Shoqata “Labëria” nderon sociologun Gëzim Tushi

897
Sigal

Labërisë” 

(Familja e tij është me origjinë nga fshati Vërmik, aty ka lindur babai i tij)

Albert Z. Zholi

 

Gëzim Ilirian Tushi ka lindur në vitin 1953 në Vlorë. Familja e tij është me origjinë nga fshati Vërmik. Aty ka lindur babai i tij, por krenarinë e vërmikasit e ka trashëguar edhe Gëzimi dhe fëmijët e tij, të cilët gjithashtu e konsiderojnë fshatin e origjinës së familjes së tyre. Gëzimi ka mbaruar shkollën e mesme Halim Xhelo në Vlorë dhe më pas ka studiuar në Fakultetin e Shkencave Politike dhe Juridike në Tiranë në degën e Filozofisë. Shkollën e lartë e ka mbaruar me rezultate të shkëlqyera. Që student ka qenë i aktivizuar me punë shkencore studentore dhe ka shkruar shkrime me natyrë filozofike në gazetën Studenti, duke qenë një bashkëpunëtor i rregullt i saj. Duke qenë në të njëjtën kohë edhe Kryetar i Shoqatës Shkencore të fakultetit Juridik. Pas përfundimit të studimeve universitare u emëruar mësues në Shkollën e mesme Abaz Shehu në Tepelene dhe një vit më pas edhe në gjimnazin e Memaliajt. Në vitin 1976 rikthehet me punë në qytetin e tij, në Vlorën e dashur. Punon disa muaj në Shkollën e Mesme Llakatund dhe pastaj në Shkollën Tregtare. Këtu punoi si mësues deri në vitin 1981. Pastaj emërohet në Seksionin e Arsimit dhe Kulturës. Nga viti 1982 deri 1986 ka punuar në Shkollën 8 vjeçare në Treblovë dhe në të njëjtën kohë kreu Specializimin Pasuniversitar për Psikologji e Pedagogji në Universitetin e Tiranës me rezultate të shkëlqyera. Në 1986 emërohet Drejtor i Teatrit dhe Estradës profesioniste në Vlorë dhe në punë të tjera në organet politike të pushtetit vendor. Në vitin 1991 ai zgjidhet Kryetar i Partisë Socialiste të Vlorës deri në 1994, pastaj vazhdoi si Zv. Kryetar i PS. Nga viti 1994 deri në vitin 1997 ka punuar si gazetar profesionist në gazetën Zëri i Popullit. Në 1997 emërohet në Drejtorinë Arsimore të qytetit. Veprimtaria e tij në Tiranë :Në fillim të vitit 1998 shkon në Tiranë në Ministrinë e Punës dhe Çështjeve Sociale, në Drejtorinë e përgjithshme të Shërbimit Social Shtetëror si Drejtor i Drejtorisë së Politikave Sociale dhe njëkohësisht edhe si Zëvendësdrejtor i Përgjithshëm i Shërbimit Social Shtetëror, ku vazhdon të punojë edhe sot ka kontribuar prej gati 22 vjet. Ka kryer studime dhe trajnime të tjera Brenda dhe jashtë vendit, lidhur me praktikat më të mira të shërbimit social si në Turqi, Hungari, Çeki, Zvicër, Rumani, Bullgari, Kosovë, Slloveni, Maqedoni, Itali, Britaninë e Madhe, Irlandë, Serbi. Ka mbajtur leksione për problem sociale në Universitetin e Gjenevës, Shkollën e Lartë Pedagogjike në Lozanë, në Universitetin e Prishtinës etj. Është diplomuar nga Universiteti i Londrës Veriore nga një cikël studimi 6 mujor. Ka certifikata e vlerësime të shumta nga shumë organizata autoritative për kontributin e dhënë në sferën e modernizimit të shërbimeve sociale. Veprimtaria akademike e mediatike gjatë gjithë periudhës që ka qenë në Tiranë ka punuar si pedagog i jashtëm në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin e Shkencave Sociale duke dhënë mësim në degët e Punës Sociale dhe Filozofisë, në Universitetin “Marin Barleti”, etj. Në periudhën 1998 deri sot ka botuar afërsisht 1800 artikuj për problem të politikës, moralit, problemeve sociale në gazetat kombëtare “Shqip”, “Shekulli”, “Albania”, “Koha Jonë”, “Tirana Observer”, “Sot”, “Metropol”, “Panorama”. Është i njohur si personalitet i medias elektronike dhe janë me qindra emisionet, debatet dhe diskutimet e Gëzim Tushit në televizione.

Veprimtaria botuese: Gëzim Tushi është autor i 18 librave voluminozë në politiologji e sociologji. Ose më saktë rreth 10 mijë faqe analiza, studime dhe interpretime teorike të realiteteve të kohës. Ka qenë dy herë kandidat për deputet në Kuvendin e Shqipërisë, në listën shumë emërore të PS, në vitet 1992 dhe 2009, ka qenë anëtar i Komitetit drejtues të PS në periudhën 1991-1995 dhe anëtar i Asamblesë Kombëtare të PS në vitet 2009- 2013. Ka qenë anëtar i Këshillit të Qarkut Vlorë ,në vitin 1996 .Ka qenë 10 vjet rresht anëtar i Këshillit të Bashkisë në Minibashkinë Nr 2 në Tiranë. Për punën e tij të palodhur dhe me rezultate ai është dekoruar në kohë të ndryshme me: Medaljen “Naim Frashëri”, në 1982 Urdhrin “Për shërbime të shquara shoqërore e shtetërore” në 1986. Por së fundi në shkurt të vitit 2017 ka marrë nga Presidenti i Republikës Titullin “Mjeshtër i Madh” me këtë motivacion : “Për kontributin e tij të çmuar si mendimtar, politolog e sociolog, me veprimtari të qenësishme në edukimin e shoqërisë shqiptare dhe emancipimin e saj.”