Rindërtimi me ritëm “breshkë”! 5 vite pas tërmetit, mbi 700 familje të pastreha në Tiranë

118
Sigal

Pesë vjet pas tërmetit tragjik të nëntorit 2019, mijëra familje në Kombinat ende nuk kanë marrë banesat e reja. Bashkia e Tiranës pranon se mbi 700 familje janë akoma pa strehë, ndërkohë që përfituesit e bonuseve të qirasë vazhdojnë të jetojnë në kushte të pasigurisë. Edhe pse janë dhënë premtime për përfundimin e rindërtimit, banorët janë të shqetësuar për ritmin e ngadalshëm të punimeve.

 

Qindra familje në Tiranë, që u prekën nga tërmeti tragjik i 5 viteve më parë, nuk kanë marrë banesat e reja. Bashkia e Tiranës pranon se 733 familje nuk kanë marrë shtëpitë e premtuara, teksa thekson se për të pastrehët vijon bonusi i qirasë. Këtë 5 vjetor, Faktoje.al vizitoi Kombinatin, një nga lagjet më të prekura nga tërmeti tragjik, banorët e së cilës shpresojnë se zgjedhjet do t’i bëjnë me shtëpi.

Në prag të 5-vjetorit të tërmetit tragjik, kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj doli me një tjetër premtim për banorët e Kombinatit, lagjes më të dëmtuar nga lëkundjet sizmike të nëntorit 2019.

Rindërtimi në Kombinat, sipas Veliajt, do të mbyllej brenda vjeshtës.

“Ne do të sigurohemi që këtë stinë ta mbyllim njëherë e mirë historinë e tërmetit për Kombinatin…”, deklaroi Veliaj më 5 shtator.

Por dimri i gjeti sërish banorët e Kombinatit pa çati mbi krye. Fakt.

Faktoje.al bëri një verifikim në zonën e Kombinatit më 25 nëntor për të parë nga afër ecurinë e procesit të rindërtimit. Qindra familjet e prekura nga tërmeti tragjik nuk ishin futur në banesat e reja. Pesë vite pas fatkeqësisë së 2019, banorët e Kombinatit janë në pritje të apartamenteve.

“Asnjë familje nuk e ka marrë shtëpinë e re. Para pak ditësh po bënim ‘shaka’ me njëri-tjetrin, kush do jetë të 10-shja e parë që do futen, por nuk kemi shpresa që do i marrim këtë vit. Për fushatë do na i japin”, thotë Mondi, banor i mbetur pastrehë nga tërmeti i 26 nëntorit të 2019-s. Këtë nëntor, pallatet ishin ende kantier ndërtimi. Mungonte rrjeti i kanalizimeve dhe rrugët ishin të pashtruara e të mbuluar nga mbetjet.

Pas pesë vjetësh, procesi i rindërtimit në Kombinat mbetet i vonuar dhe i pasigurt. Banorët, të cilët kanë humbur gjithçka në tërmetin e 2019, janë të shqetësuar se shtëpitë do t’u dorëzohen vetëm për të përmbushur angazhimet elektorale, dhe nuk kanë shpresa për një zgjidhje të shpejtë.

Banorët tregojnë se nuk është hedhur as shorti për ndarjen e banesave.

“Kemi parë në televizor janë gati, do hidhet shorti. Asnjë nuk na ka njoftuar”, -shprehet një tjetër banor i Kombinatit, i cili nuk pranoi të identifikohej.

Rindërtimi me ritëm breshke
Në prag të 5-vjetorit të tërmetit tragjik, Faktoje.al pyeti Bashkinë e Tiranë mbi ecurinë e procesit të rindërtimit.

“Janë akomoduar në total 506 subjekte në banesat individuale të ndërtuara nga Bashkia Tiranë si dhe në vijim të procedurës së shpërndarjes së banesave të ndërtuara në kuadër të procesit të rindërtimit janë shpërndarë 323 banesa në zonat e reja për zhvillim.”, thotë Bashkia, teksa shton se janë mbi 700 familje ende pa banesa.

“Ju informojmë se janë ende pa u akomoduar 733 subjekte në objektet e reja të ndërtuara në kuadër të procesit të rindërtimit. Aktualisht, ju informojmë se trajtohen me pagesën e qirasë 1408 përfitues”, njofton zyrtarisht Bashkia e Tiranës.

Saga e premtimeve për Kombinatin

Në qershor 2022, Veliaj deklaroi se brenda atij viti do të futeshin në banesat e reja familjet e para, të prekura nga tërmeti në zonën e Kombinatit.

“Tani që kemi hapur totalisht kantierin, në disa pjesë kemi avancuar dhe do të jemi gati për të futur këtë vit familjet e para, siç është ndërtesa pas meje”, deklaroi Veliaj.

Në janar të vitit 2023, Faktoje raportoi mbi procesin e rindërtimit në këtë zonë. Familjet e prekura nga tërmeti i nëntorit 2019, në zonën e Kombinatit nuk i kishin ende në dorë çelësat e banesave të reja, pavarësisht premtimeve të kryebashkiakut Erion Veliaj.

Pavarësisht premtimeve të shumta për përfundimin e rindërtimit, puna për realizimin e shtëpive të reja ka mbetur në vendnumëro. Familjet janë të pafuqishme, duke pritur ende për një zgjidhje që duket se është shtyrë pafundësisht, ndërsa premtimet për të “mbyllur historinë e tërmetit” janë shndërruar në fjalë boshe.

Edhe në muajin dhjetor 2023, kryebashkiaku i Tiranës bëri një tjetër premtim për familjet e pastreha të Kombinatit.

“Nga fillimi i vitit tjetër, që në muajt janar dhe shkurt, do të hedhim shortin për familjet e para që do të futen këtu. Seksioni i parë fare është drejt përfundimit”, theksoi Veliaj në 16 dhjetor 2023.Në qershor të vitit 2024, kryebashkiaku inspektoi sërish punimet në kantierin e rindërtimi në Kombinat. “Ne do të punojmë gjatë gjithë verës, qëkur njerëzit të kthehen nga pushimet, ne të fillojmë menjëherë me shortet për Kombinatin”, premtoi ai.

Edhe më 21 gusht të këtij viti, Veliaj tha se: “300 familje në Kombinat së shpejti do të fillojnë një kapitull të ri në shtëpi të reja, me kushte bashkëkohore dhe hapësira që krijojnë një komunitet të fortë. Nga parqet për fëmijët, tek shkollat dhe siguria, po krijojmë jo thjesht shtëpi, por një jetë të re për këto familje!”. Deri në këto momente, nga verifikimi rezulton se asgjë nuk ka ndryshuar, qytetarët janë në pritje të banesave të reja. Sipas informacioneve nga Bashkia e Tiranës të siguruara nga Faktoje. al, në zonën e re zhvillimore në Kombinat janë parashikuar të ndërtohen 16 godina të reja. Në Tiranë, zonat më të dëmtuara nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit 2019 ishin Kombinati dhe “5 Maji”.