Përdorimi i rrjeteve sociale është më i dëmshëm tek fëmijët sesa vetë pajisja elektronike

24
Sigal

Pas vendimit të Australisë për të ndaluar përdorimin e mediave sociale nga fëmijët nën moshën 16 vjeç, diskutimi për kufizimin e përdorimit të telefonave inteligjentë nga të miturit po përhapet në mbarë botën.

Në Gjermani, Shoqata Gjermane e Pediatrisë (DGKJ), e mbështetur nga disa organizata shëndetësore, ka publikuar udhëzime të reja që rekomandojnë:

1.Asnjë ekspozim ndaj ekraneve për fëmijët nën 3 vjeç,

2.Përdorim të kontrolluar të teknologjisë nën mbikëqyrje për fëmijët më të rritur,

3.Dhe kufizim të aksesit në internet për adoleshentët në maksimum dy orë në ditë.

Edhe në Angli, Komisionerja për Fëmijët, Rachel de Souza, ka bërë thirrje që prindërit të marrin vendime të guximshme për përdorimin e telefonave, duke vënë në plan të parë mirëqenien e fëmijëve dhe jo dëshirën për t’u dukur ‘miq’ me ta. Një sondazh i fundit i YouGov zbuloi se 23% e fëmijëve të moshës 8–15 vjeç kalojnë më shumë se katër orë në ditë në pajisje me ekran, ndërsa 45% kalojnë mbi dy orë në ditë.

Sipas ekspertëve, përdorimi i tepërt i pajisjeve elektronike mund të ndikojë negativisht në zhvillimin e fëmijëve, duke shkaktuar probleme me gjumin, përqendrimin dhe marrëdhëniet ndërpersonale.

Megjithatë, jo të gjithë specialistët bien dakord me ndalimet e rrepta. Dr. Stefanie Höhl nga Universiteti i Vjenës argumenton se, në kushte të kontrolluara, fëmijët mund të përfitojnë nga mediat dixhitale. Sipas saj, fokusi duhet të jetë në mënyrën dhe përmbajtjen e përdorimit, jo thjesht në ndalimin e pajisjeve.

Një studim i Universitetit të Floridës së Jugut me mbi 1,500 fëmijë (mosha 11–13 vjeç) tregoi se:

1.78% e tyre posedonin një telefon inteligjent,

2.Nga këta, vetëm 21% shfaqnin simptoma të ankthit ose depresionit, krahasuar me 26% të atyre që nuk kishin telefon,

3.Fëmijët me telefona raportonin më shumë kohë të kaluar me miqtë në mënyrë fizike.

Gjithsesi, studimi zbuloi se fëmijët që postonin shpesh në rrjete sociale kishin dyfish më shumë gjasa të përjetonin vështirësi me gjumin dhe shëndetin mendor. Kjo tregon se ndikimi negativ vjen më shumë nga vetë përdorimi i rrjeteve sociale sesa nga pajisja në vetvete.

Jess Maddox, studiuese në Universitetin e Alabamës, tha për Neë Scientist: “Ky studim bën një ndarje të rëndësishme midis telefonit dhe mediave sociale. Nuk janë e njëjta gjë, edhe pse shpesh ngatërrohen.”

Mes kërkesave për ndalime dhe zërave që kërkojnë edukim më të mirë dixhital, një gjë është e qartë: është koha për të rishikuar mënyrën se si fëmijët përdorin teknologjinë. Prindërit, edukatorët dhe politikanët duhet të gjejnë balancën midis mbrojtjes së fëmijëve dhe lejimit të përfitimeve të mundshme që teknologjia mund të sjellë, kur përdoret me kujdes. Syri.net-iefimerida