Qytetarët dhe studentët, refuzojnë varfërinë me ikje

304
Sigal

Raportet ndërkombëtare/ Shqipëria rekord me 771 mijë të varfër, renditemi pas shteteve në luftë për keqqeverisje, korrupsion dhe krim. Me këtë ritëm sipas OKB në vitin 2100 do të mbetemi 512 mijë banorë. Mbi 200 mijë shqiptarë kanë kërkuar azil në BE, 55% e familjeve pa ngrohje dhe me ndihmë ekonomike

Qytetarët refuzojnë keqqeverisjen, varfërinë dhe zhvatjen e studentëve me ikje

Raportet ndërkombëtare: Shqipëria rekord prej 771 mijë të varfër, renditemi pas shteteve në luftë për kërkesat e azilit në BE

SHIFRAT E INSTAT

-671.000 individë në varfëri në vitin 2018

-659.000 individë në varfëri në vitin 2019

Shifrat e Bankës Botërore

-112 mijë të varfër më 2020

Varfëria dhe uria nuk po u ndahet shqiptarëve në këto 100 vite. Skamje në regjimin e Zogut, mbetëm shtet feudalo- borgjez, kur Evropa kishte kaluar në kapitalizëm. Por skamja vazhdoi dhe në Diktaturë: Në 45-vjet na thoshin, se jemi “fanarë ndriçues”, por asnjëhërë nuk e mësuam se kë ndriçuam ? Ndërtuam pa masë tynele e bunkierë dhe shanim imperializmin. Shpresa të mëdha na lindën me përmbysjen e Diktaturës. Por rinia do të emigrojë, reformat kanë dështuar, krimi dhe korrupsioni mbrohen nga qeveria dhe administrata është mbushur me militantë e patronazhistë.Treguesi i rrezikut për të qenë i varfër në Shqipëri, në vitin 2019 është 23,0 %, duke pësuar një rënie prej 0,4 pikë përqindje, krahasuar me vitin 2018 dhe 0.7 pikë përqindje, krahasuar me vitin 2017.Në vitin 2019 janë vlerësuar rreth 659.000 individë që jetojnë nën kufirin e rrezikut për të qenë të varfër, kundrejt rreth 671.000 individë të vlerësuar në vitin 2018. Kjo tregon se niveli i përgjithshëm i të ardhurave familjare të disponueshme është rritur dhe numri i individëve në rrezik për të qenë të varfër, është ulur me rreth 1,8 %.

1-Ndër katër më të varfërit e Evropës

Krahasimi i rrezikut për të qenë i varfër për vitin 2019, ndërmjet Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Rajonit dhe të Bashkimit Evropian, sipas INSTAT, tregojnë se: Vlera më e lartë e varfërisë relative shënohet në Mal të Zi (24,5%), Rumani (23,8 %), Serbi (23,2%) ndjekur nga Shqipëria (23,0%). Vlerat më të ulëta të varfërisë regjistrohen në Republikën Çeke (10,1 %), Finlandë (11,6 %), Sllovakia (11,9%), Sllovenia (12,0%) dhe Hungaria (12,3%). Mesatarja e vendeve të Bashkimit Evropian (28 shtete) është 16,8 %.

2-BB: Shqipërisë iu shtuan 112 mijë të varfër më 2020

Raporti thekson se Shqipëria ka nivelin më të madh të varfërisë në Ballkanin Perëndimor; rreth një e treta e njerëzve të saj, jetojnë me më pak se 5.5 dollarë në ditëPandemia Covid -19 dhe tërmeti i 26-nëntorit 2019 e bënë me agresive varfërinë në Shqipëri. Sipas vlerësimeve të fundit të Bankës Botërore mbi varfërinë relative, (popullsia që jeton me më pak se 5,5 dollarë amerikanë në ditë), Shqipërisë i janë shtuar midis 28 mijë dhe 112 mijë të varfër në 2020-n.

3-Varfëria në Shqipëri, të ardhurat si vendet e BE-së vetëm mbas 80 vitesh

Me krizën ekonomike dhe situatën e paqartë politike, shpresat që një ditë shqiptarët të kenë të ardhura sa vendet më të zhvilluara të grupit G7 (Kanada, Francë, Gjermani, Itali, Japoni, Mbretëri e Bashkuar dhe SHBA) sa vijnë e po bëhen më të largëta.

Sipas grafikëve të publikuar nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) në raportin e fundit të Tranzicionit 2019-2020, tashmë do të na duhen 80 vite që të kapim mesataren e tyre në të ashtuquajturin proces të konvergjenvcës.

4-Shqipëria, me numrin më të lartë të fëmijëve të varfër

Shqipëria është vendi me numrin më të lartë të fëmijëve në varfëri në Europë e në Ballkanin Perëndimor. Ky është rezultati i raportit të publikuar nga organizata ndërkombëtare ‘Save the Children’ për vitin 2020.Kur flasim për vendet e Ballkanit Perëndimor, ku norma e varfërisë te fëmijët vitet e fundit është rritur në 49,9% në Shqipëri, ku vendi ynë kryeson, ndjekur më pas me 30,6% nga Bosnjë-Hercegovina dhe 20,7% në Kosovë.

 

-5 – 55% e qytetarëve nuk kanë ngrohje në shtëpi

Një raport i publikuar nga Sekretariati i Komunitetit të Energjisë për varfërinë energjetike nga të dhënat e përpunuara raporti nënvizon se 37 për qind e familjeve shqiptare bëjnë pjesë në atë që quhet varfëri energjetike duke mos pasur mundësi të kenë ngrohje dhe kushte optimale në shtëpitë e tyre. Kjo llogaritet në mbi 272 mijë familje. Shifra tregon se pjesa më e lartë e familjeve që nuk janë në gjendje të mbajnë shtëpinë e tyre të ngrohtë në mënyrë të përshtatshme janë ato me një person të rritur 65 vjeç ose më shumë dhe ku rezulton se 55% e familjeve me këtë profil nuk janë në gjendje ta mbajnë shtëpinë e tyre të ngrohtë në mënyrën e duhur.

6-50 mijë familje janë fshirë nga ndihma ekonomike

54 mijë familje trajtohen me ndihmë ekonomike. Kjo është shifra e fundit e publikuar nga Instituti i Statistikave që i referohet Shërbimit Social Shtetëror. Në fakt, kjo përbën shifrën më të ulët të familjeve që marrin ndihmë financiare në 20 vjetët e fundit. Kësti mujor i ndihmës ekonomike është shumë më i ulët si minimumi jetik. Sipas INSTAT, gjatë vitit 1999 ishin plot 149 mijë familje që merrnin trajtim financiar nga shteti.Që prej 2013-s numri i familjeve në skemën e ndihmës ekonomike është reduktuar vit pas viti, duke rënë me rreth 50 mijë në 5 vitet e fundit. Krahas rënies së numrit të familjeve me një të tretën, është reduktuar dhe fondi i ndihmës ekonomike, që në 2018-n ra me 18% në krahasim me 2017-n. Në shkurt të 2018-s, aplikimi i sistemit të ri të Ndihmës Ekonomike nxori nga skema disa mijëra familje.

7-Të pasigurt ekonomikisht

Shqiptarët shprehën pakënaqësinë më të lartë për sigurinë ekonomike në raport me vendet e tjera të Rajonit, në një anketë që u bë nga Këshilli i Koordinimit Rajonal (RCC), për Barometrin e Sigurisë në rajon. 28% e të anketuarve në Shqipëri ishin tërësisht të pakënaqur me sigurinë e tyre për gjendjen ekonomike. Kjo ishte përqindja më e lartë në rajon, pasi vetëm 24% e boshnjakëve kanë shprehur pasiguri të lartë për gjendjen ekonomike, 21% e shtetasve nga Kosova, 15% e maqedonasve, 7% e malazezëve dhe 15% e serbëve. Anketa tregoi se, malazezët ishin më të kënaqurit për sigurinë e tyre ekonomike, në raport me vendet e tjera të rajonit.Gjithashtu, Shqipëria ka përqindjen më të ulët të popullsisë së saj që është shumë e kënaqur me gjendjen ekonomike. Vetëm 2% e shqiptarëve të anketuar janë shumë të kënaqur me situatën e tyre ekonomike.

8-FMN: Një e treta e popullsisë jeton me më pak se 5.5 dollarë në ditë

Në Shqipëri, në vitin 2020, një e treta e popullsisë, apo 32.6%, konsiderohej e varfër, nga 31.8% vitin e mëparshëm. Në kontrast, mbrojta social për popullsinë është ndër më të ulëtat. Shifrat janë bërë të ditura në raportin e fundit të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) për ecurinë e vendit. “Shkalla e varfërisë në Shqipëri është një nga më të lartat në Ballkanin Perëndimor, ndërsa mbulimi i saj me mbrojtje sociale është ndër më të ulëtat”, thotë FMN.FMN e vlerëson treguesin bazuar në të dhënat e Bankës Botërore, kur të varfër quhen ata që jetojnë me më pak se 5.5 dollarë në ditë, të matur sipas standardit të barazisë së fuqisë blerëse (PPP).

9-OKB : 1,7 mln shqiptarë janë larguar në 30 vite, do mbetet me 512 mijë banorë

Në Shqipërinë situata është e rëndë. 1.7 milionë njerëz, janë larguar nga vendi në tre dekadat e fundit. Sipas raportit të OKB-së për perspektivat e popullsisë, kombi me gati tre milionë banorë pritet të bjerë në 2100 me 512 mijë persona.

 

10- 200 mijë shqiptarë kanë kërkuar azil në BE, renditemi pas shteteve në luftë

Dëshira e shqiptarëve për të ikur nuk ndalet, i lartë mbetet dhe numri i azilkërkuesve, ndonëse Shqipëria është një vend në paqe, ndryshe nga shtete të tjera si Siria e Afganistani, që shihen më me përparësi nga BE, pasi ikin nga kriza dhe lufta. Sipas Zyrës Evropiane e Azilantëve 23 mijë persona kërkuan azil vetëm në vitin 2019 duke çuar në 200 mijë numrin e përgjithshëm nga 2013 deri më  2020.