Migracioni – nga problem në avantazh

1270
Sigal

Prof Dr. Arben Malaj

Dr Ledjon Shahini

Migrimi është kthyer në një nga plagët sociale më të mëdha të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Nëse nuk fillojmë të mendojmë dhe veprojmë sesi t’i reduktojmë rrënjët e migrimit, jo vonë do të gjendemi përballë disa sfidave:

  • rritje të deficitit demografik;
  • ulje të burimeve humane të rritjes;
  • rritje të ndjeshme të deficitit të skemave të sigurimeve;
  • rritje të kostove të arsimimit dhe shërbimit shëndetësor;
  • rritje të kostove të ndërtimit dhe mirëmbajtjes së infrastrukturës;
  • rritje të kostove të politikave zbutëse të disniveleve të zhvillimit.

Në fazën e parë të migrimeve përfitojnë vendet pritëse,ato përfitojnë fuqi të re punëtore, të mirë arsimuar/kualifikuar për të cilët nuk kanë bërë asnjë investim publik apo privatë. Në këtë fazë migrimi është kosto për vendet e Ballkanit. Në rastin kur migruesit kthehen në vendet e tyre, ata kthehen me njohuri të thelluara biznesi, me aftësi të spikatura profesionale, me network për tregjet e mallrave dhe shërbimeve, me ide novatore për tregje potenciale, me një kulturë të re shoqërore dhe politike,pra ata kthehen në një avantazh real për vendet tona.

Migrimi i përsëritur gjatë tranzicionit- pse migrojnë shqiptarët dhe në veçanti të rinjtë?

Ka disa faktorë që veprojnë afatgjatë dhe disa faktorë specifik që rritin flukset e emigruesve. Në faktorët afatgjatë mund të përfshijmë : 1. Pabarazia në të ardhura dhe standardi i jetesës është një nga faktorët kryesor të emigrimit – të ardhurat për banor në BE janë rreth 7.5[1] herë më të larta se ato në vend, ndërkohë që referuar fuqisë blerëse të Shqipërisë krahasuar me atë të BE-së, është rreth nivelit të 30% dhe e fundit krahasuar me vendet e Ballkanit perëndimor. [2]. Paga minimale mes vendeve të Ballkanit perëndimor dhe vendeve të BE ka gjithashtu një diferencë të konsiderueshme. Në Shqipëri paga minimale është rreth 179 euro, 208 në Bosnje, , Kosova 170, 235 në Maqedoni, 193 në Mal të Zi dhe 298 në Serbi ndërkohë që vende si Gjermania dhe Franca e kanë pagën minimale në nivelin e 1498 euro [3]. Pra paga minimale varion rreth 8.4 herë më e vogël sesa vendet ku të rinjtë synojnë të migrojnë. Mungesa e fuqisë punëtore ne vendet e zhvilluara, ekziston një treg i cili do të jetë i përhershëm dhe në rritje, sepse vendet e BE-së kanë një nivel të lartë të plakjes së popullsisë. Kjo rrit tregun e shërbimeve sociale ku aktualisht janë flukset më të mëdha emigruese. Vendet e zhvilluara janë në konkurrencë të ashpër për ekonominë e dijes, kjo rrit kërkesën për studentë dhe ekspertë IT nga vendet e Ballkanit. Ky është tregu i dytë dhe në rritje qe do të thithë talentet dhe të mirë arsimuarit; Është lehtësuar mundësia për të gjetur punë dhe ulur kostot e jetesës. Kjo, sepse flukset e para të viteve ’90 tani janë përshtatur plotësisht me jetën në vendet evropiane, njohin (a) ligjet, rregullat, (b) mundësitë e punësimit, arsimimit dhe (c) kujdesit shëndetësor, të cilat janë tre motivet kryesore, pse emigrojnë. Demokratizimi i dijes – po bëhet më e lehtë të studiosh dhe të gjesh një vend pune i cili përshtatet me njohuritë e të rinjve. Globalizimi nuk duhet parë si një mundësi për të ikur nga vendi, ai ka krijuar lehtësira shumë të mëdha vetëpunësimi për ofrimin e shërbimeve nga çdo skaj i globit pa qenë nevoja e prezencës fizike. Në faktorët e përkohshëm shtytës drejt emigrimit. Këtu mund të përfshihen:

Cilësia e qeverisjes– Edhe pse të ardhurat mund të konsiderohen një faktor bazë, shpesh janë mungesa e shërbimeve publike, apo përfitimi i të drejtave bazike ato që bëjnë që një pjesë e të rinjve edhe pse me punë të mira apo të mirë-arsimuar të kërkojnë si zgjidhje migrimin. Shumë zona të populluara periferike janë duke u tkurrur për shkak të mungesës së kushteve e standardeve minimale të jetesës si mungesa e: infrastrukturës; sistemit shëndetësor; arsimit; apo edhe e politikave dhe fondeve te kohezionit e solidaritet social. Nëse i referohemi shpenzimeve të lidhura drejtpërsëdrejti me cilësinë e jetës si; arsimi dhe shëndetësia vihet re një disnivel i lartë. Shpenzimet në arsim janë rreth 5 % e PBB-së në BE kundrejt 3 % në Shqipëri, në shëndetësi në raportin 8 % me 3 %.

-Politikat e bazuara tek penalizmi, jo tek iniciativat në shumë vende te Ballkanit qeveritë janë të fokusuara te politika dhe aksione penalizuese. Qeveritë në këto vende bëjnë pak ose/edhe aspak për të bashkëpunuar me qytetarët për të gjetur zgjidhje alternative të problemeve shoqërore, të cilat nga ana tjetër rrisin pakënaqësitë dhe krijojnë një ambient të acaruar social dhe politike.

-Pengesat për arsimim cilësor – shumë prej të rinjve të talentuar shohin si mundësi një arsimim cilësor në vendet e zhvilluara. Edhe pse një pjesë e tyre shkojnë fillimisht me idenë për t’u kthyer përsëri në vend, integrimi në shoqëritë pritëse dhe nga ana tjetër pamundësitë për të gjetur punë në vend të profilit dhe të mirë-paguar bën që këta të rinj të hezitojnë të kthehen në vendlindje.

-Cilësia e kujdesit shëndetësor – është një tjetër faktor që bëhet shkak i migrimit, por vlen të theksohet se bëhet shkak i një pengese për kthim të emigrantëve në vend. Sistemet shëndetësore publike në vendet e BE janë një zgjidhje cilësore dhe me pak e kushtueshme. Mundësitë e vështira për punësim apo vetëpunësim – vendet në zhvillim karakterizohen nga norma të larta të papunësisë dhe mungesë të iniciativave apo formave të financimit për mbështetjen e bizneseve të reja dhe ideve inovatore. Vlen të përmendet që për grupmoshën 15-29 vjeç norma e papunësisë te të rinjtë në Shqipëri është në nivelet e 26 % për vitin 2017.

-Ambienti i përgjithshëm social dhe politik i renduar – vendet në zhvillim përgjithësisht karakterizohen nga një ambient jo favorizues social. Referuar një sërë studimesh siç është edhe indeksi i lumturisë globale, Shqipëria në raportin e vitit 2018 renditet e 112 nga 156 vende të marra në studim. Fryma e përgjithshme pesimiste e lidhur me një sërë faktorësh të sipërpërmendur por edhe me nivelin e korrupsionit, mungesa e lirisë për të vepruar, mungesa e te drejtës për të zgjedhur i lirë etj, ndikon drejtpërsëdrejti në rritjen e kërkesës për migrim.

Pritshmëritë për të ardhmen. Çfarë duhet të bëjmë për të ndryshuar këtë trend? A mund të mësojmë nga vendet e tjera?

Edhe pse migrimi mund të shihet si një zgjidhje momentale, analizat e vendeve të cilat i janë bashkuar BE-së ne 2004 tregojnë që ka një tendencë të dukshme për kthim të emigrantëve në vendet e tyre të origjinës. Katër arsyet kryesore:

  1. Mundësia për karrierë

Nuk është e lehtë për karrierë në vendet që nuk janë atdheu yt, kjo vështirësi mund të rritet sepse kemi rritje të nacionalistëve, populistëve që në qendër të fushatave të tyre kanë luftën kundër emigrantëve.

  1. Përfitimet neto

Për emigrantët në vendet e BE-se janë të vogla, duke qenë se strehimi dhe jetesa në tërësi kanë kosto të larta. Mjafton t’i referohemi një treguesi siç është Indeksi i nivelit të çmimeve të shpenzimeve për konsum nga familjet dhe shohim që vende si Shqipëria kanë një nivel në normat e 52 % për vitin 2017, tregues i qartë që kosto e jetesës është sa gjysma në vendet e EU.

  1. Globalizmi

Ekonomitë në vendet në zhvillim po bëhen gjithmonë e më dinamike duke u përshtatur me tregun ndërkombëtar. Kjo vihet re se shumë nga kompanitë e mëdha globale kanë hapur filialet e tyre në vendet në zhvillim. Ndërmarrja e reformave lehtësuese ndaj kompanive globale është një mënyrë shumë e mirë për të thithur këto shërbime dhe për të ofruar vende pune konkurruese për të rinjtë ne vendet e tyre.

  1. Patriotizmi

Është një faktor që mbahet parasysh, sepse kur tre faktorët e mësipërme u plotësojnë ne vendet e tyre atyre: një karrierë pa pengesa, të ardhura neto me të mëdha, mundësi promovimi në meritokraci, ata preferojnë të kthehen në vendet e tyre.

Ndër katër faktorët më i rëndësishëm për sfidat e Shqipërisë është kthimi i ekonomisë sonë në një ekonomi dinamike e cila lehtëson investimet private vendase dhe të huaja, krijon akses për kompani me synim tregje në rritje, kompani që kanë nevojë në rritje për të rinj të talentuar dhe me eksperiencë. Kjo krijon mundësi reale që të rinjtë e talentuar qe kane emigruar të gjejnë në ekonominë e vendit tonë mundësi punësimi dinamike, me shkallë të lartë fleksibiliteti dhe mobiliteti. Një ekonomi dinamike krijon dinamizmin që thith të mirë arsimuarit, që josh rikthimin në atdhe të të rinjve të larguar ne emigrim, të cilët kanë një karrierë të suksesshme profesionale në bizneset e tyre apo në përfaqësimin e kompanive ndërkombëtare që do të parapëlqejnë Shqipërinë për të ngritur dhe zgjeruar bizneset e tyre.