Mirela Karabina: Ja pse ky nuk është arsimi që duam!

1779
Sigal

Përdorimi politik i shkollës me të bërit “sikur” dhe deformimi i modelit po rrënojnë çdo ditë arsimin. Jotransparente në çdo vendimmarrje të saj, të cilat kanë ndikim të madh social, ministria përgjegjëse për arsimin, dukshëm, nëpërmjet shkëlqimit të rremë virtual, por thellësisht të dëmshëm, ka dëmtuar në thelb edukimin dhe arsimin. Sistemi ynë arsimor është në një fazë të vështirë. Arsimi është një e mirë publike ndaj dhe është shumë i ndjeshëm, ndaj dhe interesi për të është shumë i madh. E gjithë shoqëria i ka sytë tek shkolla, sepse aty është e sotmja dhe e ardhmja e saj. Por, fatkeqësisht, shoqëria është e shpërfillur për të qenë pjesë e zhvillimit, vendimmarrjes dhe ecurisë së arsimit, pasi politikat qeverisëse, strategjia e ministrisë sonë përgjegjëse për arsimin kanë qenë larg interesit të saj, pra, e kanë kthyer arsimin ashtu si e duan dhe, jo ashtu si shoqëria e kërkon dhe e dëshiron.

Kjo është shumë!

“Oreks” i dëmshëm ky për shëndetin e sistemit arsimor.

Po cila është gjendja e cikleve të arsimit?

  1. a) Reforma në arsimin parauniversitar (që përfshin moshën nga 3 vjeç deri më 18 vjeç), më 2013-ën, e quajtur nga qeveria “si guri i themelit të suksesit të gjeneratës së re” është kthyer në rrënimin e themelit të gjeneratës së tanishme. E paraqitur si një histori suksesi që do të prekte disa fusha, reforma kurrikulare në arsimin parauniversitar ka vendosur arsimin bazë në një periudhë të vështirë e më nga më absurdet, duke e lënë atë të mbijetojë përballë një modeli i cili, tashmë, është i deformuar.

-Arsimi parashkollor (mosha tre deri gjashtë vjeç), cilësuar mijëra vjet më parë nga themeluesit e filozofisë njerëzore, si faza bazike e zhvillimit shoqëror dhe intelektual të fëmijës, pasi për herë të parë ai shkëputet nga njësia familje, është injoruar dhe shpërfillur nga politikat qeverisëse.

Me papëgjegjshmërinë e treguar në veprimtarinë e saj, ministria përgjegjëse për arsimin ka lënë në terr informativ dhe pa zgjidhje probleme themelore që duhet të jenë transparente për publikun: infrastruktura e kopshteve nuk ofron ambiente të përshtatshme për të gjithë fëmijët; klasat përgatitore (grupmosha 5-6 vjeç) një pjesë e të cilave zhvillojnë mësimin në ambientet e kopshteve duke punuar me programe sipas grupmoshave miratuar nga Ministria në 2007, dhe një pjesë e tyre zhvillojnë mësimin në ambientet e shkollave duke punuar me kurrikulën e ndryshuar në 2013-ën duke sjellë pabarazi në formimin e fëmijëve dhe moskoherencë ndërmjet cikleve; numri i madh i fëmijëve për grup vështirëson zhvillimin shoqëror, intelektual dhe fizik të tyre, p.sh. grupet e fëmijëve në kopshte dhe klasat përgatitore janë me 47 fëmijë, nga 25 standardi i kërkuar; mungesa e trajnimeve dhe mbështetjes së punonjësve arsimorë në këto nivele, të cilët punojnë në kushte të vështira dhe jo normale dëmton edukimin e vlerave, arritjen e standardeve të kërkuara dhe përgatitjen e fëmijëve për arsimin fillor; mungesa e mjeteve mësimore cenon formimin e aftësive, qëndrimeve dhe vlerave tek fëmijët. Vëmendja për “kujdesin “ ndaj arsimit parashkollor i është servirur publikut vetëm me ndryshimin e menysë së ushqimit nga njësia qendrore vendore (bashkia), duke anashkaluar problematikat e mëdha që nuk po marrin zgjidhje, duke luajtur kështu me imazhin djallëzor të të bërit “sikur” në çështje të ndjeshme për publikun , ushqimin e fëmijëve, por, mesa duket, me shumë vlerë dhe me “interes të madh” për politikat e ndjekura. Por, një gjë thelbësore që publiku nuk e ka të qartë dhe nuk po e kupton është, se përgjegjësia për arsimin parashkollor, pra, cili është institucioni kryesor nga varen kopshtet, pasi njëherë duhet t’i drejtohet njësisë bazë të qeverisjes vendore (bashkisë) për problemet e regjistrimit dhe financimit, dhe herë tjetër njësisë arsimore vendore; disa njësi vendore i administrojnë kopshtet jashtë kompetencave ligjore, ndërsa disa të tjera jo.

Pra, baza themelore nga ku fillon zhvillimi tërësor i fëmijëve dhe integrimi tyre në arsimin fillor është i shpërqendruar dhe i lënë sipas “oreksit” të interesave.

Dëm i pakthyeshëm për këta fëmijë!

  1. b) Arsimi parauniversitar (arsimi fillor kl.1-5, arsimi i mesëm i ulët kl.6-9, arsimi i mesëm i lartë kl.10-12) është në një çoroditje të organizuar; është dëmtuar mësuesi i cili drejton dijen dhe kurrikula si themeli mbi të cilin ngrihet procesi i arsimimit, si dhe thelbi i çdo procesi reformimi tërësor apo të pjesshëm të arsimit.

-Kështu sot kemi: mësues të trysnuar, të frikësuar, të çorientuar dhe të denigruar me “portale”, “pikëzime” e “nisma” si të paaftë përballë shoqërisë; huazim të kurrikulës shkollore të Kosovës më 2013-ën,(ndërkohë vlerësimet ishin jopozitive në atë kohë për ecurinë) e ndërtuar në bazë të kërkesave të tregut të këtij vendi, mësues të papërgatitur dhe të painformuar pasi nuk u trajnuan për metodologjinë e zbatimit të kësaj kurrikule, infrastruktura e shkollave nuk mundësonte zhvillimin e veprimtarive të domosdoshme mësimore, teknologjia e munguar nuk lehtësonte dhe krijonte zhvillimin bashkëkohor të mësimit, mungesa e buxhetit të shkollave për të investuar në dije pengonte realizmin e kësaj kurrikule; Maturë Shtetërore të dëmtuar dhe denigruar si proces dhe në moskoherencë me ciklin universitar (provimet e maturës të pranimit në universitete janë me skemën e vjetër dhe universiteti zbaton skemën e re bazuar në Ligjin e Arsimit të Lartë); reformë abuzive jotransparente e altertekstit duke nxjerrë në pah babëzinë fatale përballë njohurisë dhe dijes.

Pra, asnjë përpjekje për të mbështetur dhe motivuar mësuesit.

Por, mjerisht, përdoren për çdo gjë si “kavie” e arrogancës së pushtetit!

Për asnjë nga kriteret e zbatimit të kurrikulës së re shkolla jonë nuk ishte e gatshme.

Por, fatkeqësisht, ajo u hodh pamëshirshëm në treg!

Asnjë ndryshim në Maturën Shtetërore për integrimin midis ciklit parauniversitar me atë universitar, asnjë përpjekje për të vendosur dinjitetin e provimeve të maturës duke përmirësuar administrimin e saj.

Por, mjerisht, deformimi i saj vazhdon të jetë legjitim!

Ky është plotësisht rrënim!

  1. c) Arsimi universitar është në ditë shumë të vështira. Reforma e Arsimit të Lartë e artikuluar nga qeveria siskemë e re financimi dhe shërbimesh”, realisht, ka mbetur në trajtën e një retorike të dëmshme, çoroditje e organizuar e institucioneve të arsimit të lartë dhe rrënim i tij.

-Kështu, në fakt, Ligji i Arsimit të Lartë dhe i Kërkimit Shkencor 80/2015 duhet të quhet“Ligji i ministrisë së arsimit për arsimin e lartë që ajo do” pasi me këtë ligj të pazbatueshëm, me 42 akte nënligjore të munguara ( të cilat duhet të kishin dalë 9-12 muaj pas hyrjes në fuqi të ligjit) ka sjellë rrënim të arsimit të lartë, ka penguar zhvillimin dhe rritjen e cilësisë duke krijuar një arsim të lartë plotësisht të varura nga interesa klienteliste .

Kështu fakt është se:

-Mungesa e akteve nënligjore, nxjerrja herë pas here e udhëzimeve nga ministri edhe duke shpërfillur ligjin, ka krijuar pështjellime;

-Buxheti për arsimin (shumë më i ulët krahasuar me vendet e OECD-së) është ulur në 16 mln euro më pak, janë ulur investimet për arsimin e lartë, financimi për student është 600-700 Euro, krahasuar me 18 mijë euro për student në vendet e OECD-së, universiteti nuk financohet mjaftueshëm dhe pagat për pedagogët sigurohen vetëm për 10 muaj, fondet për kërkimin shkencor janë shumë të ulëta, 4-5 mln $ krahasuar me 40 mln $ në vendet evropiane;

-Bllokimi i qëllimshëm i shkollës doktorale në universitetet publike ka privuar atë nga burime të rëndësishme kërkimore njerëzore dhe financiare, duke ndikuar në cilësinë e tyre;

-Nxjerrja dhe zbatimi i udhëzimeve nr 13. datë 22.07.2016 , dhe nr.15 datë 19.05.2017 të Ministrisë së Arsimit janë një dëshmi e centralizmit të procesit të pranimit në universitete, duke mos lejuar universitetet të organizojnë dhe menaxhojnë vetë këtë proces të rëndësishëm si e parashikon ligji;

-Pezullimi i titujve dhe gradave shkencore sepse ministria nuk ka bërë publike listën e institucioneve që përmbushin kriteret për dhënien e titujve akademikë bie ndesh me reformën, e cila ka si qëllim rritjen e cilësisë së mësimdhënies dhe sasisë e cilësisë së kërkimit shkencor për funksionimin normal të IAL-ve;

Vlerësimi paradoksal i jashtëm i institucioneve të arsimit të lartë, vërejmë, se bëhet mbështetur në Kodin e Cilësisë së Arsimit të lartë, ndërkohë që ligji ka penalizuar autonominë financiare të institucioneve të arsimit të lartë me uljen e buxhetit në pagesa, shërbime dhe kërkimin shkencor;

-Struktura universitare jo efektive, që për fat të keq i janë nënshtruar paligjshmërisë së ministrisë së arsimit, të pafuqishme për ta kundërshtuar atë, duke mos qenë pjesë e zgjidhjes.

Realitet i hidhur, por i vërtetë!

Por a ka zgjidhje të kësaj situate alarmante ku është katandisur arsimi në Shqipëri?

Ka, si nuk ka!

Me dëshirën për të bërë me të mirën, me vullnetin për punuar fort pavarësisht vështirësive, me dashurinë për këtë vend arsimi mund të shpëtojë nga ky fatalitet.

Arsimi parashkollor duhet të vendoset në prioritetet e politikave qeverisëse sepse përbën pjesën themelore bazike në formimin e fëmijës, pasi fëmija zhvillohet në tërësi, ndaj mbivlerësimi apo nënvlerësimi i cilitdo cikël arsimi apo fushe zhvillimore është i gabuar, ai nuk zhvillohet në mënyrë të fragmentuar. Kështu që, për përmirësimin e tij duhet:

  • Unifikimi i klasave përgatitore d.m.th të punojnë me të njëjtat standarde, kalimi i tyre në arsim të detyrueshëm, pasi kurrikula që zbatohet në arsimin fillor (klasa e parë) është e ngritur mbi këtë bazë;
  • vendosja e rëndësisë për arsimimin dhe trajnimin e punonjësve arsimorë të ciklit bazik parashkollor;
  • vendosja e mësuesit mbështetës që do të lehtësojë dhe do të krijojnë mundësinë e gjithëpërfshirjes normale të fëmijëve;
  • qartësia dhe zbatimi i kompetencave ligjore të njësisë vendore dhe njësisë arsimore në bashkëpunim për funksionimin normal të këtij cikli;
  • regjistrimi i fëmijëve në kopshte bazuar në njësitë e qeverisjes vendore, të cilës i përkasin do të rregullonte numrin e fëmijëve për grup, duke normalizuar dhe lehtësuar të nxënit e tyre etj.

-Arsimi fillor, arsimi i mesëm i ulët dhe arsimi i mesëm i lartë që të ndryshojnë dhe të përmirësohen duhet:

  • Mbështetje për mësuesit nëpërmjet trajnimit profesional nga struktura të specializuara që do sigurojnë përmirësimin e aftësive pedagogjike dhe rifreskim të njohurive akademike, pasi është detyrim ligjor i ministrisë dhe politikave qeverisëse;
  • Vlerësim dhe motivim për mësuesit sepse kanë në dorë të ardhmen , pa mësues të mirë dhe të vlerësuar asnjë reformë nuk materializohet;
  • Zbatimi i një kurrikule shkollore shqiptare të ndërtuar bazuar në kërkesat e tregut dhe mbështetur në zhvillim tonë ekonomik;
  • Ngritja e strategjive mësimore dhe kthimi i tyre në standarde të arritjes duke qartësuar thelbin – ngritjen e nivelit të të menduarit të nxënësve duke kaluar nga shkolla e trashëguar riprodhuese zbatuese, në atë sintetizuese, vlerësuese dhe mbajtjes së qëndrimeve për njohuritë e mësuara;
  • Një proces transparent profesional të përzgjedhjes së teksteve dhe rishikim i kësaj reforme;
  • Regjistrimi i nxënësve në shkolla bazuar në njësitë vendore, së cilës i përkasin, do të rregullonte numrin tejet të madh të nxënësve në klasa;
  • Miratim i buxhetit për shkolla dhe mbështetja e tyre etj.

-Arsimi universitar si akti final i certifikimit të lartë profesional të studentit meriton vëmendje.

Kështu duhet:

  • Vendosja e një ligji për arsimin e lartë të mirëmenduar nga profesionistë të fushës dhe të zbatueshëm, me akte nënligjore të përfunduara dhe në interes të kësaj të mire publike;
  • Rritja dhe zhvillimi i institucioneve të arsimit të lartë nëpërmjet konkurrencës së ndershme që t’i përgjigjen ritmeve të zhvillimit të universiteteve në hapësirën evropiane dhe më tej, duke lejuar autonominë dhe lirinë akademike;
  • Mbështetja financiare e domosdoshme për përmirësimin e cilësisë dhe zhvillimin e tyre duke mbështetur kërkimin shkencor për një zhvillim të thellë të dijes shkencore;
  • Vendosja e mekanizmave ligjorë dhe treguesve të qartë për monitorimin dhe vlerësimin e institucioneve të arsimit të lartë, në mënyrë që të kemi një arsim të lartë të vlerësuar drejt, të rankuar sipas meritës me qëllim që t’i japim mundësinë e zgjedhjes studentëve tanë.

Për kredo politike dhe interesa të ngushtë duke shpërfillur dhe injoruar fazën bazike të formimit të fëmijës, arsimin parashkollor, me kurrikula shkollore të aplikuara në mënyrën më të keqe të mundshme, me ligj për arsimin e lartë të pazbatueshëm duke e mbajtur peng zhvillimin dhe përmirësimin e cilësisë së institucioneve të arsimit të lartë ministria përgjegjëse për arsimin, qëllimisht ka penguar zhvillimin e arsimit . Tabloja rrëqethëse e të bërit ‘sikur” dhe deformimit të modelit në themel të filozofisë shkatërruese të arsimit nga ministria përgjegjëse për arsimin dhe politikave qeverisëse ka sjellë çdo ditë përpara nxënësve dhe studentëve shqiptarë një arsim që lëngon nga cilësia, ligjshmëria dhe kredibiliteti.

Ja pra, pse nuk është ky arsimi që ne duam, por, nuk është as kjo ministria përgjegjëse për arsimin që ne duam, pasi i mungon qëllimi kryesor në ushtrimin moral dhe institucional të funksionit: qëllimi i moralshëm, detyrimi për të përmirësuar dhe për të bërë më të mirën për arsimin e fëmijëve shqiptarë.

 Sqarim: Kurrikula është tërësia e dokumentacionit dhe materialeve të tjera dhe tërë veprimtaria e organizuar në mjedisin e të mësuarit që shërben për formimin e nxënësve.

Kompetenca: kombinimi i dijeve, shkathtësive dhe qëndrimeve për një kontekst të caktuar të një situate të njohur ose të re.