“Përdhunimi” për herë të dytë i 14-vjeçares nga Kavaja

820
Sigal

Nga Klodi Karaj

Aktet barbare që disa djem kryen ndaj një vajze në Kavajë, ishin fitili i radhës ndezës që baruti politik mori flakë. Ajo ngjarje tingëllon aktuale sepse e tillë është, dhe ashtu do të mbetet deri sa argumentin dhe mllefin e politikanëve ta rrëmbejë një tjetër kauzë. Një vajzë e pambrojtur, e frikësuar për të treguar, por mbi të gjitha e paragjykuar sepse është “femër”. Ndoshta nuk do të merreshin me ty vajzë e dashur, nëse rasti yt nuk do të ishte hedhur si mish i kalbur për hienat politike dhe të atyre të gjithë-diturve që rreken me zell të komentojnë për ty. Por ata nuk e dinë se janë më të dobët nga sa ke qenë ti, sepse tani je e fortë dhe po përballesh me lloj lloj inertesh që sjell ky lumë deklaratash ndaj teje. Të përdhunuan disa të papërmbajtshëm, por më keq se kaq është “përdhunimi” i gjithsecilit që flet për ty, dhe këtu e kam fjalën për ata që nuk e dinë se çfarë ka ndodhur. Unë jam gazetar, dhe kolegët e mi prej ditësh kërkojnë që dikush nga familja jote të flasë. Tek e fundit ata, dhe ne, bëjmë detyrën tonë. Dhe nëse mos ekzistonte ky paragjykim i mallkuar në shoqërinë tonë të brishtë si telat e korrentit kur ngrijnë, babai yt, nëna jote, ose ndoshta edhe ti vajzë e dashur, do të kishit dalë për të mbyllur gojët e shqepura të atyre që nuk reshtin duke hamendësuar. Fati jot i “keq” që je vajzë, dhe kam dëgjuar këto ditë banorë të Kavajës që kanë thënë se ti dhe familja jote duhet të largoheni prej aty. Po pse?! Po ata që abuzuan me ty, a duhet të ikin nga shtëpia bashkë me familjen? Jo. Dhe e di pse, e dashur vajzë, sepse ata janë meshkuj dhe meshkujt nuk e kanë problem. Ah moj vajzë e dashur, u desh rasti yt për të kuptuar edhe njëherë se sa nevojë ka shoqëria jonë të shkundet e stërshkundet nga mendësitë e vjetra, të mykura, të qelbura, dhe për më tepër vrastare, sidomos për seksin jo mashkull. Askush nga ne nuk të njeh, askush nga ata që flasin sikur të ishin vetë të përdhunuar nuk të njohin, por u mjaftuan me fare pak për të të bërë viktimë për herë të dytë. Ndoshta pa dashje, ndoshta…nuk e di se përse. E di, do të të duhet kohë për të marrë veten nga kjo histori, që shpejt për ne do të harrohet si tymi në hapësirë. Por ti ama, ti do ta kesh mbi supe gjithë jetën. Por ji krenare, ji krenare sepse ia dole. Ia dole për të nxjerrë mbi sipërfaqe atë llum që s’ka Zot që e pastron, llumin e një pjese të shoqërisë që kërkon të të përzërë ty nga komuniteti ku jeton. Ndoshta do ikësh, ndoshta familja jote do mendojë më të mirën për ty, por mos harro se na dhe një mësim të mirë. Ndërsa ju, ju që s’dini asgjë dhe flisni për gjithçka, lëpini buzët për ndonjë tjetër rast që të turreni me vrap…