Mishi i Brazilit shitet si i freskët Kosove: “Shkrije 24 orë para dhe s’kuptohet”

21
Sigal

Ja si po helmohen qytetarët me etiketat, çmimin, cilësinë , ku një vit shqiptarët konsumuan 600 mijë kg mish të ngrirë nga Brazili

Bizneset e babëzitura kamuflojnë mishin e ngrirë nga Brazili si mish të freskët nga Kosova për të mos paguar taksën doganore, duke vënë në rrezik shëndetin e konsumatorëve.

Një shprehje popullore thotë se: ‘ne jemi ajo çfarë hamë’. Çështja tek ne në Shqipëri, është se nuk dimë se çfarë hamë. Çështja që emisioni investigativ “Stop” ka trajtuar një skandal të përmasave të frikshme pasi ka të bëjë me ushqimin e të gjithëve ne. Mishi me origjinë nga Brazili, importohet nga Kosova nga kompania “Apetit shpk”. Më pas në etiketë shkruhet se është mish i freskët nga Kosova. Sipas burimeve të “Stop”, vetëm për vitin 2023 në Shqipëri janë importuar rreth 600 mijë kg mish nga kompanitë shqiptare nga kompania “Apetit shpk”.

Dekani i Fakultetit të Bioteknologjisë në UBT, Kapllan Sulaj shpjegon se si funksionon industria e mishit, siguria ushqimore sipas standardeve të BE-së dhe karakteristikat, që identifikojnë mishin e freskët nga mishi i ngrirë me origjinë nga Brazili.

Kapllan Sulaj, Dekan, Fakulteti i Bioteknologjisë: “Mishi kryesisht i importit vihet me sasira të mëdha nga Brazili dhe Argjentina. Janë këto 2 vende, të cilat kanë kapacitete të mëdha prodhuese të mishit. Nga këto, marrin dhe vendet e zhvilluara, merr dhe Gjermania, merr dhe Franca, edhe Anglia. Edhe ne i jemi përshatur legjislacionit të Bashkimit Europian. BE importon nga Argjentina dhe Brazili nga stabilimente të prodhimit të mishit të licencuara, të cilat janë inspektuar disa herë nga Bashkimi Europian dhe janë verifikuar që plotësojnë të gjitha kushtet higjeno-sanitare për prodhimin e mishit.

Përmes pikës doganore të Morinës duke i kaluar të gjitha kontrollet e vulave veterinare të therrjes, apo edhe falsifikimi i origjinës së mishit. “Apetit shpk” kishte falsifikuar edhe çmimin për të mos paguar detyrimet në bazë të çmimit real prej 15 Eurosh për 1 kg mish fileto viçi.

“Stop” u informuam se në Shkozet të Durrësit, një biznes në emër të Ilir Gjonit, shet mish të ngrirë brazilian që hyn nga Kosova përmes “Apetit shpk”. Ky tregtar na tregon si ta shkrijmë mishin 24 orë përpara dhe ta servirim si mish të freskët Kosove.

Punëtori: Me të freskët nuk ia del dot asnjëherë se ne e shofim në Durrës.

Ilir Gjoni: Unë nuk them, që jam ndër më të mirët, por te mishi i viçit sot, u bëra 1 vit e gjysëm me një fjalë që jam mirë. Nuk më mungon asnjë gjë në frigorifer. Unë shes nëpër shumica.

Qytetari: Ti ke viçat e tu, apo?

Ilir Gjoni: Unë kam mish të ngrimë, o vlla. Këtu flitet për mish të ngrirë. Pra mishi i ngrirë e kërkojnë të gjithë hotelet. Pra ti varet çfarë do. Pra ça ka viçi, muskul, knukël, shpatull, kundrafileto, fileto…

Ilir Gjoni: “Ore unë ta bëj, sa do ti nuk e kam problem. Problemi është, që është i ngrirë, jo i freskët. Kjo fileto përdor gjithë agroturizmi vërdallë. Problemi është, që ti do marrësh atë produkt, që të shërben. Pra ajo fileto viçit, që e merr ti këtu të ngrime, ajo lihet në frigorifer freskues për 24 orë dhe të nesërmen gatuhet. Ti s’ke për t’i thënë, që është e ngrime.

Qytetari: Këtë mishin më tha, që është i shtrenjtë ky i byftekut. Këtë e merr nga Brazili ti? Ilir Gjoni: -Të gjitha Brazili janë. Me kamera të fshehtë, “Stop” mori rolin e biznesmenit të hotelerisë dhe porositi 1 ton mish nga “Apetit shpk” në Kosovë. Por dokumentat u bënë sikur 1 ton mish fileto viçi ishte mish i freskët nga Kosova, i therur në janar 2024. “Apetit” me ndihmën e Agjensisë së Ushqimit dhe Veterinarisë me inspektor Qenan Maxhuni bënë të mundur falsifikimin e origjinës së mishit nga Brazili në Kosovë. Sipas marrëveshjes të Ceftës, kjo kompani nga Kosova nuk paguan taksën doganore kur eksporton mish me origjinë nga Kosova në Shqipëri.

Krim ushqimor i përsëritur

Kjo problematikë e lartpërmendur , është kthyer në rutinë skandalesh që s’kanë fund. Shumë herë janë zbuluar në Portin e Durrësit kontenierë me qindra ton mish të importuar, të cilat janë me sarmonelë. Asnjëherë nuk janë bërë transparente se ku shkuan këto mijëra ton mish të infekuar? U kthyen në destinacionin nga erdhën? Vështirë! U asgjësuan? Nuk ka asnjë procedurë të zbardhur e të publikuar, të paktën për transparencë: Kush i asgjësoi? Ku u asgjësuan? Zbardhja e krimit ushqimor, duhet të fillojë nga hetimi për blerje kafshësh e pulash të sëmura e të ngordhura nga të gjitha kompanitë që veprojnë në treg.