Prof. Dr. Artan Xh. Duka: Duam apo na duhet!

18

Populizmi mbetet gjithnjë kërcënim për demokracinë. Me dëshirën e qytetarit, vullnetin e shumicës, zërin e sovranit etj abuzohet shpesh nga politika në demokraci. Populizmi i ka shndërruar ato në klishe e fasadë me ndikim në vetë besueshmërinë e demokracisë e institucionet e saj duke e shndërruar politikën populiste në minuese të sistemit demokratik.  

Sigal

Telegraf.al / Në filmin komedi “Anchorman 2: The Legend Continues”, spikeri i lajmeve Ron Burgundy e ekipi i tij, të ngarkuar me rubrikën e lajmeve gjatë orëve të natës, përballeshin me një bast “o ti, o unë” audience me spikerin e lajmeve më me emër të televizionit në orarin pik të mbrëmjes. Në dëshpërim e sipër e mes ideve nga më provokuese për të krijuar audiencë në turnin e natës, Ron shfryn duke thënë: “Nuk e marr vesh përse vallë duhet t’u themi njerëzve atë që ata kanë nevojë të dëgjojnë. Përse nuk mund t’u themi atyre atë që ata duan të dëgjojnë?”

Penguesit e demokracisë!

Jo gjithnjë ajo që është më popullore është me patjetër më e mira që duhet thënë e bërë dhe politika nuk bën përjashtim. Shumica nuk është domosdoshmërisht e duhura apo e vërteta që parimisht mbetet përtej nesh. Shumica ka qënë pas, aktive apo si dekor, deri edhe në mjaft ngjarje tragjike në botë dhe vetë demokracia, sinonim i shumicës, nuk është e përsosur, sepse dikur edhe atë që i falen sot besimtarët e krishterë, e kryqëzuan pas zgjedhjes që bëri turma në shesh!

Populizmi mbetet gjithnjë kërcënim për demokracinë. Me dëshirën e qytetarit, vullnetin e shumicës, zërin e sovranit etj abuzohet shpesh nga politika në demokraci. Populizmi i ka shndërruar ato në klishe e fasadë me ndikim në vetë besueshmërinë e demokracisë e institucionet e saj duke e shndërruar politikën populiste në minuese të sistemit demokratik.

Populizmi dëmton si kur politika “dëgjon” qytetarin për pak pushtet e vota më shumë duke normalizuar e legalizuar prirje në shoqëri që bien ndesh me themelet e demokracisë e të mirën afatgjatë të vetë shoqërisë si psh. ligji 7501 etj, ashtu edhe kur bën… sikur dëgjon ndërkohë që spekullon e shfrytëzon si sebep vullnetin qytetar për të vijuar me kulisat e abuzimin e saj nga ligji zgjedhor 2008, sajesa si Këshillimi Kombëtar, vetë 7501 etj.

Qytetari e vota e tij ka kohë që nuk vërshëllehet dhe prej 2008, bazohet në ligj. Sa për referendumin, ai është mall “vitrine” vetëm për reklamë ndërkohë që sajesa e Këshillimit (Karshillëkut) Kombëtar “zbardh” politika që arroganca politike deri i bën fakt si qasja e përfolur me Ballkanin e Hapur, hapja e kutisë së pandorës me kanabisin mjekësor etj.

Populizmi nuk shpie ujë në mullirin e demokracisë dhe aq sa ka rëndësi hartimi i politikave me dëshirat e qytetarit në mëndje po aq ka rëndësi edhe ecja me politika e reforma për të cilat qytetari sot dhe brezat më pas kanë nevojë, qoftë edhe me çmimin e pushtetit. Politika bazohet në bindjen se po bën gjënë e duhur dhe vota kërkohet për të dhe jo për kauza populiste të ditës. Dhe nëse sot shumica nuk të mbështet dhe nuk të jep pushtet, ashtu qoftë! Koha prapë punon për ty!

Lajmi nga Gjermania e populizmi që ngre vesh!

Legalizimi i pjesshëm i përdorimit të kanabisit në Gjermani nuk është lajm vetëm për Gjermaninë. Është shteti kryesor në BE, zëri kryesor atje dhe shteti nga ku hedhim sytë shpesh edhe ne. Gjermanët e dinë vetë të mirën e tyre dhe koha do të tregojë teksa ky ligj po komentohet shumë e vetë politika nuk ndan një mëndje për të. Por ndërkohë, kjo lëvizje me shumë gjasa, në mos krijon shëmbull apo sebep për vënde të tjera, do të ndikojë edhe debatin publik rreth kauza të ndjeshme, sikurse është legalizimi i kanabisit, përtej Gjermanisë.

E kemi të freskët populizmin e Këshillimit Kombëtar për legalizimin e kanabisit mjekësor. Sondazhet e ditës e populizmi, aq më tepër i nxitur nga lart, nuk është “steka” ku duhet të bazohet politika dhe kjo, nisur edhe nga lajmi në Gjermani, përfshinë edhe ndonjë kuturisje të nesërme për legalizimin e kanabisit për qejf! Sot Gjermania e legalizoi pjesërisht kanabisin për qejf, por nesër, me një qeverisje tjetër, mund ta anullojë atë. Rëndësi ka që debati i atjeshëm, të mbetet atje dhe politika jonë të mos marrë shtytje nga ky kontekst e kuturiset në sondazhe, apo Këshillime Kombëtare për gjëra që nuk i vlejnë shoqërisë, pavarësisht larmisë së pashmangshme të zërave brënda saj. Tjetër gjë kanabisi mjekësor e tjetër gjë ai për qejf! Kanabisi mbetet drogë dhe ndërsa bëmë namin për duhanin, do të linim nam nëse do të nxitej nga lart një debat për kanabisin sipas shëmbullit gjerman. Do të ulej steka jo thjesht për kanabisin, por dhe drogra të tjera më pas.

Nëse politika tek ne ndjek shëmbullin gjerman, do të ishte zbythje ndaj vesit dhe ky i fundit nuk ka kufinj. Një qasje e tillë që do të shpërfillte mendimin shkencor në favor të populizmit politik do të ishte mjerim e bumerang vlerash për sistemin, drejtësinë e moralin shoqëror, njëlloj reminishence e diskriminimit të djeshëm ndaj atyre që deklarohen se u persekutuan nga që bënë dje atë që ndjenë, pavarësisht ligjeve në fuqi. Droga mbetet drogë dhe masivizimi nuk është arsye për ftesë për debat për pranim për më tepër që debati vlon për pasojat afatgjata shëndetësore e sociale nga shkatërrimi i jetëve, kaosi e cënimi i kohezionit social, familjes, rendit e sigurisë etj.

Politika duhet të bëjë atë që e mira e përgjithshme kërkon. Ajo duhet të japë shëmbullin personal e ofrojë, sikurse dekriminalizimi, transparencë për qëndrimin personal ndaj drogës duke qënë e hapur edhe për testim për të. Mbase kuturisja e rastit me drogën dikur mund të mos jetë arsye për të përjashtuar dikë vite më pas nga politika por ka rëndësi që qytetari ta dijë se ai që vendos sot për të, vendos me mëndje të kthjellët larg varësive nga droga, alkoli etj. Fundja, ndëshkojmë me ligj ngarjen e makinës të pirë apo nën influencën e drogës e jo më kur bëhet fjalë për “makinën” e shtetit e milionat, fatet e ëndërrat qytetare në të.

E duhura që vlen për shumicën, jo domosdoshmërisht kalon nga shumica, por nëse qeveria do të testojë qytetarin me Këshillime Kombëtare, ta bëjë për gjëra që shoqëria si e tërë ka nevojë për to e jo për dëshira e preferenca të ditës mes nesh. Ta nisë me sistemin zgjedhor duke e ratifikuar më pas në referendum, e të vijojë me vetë integrimin në BE (nëse bëhemi vetë si BE kujt i hyn në punë anëtarësia që kufizon pavarësinë?), qëndrimin ndaj së shkuarës, strategjinë e zhvillimit, politikat e jashtme etj që duhet të publikohen para se vota të hidhet në kuti dhe jo surprizojnë qytetarin më pas.

Politika nuk duhet të ndjekë gjithnjë pas e për gjithshka shoqërinë, por duhet edhe t’i prijë asaj edhe atëhere kur shumica mendon ndryshe nga ajo. Ndryshe, do të përflitet gjithnjë për populizëm e hipokrizi dhe të humburit e mëdhenj janë demokracia e vetë qytetari.