“Kuçedrat” e investimeve strategjike po sheshin dhe grabisin pasuritë kombëtare

21
Sigal

Pronat e shtetit kolateral në banka, Korporata e Investimeve do të shesë pronat publike dhe do të financojë investimet strategjike

Investitorët strategjik “gllabërojnë” tokë shtetërore falas në vendet turistike dhe ndërtim pa paguar taksë infrastrukture, si dhe reduktim të TVSh-së dhe tatimit mbi fitimin. Ndërkohë që nuk kanë kapital të mjaftueshëm për t`i realizuar investimet dhe si garanci vënë kreditë bankare. Kurse oligarkë të parqeve fotovoltaike pronarët vënë si garanci tokat e shtetit për të marrë kredi me vlerë më të madhe se sa investimi që do kryhet.

 

E projektuar si një shoqëri, që do të mobilizonte kapital për realizimin e projekteve publike, objekti i Korporatës së Investimeve Shqiptare tashmë ka ndryshuar plotësisht. Këshilli Ministrave ka miratuar një vendim, i cili i jep të drejtën Korporatës që të shesë, japë me qira edhe madje t’i vendosë pronat publike edhe si garanci në banka për të marrë kredi.“Pasuritë në pronësi ose përdorim të Korporatës, me qëllim përdorimin me eficiencë të pronës jepen me qira, enfiteozë, leasing, sipërmarrje, shitje, sigurimin e një kredie kolateral, apo përmes formash të tjera përdorimi dhe zhvillimi të pronës, nëpërmjet konkurrimit publik,” thuhet në vendimin e qeverisë. Vlera më të cilën pronat do të shiten ose do të jepen me qira përcaktohet nga një Komision i Posaçëm brenda Korporatës. Prona shtetërore në pronësi të Korporatës mund të shitet apo të përdoret si garanci, kolateral, peng apo hipotekë me vendim të Këshillit Mbikqyrës, me propozim të drejtorit ekzekutiv dhe/ ose Bordit Këshillimor, në bazë të vlerësimit të kryer nga Komisioni,”- thuhet në vendim.

Procedura dhe forma e shitjes së pronave do të përcaktohen me vendimin e Këshillit Mbikqyrës së Korporatës.

“Korporata në marrjen e vendimit në shitjen e pronës mbështetet, por pa u kufizuar në to, në këto parime:
a) Shitja e pasurisë shtetërore kryhet për qëllim dhe në bazë të zbatimit të objektivave të Korporatës, të objektivave dhe prioriteteve të qeverisë, si dhe në zbatim të legjislacionit në fuqi.
b)Procesi i shitjes së pronës shtetërore duhettë jetë transparent dhe i dokumentuar mirë për të parandaluar abuzimet në lidhje me përdorimin e pronës.
c)Vlerësimi i pronës kryhet bazuar në vlerën e tregut nga vlerësues ekspertë profesionistë.
ç)Shitja e pronës përbën alternativën më të mirë të mundshme për zhvillimin e saj dhe për mirëmenaxhimin e financave të Korporatës.
d)Blerësi i interesuar do ta përdorë pronën e blerë në përputhje me objektivat e projektit të investimit apo zhvillimit të qëndrueshëm, të miratuar në zonën ku ndodhet prona.

Kriteret e dhënies me qira të pronave shtetërore sipas VKM

Është botuar në Fletoren Zyrtare Vendimi i Këshillit të Ministrave për përcaktimin e kritereve dhe procedurave për dhënien me qira të pronës shtetërore. Ky vendim ka si qëllim përcaktimin e kritereve dhe procedurave, që zbaton Korporata e Investimeve Shqiptare për dhënien e pronës shtetërore me qira, enfiteozë, leasing, përdorimin e pronës për sigurimin e një kredie apo detyrimi tjetër, sipërmarrje, shitje apo përmes formash të tjera përdorimi dhe zhvillimi të pronës .Sipas vendimit, Këshilli i Ministrave me propozim të ministrit përgjegjës për ekonominë si dhe me kërkesë të Korporatës, miraton transferimin e pronave shtetërore në pronësi apo përdorim të Korporatës. Ndërkohë Korporata identifikon prona shtetërore me interes për të realizuar projekte investimi në rastet kur ka një kërkesë të partneritetit publik në kushtet e përmbushjes së një interesi publik të përcaktuar në vendimin e transferimit të pronës. Sipas vendimit, korporata përdor pronat në pronësi apo përdorim të saj me partneritete publike private të zgjedhura përmes procedurës konkurruese me përzgjedhje me zarf, me përzgjedhje me pikëzim si dhe sipas procedurës së negocimit të drejtpërdrejtë etj.

Prona shtetërore në pronësi të Korporatës mund të shitet apo të përdoret si garanci, kolateral, peng apo hipotekë me vendim të Këshillit Mbikqyrës, me propozim të drejtorit ekzekutiv dhe/ ose Bordit Këshillimor, në bazë të vlerësimit të kryer nga Komisioni

Para publike për investimet strategjike

Një tjetër pikë kontroverse e vendimit të qeverisë është ajo që lejon Korporatën e Investimeve të financojë projektet private, të cilat kanë marrë statusin e investimit strategjik duke hyrë si partnere me privatin.“Pjesëmarrja e Korporatës si bashkëzhvilluese apo bashkëfinancuese, vetë apo nëpërmjet krijimit të SPV-ve, në projektet e investimit në bashkëpunim me partnerë publikë apo privatë realizohet nëpërmjet procedurës përzgjedhëse mes partnerëve privatë, vendas apo të huaj, të dalë në funksion të realizimit të një projekti të ideuar/konceptuar/hartuar dhe propozuar nga partnerë privatë apo publikë, në rastin kur këto projekte kanë statusin e investimit strategjik,” autorizon vendimi.

Investitorët strategjikë i varin shpresat te kreditë

Kanë marrë prona publike falas, por 80% e kompanive, që kanë përfituar benefitet e statusit “strategjik”, nuk kanë kapital të mjaftueshëm për t`i realizuar investimet. Dokumentet e siguruara nga Investigative Netëork Albania po ashtu tregojnë se më shumë se gjysma e investimeve strategjike, të miratuara në fushën e turizmit, kanë dorëzuar si garanci pranë KIS (Komitetit për Investimet strategjike), kreditë bankare. Ligji për Investimet Strategjike, i miratuar në vitin 2015, synonte thithjen e kompanive të huaja dhe parave të tyre në Shqipëri. Mjafton që investitorët strategjikë të investojnë të paktën 5 milionë euro dhe të punësojnë 80 persona. I akuzuar që në fillesat e tij për klientelizëm dhe si favorizues i një grupi të vogël biznesesh, Ligji për Investimet Strategjike i shpërblen këta investitorë VIP me tokë falas për ndërtimin e projektit, reduktim të tatimit mbi fitimin dhe të TVSH-së, si dhe 0 taksë në infrastrukturë. Ata që investojnë në turizëm, i identifikuar si një nga fushat prioritare të këtij ligji, përfitojnë edhe përdorimin e brigjeve, si dhe mbështetje në infrastrukturë publike: rrugë, kanalizime, rrjet energjetik dhe furnizim me ujë. Po ashtu, ligji lë hapësira që edhe kompani me bilance modeste dhe që nuk e justifikojnë vlerën e investimit, të marrin një letër interesi nga banka për financim kredie dhe të mbeten në dorën e Komitetit të Investimeve Strategjike, nëse i takon ose jo statusi.

Në disa raste ku investimi ka të bëjë me parqet fotovoltaike, pronarët vënë si garanci tokat e shtetit për të marrë kredi. Por, çfarë ndodh nëse nuk e paguajnë dot kredinë, atëherë pronat shtetërore do të konfiskohen dhe oligarkët nuk kanë asgjë për të humbur. Veçse gjejnë çdo gjë gati pa asnjëlloj risku, ku i futen biznesit të fotovoltaikëve dhe “gllabërojnë” miliona. Babëzia nuk përfunon këtu. Një prej tyre madje u ankimua, pasi ishte kërkuar kredi me vlerë më të madhe se sa investimi që do kryhej.