Shkollën e merr era! Punimet e dobëta nxjerrin zbuluar tenderin pa garë 600 mijë euro

288
Sigal

Pak orë para para takimit elektoral, era e fortë  rrëzon fasadën e murit duke rrezikuar, jetën  e nxënësve

Një erë e fortë, dhe aspak e habitshme për Kolonjën, rrëzoi këtë fundjavë fasadën termoizoluese të shkollës së mesme të qytetit, “Papa Kristo Negovani”, e bashkë me të ngriti pikëpyetje edhe mbi tenderin mbi 600 mijë euro për rikonstruksionin e godinës arsimore

 Një erë e fortë, tipike dhe aspak e habitshme për Kolonjën, rrëzoi këtë fundjavë fasadën termoizoluese të shkollës së mesme të qytetit, “Papa Kristo Negovani”, e bashkë me të ngriti pikëpyetje edhe mbi tenderin mbi 600 mijë euro për rikonstruksionin e godinës arsimore vetëm 6 vjet më parë. Ky incident ndodhi vetëm pak orë para se kryeministri Edi Rama zhvilloi takimin përmbyllës elektoral në Kolonjë, në prani të kryebashkiakut-gaztor, Erion Isai. Godina e shkollës që mban emrin e patriotit dhe atdhetarit të madh, Kristo Negovani, u rikonstruktua plotësisht në vitin 2018.Në atë kohë, bashkia e drejtuar nga një tjetër socialist, Ilia Stefo, zhvilloi tenderin me fond limit 68.784.105 lekë të reja ose diçka më shumë se 600 mijë euro, me kursin e kohës.Tenderin e fitoi shoqëria “Kthella”, me qendër në Mirditë, në një garë në dukje fiktive, megjithëse janë regjistruar tre konkurentë.

Dështimi 600 mijë euro

 

Ilia Stefo u zgjodh kryebashkiak i Kolonjës në ëhjetor 2016, në vijim të zgjedhjeve të pjesshme lokale të zhvilluara në qytet, pasi ndërroi jetë në detyrë ish-titullari i mëparshëm lokal. Stefo përfaqësonte Partinë Socialiste të Edi Ramës. Pak muaj pas emërimit në detyrë, Bashkia vendosi të rikonstruksojë shkollën e qytetit, “Papa Kristo Negovani”. Procedura e prokurimit publik u mbyll në shtator 2017. Sipas dokumentave zyrtare, rezulton se në garë janë regjistruar si pjesëmarrës 3 operatorë ekonomikë. Shoqëria “Kthella” shpk ishte e vetmja që kishte paraqitur një ofertë ekonomike për këtë tender, e konkretisht 68.426.834 lekë të reja ose 99.5 përqind të fondit limit. Në garë morën pjesë, ose më saktë regjistruan emrin edhe dy kompani të tjera; “Elektro Therm” dhe “Vllaznia Ndërtim I.S” shpk. Të dy këto kompani u skualifikuan, pasi nuk paraqitën asnjë ofertë ekonomike, duke shtuar edhe më tej dyshimet se e gjithë procedura ishte e paracaktuar.

Rikonstruksionin “e pagëzoi” Rama

Në fund të shekullit të XIX, rilindasi i vërtetë Papa Kristo Negovani, një figurë episkopale e shumëvlerësuar në zonën e Ersekës, por edhe më gjerë, pagëzonte fëmijët e zonës dhe u jepte atyre bekimet e Zotit. Rreth 120 vjet pas vdekjes tragjike të tij, një tjetër rilindas, por kësaj radhe fals, Edi Rama, pagëzonte rikonstruksionin e shkollës që mbante emrin e klerikut të njohur. Në shtator 2018, Rama publikoi në rrjete sociale një mesazh propagandues, tipike të tij: “MIRËMËNGJES! Dhe me këtë shkollë të transformuar rrënjësisht, e cila dje hapi dyert për 480 nxënës, ju uroj një ditë të mbarë! Mesazhi shoqërohej me video, ku tregohej se si ishte shkolla më parë dhe se si ajo u rilind nga dora e Edi Ramës dhe e vartësve të tij. Por, ndërkohë që emri dhe puna e Papa Kristo Negovanit ka mbetur në historinë e këtij kombi dhe është lartësuar, puna e këtij rilindasi socialist përfundoi në tokë, sapo fryu era e fortë, që nuk është aspak e rrallë për zonën e Kolonjës.