Kush ia hoqi shijen e keqe The Jacobs, pilula, dhe dy standartet e ONM-së

856
Sigal

Sonila Bejtja

 

Do e nis këtë shkrim duke nënvizuar dashamirësinë që kam personalisht ndaj njerëzve me emrin THEO;, më japin një ndjesi të butë dhe i përkthej në njerëz pozitivë dhe koherentë.

Por kësaj radhe po zhgënjehem fatkeqësisht:

Para ca kohësh pamë të gjithë ne shqiptarët e thjeshtë e sidomos juristët e përfshirë profesionalisht, seancën e mbajtur para KPK në lidhje me subjektin e  kualifikimit Donika Prela, aktualisht Kryeprokurore e KOMANDUAR e Prokurorisë së Krimeve të Rënda në Tiranë.

U ndjemë të gjithë të çliruar madje dhe më skeptikët, kur Zoti Theo Jacobs, një nga anëtarët e ONM, në cilësinë e oponentit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, foli mjaft fort, madje më fort sesa në raste pararendëse, duke thënë:

“Kjo seancë më ka lënë shijen e një pilule që e merr me ujë në mëngjes, të ngelet në fyt, e shija e saj e keqe të mbetet deri në periudhën e drekës”……

Gati gati duartrokita, jo sepse kam ndonjë mëri personale me Donika Prelen. Fare!! Madje nuk e njoh as personalisht as profesionalisht.

Por u ndjeva mirë sepse në ato momente mendova se kjo reformë ose më mirë ONM nuk qenka aq indiferente dhe përzgjedhëse ndaj subjekteve të vettingut.

Dhe me thënë të drejtën doja të shkruaja dy rreshta pozitive për vetë ONM dhe Theo Jacobs.

Edhe njëherë, jo për çështje personale, sepse nuk kam asgjë me Zj. Prela, por duke parë dhe konstatuar vetë ONM në seancë një seri pafund shkeljesh që ishin tejet flagrante e të pajustifikuara dhe mjaft serioze, siç dhe vetë ONM u shpreh në atë seancë.

Kisha bërë gati një monument fjalësh e  falenderimesh për Theon dhe ONM. Por si juriste me eksperiencë prisja momentin e ankimimit të vendimit të KPK-së që të isha brenda një kornize juridike të shëndoshë.

Dhe ja dje, ankimimi doli. U çlirova sepse koha më dha të drejtë e në fund të fundit “Drejtësia fiton thashë”. Por si për zhgënjimin tim sërish, lexoj ankimimin e konstatova se ndryshe nga mjaft raste të tjera pararendëse, ONM-ja nuk foli fare madje as Theo Jacobs hiç as edhe një fjali!!!!!

U rroka të gjej arsyet që e kishin transformuar Z. Jacobs nga ai luftëtar i seancës së KPK të kalonte në heshtje totale duke mos përkrahur as edhe një prej 5 shkeljeve të renditura nga vetë Komisioneri Publik në ankimimin e tij…

Çfarë ndodhi vallë? Ku mbeti pilula e ONM? Si iku shija e keqe e saj e me çfarë gjëje e kishte gëlltitur Z. Jacobs pilulën? Uji ndihmon vërtet por nuk e largon shijen e keqe të një ilaçi se personalisht jo vetëm mua por dhe humanëve të tjerë, shija nga diçka e keqe na largohet nga një ushqim i mirë në fund…qoftë dhe një kafshatë buke thatë….

Nuk besoj që ONM e cila personalizon idelalin e asnjësisë e të saktësisë, të kënaqej me kaq pak, duke heshtur.

Ku shkuan standartet e rrepta dhe strikte në gjykim të ONM?

Mbeta pa fjalë, hoqa mënjanë lavdet e përgatitura për ONM më parë dhe ja ku jam: duke vajtuar dy standartet e këtij organizmi që pritet të vërë drejtësi e të na bëjë të besojmë të gjithë shqiptarëve se REFORMA po shkon në drejtimin e duhur!!

Nuk qenka e thënë pra… Me duhet ti kthehem me mirë sondazhit të bërë ca ditë më parë nga KOMITETI SHQIPTAR i HESINKIT ku 63% e shqiptarëve nuk besojnë te Reforma në Drejtësi që po na serviret e thashë: Ç’më duhet mua të kundërshtoj atë që është në fund të fundit perceptimi i këtij populli e që me të drejtë është ai që doli në sondazh?

Nuk mund ta mbyll këtu këtë shkrim pa nënvizuar dhe diçka ose më mirë një shkelje tjetër flagrante të kësaj reforme që po serviret: Të gjithë Drejtuesit e Komanduar aktualisht nga PPP Marku, në të gjitha Prokuroritë e rretheve, përveçse po shihen me lupë nga ONM e komisionerë, janë dhe drejtues pa mandat!!!!

E them këtë sepse, me ngritjen e KLP në Janar 2019 dhe vënies së tij në fuknsionim, merr fund edhe situata tranzitore e këtyre drejtuesvë dhe pozicioni i tyre i përkohshëm. Që dmth ose KLP duhet ti konfirmonte në detyrë ose këta drejtues duhet të kthehen në pozicionet e tyre të mëparshme para komandimit.

Gjë që nuk po ndodh….

E në fund, pasi më është bërë lëmsh e gjithë doktrina juridike e gjithë SHTETIT TË SË DREJTËS, shoh dhe një gallatë tjetër: Sot propozohet i vetmi dhe pakonkurent Vate Stakaj në pozicionin  vakant të një anëtari të shkarkuar te KLP!!

Reformë të mbarë në drejtësi shqiptarët e mi të vuajtur!