Reforma në Drejësi ‘fle’ në prehërin e nepotizmit

Forum me Prof. Lush Susaj, Dr.Vladimir Mici dhe Dr. Enriko Ceko /Me këtë  sistem të mbyllur korrupsioni nuk asnjë shpresë për qytetarët. Reformën po e realizojnë përmes nepotizmit e besnikëve të katapultuar pa asnjë meritë, ku procesi i përzgjedhjes dhe eleminimit nga vettingu bëhet me direktiva klienteliste. Ndaj dosjet kanë zënë pluhur dhe populli zvarritet gjykatave. Denigrimi i  demokracisë dhe  përse duhet të pastrohet sistemi, që  prangat të zënë “peshqit e mëdhenj” , e jo vetëm skllevërit e shefave

Forum/ Reforma në Drejtësi. Flasin Prof Lush Susa, Dr. Vladimir Mici dhe Dr. Enriko Ceko

NOA

– Me këtë sistem të mbyllur korrupsioni e nepotizmi, nuk ka shanse për asnjë lloj reforme

– Në vend të dërgohen zyrtarët dhe politikanët e korruptuar të këtyre 30 vjetëve në burg, po vazhdohet duke dënuar xhepistat, karakteret e dobëta dhe skllevërit e shefave

– Reforma nuk duhet të degradohet në krahinizëm, e as në nepotizëm e as në mjet propaganda

– Reformën po e realizojnë në mënyrën më të pështirë, e që është përmes nepotizmit dhe besnikëve të sjellë nga katundet dhe krahinat, e të katapultuar pa rregull e meritë

– Procesi i përzgjedhjes nuk i shpëton dot influencave dhe praktikave shqiptare të rekrutimeve

– Kërcënimi, joshja dhe dhunimi personal, familjar dhe farefisnor do të vijojë, derisa ato vijnë si trashëgimi nga ploitika pa moral

– Me sa shihet pastrimi i sistemit do të jetë një proces i gjatë, pavarësisht pritjeve tona

– Pritshmëritë nga Reforma në Drejtësi ishin të mëdha por emërimet klienteliste janë present

– Atje ku ka arrogancë në pushtet dhe mendjemadhësi në opozitë ka injorancë, korrupsion dhe drejtësi të nëpërkëmbur.

Intervistoi: Albert Z. ZHOLI

Reforma në drejtësi po mbush vitin e saj të shtatë që nga miratimi me unanimitet i ndryshimeve kushtetuese korrikun e vitit 2016. Por, zbatimi i saj efektiv në sallën e gjyqit ka ende sfida dhe nevojë për kthjelltësi ligjore. Kjo nis që me përgatitjen e studentëve të drejtësisë dhe magjistratëve të rinj dhe deri në sallën e gjyqit. Por, sfida më e madhe e Reformës është shkëputja nga ndikimi politik. Parimi në të cilën duhet të ecë kjo Reformë duhet të jetë: Bëni drejtësi sot se kjo do të funksionojë dhe nesër, kur ju nuk do jeni në këtë detyrë. Demokracinë në Shqipëri nuk e garantojnë më shume fjalimet politike, por insitucionet e drejtësisë. Lind pyetja? Si ka ecur deri tani Reforma në Drejtësi? Aka emërime klienteliste?

Ja si janë përgjigjur të intervistuarit e mësipërm….

Thuhet se ka emërime Klienteliste në Drejtësi. Ndoshta dështimi i Reformës së shumëpritur ka këtë bazë! Mos vallë po e favorizojnë militantët e drejtësisë krimin dhe korrupsionin?!?

Prof Lush Susaj: Me këtë sistem të mbyllur korrupsioni e nepotizmi, nuk ka shanse për asnjë lloj reforme

Unë jetoj e punoj me djersë e me mundim të madh në shtetin dhe në tokën shqiptare. Them atë që shof e që prek çdo ditë, e në çdo vend ku shkoj e punoj. Mendoj se me këtë sistem të mbyllur korrupsioni e nepotizmi, nuk ka shanse për asnjë lloj reforme, e për asnjë lloj alternativë zhvillimi. Unë e di se si kanë dështuar reformat në bujqësi, e ku demagogjia për reformat, është përdorur thjesht e vetëm sa për të mashtruar BE, SHBA dhe vendet donatore sa për të tërhequr paratë, që nuk shkuan as për zhvillimin e qëndrueshëm e as për konsolidimin e demokracisë. Sistemi i korruptuar në Shqipëri, tashmë ka prodhuar një sistem dhe klasë tipike kakistokratike, e me lidhje të forta pasurore, familjare e krahinore, që e ka hermetizuar shtetin, duke e degraduar në shërbim të një pakice, e që nuk përbëjnë as 3% të popullsisë. Po kështu ka degraduar edhe reforma në arsim, në industrinë minerale, në turizëm e mjedis, në shëndetësi, e më e renda është ajo që ka ndodhur e po ndodh me reformën në drejtësi, ku në vend të produktit dhe neutralizimit të kokave të krimit e korrupsionit, po luhet me shërbëtorët dhe viktimat e rëndomta të administratës. Në vend që të bëhet amnisti në burgje, e në vendet e liruara të dërgohen zyrtarët dhe politikanët e korruptuar të këtyre 30 vjetëve, akoma po shofim që po vazhdohet duke dënuar xhepistat, karakteret e dobëta dhe skllevërit e shefave. Kjo nuk është reformë e mirëfilltë, pasi kjo sjellje administrative, vetëm sa ja zgjat jetën dhe duart diktaturës së korrupsionit. Frika nga malli i vjedhur, nga pronat e pushtuara dhe nga padrejtësitë e kryera mbi njerëzit e sidomos mbi pronarët, bën që drejtuesit e lartë të politikës dhe administratës shtetërore të bëjnë çdo përpjekje për ta kapur, për ta nxirë dhe për ta penguar drejtësinë. Këtë, duket që po e realizojnë në mënyrën më të pështirë, e që është përmes nepotizmit dhe besnikëve të sjellë nga katundet dhe krahinat, e të katapultuar pa rregull e meritë. Demokracia është drejtësi, nga ku buron vetëm harmoni dhe zhvillim i qëndrueshëm, jashtë kësaj ligjësie filozofike, nuk ka fitimtarë e as të fituar. Përkundrazi, pa drejtësi, që të gjithë janë të djegur e të humbur. Në këtë këndvështrim, unë mendoj se reforma në drejtësi duhet të ndihmohet nga gjithëkush, që të mund të prodhojë produktin e pritshëm të antikorrupsionit dhe të shtetndërimit. Reforma nuk duhet të degradohet në krahinizëm, e as në nepotizëm e as në mjet propagande. Diktaturat mund ta mashtrojnë dhe thyejnë në popull të varfëruar e të frikësuar, sikurse është bërë populli shqiptarë. Por të mos harrojmë faktin që reforma në drejtësi ka për kumbarë e financues SHBA dhe BE, e në atë momentin që partnerët ta kuptojnë hipokrizinë dhe mashtrimin, Shqipëria do të shpëtojë e do të dalë në dritën e diellit të demokracisë Euro-Atlantike

**

Dr. Vladimir Mici: Procesi i përzgjedhjes nuk i shpëton dot influencave dhe praktikave shqiptare të rekrutimeve

Mendoj se duhet të jemi pozitiv dhe të vlerësojmë reformën në drejtësi. Pse? Sepse ajo është ende e vetmja shpresë për shqiptarët. Por procesi i reformës duhet të ndahet nga efektet e saj. Ka disa faktorë që e bëjnë atë  të tillë. E para reforma në drejtësi filloi me një katarsis në rradhët e gjyqësorit dhe prokurorisë nuk prezumonte përjashtimin e të gjithë trupave, por vetëm pastrimin e rradhëve nga të korruptuarit, të paaftët dhe të pandershmit. Si e tillë trupa e filtruar nuk presupozon se është e gjitha sipas standarteve. Kjo, sepse politika, mjeshtëria e fshehjes dhe e paraqitjes dhe koruptimit është ende e qënësishme. Prokurorët dhe gjykatësit dhe këshillat e ngritura vijnë nga kjo trupë aktuale Në këtë aspekt ne kemi një trupë më të mirë se ajo e fillimit, por jo puritane. E dyta procesi i përzgjedhjes nuk i shpëton dot influencave dhe praktikave shqiptare të rekrutimeve. Kjo do të thotë se do të përdoren ende mekanizma dhe sisteme rekrutimi ku të depërtojë fuqia e parasë, mikut dhe farefisit dhe lidhjeve shoqërore për të realizuar këtë.

Së treti . Ngritja e trupave të kërkuara do të kërkojë kohë, sepse e kaluara nuk zhbëhet. Kjo nënkupton se kërcënimi, joshja dhe dhunimi personal, familjar dhe farefisnor do të vijojë, derisa ato vijnë si trashëgimi. Sa më e dobët kundërpërgjigja aq më i gjatë kalvari i pastrimit.

Së katërti. Rregullimet ligjore ende s’janë perfekte dhe si të tilla , praktika do të duhet për të nxjerrë akte ligjore, që mbyllin çarjet e sistemit. Ndëshkimi i parregullsive të gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilët kanë kaluar reformën do të tregojë se sistemi funksionon. Ky ndëshkim duhet të jetë shembullor. Ne ende nuk kemi parë ndëshkim nga rradhët e tyre. Ky ndëshkim duhet të lidhet me afatet e çështjeve, cilësinë e vendimeve dhe hetimeve dhe goditjen e skemave koruptive dhe kriminale.

Pra: do të duhen një sërë faktorësh që trupat aktuale të pastrohen sistemi i rekrutimeve të përfshijë skemat përjashtimore ose përfshirëse në sistem dhe të ketë transparencë maksimale.

Nuk mund të gjykohet asnjë rast se ky system po kapet nga pushteti, pse X apo Y është person familjar apo farefis apo nepotik me ndonjë pushtetar apo politikan, sa kohë që nuk egziston një kufizim ligjor, i cili të parandalojë që persona të tillë të konkurojnë dhe sistemi i vlerësimit të mos jetë njerëzor, por kompjuterik. Në këtë rast ne mund të jemi gabuar, sepse personi i tillë mund dhe duhet ta meritojë atë vend, sepse ai dukshëm është më i zoti dhe më i miri. Ne s’mund të paragjykojmë pa fakte. Ndryshe do të qëndronte problem, nëse këtij apo atij personi të lidhur i provohen informacione që ai ka marrë në lidhje me konkurimin që të tjerët nuk i kanë apo nuk kanë pasur mundësi t’i dispononin apo ka atribute përfituese nga burime, që sjellin pabarazi në konkurime.

Pastrimi i sistemit do të jetë një proces i gjatë, pavarësisht pritjeve tona, se me një të rënë të kalemit sistemi u përmbys. Ne vetëm sa kemi tentuar për një rrugë më të mirë dhe me po këta njerëz, që ishin edhe para reformës. Ata nuk ndryshuan mentalitetin brënda natës dhe as u ndërgjegjësuan brënda natës. Vetëm marrja e përfitimeve dhe ndëshkimeve do të bëjë të mundur për të parë nëse reforma është apo jo efikase. Deri tani shënjat flasin në të dy krahët për mirë dhe keq. Nuk ka ende një studim për efektet e reformës.

Dr. Enriko Ceko: Pritshmëritë nga Reforma në Drejtësi ishin të mëdha por emërimet klienteliste janë prezent

Pritshmëritë nga reforma në drejtësi ishin të mëdha. Por problemet dihen…Reformë duhet dhe në ekonomi. Ekonomia shqiptare kërkon një reformim të thellë dhe këtë nuk mund t’a japë kjo klasë politike e cila është e kapur nga krimi i organizuar dhe korrupsioni galopant, dhe mosndëshkimi, pavarësisht nga dëshira e ndonjërit apo e disave që janë pjesë e kësaj klase politike. Unë nuk paragjykoj, Rama ndoshta ka vënë mend nga gafat e së kaluarës, dhe ndoshta kërkon që të bëjë ndonjë ndryshim apo lëvizje pozitivce në vijën politike që ndikon në vijën ekonomike, por tashmë pavarësisht nga dëshirat, ai është i pafuqishëm për këtë. Ata që e rrethojnë janë më të këqinj se hijenat. Luani kur është i ngopur nuk të ngacmon. Hijenat, sado që të kenë ngrënë, përsëri kërkojnë që copëtojnë, pasi nuk kanë logjikë. Nëse në vend ka shpresë për të ardhmen, banorët e atij vendi sakrifikojnë për të ardhmen e brezave të tjerë, por kur nuk ka shpresë, atëhere situata degjeneron, ashtu si ka ndodhur edhe në vendin tonë, të mrekullueshëm, që drejtohet nga njerëz të gabuar dhe me politika të gabuara. Edhe në rastet kur KLSH, SPAK dhe Gjykatat përcaktojnë fajtorin dhe sasinë e parave apo pronave me të cilat është abuzuar, në më të shumtën e rasteve për shkak se afati i parashkrimit kalon (për shkak të vonesave në procedurat përkatëse hetimore dhe gjyqësore), personi apo grupi i personave nën hetim nuk bëhen fajtorë dhe dëmi i kryer nuk paguhet. Po, për këtë duhet shumë më tepër punë, por mendoj se ne mund dhe duhet t’ia dalim, pasi ne kemi një detyrim përballë vendit dhe kombit, që të zhvillojmë mendimin politik, ekonomik dhe social, të bëjmë sa më shumë transparencë dhe të luftojmë sa të mundim arrogancën, mendjemadhësinë, injorancën dhe korrupsionin. Atje ku ka arrogancë në pushtet dhe mendjemadhësi në opozitë ka injorancë dhe korrupsion. E tërë historia botërore ka treguar se udhëheqja arrogante kombinuar me mendjemadhësinë e opozitës, vjen për shkak të injorancës së masave, që sjellin në pushtet këtë klasë politike me këto karakteristika. Të treja këto sjellin korrupsionin.