Prof.Dr. Petrit Bare: Për moshën e tretë të braktisur nga qeveria

1021
Sigal

Shqipëria vendi më i rrezikuar sa i përket shëndetit publik, për shkak të hemoragjisë së madhe që ka njohur me largimin e mjekëve dhe infermierëve

Për moshën e tretë të braktisur nga qeveria

Dr. Petrit BARA*

 Keqmenaxhimi i deritanishëm, pse jo edhe propagandës boshe pa asnjë efektivitet, sot ka krijuar sistem shëndetësor të rënë, spitale plot, kolegë të dekurajuar e të lodhur, ngaqë u duhet të përballen me shumë të sëmurë.

 

Situata nuk është e mirë. Madje, pa u fryrë tam tame-ve të pesimizmit, mendoj se nuk është aspak e mirë. Ndonjëherë, më shumë vlen realizmi se sa mbulimi i situatave, që agravohen nga dita në ditë.

Kur them që situata është aspak e mirë, kam parasysh, ndër të gjithë ne, edhe moshat e treta, ata që kanë pamundësi fizike, e më së shumti, edhe financiare.

Të braktisur dhe pa mbështetje

Nuk ka nevojë të jesh ekspert për të kuptuar braktisjen që i ka bërë qeveria dhe të gjitha strukturat e tjera të saj, kësaj moshe, e cila meriton veçse respekt për kontributin që ka dhënë ndër vite, në shërbim të një Shqipërie më të mirë e më të begatë, që për fat të keq, sot u mungon shumë.

Mbështetja, sidomos në këtë periudhë të tejzgjatur pandemie, duhet të ishte e pakursyer për të gjitha kategoritë shoqërore, por për shkak të detyrimit moral që kemi ndaj të moshuarve dhe të pamundurve, ndihma duhet të ishte shumë më bujare për ta. Sepse askush nuk mund të pretendojë të kalojë normalisht një muaj, me gjërat më bazike të jetesës, me një pension që, në rastin më të mirë është 22 mijë lekë në muaj e, në rastin shumë më të keq, nuk e kalon 8 mijë lekëshin.

Unë, ju që drejtoni, ju që lexoni këto rreshta e gjithkush tjetër, le të pjesëtojmë me 30 ditë të muajit këto pensione dhe do ta kuptojmë gjendjen pragkatastrofale ku ndodhen moshat e treta. Më thoni dot ju, si mund ta përballojë jetesën, e më tej edhe situatën epidemike (larg qoftë të infektohen nga corona) një çift pensionistësh, kur u duhet të blejnë ushqimet më të domosdoshme për jetesë; të paguajnë faturën e kripur të ujit të papijshëm; faturën e fryrë të dritave që nuk i ngrohin dot; ilaçet që marrin çdo muaj, me pensionet qesharake që marrin, edhe pse kanë kontribuar me vite për këtë vend?! Por, nëse infektohen, u duhet të përballojnë edhe paracetamolin, vitaminat e gjithçka tjetër që ua rekomandojnë mjekët. Nuk jam i sigurt fare nëse mund të marrin me qira edhe ndonjë bombël oksigjeni… A ia dalin dot? Unë them jo. Ma thoni ju, nëse mendoni ndryshe!

U kërkojmë të mbajnë maska. Të përdorin dezinfektantë. Jo vetëm të moshuarve, por të gjithëve. Por, a u japim para që t’i blejnë? A ua çojmë te shtëpia falas? As që imagjinohet. Doni një shembull? Ja, tek fqinji ynë, Maqedonia, një shtet i krijuar shumë e shumë vite pas nesh. Qeveria atje jep rreth 180 mijë lekë të vjetra (e konvertuar kjo shumë dinar-lek) në muaj për çdo çift pensionistësh, vetëm për maska, doreza dhe dezinfektantë. Ndërsa tek ne, asgjë. Tek ne, qeveria vetëm kërkon nga qytetarët, përfshirë dhe të moshuarit, të zbatojnë masat që ajo ka caktuar përmes një Komitetit të quajtur ekspertësh, ndryshe të gjobit. Në këtë mënyrë, ata që na drejtojnë dhe kanë detyrën të na mbrojnë, e kanë hequr çdo përgjegjësi nga vetja. Fajin, sipas qeverisë, e kanë qytetarët dhe vetëm qytetarët. Qeveria vetë s’ka asnjë faj e asnjë përgjegjësi. Çudi e madhe! Por unë nuk mendoj kështu.

Mungesë transparence

Për mua, kjo shtresë e pambrojtur është e braktisur nga qeveria, nga ministria dhe çdo strukturë në varësi të tyre. E për më tepër, ka një mungesë të theksuar transparence ndaj kësaj shtrese shoqërore, që janë prindërit e mi, të tutë, të të gjithëve.

Doni shifra? Doni raporte apo deklarata? Lexojeni Bankën Botërore. Shqipëria është e barabartë me vendet e Afrikës. Sigurisht, krahasimi nuk ka konotacion pozitiv, por është për keq.

Banka Botërore ka të drejtë kur konstaton se, pandemia në të gjithë globin ka hyrë në fazën e saj të dytë dhe se situata është e rënduar në shumë vende, mes të cilave edhe Shqipëria. Pandemia e shkaktuar nga Covid-19 do të bëhet shkak në përkeqësimin e treguesve kryesorë të shëndetit. Ndaj qeveria shqiptare nuk ka pse të vonojë, siç ka ecur deri tani me hapin e breshkës, por duhet të nxitojë. Koha e llafeve, e propagandës së shfrenuar duhet të marrë fund. Është koha e veprimit, e veprimit të shpejtë, pasi presioni i pandemisë mbi sistemin tonë të brishtëshëndetësor dhe akumulimi i vonesave për të trajtuar sëmundjet e tjera do të përkeqësojë treguesit kryesorë të shëndetit. Ky presion mund të rrisënormat e vdekshmërisë të fëmijëve dhe nënave, shkallët e imunizimit, incidencën e tuberkulozit dhe prevalencën e HIV. Ndaj duhet vepruar me shpejtësi, sa nuk jemi bërë ende shumë vonë.

Të shmangim kolapsin

Nuk do as shumë mend dhe as kalem që ndikimet më negative pandemia do t’i shkarkojë tek vendet me numër të ulët mjekësh dhe infermierësh për banorë dhe ato me mungesë logjistike mjekësore, siç është tëpkë rasti i Shqipërisë.

Por përtej këtij opinioni personal, le të flasim me statistika zyrtare. Po i referohem përsëri Bankës Botërore, sipas së cilës, Shqipëria renditet në grupin e vendeve me të ardhura të mesme, në krah të vendeve afrikane për numrin e ulët të stafeve mjekësore për banorë. Shqipëria ka 4.9 mjekë dhe infermierë për banorë. Kjo shifër është shumë e ulët në raport me vendet e tjera të kontinentit ku bëjmë pjesë.

Nga ana tjetër, të gjithë ekspertët bien dakord se, numri i stafeve mjekësore dhe kostoja e shërbimeve janë thelbësore për të minimizuar rreziqet që i kanosen shëndetit. Aq më shumë që kjo pandemi tregoi se, edhe vendet me të ardhura të larta dhe shëndetësi të zhvilluar u gjendën në kolaps për të përballuar flukset e pacientëve.

Po Shqipëria?,- do pyesni ju.

Shqipëria mund të jetë, për fat të keq, vendi më i rrezikuar sa i përket shëndetit publik, për shkak të hemoragjisë së madhe që ka njohur me largimin – le ta themi të detyruar – të mjekëve dhe infermierëve, kryesisht në Gjermani, por edhe më gjerë.

Shifrat janë kokëforta. Ja p.sh. Gjatë tri dekadave të fundit, niveli global i vdekshmërisë nën pesë vjeç ka rënë me rreth 60 për qind. Mirëpo pandemia mund të përkeqësojë këtë tregues. Këtë thotë një institucion i rëndësishëm sikurse është Banka Botërore. Paralelisht, përhapja e shpejtë e një virusi të ripo ushtron presion të rëndë në sistemet shëndetësore në shumë vende, duke nxjerrë në pah si për pikat e forta ashtu edhe për dobësitë në kujdesin shëndetësor, përfshirë vendet me të forta.

Qëkur filloi pandemia në Shqipëri, pak kohë pas mbylljes totale, autoritetet shëndetësore dalin në konferencë të përditshme për shtyp dhe numërojnë viktima nga corona dhe infektimet e reja. Natyrisht, kohë më pas u shtua si tregues edhe të shëruarit nga covidi. Por askush nuk është në gjendje të thotë se sa janë vdekjet në total, ose më qartë, vdekjet nga shkaqe të tjera, nga zemra, tensioni, stomaku, tuberkulozi apo HIV/AIDS. Etj etj. A mundet që dikush të na thotë zyrtarisht në çfarë situate jemi dhe sa janë përkeqësuar këta tregues, me qëllim marrjen e masave për t’i paraprirë në kohë edhe agravimit të mëtejshëm të shëndetit publik, që është pasuri kombëtare?

Besoj se jo.

Sepse situata ku kemi mbërritur është vërtet e rëndë. Për faj të keqmenaxhimit të deritanishëm, pse jo edhe propagandës boshe pa asnjë efektivitet, sot kemi një sistem shëndetësor të rënë, spitale plot, kolegë të dekurajuar e të lodhur, ngaqë u duhet të përballen me shumë të sëmurë. Ç’mund të bëjnë më shumë këta heronj, kur propaganda boshe, e përditshme dhe e bezdisshme i ka rreshtuar në hije?!

Për kolegët yje që po na shuhen

Për fat të keq, deri tani numërohen 25 kolegë, që e kanë humbur luftën me covidin. Janë shumë. Shumë në raport me totalin e vdekjeve nga ky virus. Por a e ka pyetur qeveria veten, ministria ekspertët e kështu me radhë: Çfarë kemi bërë ne për t’ua lehtësuar punën mjekëve, të cilët janë në vijën e parë të një lufte që nuk i dihet fundi?

Asgjë prej gjëje.

Ashtu si edhe për të moshuarit, edhe për mjekët ka një braktisje që dhemb. Ndoshta për bluzat e bardha, në dukje, kuptohet sikur ka mbështetje, inkurajim, por në thelb, ata janë të braktisur. Pas asnjë masë mbrojtjëse, pa asnjë stimulim financiar.

Nuk kemi parë dhe as dëgjuar që ministria përkatëse – e cila, siç e kam thënë dhe në një shkrim tjetër, po mban dy kunguj të rëndë nën sqetull – nuk ka paraqitur ndonjë plan serioz për mbrojtjen e bluzave të bardha, që janë në shërbim të panderprerë.

Nuk kemi dëgjuar dhe as parë që të ketë një plan serioz për të ndërprerë zinxhirin e transmetimit nga pacientët e infektuar me Covid-19 tek mjekët, pse jo,edhe anasjelltas. Kolegët tanë, që janë në vijën e parë të frontit të kësaj beteje, meritojnë nga shteti – madje është përgjegjësi e këtij të fundit – të analizojë dhe të veprojë për të parandaluar transmetimin e virusit nga spitalet dhe qendrat shëndetësore.

Shkoni dhe shikoni qendrat shndetësore, meqë ra fjala. Edhe maskat, edhe dorezat, edhe dezinfektantët, shteti po ua jep me pikatore

E ndërkohë shumë po thuhet e pak po bëhet për testimin e rregullt të personelit mjekësor. Tani që erdhën testet e shpejta, a ka ndonjë plan qeveria, përveç datave që i ndryshon sipas qejfit, për të nisur seriozisht testimin e mjekëve, infermierëve dhe gjithë stafit të tyre mbështetes, kudo që është?

Deri tani, asgjë konkrete. Premtimet apo videot 3D nuk vlejnë në asnjë rast, por tek mjekësia ato as nuk qasen. Koha është që qeveria t’i vendosë gishtin kokës për të gjithë, por më shumë për mjekët dhe shtresat e pambrojtuara e ta pamunduara, siç janë moshat e treta. Ndaj tyre përgjegjësia e qeverisë është e shumëfishtë.

Premtimi im për moshat e treta

Qeveria dhe ministria përkatëse, që ka dhe prapashtesën “e mbrojtjes sociale”, në akord të plotë me njëra-tjetrën dhe me vetëdije, i kanë braktisur të moshuarit. Por unë kam vendosur të mos I braktis. Do t’u qëndroj afër, do t’i ndihmoj sa më shumë të mundem. Ndaj, kam vendosur që, në klinikën time, ata të kenë falas – që nga vizita e deri tek të gjitha ekzaminimet – deri në përfundimin zyrtar të pandemisë së shkaktuar nga Covid-19. Le të jetë ky veçse hapi i parë në mbështetje të atyre, që u kemi borxh jetën tonë.