk kemi të bëjmë vetëm me gojëdhëna e përshkrime historiko – gjeografike -turistike mbi ndodhjen e serës, por kemi të bëjmë edhe me shfrytëzimin e saj. Pikërisht më 1583, historiani turk, Inalçik, duke folur për serën e vendburimit të Selenicës, shkruan se si shfrytëzohej ajo. Për këtë shfrytëzim kanun-nameja e Livasë ka pasur edhe një rregullore ku, ndër të tjera thuhej: “Nëpër rrethet e fshatrave ku gjenden minierat e ziftit, rajave që punojnë për nxjerrjen e këtij materiali, pasi ta kenë sjellë ziftin në Vlorë e ta kenë dorëzuar në depo, u duhet llogaritur në çdo 1000 litër zift një pagesë prej 20 akçe (monedhë e vogël argjendi turke) në të holla”.

Më vonë, aty nga shekulli 17-të, Evilja Çelebiu, që ishte dërguar nga Sulltani në Shqipëri, flet për minierën e Selenicës në shfrytëzim. Ndërmjet të tjerave ai shkruan: “Në këtë vend është një mal me zift. Këtu punojnë një shumicë punëtorësh të cilët kanë çelur qindra shpella prej nga qesin zift (serën) në copa të mëdha si arka, të cilat administratori i këtij mademi ua shet tregtarëve francezë, që vijnë e blejnë në vend”.

Miniera e parë, e organizuar si e tillë, daton rreth vitit 1830, dhe është ngritur nga një shoqëri angleze. Gjatë kohës së mbretërimit të Zogut, shfrytëzimi i bitumeve të Selenicës bëhej nga shoqëritë italiane, revolta e punëtorëve, ndaj të cilave, është e njohur nga ngjarjet e viteve 1937, 1940, 1941 dhe 1942. Zhvillimin më të madh Selenica e mori pas Luftës II Botërore, ku si rrjedhojë e shfrytëzimit të bitumeve të saj u hapën shumë vende pune.

Sot, qyteti i Selenicës apo siç njihet ndryshe “qyteti i minatorëve”, është qendër administrative ekonomike, arsimore e kulturore e Bashkisë me të njëjtin emër.

Treni – dekovil Selenicë – Vlorë.

Linja e dekovilit Vlorë-Selenicë, e ndërtuar nga ushtria italiane gjatë Luftës së Parë Botërore, shënon fillimet e transportit hekurudhor në Shqipëri. Mjeti bënte udhën e hekurt, nga qyteti i Selenicës drejt qytetit të Vlorës, duke përshkuar edhe rrugë malore. Dekovili i Selenicës është shfrytëzuar relativisht deri vonë. Ai sillte nga Selenica në Skelë, rrotullat e asfaltit. Më 1926 qeveria shqiptare ia dha me koncesion shoqërisë së Selenicës riparimin dhe shfrytëzimin e këtij dekovili.

David Selenicasi (Davidi nga Vlora)

Piktor i madhi shekullit të 18-të

Në qendrën e re të qytetit, është vendosur busti i një prej piktorëve më të njohur të Ballkanit, të shekullit XVIII, David Selenicasi. Afresket e punuara prej tij kanë zbukuruar kishën e virgjëreshës, në malin Athos, në Greqi, kishën e shën Prodhomit, në Kostur, të shën Kollit në Voskopojë etj.

Jeta e Davidit, përmblidhet në vitet 1715-1727 dhe në trekëndëshin Vlorë (Selenicë) – Athos – Voskopojë, dhe përfundon në një pikë jo larg Voskopojës, në Kostur.

Ai mendohet të ketë lindur në dhjetëvjetëshin e fundit të shekullit të 17-të në Selenicë të Vlorës, ku mendohet të ketë kaluar dhe fëmijërinë.

Vllehët- banorë të hershëm të Selenicës.

Vllehët përbëjnë sot shumicën e popullatës në qytetin e Selenicës. Pas ikjes së sllavëve ata kanë qenë të parët që ringritën qytezën e Selenicës. Pasi u vendosën këtu, ata vazhduan të ushtronin gjithashtu dhe profesionin e tyre të vjetër, atë të karvanëve. Për të përballuar nevojat për jetesë ata filluan të mblidhnin serën e sipërfaqes dhe ta shisnin atë në Fier, Lushnjë e deri në Kavajë e Durrës, të transportonin gjithashtu kripën nga Narta e Vlora drejt Beratit, Korçës e Përmetit. Duke qenë mjeshtër të vërtetë të transportit me mushka, ata (vllehët) tërhoqën vëmendjen e të gjitha shoqërive koncesionare të huaja turke, angleze, franceze dhe të asaj italiane SIMSA, të cilat i organizuan karvanët e tyre për transportin e serës nga Selenica në Skelën e Vlorës. Pas çlirimit të vendit në Selenicë erdhën dhe u vendosën mjaft familje dhe individë, kryesisht nga Shqipëria e Jugut, të cilët, së bashku me vllehët e këtij vendbanimi dhanë një kontribut të çmuar për rimëkëmbjen, zgjerimin dhe zhvillimin e minierës së bitumit, për zhvillimin dhe progresin e kësaj qendre të rëndësishme minerare. Vllehët, ndonëse të integruar plotësisht në shoqërinë shqiptare, vazhdojnë të flasin gjuhën e tyre, të kultivojnë traditat dhe zakonet e tyre të veçanta. Krahas vlerave të mësipërme, ata nuk harrojnë asnjëherë të kultivojnë folklorin e tyre të mrekullueshëm. Mënyra e tyre e të kënduarit është kryesisht polifonia, ndonëse nuk mungon as monofonia. Polifonia e vllehëve të Selenicës është shumë e ngjashme me polifoninë toske të Korçës, Përmetit e Kolonjës, duke qenë se nga këto zona është edhe origjina e tyre e largët.

Tipar tjetër dallues i vllehëve të Selenicës, krahasuar me zonën ku jetojnë, është dhe etnografia. Veshja e tyre, si ajo e burrave, por sidomos e grave është mjaft e bukur dhe e veçantë, Në përgjithësi këto veshje qepeshin nga vetë gratë vllehe, duke pasur parasysh se pothuajse çdo familje vllehe kishte tezgjahun e saj. Tjetër veçori e vllehëve të Selenicës është se ata i përkasin besimit ortodoks. Ata kanë Kishën Shën Athanasi, e cila është ndërtuar, në vitin 1814. Në këtë kishë ata pagëzojnë fëmijët, vendosin kurorë djemtë dhe vajzat e reja të sapomartuara dhe zhvillojnë rregullisht ceremonitë e ndryshme fetare.

Disa nga fshatrat e bashkisë Selenicë; Drashovica e Ploça, (janë përzgjedhur në projektin e 100 fshatrave), Armeni, Karbunara, Brataj, Gjorm, Mesaplik, Lepenicë, Sevaster, Vajzë, Shkozë, Peshkëpi, Lubonjë, Kota, Mavrova, Vllahinë e të tjerë fshatra