Qeveria mbyll Albcontrol duke harruar  50 miliardë lekë kredi të taksapaguesve

21
Sigal

Me një projektligj, qeveria vendosi të “prishë pa e kaluar në likujdim”, kompaninë Albcontrol, të cilës i ka dhënë deri më sot 50 miliardë lekë kredi nga paratë e taksapaguesve. Projektligji nuk sqaron se si ky borxh do të mund t’i rikthehet kredidhënësve. Pas ngrirjes së llogarive nga gjykata e Brukselit, rreth 60 mln euro, deri në 2022 i kaluan Begetit, ku shuma deri më 2024 mund të këtë arritur 100 mln euro

Me një projektligj, qeveria vendosi të “prishë pa e kaluar në likujdim”, kompaninë Albcontrol, të cilës i ka dhënë deri më sot 5 miliardë lekë kredi nga paratë e taksapaguesve. Projektligji nuk sqaron se si ky borxh do të mund t’i rikthehet kredidhënësve.

Qeveria shqiptare ka vendosur të “prishë” kompaninë e shërbimeve të fluturimeve ajrore Albcontrol sh.a., dhe të krijojë një entitet të ri në vend të tij; një vendim për të cilin zyra e kryeministrit nuk iu përgjigj kërkesave të BIRN për koment, por që duket se lidhet me bllokimin e llogarive të Albcontrol sh.a. në Belgjikë me kërkesë të Francesco Beçhettit dhe kredive me vlerë 5 miliardë lekë që qeveria i ka dhënë kompanisë nga paratë e taksapaguesve.

Manovra, e cila nuk shpjegon se si paratë e bllokuara gjatë viteve 2021, 2022 e 2023 dhe që arrijnë në dhjetëramilionë euro, do të mund të zhbllokohen dhe as nëse kredia prej 5 miliardë lekësh do të mund apo jo t’u kthehet taksapaguesve. Gjithsesi, projektligji, i publikuar së fundmi në faqen e Kuvendit të Shqipërisë,- thotë se të ardhurat e agjencisë zëvendësuese të Albcontrol do të duhet të “përdoren ekskluzivisht për mbulimin e kostove”, një hile juridike që, sipas relacionit, nënkupton se këto fonde do të jenë imune përkundrejt kërkesave për bllokim.

Projektligji është firmosur nga zëvendëskryeministrja Belinda Balluku. Transformimi i Albcontrol Sh.a. në agjenci duket se përbën njëkohësisht edhe një faliment të pashpallur të kompanisë nën pronësi publike, llogaritë e së cilës janë bllokuar që prej tre vjetësh dhe të ardhurat e së cilës duket se janë konfiskuar nga sistemi gjyqësor belg për shkak se qeveria shqiptare refuzon të paguajë një gjobë gjyqësore që i ka vendosur një gjykatë ndërkombëtare arbitrazhi për sekuestrimin nga qeveria shqiptare të aseteve të biznesmenit kontrovers italian Francesco Beçhetti.

Projektligji thotë se të ardhurat që enti i ri do të ketë nga aktiviteti i vet, duhet të “përdoren ekskluzivisht” për qëllimet e ekzistencës së entit dhe se këto të ardhura “gëzojnë imunitet nga urdhrat e ekzekutimit”.

Projektligji thotë gjithashtu se kompania Albcontrol sh.a., “prishet pa kaluar në likuidim”, ndërsa një auditues ligjor do të caktohet për të kryer procedurat e nevojshme.

Nuk është e qartë nëse hileja e shpalljes së të ardhurave të Albcontrol “imune” ndaj konfiskimeve do të mund të shpëtojë entin e ri nga urdhra bllokimi të ngjashëm me atë të lëshuar nga gjykatat belge.

Qeveria shqiptare i ka dhënë dy kredi aktualisht kompanisë Albcontrol me vlerë totale 5 miliardë lekë. Projektligji dhe relacioni nuk bëjnë të ditur se si kjo kredi, e dhënë nga paratë e taksapaguesve, do të mund të shlyhet nga kompania Albcontrol.

Agjencia për Media dhe Informim e qeverisë nuk iu përgjigj pyetjeve të BIRN-it nëse synimi kryesor i projektligjit ishte për të shpëtuar Albcontrol-in nga gjoba “Beçhetti”.

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se nuk do ta paguajë gjobën prej 108 milionë euro të vendosur nga Gjykata Ndërkombëtare e Arbitrazhit në favor të biznesmenit kontrovers italian për konfiskimin e paligjshëm të televizionit Agon Channel nga autoritetet shqiptare në vitin 2015.

Por ndryshe nga sa pretendon Rama, pagesat po bëhen përmes llogarive të kompanisë publike, Albcontrol pranë organizatës Eurocontrol, duke e vënë këtë kompani në rrezik falimenti.

“Gjatë vitit 2022, ashtu si edhe gjatë vitit 2021, shoqëria nuk ka arkëtuar asnjë të ardhur nga shërbimi en route dhe terminal charge si pasojë e një vendimi të gjykatës së shkallës së parë të Brukselit, për ngrirjen e llogarive të Albcontroll Sh.A. pranë organizatës Eurocontrol,” -thuhet në raportin e Albcontrol mbi bilancin e vitit 2022. Totali i këtyre shumave të bllokuara deri në dhjetor 2022 ishte 6.75 miliardë lekë [mbi 60 milionë euro me kursin e kohës]. Shuma e bllokuar besohet se është shtuar me të ardhurat e vitit 2023 dhe të muajve të parë të vitit 2024./BIRN