Ministria e Mjedisit “merr fshesën” e luksit, 1 mln USD për pastrimin e bregdetit në vilat e biznesmenëve dhe shtetarëve

216
Sigal

 

Në një kohë krize, ku të gjitha çmimet vijojnë rritjen, fshesa” e ministres nuk është ajo që përdorin njerëzit e thjeshtë, por milionat e akorduara me një të rënë të lapsi për tender: pastrimi i fshatrave turistikë të oligarkëve

Në një kohë krize, ku të gjitha çmimet vijojnë rritjen, duke filluar nga shporta e ushqimeve, karburanti, qiraja, shtëpitë e madje po diskutohet edhe energjia elektrike, shteti bën tendera luksi.

Këtë rradhë po publikojmë tenderin jo për mobilime zyrash apo të tjera si këto, por një tender që iu vjen në “ndihmë ” më të pasurve. Janë siguruar dokumentet e një tenderi të kryer nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, e drejtuar nga ministrja Mirela Kumbaro, e cila ka akorduar rreth 1 milionë USD për të pastruar fshatrat ku në muajt e verës kalojnë pushimet njerëzit më të pasur të Shqipërisë, dhe rezidencat e tyre janë të paarritshme nga pjesa dërrmuese e popullsisë.

Por, “kumbara” e të pasurve, ministrja me të njëjtin mbiemër, u vjen në ndihmë duke marrë fshesën dhe do t’u pastrojë oborrin. Natyrisht, “fshesa” e ministres nuk është ajo që përdorin njerëzit e thjeshtë, por milionat e akorduara me një të rënë të lapsit. Sipas dokumenteve që, Agjencia Kombëtare e Bregdetit, institucion në varësi direkte të Kumbaros, ka hapur tenderin me objekt “shërbim pastrimi i zonës bregdetare për bashkitë Durrës, Sarandë, Kavajë dhe Himarë”.

Natyrisht, “kleçka” nuk është objekti, por specifikimet që do t’i analizojmë më poshtë. “Fondi limit për këtë procedurë është 91,557,753 lekë pa TVSH. Ose 756,301 euro pa TVSH” shkruan në dokumente institucioni i Kumbaros.

Por, në këtë rast e kanë shkruar pa TVSH, ku nëse shtohet 20 % e vlerës së akorduar, atëherë shuma shkon në plot 1 milionë USD. Në dokumente thuhet se kohëzgjatja e kontratës ose afati për zbatimin e saj është data 15 qershor 2022 – 15 shtator 2022. Pra, për 90 ditë!

“Kleçka”

Më sipër analizuam dokumentin e Agjencisë së Bregdetit, me vetëm disa fjali, ku jepej një objekt i shkurtër dhe shuma e akorduar. Por, vijuam hulumtimin te dokumentet shoqëruese, ku rezultoi se synimi i këtij tenderi është padyshim pastrimi i fshatrave turistikë të oligarkëve.

Agjencia shkruan se do pastrohet bregdeti i Durrësit, Kavajës, Himarës dhe Sarandës. Por, bregdet ka edhe Shkodra, madje shumë të bukur në Velipojë. Por, edhe Lezha me Shëngjinin, Rana e Hedhur e shumë e shumë të tjera. Por, edhe Lushnja, me Divjakën, apo Rrogozhina me Spillenë, për të vijuar me bregdetin në Fier. Por, kush e “harroi” Vlorën? Bregdeti i saj fillon nga grykëderdhja e Semanit dhe përfundon në Karaburun, ku janë gërshetuar të gjitha llojet e plazheve, me rërë, gurë, shkëmb, etj, etj.

Tani, të ndalemi te objekti i tenderit! E fillojmë nga Durrësi, ku në dokumentet shoqëruese është edhe një hartë e bregdetit, që do të pastrohet. Ajo përfshin me radhë të gjitha fshatrat turistikë në Gjirin e Lalzit. Gjithkush ka informacione se kush ka vila në atë vend. Ndërkohë, harta vijon me fshatrat në Golem apo Kavajë, ku sërish kanë vila politikanë dhe biznesmenë.

Vijojmë më në jug të vendit, në një nga zonat më të bukura të Shqipërisë, e cila vitet e fundit po shndërrohet një kantier të madh ndërtimi. Sipas dokumenteve, Agjencia e Bregdetit ka përfshirë për të pastruar të gjithë fshatin turistik të z.Samir Mane në Palasë, i quajtur Green Coast. Por, në atë zonë ka edhe fshatra të tjerë, të cilët janë “përjashtuar” nga pastrimi!

Por, ky nuk ka qenë i vetmi “nder” i shtetit për Green Coast. Në dhjetor të vitit 2020, u  denoncua me një seri shkrimesh se shteti ishte vënë totalisht në shërbim të z.Mane. Megjithëse është një investim privat, qeveria akordoi 1.5 milionë euro sipas boldnws për ujësjellësin privat të Green Coast, madje i ndërtoi rrugë, mole, pistë helikopterësh e shumë e shumë benefite të tjera. Të gjitha këto në “kurriz” të taksapaguesve shqiptarë, të cilët mezi e mbyllin muajin.