Pse hesht Autoriteti Konkurencës për Aktin Normativ që vendosi fiksimin e çmimeve?

305
Sigal

Prof. Dr. Alqi Naqellari: Ishte kjo qeveri që deklaroi se në ekonominë e tregut qeveria nuk ndërhyn në treg, duke e konsideruar një rritje normale të çmimeve të bukës dhe miellit. Autoriteti i Konkurencës e ka për detyrë të mbrojë interesat e konsumatorit, dhe jo të cenojnë konkurrencën e lirë

(Autoriteti i Konkurencës e ka për detyrë të veprojë si nxitës dhe avokat i konkurrencës dhe i interesave të konsumatorit, si dhe të vlerësojë aktet normative të ndryshme, që mund të cënojnë konkurrencën.)

Krijimi i Bordit të Transparencës, i cili bën marrëveshje për fiksimin e marzhit të fitimit dhe të çmimit të disa produkteve, u mbështet në dy nene të Kushtetutës, në Nenin 11 pika 3 në të cilin thuhet: “Kufizime të lirisë së veprimtarisë ekonomike mund të vendosen vetëm me ligj dhe vetëm për arsye të rëndësishme publike” dhe, në nenin 17 pika 1 dhe 2 në të cilët thuhet: “Kufizime të të drejtave dhe lirive të parashikuara në këtë Kushtetutë mund të vendosen vetëm me ligj për një interes publik ose për mbrojtjen e të drejtave të të tjerëve. Kufizimi duhet të jetë në përpjestim me gjendjen që e ka diktuar atë” dhe “Këto kufizime nuk mund të cënojnë thelbin e lirive dhe të të drejtave dhe në asnjë rast nuk mund të tejkalojnë kufizimet e parashikuara në Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut”. Sa cituam më lart lindin tre pyetje. E para, a shërbejnë këto nene të kushtetutës për fiksimin e marzhit të fitimit dhe të çmimit për një grup mallrash të importuara, e dyta, a bien ndesh këto marrëveshje me Konventën Europiane të të Drejtave të njeriut dhe e treta, a nuk mund të zgjidhej me mënyra të tjera më të thjeshta kjo situatë?

“Ishte kjo qeveri që deklaroi se në ekonominë e tregut qeveria nuk ndërhyn në treg duke e konsideruar një rritje normale të çmimeve të bukës dhe miellit dhe një veprim kompetent konkluzionin e AK që nuk e ndëshkoi oligopolin e këtyre dy produkteve”

Për Bordin e Transparencës po flitet gjithandej. Analistët dhe gazetarët janë ndarë në dy grupe, ata që janë pro qeverisë e lavdërojnë, ndërsa të tjerët që e konsiderojnë gjykimin e tyre objektiv e shikojnë si një masë jo efektive në menaxhimin e çmimeve. Vetë deputetët e PS-së e kanë quajtur si “Marrëveshje Kartel”, deputetët e opozitës kanë kërkuar që të hiqet fare. Unë e kam përcaktuar si një shpikje alla shqiptare. Po çfarë është në fakt ky Bord Transparence, a është kartel? Nëse lexon Akt-in Normativ Nr.7, datë 18.3.2022 të KM (miratuar nga Kuvendi më 28.03.2022, i publikuar në Fletoren Zyrtare të datës 30.3.2022) nxjerr konkluzionin se: “Është një grup njerëzish i përcaktuar me këtë Akt Normativ që quhet “Bordi i Transparencës dhe Monitorimit të Çmimeve të Tregtimit me Shumicë/Pakicë të produkteve ushqimore bazë dhe produkteve të tjera të lidhura me to”. Ky është një organ kolegjial me përfaqësues të qeverisë dhe biznesit, që kanë marrë përsipër me marrëveshje me njeri tjetrin, të përcaktojnë nivelin e marzhit të fitimit të bizneseve në bazë të ndryshimit të çmimit të importeve pa prekur nivelin e taksa-tarifave që ka vendosur qeveria me ligj. Ky është grupi që bën “Marrëveshje” me Akt Normativ për caktimin e normës së fitimit dhe vetë fitimin direkt dhe indirekt nivelin e çmimeve të karburanteve, vajit etj, thuajse javë për javë. Këto çmime janë të detyrueshme për shitësit e shumicës dhe shitësit e pakicës. Në këto marrëveshje kemi dy palë, e para, qeveria që përfaqësohet nga Ministrja e Financave si kryetare e Bordit, Ministrja e Bujqësisë, Drejtori P. Tatimeve, Drejtori P. Doganave, Drejtori P. i AKU-së, nga një përfaqësues të nivelit të lartë nga Ministria e Financave dhe Bujqësisë dhe në palën e dytë marrin pjesë 6 përfaqësues nga shoqëritë e tregëtimit të produkteve. Bordi mund të ftojë edhe përfaqësues të tjerë nga institucionet shtetërore, ekspertë të fushës apo nga grupet e interesit. Bordi merr vendim edhe me shumicë të thjeshtë. Kjo do të thotë se gjithnjë vendos qeveria. Ky Bord ka edhe një Sekretariat me përfaqësues nga Ministria e Financave dhe të administratës doganore. Bordi, sipas rasteve mund të krijojë edhe një organizëm tjetër task-force me përfaqësues nga D P Tatimeve, Inspektoriati i MBikqyrjes së Tregut dhe nga AKU. Pra janë tre organizma që do merren me marzhet e fitimit të firmave. Sa më lartë shtrohet pyetja nëse janë çmime tavan çmimet e rrjedhura pas fiksimit të marzhit të fitimit? Për këtë le të shpjegojmë shkurt se çfarë janë çmimet tavan?

  1. a) Çfarë është një tavan çmimi ose një çmim tavan? Një çmim tavan është një lloj çmim kontrolli, zakonisht i mandatuar nga qeveria, që përcakton çmimin maksimal që një shitës mund të kërkojë për një mall ose shërbim. Qeveritë mund të miratojnë ligje për të mbrojtur konsumatorët, të njohura si ligje për kontrollin e çmimeve nga konkurenca e pandershme. Tavanet e çmimeve mund të jenë të dobishme për të lejuar që gjërat thelbësore të jenë të përballueshme, të paktën përkohësisht.

Qëllimi i tavanit të çmimit? Në përgjithësi, tavanet e çmimeve synojnë ta bëjnë më të lirë për konsumatorët pjesëmarrjen në treg. Për shembull, tavanet e qirasë zbatohen për të siguruar që secili të ketë një vend të përballueshëm për të jetuar dhe marrë me qira.

            Llojet e tavaneve të çmimeve.Qëllimi i tavaneve të çmimeve është t’i mbajnë tregjet konkurruese dhe çmimet të drejta. Rregullatorët mund të vendosin tre lloje tavane çmimesh:

Tavan uniform i çmimeve të fiksuara. Ky është lloji më i thjeshtë i tavanit të çmimeve. Qeveritë vendosin një çmim fiks për artikull, që vlen për të gjitha shitjet. Ky çmim nuk ndryshon shpesh, ndaj konsiderohet fiks.

Tavani i ndryshëm me ndryshimin e çmimit.

Me këtë lloj tavani, qeveritë mund të vendosin kufij në mënyrë që t’i përshtaten shpejtësisë së rritjes së çmimeve për një produkt ose shërbim. Kjo lejon që oferta dhe kërkesa të kenë një efekt më të madh në çmimin e atij artikulli sesa me një tavan të çmimit fiks. Tavanet e ndryshimit të çmimit mund të jenë:

E zbatueshme për të gjithë tregun: Kjo do të thotë se askush nuk mund ta shesë atë artikull me një çmim më të lartë se një përqindje e caktuar e çmimit mesatar të fundit të tregut. Për shembull, një shitës mund të mos lejohet të çmojë produktin e tij më të lartë se 7% mbi çmimin mesatar të muajit të mëparshëm.

Specifike për shitësin: Kjo do të thotë se rregullatori krahason çmimin për të cilin dikush po shet aktualisht diçka me çmimin që e ka shitur në të kaluarën.

Specifike për një blerës dhe një shitës: Kjo do të thotë se çmimi nuk mund të kalojë atë që blerësi dhe shitësi kanë rënë dakord (me qira, për shembull). Megjithatë, nëse shitësi lidh një marrëveshje të re me një blerës të ri, ai mund të vendosë një çmim të ndryshëm.

Avantazhet dhe disavantazhet e tavaneve të çmimeve.

Përparësia e madhe e një tavani çmimi është, natyrisht, kufiri i kostove për konsumatorin. Ai i mban gjërat të përballueshme nëpërmjet parandalimit të rritjes së çmimeve ose frenon prodhuesit/furnizuesit që të përfitojnë në mënyrë të padrejtë prej tyre. Nëse është vetëm një mungesë e përkohshme, që po shkakton inflacion të shfrenuar, tavanet mund të zbusin dhimbjen e çmimev të larta derisa oferta të kthehet përsëri në nivele normale.Tavanet e çmimeve gjithashtu mund të stimulojnë kërkesën dhe të inkurajojnë shpenzimet.Në afat të shkurtër, tavanet e çmimeve kanë avantazhet e tyre megjithëse, ato mund të bëhen problem, nëse vazhdojnë për një periudhë të gjatë kohe, ose kur vendosen shumë poshtë çmimit të ekuilibrit të tregut (ku sasia e kërkuar është e barabartë me sasinë e ofruar).

b)Autoriteti i Konkurencës mbron konkurencën e ndershme.

Në këtë trajtim do japim disa koncepte kryesore të lidhura me konkurencën për të kuptuar më mirë çmimet tavan dhe veprimin e qeverisë me krijimin e Bordit të Transparencës.

Autoriteti i Konkurrencës është institucioni publik i ngarkuar nga ligji, për të mbrojtur konkurrencën e lirë dhe efektive në Shqipëri. Ky institucion ka për qëllim të mbrojë konkurrencën në vetvete, si një e mirë publike. Në këtë mënyrë mbrojtja e konkurrencës efektive  i shërben interesit publik. Ligji “Për mbrojtjen e konkurencës”,  është i zbatueshëm në të gjithë sektorët e ekonomisë, si dhe për të gjitha ndërmarrjet, private dhe shtetërore, që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në territorin e Republikës së Shqipërisë, si dhe për ndërmarrjet që veprimtarinë e ushtrojnë jashtë këtij territori, por pasojat e saj ndihen në tregun e brendshëm.

Puna e Autoritetit të Konkurrencës mbështetet në tre shtylla kryesore, që përcaktojnë mbrojtjen e konkurrencës: -marrëveshjet e ndaluara (kartelet); -abuzimin me pozitën dominuese; – bashkimet ose përqëndrimet e ndërmarrjeve.

Çfarë kuptojmë me konkurencë?

Konkurenca presupozon një situatë në një treg, në të cilën shitësit e një produkti apo shërbimi përpiqen në mënyrë të pavarur të tërheqin blerës për të arritur një objektiv të caktuar tregtar, për shembull, fitime, shitje dhe/ose pjesë të tregut. Rivaliteti konkurrues midis firmave mund të ekzistojë në terma të çmimeve, cilësisë, shërbimit, ose një kombinim i tyre dhe faktorëve të tjerë, që mund të vlerësojnë klientët.

=Konkurrenca e lirë dhe e pashtrembëruar është guri i themelit të një ekonomie tregu dhe Autoriteti i Konkurrencës ushtron kompetencat e nevojshme për të mbikëqyrur sjelljen e ndërmarrjeve, që cënojnë konkurrencën si dhe kontrollin e akteve të ndryshme normative, për zbatimin e ligjit për mbrojtjen e konkurrencës.

Qeveritë i zbatojnë ato për shkak të efekteve pozitive që jep konkurenca: – çon në çmime më të ulëta, të cilat përmirësojnë konkurueshmërinë dhe rritin fuqinë blerëse të familjeve; – inkurajojnë inovacionin,- konkurenca është e favorshme për punësimin. Mekanizmat e tregut konkurrues lejojnë shpërndarjen optimale të burimeve duke zgjedhur kompanitë më efektive. Përballë konkurencës një kompani është e detyruar të përtërijë teknologjinë për të rritur ose të paktën të mbajë pjesën e saj të tregut.

Çfarë kuptojmë me kartel? Karteli është një marrëveshje formale midis firmave konkurrente në një treg oligopolistic, e cila hartohet për të kufizuar apo eliminuar konkurrencën midis tyre, duke pasur si objektiv rritjen e çmimeve dhe të fitimeve të ndërmarrjeve pjesëmarrëse pa ofruar asnjë përfitim shtesë në të cilin të mbështetet kjo rritje. Në praktikë, kjo realizohet duke fiksuar çmimet, duke kufizuar prodhimin, duke bërë ndarje të tregjeve, të klientëve apo të territoreve, duke manipuluar tenderat, ofertat, krijimi i agjencive të përbashkëta të shitjes ose duke kombinuar disa nga kufizimet e sipërpërmendura. Kartelet janë në dëm të konsumatorëve dhe të shoqërisë në përgjithësi për shkak të faktit që subjektet, që marrin pjesë në to vendosin çmime më të larta (dhe marrin fitime më të mëdha) sesa në një treg konkurrues.

Sipas OECD Glossary of Stastical Term: “Karteli është një marrëveshje formale midis firmave në një industri oligopolistike. Anëtarët e kartelit mund të bien dakord për çështje të tilla si çmimet, prodhimi total i industrisë, pjesët e tregut, shpërndarja e klientëve, ndarja e territoreve, manipulimi i ofertave, krijimi i agjencive të përbashkëta të shitjes dhe ndarja e fitimeve ose kombinimi i këtyre”. Në bazë të këtyre koncepteve lind pyetja a janë kartel marrëveshjet që bën Bordi? Përgjigjen le ta japi AK-ja.

  1. c) Cili është Objekti i këtij Akti Normativ, çfarë përcakton me situatë e veçantë, kush është Bordi dhe përbërja e tij, cilat janë kompetencat e tij, etj?

Në Nenin 1 është “… përcaktimi i rregullave për transparencën dhe monitorimin e çmimit të disa produkteve ushqimore bazë dhe produkteve të tjera të lidhura me to si pasojëe situatës së veçantë të krijuar në treg…”. Këtu thuhet për transparencën dhe monitorimin e çmimit dhe jo në caktimin e marzhit të fitimit të firmave. Në këtë objekt përfshihen vetëm mallrat ushqimore dhe nuk bëhet fjalë fare për karburantet.Vendimet e tyre nuk janë bërë asnjëherë transparente, sepse askush nuk e di se mbi çfarë baze të dhënash konkrete janë llogaritur marzhet e fitimit dhe vetë çmimi.

Në Nenin 2 është përcaktuar koncepti “Situata e veçantë”. “…kemi në ato raste, të cilat krijojnë situatë emergjente kur tregu i disa produkteve ushqimore bazë… karakterizohet nga a) rritja e ndjeshme e çmimit të tyre në treg. Edhe në këtë pikë nuk përmenden karburantet. Në këtë rritje të çmimeve nuk përcaktohet se nga se është rritur niveli çmimeve, nga kostoja e importeve, nga taksat e rritura apo nga rritja e marzhit të fitimit, sepse nëse është rritur çmimi i importit atëhere është faktor objektiv. Nëse rritet njëkohësisht në të gjithë firmat oligopol çel hetim AK-ja dhe nuk ka pse qeveria të krijojë Borde. Nëse do vendosi Çmim Tavan atëhere duhet që të veprojë mbi taksat, t’i uli ato, krahas uljes së nivelit të marzhit të fitimit. Dhe ky veprim nuk bëhet javë për javë, por bëhet për periudha jo shumë afatgjata deri në stabilizimin e çmimeve.

Në Nenin 4 Bordi ka këto kompetenca dhe përgjegjësi: a) Të miratojë listën e produkteve ushqimore bazë dhe produkteve të lidhura me to…”.Në këtë pikë nuk flitet për karburantet.b) Të zbatojë metodoligjinë e përcaktuar për vendosjen me transparencë të plotë të marzhit të fitimit”. Pra ky Bord do merret me marzhin e fitimit dhe jo me elementët e tjerë siç janë taksat- tatimet. c) Të vendosi marzhin e fitimit në bazë të monitorimit të çmimeve për produktet ushqimore bazë dhe produkteve të tjera të lidhura me to …”.Bordi, pra përcakton direkt metodologjinë e përcaktimit të marzhit të fitimit dhe vetë fitimin. Çmimi është pasojë e uljes së fitimit pa prekur taksat. Në pikën d) flitet për masa administrative në rast shkelje të parashikimeve të këtij akti normativ.

d) Si përcaktohet çmimi prej B.T-së?

Në Nenin 6 thuhet se “Bordi çdo javë monitoron vlerën e çmimit të produkteve, sipas listës së miratuar prej tij, dhe vendos marzhin e fitimit”. Vlera e çmimit përbëhet a) nga çmimi i dërguar nga Drejtoria e Përgjithëshme e Doganavem, sipas origjinës së produkteve; b) nga marzhi i fitimit i përcaktuar nga Bordi, për subjektet e importit dhe prodhimit, mbi çmimin e përllogaritur sipas shkronjës “a”, të kësaj pike, në të cilën aplikohen edhe taksat e tarifat, sipas legjislacionit në fuqi; c) ndërsa për subjektet e tregtimit me pakicë, nga marzhi i fitimit i përcaktuar nga Bordi, mbi çmimin e përllogaritur, sipas shkronjave “a” dhe “b” , të kësaj pike, në të cilën aplikohen edhe taksat e tarifat, sipas legjislacionit në fuqi.

Komenti im për këtë nen që është edhe esenca e këtij Akti Normativ. Pse duhet Bordi të mblidhet çdo javë dhe jo çdo 10 ditë apo një herë në muaj, apo vetëm kur ka oferta goditjen e rradhës? Ky nen tregon se Bordi, përcakton listën e produkteve, që do monitorohen, ashtu si e gjykon ai me subjektivitet dhe jo se cili është produkt i nevojshëm dhe i domosdoshëm për konsumatorin. Sesi i gjykon qeveria produktet e mbijetesës ne e pamë te gjykimi për çmimin e bukës dhe miellit që u hetua nga AK-ja, ku qeveria shprehu dakortësinë për çmimet e rritura. Dhe më tej ishte kjo qeveri që deklaroi se në ekonominë e tregut qeveria nuk ndërhyn në treg duke e konsideruar një rritje normale të çmimeve të bukës dhe miellit dhe një veprim kompetent konkluzionin e AK që nuk e ndëshkoi oligopolin e këtyre dy produkteve. Në këtë mënyrë qeveria nuk ka ndonjë dëshirë dhe vullnet të mirë për të mbrojtur qytetarin, por përkundrazi në plan të parë ka mbushjen e arkës së buxhetit, pavarësisht se kush e përballon. Edhe veprimet e saj mbi mënyrën e përcaktimit të çmimit përfundimtar këtë tregojnë.

“Pse duhet Bordi të mblidhet çdo javë dhe jo çdo 10 ditë apo një herë në muaj, apo vetëm kur ka oferta goditjen e rradhës? Ky nen tregon se Bordi, përcakton listën e produkteve, që do monitorohen, ashtu si e gjykon ai me subjektivitet dhe jo se cili është produkt i nevojshëm dhe i domosdoshëm për konsumatorin”

Efektin e ndikimit të Çmimit Tavan në çmimin e tregut për naftën (hipotetik) e kemi paraqitur në figureën e mëposhtëme:

Kjo është skema e ndikimit të një çmimi tavan në treg. Çmimi tavan e prish ekuilibrin e tregut që ishte në pikën E me sasinë Qo. Vendosja e tij do ta çojë ekuilibrin në dy pika që tregojnë se kemi mungesë karburanti pasi kërkesa është e madhe në Qd1 dhe oferta e vogël në Qs1. Çmimi që vendos Bordi nuk luan shumë nga çmimi i tregut. Çmimi Tavan e sjell ofertën në pozicionin fillestar Qd1,P2 me ekuilibër në Eo.

Bordi miraton marzhin e fitimit për çdo produkt, në çdo periudhë gjykimi. Taksat e tjera janë standart si në llogaritje edhe në vendosje. Në këtë mënyrë Bordi Transparencës me Akt Normativ vendos marzhin e fitimit të firmave, duke vënë kufi për fitimin dhe jo për çmimin, çmimi është pasojë e uljes së fitimit. Nëse do vendoste kufi edhe për çmimin do t’i prekte të gjitha elementët e tij, do hiqte 1, 2 apo 3 taksa që ta sillte nivelin e çmimeve në periudhën para se të fillonte rritja galopante e tyre. Kur flitet për zëra që vendosen çmime tavan nënkuptojmë edhe normat e interesit, edhe taksat, edhe qiratë e banesave dhe jo vetëm mallrat. Nga veprimi i Bordit, niveli i çmimit ulet shumë pak ose nuk do ulej fare në krahasim me nivelin që do ishte pa u futur qeveria në çmimin e tregut. Kjo duket me ndryshimet e vazhdueshme të çmimeve të cilat thuajse janë të pa përfillshme.Në këtë situatë Qeveria do bënte mirë të mos ndërhynte fare me këtë Bord, por t’i linte çmimet të lira. Le të bëhej rritja e tyre objekt hetimi nga Autoriteti Konkurencës. Ndërhyrja e pjesëshme mbi çmimin duke marrë për bazë çmimin e hyrjeve ditore është një veprim i paprecedentë, sepse kompanitë kanë gjendje në magazina, kanë mallra me çmime të ndryshme nga mallrat që hyjnë rishtazi në doganë. Këtu lindin një sërë pyetjesh, në lidhje me cilësinë, sasinë, shpërndarjen dhe çmimin. Psh nëse një firmë, për një mall të caktuar ka sot çmimin në hyrje 100 lekë/njësia, ndërsa vjen pas një jave me çmimin 70 lekë, firma në treg do veprojë me çmimin 100 apo 70 lekë njësia. Nëse do veprojë me 70 lekë firma në mënyrë automatike do dali me humbje dhe do fitojë qeveria, që një pjesë taksash i ka fikse. Për çfarë marzhi fitimi mund të flitet këtu, sepse Bordi këtë përcakton? Si do t’i verifikojë qeveria veprimet e firmave në lidhje me çmimin e përcaktuar nga Bordi? Për të verifikuar veprimet e tyre do me qindra dhe mijra taksidarë shtesë për të kontrolluar dyqan më dyqan. Kjo sepse gjithkush nga shitësit do mundohet të abuzojë me çmimet për të kompensuar marzhin e ulur të fitimit. Situata do stimulojë dhe krijojë tregun e zi.

Qeveria me këtë Bord, me këtë mënyrë të përcaktimit të çmimeve më shumë prish punë, më shumë e rëndon konsumatorin sesa e mbron. Vetëm çmimi tavan i përkohshëm, që vendoset një herë në një goditje pavarësisht nga ndryshimet e zakonshme ditore të çmimeve në bursa do ta sistemonte tregun në interes të konsumatorëve. Në analizën e mëparshme mora një shembull tipik të Çmimit Tavan. Nëse çmimi para rritjes galopante ishte 170 lekë për njësi dhe sot është 230 lekë për njësi, atëhere çmimi tavan vendoset 170 lekë njësia duke prekur edhe taksat dhe jo vetëm fitimin e firmave.

Marrëveshja që bëhet midis dy palëve për fiksimin e marzheve të fitimit nuk është një marrëveshje e fshehtë, përkundrazi është një marrëveshje e hapur. Biznesi duhet të hedhi në Gjyq Qeverinë që i heq me Akt Normativ fitimin dhe nuk prek nivelin e taksave.

Në nenet e tjera bëhet fjalë për ndëshkimin me gjobë të subjekteve, që nuk i zbatojnë marzhet e fitimit të vendosura nga Bordi, për mbajtjen e rezervave për tre muaj. Në nenin 10 ka një informacion me interes, sepse Situata e veçantë shpallet me Vendim të KM-së, ndërsa përfundimi i saj me Vendim të Bordit. Pyetja është pse nuk përfundon situata e veçantë me një vendim të KM? Nuk e di, sepse nuk investigoj nëse është shpallur situata e veçantë prej KM-së në cilën datë dhe në cilën Fletore Zyrtare është zbardhur?

Përfundimisht, Bordi Transparencës harton marrëveshje për fiksimin e marzhit të fitimit, i cili ka ndikimin e vet në nivelin e çmimeve, që e fikson po ky Bord. Ai nuk është as çmim tavan dhe as çmim reference në kuptimin e gjerë të fjalës, por një fiksues i marzhit të fitimit, një veprim alla shqiptarçe. Nivelin e çmimeve ta përcaktojnë vetë firmat. Nëse Autoriteti Konkurencës konstaton se ato abuzojnë me nivelin e tyre atëhere le të ndërhyjë.

Në këto kushte Autoriteti Konkurencës të prononcohet publikisht për ligjshmërinë dhe efektin e Bordit të Transparencës. Kemi të bëjmë me marrëveshje të ndaluara apo kemi të bëjmë me një veprim normal? A mund të ndërhyjë AK kur ky bord, që harton këto marrëveshje është mbështetur me një Akt Normativ nga Kuvendi i Shqipërisë?