Si orientojnë mjekët e martenitetit “Koço Glozheni” në klinikat e tyre private për fertilizimin in vitro

Ndonëse BE bleu 250 milionë lekë aparatura, mjekët u dërguan për specializim në Itali, salla e fertilizimit in vitro qëndron e kyçur dhe nuk është vënë asnjëherë në punë.Ja babëzia e interesave ekonomike mes spitaleve private, pasi janë të njëjtët mjekë të shtetërorit që këtë procedurë e ofrojnë në privat, duke përfituar miliona. Ku për një in vitro, çiftet  derdhin rreth 5000 euro

 

Sigal

Historia: Milionat nga bebet in vitro, shërbimi, që lulëzon në privat, por mbahet peng në shtet.

BE bleu 250 milionë lekë aparatura. Mjekët u dërguan për specializim në Itali, por salla qëndron e kyçur. Ndonëse janë marrë paratë dhe janë dërguar për specializim mjekët, salla e fertilizimit in vitro pranë maternitetit “Koço Gliozheni” nuk është vënë asnjëherë në punë.

Etleva dhe Enver Zika janë bërë prindër të trinjakëve, dy vajza dhe një djalë, vetëm 15 muaj më parë. Të martuar prej 15 vitesh, çifti vendosi t’i drejtohet fertilizimit in vitro, si e vetmja shpresë për të mbajtur në krah një bebe. Për shkak se ky proces është i kushtueshëm, çiftit Zika nga Yrsheku iu desh të merrte një kredi për të përballuar faturën e shpenzimeve. “Vetëm in vitro vajti 2500 euro, për të mos folur pastaj për ilaçe, kura e analiza pafund. Vetë nuk kishim mundësi, ndaj morëm kredi për ta përballuar”, – na rrëfen me lot në sy Etleva, e cila ende sot punon për të shlyer kredinë.“Çdo muaj duhet të paguajmë 100 mijë lekë (të vjetra) kredi, por shto këtu edhe shpenzimet e bebeve, mezi po jetojmë, ama nuk pendohem”, – shprehet Etleva, pa e fshehur emocionin që i shkakton mëmësia. Ëndrrën e saj Etleva e bëri realitet në një klinikë private në Tiranë, pasi në shtet i kishin thënë se kjo procedurë nuk ofrohej.“Nëse ky proces do të bëhej në shtet, do të ishte një ndihmesë e madhe për shumë çifte”, – shprehet ajo e zhgënjyer. Fekondimi in vitro është përfshirë në kuadrin ligjor shqiptar në vitin 2002 përmes 2 neneve në ligjin “Për Shëndetin Riprodhues”, por nuk shpjegohet mënyra se si duhet të asistojnë institucionet shëndetësore.   Ajo që e komplikon, është fatura financiare, e cila është mjaft e lartë, pa përfshirë edhe medikamentet, trajtimet, ekot e gjithçka tjetër dhe, në rastin kur tentativa e parë dështon, i gjithë procesi nis nga e para dhe çmimi dhjetëfishohet. Megjithatë Etleva ndihet me fat që mundi të sjellë në jetë fëmijët e saj që në përpjekjen e parë, pasi jo të gjitha çiftet kanë sukses. Ka nga ata që edhe pas disa tentativave, kanë shtuar borxhet, por nuk kanë mundur të mbajnë një bebe në krah.Vjollca nga Tirana e ka provuar 3 herë in vitron, por pa rezultat.“Kam marrë rreth 10. 000 euro kredi për të bërë in vitron dhe tani laj këstet mujore, pa mundur dot t’i gëzohem një bebeje. Punojmë bashkë me burrin dhe lajmë kredinë, por të paktën e provuam dhe jo pak, por tri herë”, – shprehet 45-vjeçarja, që punon si estetiste në një biznes privat pranë 21 Dhjetorit.

Mos hapja e klinikës së fertilizimit në shtet është çështje interesash ekonomike mes spitaleve private, pasi janë të njëjtët mjekë të shtetërorit që këtë procedurë e ofrojnë në privat. Paradoksalisht, në spitalet private kjo teknikë lulëzon, duke iu siguruar atyre përfitime të majme.

Laboratori, i kyçur në shtet

Në maternitetin Koço Gliozheni që prej vitit 2013 u kompletua me aparaturat e nevojshme një sallë laboratori për fertilizimin in vitro. BE kishte nisur mbështetjen e kësaj ambicieje të qeverisë shqiptare, duke e financuar me 250 milionë lekë. Në të njëjtën kohë u mundësua trajnimi në Itali i një ekipi mjekësh.

Paradoksalisht, ajo sallë nuk u hap kurrë sipas raportimin nga INA media përgjatë 2021. Pretendimet kanë qenë nga më të ndryshmet, por ajo që zuri vend më gjerësisht ishte se porosia nga BE erdhi me mangësi. Edhe sot e kësaj dite dera e laboratorit vazhdon të jetë e kyçur dhe i gjithë investimi mendohet se është amortizuar. Nderim Horeshka është një nga mjekët gjinekologë që u trajnua në Itali për procedurën e fertilizimit in vitro, por që nuk ka mundur t’i përdorë asnjëherë njohuritë e marra. Ai tregon se salla vijon të jetë e kyçur dhe aparaturat e financuara nga BE nuk janë vënë asnjëherë në punë, megjithëse ka shumë kërkesa për këtë shërbim.“Në prill të vitit 2014 jemi specializuar në Itali, por askush nuk na ka pyetur asnjëherë. Salla ishte e pajisur me të gjitha. Kur pyesnim, na thoshin se po llogaritet kostoja, sa do kushtojë si proces. Po asgjë më shumë. E di ministria, na thoshin. Salla, është ende, por qëndron e mbyllur”, – tregon mjeku, ndërsa me keqardhje thotë se gjithçka është lënë në harresë. Sipas tij, shpresat filluan të zgjoheshin 3 vite më parë, kur ministria ngriti një grup pune, me qëllim llogaritjen e kostove me të cilat do të ofrohej ky shërbim, por u shuan shpejt dhe gjithçka u la sërish pezull.

Ndryshe nga propozimi fillestar, ku i gjithë shërbimi do të rimbursohej, mjekët kanë hedhur idenë që kjo procedurë të ishte me bashkëpagim. Duke llogaritur kostot, ata sugjeruan që për ta përfituar këtë procedurë, do të duhej të paguheshin 700 euro. Një shifër kjo 5-10 herë më e vogël sesa kostoja që duhet të paguajnë në klinikat apo spitalet private.

Çmimet ndahen në dy pjesë, një pjesë i takon analizave paraprake dhe ilaçeve, që fillojnë nga 1000 euro deri në 2500 euro dhe pjesa e dytë i takon fekondimit in vitro, që varion nga 2400 euro e lart, sipas specifikave të secilit çift. Pra, në tërësi një seancë e fekondimit artificial kushton rreth 5000 euro. Në rast se përsëritet, seanca e dytë kushton sërish 2400 euro, pa përfshirë setin tjetër të ilaçeve.

Por, përse u la në harresë ky projekt?

INA Media iu drejtua me anë të dy kërkesave Ministrisë së Shëndetësisë për të kuptuar, jo vetëm arsyet se përse është bllokuar prej vitesh ky shërbim, por edhe se cilat janë projektet në vijim të qeverisë në lidhje me këtë biznes që lulëzon në klinikat e spitalet private. Sikundër kërkuam informacion, edhe nëse kjo ministri i kontrollon apo jo privatët në aplikimin e procedurës in vitro, a janë apo jo të certifikuar spitalet, klinikat dhe mjekët që e aplikojnë gjerësisht këtë procedure? Pavarësisht këmbënguljes së INA-s, nuk morëm asnjë përgjigje edhe pas ankesës drejtuar Komisionerit për të Drejtën e Informimit. Mimoza Keta ishte ndër të parat që mori rolin e promovimit të kësaj nisme në media. Aktualisht, ajo e ushtron profesionin në një klinikë private dhe nuk di të thotë me saktësi se përse ky proces ngeli pezull. Ajo rrëfen se interesi nga pacientët që kërkonin in vitron në shtet ishte tejet i lartë. Si mjeke e profesioniste e fushës, Keta rrëfen se është ndjerë shumë keq që gjithë ai investim shkoi dëm. Ajo hedh hije dyshimi se mos hapja e klinikës së fertilizimit në shtet është çështje interesash ekonomike mes spitaleve private, pasi janë të njëjtët mjekë të shtetërorit, që këtë procedurë e ofrojnë në privat.“Konflikti privat-shtet ekziston. Është një konflikt, sepse, po të shkojë në shtet, do paguajë më pak, po të shkojë në privat, do paguajë më shumë. Ky mund të jetë një nga shkaqet, sepse në klinikat private janë po ata mjekë që punojnë edhe në shtet, janë po ata shefa që punojnë edhe në shtet dhe ku iu leverdis? T’i kenë pacientët në privat apo shtet?!”, – pyet gjinekologia.

Interesat e privatit për mosfunksionimin e in vitros në maternitetet shtetërore pranohen jo zyrtarisht nga shumë mjekë që e njohin mirë problematikën. Në Shqipëri, megjithëse ky problem është ngritur shpesh herë, zgjidhja mbetet “mollë e ndaluar”, edhe pse pajisjet u dhuruan nga BE tetë vite më parë. Institucionet shqiptare e mbajnë “peng” këtë proces, teksa në spitalet private, pa u penguar nga asnjë kuadër ligjor, lulëzon “biznesi in vitro”.

Çmimet ndahen në dy pjesë, një pjesë i takon analizave paraprake dhe ilaçeve, që fillojnë nga 1000 euro deri në 2500 euro dhe pjesa e dytë i takon fekondimit in vitro, që varion nga 2400 euro e lart, sipas specifikave të secilit çift. Pra, në tërësi një seancë e fekondimit artificial kushton rreth 5000 euro. Në rast se përsëritet, seanca e dytë kushton sërish 2400 euro, pa përfshirë setin tjetër të ilaçeve.