Sali Berisha tha të hënën për mediat, se zgjedhjet në Rrogozhinë u mbyllën në mënyrën më kriminale pasi sipas tij institucionet e farsës elektorale e rrëmbyen fitoren. Deklarat e tij erdhi pas përfundimit të zgjedhjeve të pjesshme në Rrogozhinë ku fitues doli përsëri kandidati i socialistëve, Edison Memolla. Berisha tha se rezultati është tjetërsuar nga një terror i pastër i të gjitha institucioneve shtetërore ndaj qytetarëve dhe biznesmenëve të Rrogozhinës. Ish-kryeministri tha se në Shqipëri ka vdekur vota e lirë dhe ndaj e vetmja përballje që opozita të ketë me maxhorancën është rruga e protestave. Sipas kreut blu, gjithçka ishte një farsë dhe provë se në Shqipëri ka vdekur vota e lirë. Për Berishën, rruga e vetme për të kthyer lirinë janë protestat. “Opozitë e vërtetë, po i bën autopsinë kësaj kalbësire, po i bën autopsinë këtij regjimi të kalbur dhe po u tregon shqiptarëve se vota në Shqipëri ka vdekur dhe se rruga e vetme për të rikthyer lirinë, votën e lirë, është përballja me protesta të fuqishme me këtë bandë, që drejton sot me metodat më mafioze, Shqipërinë dhe shqiptarët,” – u shpreh Berisha. Sipas ish-kryeministrit opozita sot nuk u suprizua nga rezultati, ndërsa theksoi se prej kohësh i kanë paralajmëruar shqiptarët për manipulimin e zgjedhjeve. “Ndaj dhe ftoj çdo demokrat dhe demokrate, çdo qytetar dhe qytetare, që do ketë vend, që beson se ai dhe fëmijët e tyre meritojnë një të ardhme jo si shtet mafioz, jo si narkoshtet, jo si shtet ku klanet e mafies bëjnë ligjin, asgjë nuk mund të mposhtë vullnetin e atyre që vendosin të luftojnë, të qëndrojnë për liri dhe dinjitet të vetin dhe vendit të tyre,” – deklaroi Berisha.



















