Prof. Dr. Qemal Lame: Kosova pranoi, Serbia e rezervuar

Faza e zbatimit, duhet të përparojë në atë që të dyja palët të përmbushin detyrimet e tyre përkatëse paralelisht, hap pas hapi bazuar në parimin, që duhet të bëjnë diçka, për të marrë diçka në këmbim. Tani vëmendja duhet të përqendrohet në avancimin e zbatimit të plotë të marrëveshjes pa parakushte apo vonesa”.

Bisedimet midis Kosovës e Serbisë në Bruksel me krerët e Bashkimit Evropian, u zhvilluan për herë të parë në një format tjerët duke u zgjeruar me pjesmarrjen e tre vendeve, që kanë ndikim të drejtpërdrejtë. Presidenti Macron, kancelari gjerman Scholz dhe Kryeministrja e Italisë Meloni, ishin shumë të qartë me thirrjen e bërë në deklaratën e përbashkët drejtuar Kosovës dhe Serbisë: “palët të përmbushin kushtet e tyre në rrugën drejt normalizimit”. Departamenti i Shtetit deklaroi se procesi i normalizimit i ndërmjetësuar nga BE-ja, është rruga e vetme për të siguruar marrëdhënie paqësore dhe produktive dhe për të realizuar aspiratat e dy vendeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian. SHBA përsëriti gjithashtu thirrjen që dy palët të angazhohen seriozisht dhe urgjentisht drejt këtij qëllimi dhe të zbatojnë plotësisht të gjitha angazhimet që dalin nga dialogu.

Në deklaratën e bërë të njohur qartësohet, së pari, se projektstatuti evropian mbi Asociacionin “përfshin një mënyrë moderne për të trajtuar çështjen e ndjeshme të mbrojtjes së pakicave në përputhje me praktikat dhe standardet më të mira evropiane, brenda parametrave të përcaktuara nga palët”. Së dyti, “Ndaj nënvizojmë edhe një herë pritshmërinë tonë që palët të përmbushin angazhimet e tyre për zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit. Së treti, Faza e zbatimit, duhet të përparojë në atë që të dyja palët të përmbushin detyrimet e tyre përkatëse paralelisht, hap pas hapi bazuar në parimin, që duhet të bëjnë diçka, për të marrë diçka në këmbim. Tani vëmendja duhet të përqendrohet në avancimin e zbatimit të plotë të marrëveshjes pa parakushte apo vonesa”.

NOA

Thelbësore është thirrja drejtuar Kosovës që të “nisë procedurën për themelimin e Asociacionit, ashtu siç është parashikuar në projektstatut dhe Serbisë që të bëjë njohjen de-facto (të Kosovës). Kjo shoqërohet me kujtesën ndaj palëve se në mungesë të progresit për normalizimin e marrëdhënieve, të dyja, rrezikojnë të humbasin mundësi të rëndësishme.

Bisedimet qartësuan rrugën që orienton për zgjidhjen përfundimtare. Bashkimi Evropian hodhi një hap të rëndësishëm me thirrjen për zgjidhjen e kërkuar që Kosova të krijojë Asociacionin dhe Serbia të njohë de-fakti pavarësinë e Kosovës. Të dy shteteve ju dhanë mundësitë që të përkushtohen në planin evropian dhe të ecin përpara për zgjidhjen e problemeve në të mirën e të dy vendeve dhe mënjanimin e tensioneve të mëtejshme.

Bashkimi Evropian parashtroi për herë të parë zyrtarisht projektin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në plotësim të kërkesave të njohura të palëve. Kjo është një arritje, që dëshmon unifikimin e politikës evropiane për zgjidhjen e krizës dhe plotësimin e kërkesave të Serbisë që kushtëzonte normalizimin e marrëdhënieve.

Kosova pranoi me dinjitet projektin e ofruar nga diplomacia perëndimore. Modelit të ri që është ofruar nga të dërguarit e posaçëm ndërkombëtarë për Asociacionin, respekton Kushtetutën, e sovranitetin dhe integritetin teritorial të Republikës. Kosova dëshmoi lidërship dhe meriton vlerësime nga BE dhe SHBA, heqjen e masave ndëshkuese, që janë sanksione të maskuara dhe mbështetjen e mëtejshme për shpejtimin e integrimit euroatllantik.

Edhe Serbia duhet pranuar se bëri një ndryshim me pranimin e projektit për Asociacionin. Por ajo nuk arriti të shkëputet nga politika e vjetër e trajtimit të Kosovës si njësi të saj. Serbia theksoi edhe një herë politikën e pandryshueshme për të mos njohur, pavarësinë, anëtarësimin në OKB dhe teritorin e shtetit sovran të Kosovës. Për këtë qëllim, ai kërkoi të vazhdojë të njihet zbatimi i Rezolutës 1244, ku janë disa kritere të asaj kohe, por kanë ngelur efektivisht pa fuqi dhe nuk mund të zbatohen për shkak të ndryshimeve dhe realitetit politik e gjeografik në Serbi, Kosovë dhe gjeopolitikën evropiane e amerikane. Me këtë qëndrim, Beogradi demaskoi vetë politikën e pandryshuar shtetërore të ultranacionalizmit, që pengon atë në plotësimin e kërkesave për integrimin evropian dhe mosplotësimin e kritereve për anëtarësimin. Serbia dhe vetë Vuçiçi mbeten me busullën e paorientuar dhe luhaten sipas konjukturave politike midis Lindjes dhe Perëndimit.

Serbia është në ethet e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Për këtë arësye, nuk mund të pritet që të bëhen ndryshime në politikën ndaj Kosovës. Vuçiçi u bë dy herë kryeminstër dhe dy herë president me politikën nacionale të ruajtjes së Kosovës, megjithëse e ka humbur me luftë kur ishte ministër i Qeverisë së Millosheviçit.

Serbia mbetet kërcënuese, ka ushtri dhe armë moderne më shumë se i nevojiten për mbrojtje, por nuk ka kurajo për të ndërmarrë ndonjë aventurë për të rimarrë me luftë Kosovën.

Zhvillimi i bisedimeve në Bruksel ka edhe një ndikim pozitiv në fushatën elektorale të Vuçiçit. Në median serbe propogandohet fitorja për Asociacionin dhe Marrëveshja për Energjinë me Kosovën.

Me mbështetjen edhe nga BE e SHBA, Vuçiç që ka shtuar pushtetin e tij autokrat dhe mban nën kontroll të plotë median e opinonin publik, ka shanset për të fituar zgjedhjet e ardhshme dhe ruajtur pushtetin si president i Serbisë.

Zbatimi i marrëveshjeve të Brukselit, Ohrit dhe projekti për Asociacionin do të jetë zgjidhja më e mirë e mundshme për normalizimin e marrëdhënieve dhe mënjanimin e tensioneve. Me këtë platformë politike do të kenë sukses BE dhe SHBA. Nacionalizmi serb nuk do të mund të realizojë ëndrrën mesjetare të Serbisë së Madhe. Kosova do të arrijë të njihet nga shtete të tjera, shpresoj edhe ato evropiane, që ngurojnë, dhe të bëhet anëtare e OKB-së.

Është e domosdoshme të zbatohen në tërësi marrëveshja bazike e pranuar në Bruksel në shkurt të këtij viti dhe plani i masave i Ohrit implementimit, i marsit, i cili parasheh në pikën 7 dhe 10 edhe një pjesë që lidhet me vetëmenaxhimin e serbëve të Kosovës. Nëse partnerët ndërkombëtarë do të mund të sigurojnë nënshkrimin nga ana e Serbisë të marrëveshjeve të pranuara, atëherë Kosova nuk do të bëhet pengesë në zbatimin e tyre. Marrëveshje ose copëza të marrëveshjes, të cilat Beogradi madje as nuk i pranon, pengojnë normalizimin e dëshiruar mes dy shteteve.

Partnerët ndërkombëtarë kërkohet të jenë të kujdesshëm në vlerësimet e masat që marrin për zgjidhjen e krizës dhe parandalimin e tensioneve të mëtejshme. Kryeministri i Republikës së Kosovës ka ofruar një rrugë të qartë për dalje nga situata. Presidenti i Serbisë e ka refuzuar dhe nuk pritet që të ndryshojë qëndrimet e tij të njohura. Qeveria e Kosovës ka kritikuar presionin e padrejtë ndaj Kosovës dhe heshtjen apo lëshimet ndaj Serbisë. Agresioni i paramilitarëve serbë më 24 shtator, tregoi që Kosova ka pasur të drejtë. Serbia ka qenë duke përgatitur trupa paramilitare për t’i dërguar në Kosovë për të pushtuar territorin e Kosovës. Prandaj shpresohet që bashkësia ndërkombëtare të jetë më e vendosur në dënimin e agresorit dhe në kërkimin e rrugëve, të cilat mundësojnë një zgjidhje afatgjatë.

Shtetet e Bashkuara shpesh gjatë këtij viti kanë përsëritur se ekziston një trysni kohore për ta përmbyllur marrëveshjen me Serbinë para zgjedhjeve vitin e ardhshëm në Amerikë. Kjo nuk varet vetëm nga Kosova dhe Serbia. Përparësi ka pozicioni që do të marrë bashkësia ndërkombëtare, partnerët, miqtë dhe aleatët tanë në raport me kërkesat e drejta të Republikës së Kosovës, por edhe me përpjekjet e vazhdueshme të Serbisë për t’i ikur negociatave, rritur presionet e kërkesat e padrejta dhe inkurajuar në agresionin ndaj Kosovës dhe fqinjëve.

Për të ardhmen mbetet problem thelbësor forcimi i Republikës së Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran, respektimi i interesave të të gjithë qytetarëve pavarësisht nga përkatësia e tyre kombëtare, fetare, rajonale, marrëdhënie të mira me shtetet fqinje etj. Policia, gjykata e prokuroria të kërkojnë zbatimin me rreptësi të ligjit. Mbrojtja e kufirit të bashkërendohet me KFOR dhe EULEX.