Tenderat e shëndetësisë, SPAK nis hetimin për 10 zyrtarë

416
Sigal

Zbulohen shkelje në tenderat e shëndetësisë, kallëzohen në SPAK 10 zyrtarë

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kallëzuar në Prokurorinë e Posaçme tetë zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë e institucioneve në varësi si dhe dy të Agjencisë së Trajtimit të Koncesioneve (ATRAKO).Nga një audit i KLSH-së, rezulton se ata kanë kryer shkelje në procedurat e disa tenderave në shëndetësi. Kontrolli i Lartë i Shtetit njofton se gjatë ushtrimit të auditimit financiar dhe i përputhshmërisë në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka konstatuar shkelje të kryera nga ana e tetë funksionarëve të MSHMS, institucioneve në varësi të saj, si dhe dy punonjës të ATRAKO, lidhur me procedurën për “Koncesionin/ partneritetin publik privat, për ofrimin e shërbimit laboratorik të spitaleve universitare, rajonale dhe atyre bashkiake të Sarandës dhe Lushnjes” si dhe procedurën e prokurimit për “Blerje monitor pacienti për masat anti-covid”. Nga auditimi i procedurës së koncesionit të lartpërmendur, janë evidentuar veprime të kundërligjshme të shtatë punonjësve, anëtarë të Komisionit të Dhënies së Koncesionit/PPP veprime këto që bien në kundërshtim me detyrimet ligjore, që i atribuohet këtij komisioni, si dhe me dispozitat ligjore që normojnë procedurën e koncesionit në fjalë. Gjithashtu, sqaron KLSH, nga auditimi i procedurës së prokurimit për “Blerje monitor pacienti për masat anti-covid” janë konstatuar një sërë shkeljesh të kryera nga tre punonjës, anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, në kundërshtim me dispozitat ligjore për prokurimin publik, si dhe me përmbushjen e rregullt të detyrës së anëtarit të KVO-së. Në lidhje me këto shkelje, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kallëzuar në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhjetë punonjës të lartpërmendur për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”.