Dr. Fitrete Shalari/ Ish-shefja e ORL: Në Shqipëri ndërrojnë Kushtetutën sips qejfit, nuk dominon ligji por korrupsioni, droga e krimi

673
Sigal

Fitrete (Dobro) Shalari: Në Shqipëri ndërrojnë kushtetutën sipas qejfit, nuk dominon ligji, por korrupsioni, droga e krimi

Babai im Haris Shalari ishte kryetar grupi për ruajtjen e Bedri Spahiut.

  • -Me dënimin e Bedri Spahiut babanë tim e nxorën në pension në moshën 44-vjeçare.
  • – Në vitin 1977, për punë të mirë pedagogjike dekorohet me Medaljen ‘’Naim Frashëri’’dhe më jepet titulli pedagogjik ‘’Docent’’
  • – Në maj të vitit 1990, zgjidhet Shefe e Katedrës Otorino-Okulistikë si dhe Shefe e Klinikës të Otorinos, pranë Spitalit nr 1 Tiranë.

Albert Z. ZHOLI

Vendlindja

Fitrete (Dobro) Shalari, ka lindur më 1939 në Fushëbardhë, Gjirokastër, në një familje të pasur fshatare. Në vitin 1971, emërohet pedagoge në Fakultetin e Mjekësisë të UT.

 

Babai, Haris Shalari

Para vitit 1939,babai ka punuar në familjen e Hyqmet Bej Delvinës dhe pasi ky i fundit mori poste të rëndësishme në qeverinë e Mbretit Zog, babanë e saj e punësoi në Pallatin Mbretëror. Me okupimin nga Italia fashiste, babai i bashkohet grevave dhe revoltës së popullit shqiptar, duke kërkuar armë për të luftuar fashizmin. Për këtë arsye ishte i detyruar të paraqitej një herë në javë në kuesturë. Por ai këtë urdhër nuk e zbatoi. Kthehet në fshat, në Fushëbardhë. Meqenëse filloi të gjurmohet nga tradhëtarët dhe okupatorët, arratiset në male.

Që në ditët e para të Lëvizjes Çlirimtare, rradhitet në rradhët e saj bashkë me dy vëllezër. Në vitin 1943 pranohet antar i partisë komuniste. Kurse nëna e Fitretes Hada Xhuvani, ishte motër e vëllait të vetëm, Tahir Xhuvani, dëshmor i luftës, i vrarë nga gjermanët në moshën 22 vjeçare. Mbas çlirimit, babai i saj ka punuar si ushtarak, oficer, me detyra të ndryshme në zonat e Labërisë. Dhe në vitin 1948 transferohet në Tiranë, në Ministrinë e Brendshme, në Gardën e Republikës, si kryetar grupi për ruajtjen e Bedri Spahiut. Me dënimin e Bedri Spahiut, edhe babanë e saj e nxjerrin në pension, në moshën 44 vjeçare, si njeri të padëshirueshëm. Nëntë fëmijët e tij falenderuan Zotin, që nuk e përjashtuan nga partia! Por si i tillë u izolua nga vëllezërit dhe shoqëria për shumë vjet! Mbas kësaj ka punuar si portier. Disa vite më vonë si nënpunës në Institutin e Higjenës, kurse nëna punoi si punëtore. Babai vdiq në nëntor të vitit 1990 dhe nëna në mars të vitit 1997. Nga 9 fëmijët, vetëm tre kryen studimet e larta, dy vëllezër ekonomistë dhe Fitretja  mjeke. Të tjerëve nuk ju dha mundësia, pasi ashtu ishin ligjet në atë kohë.

Shkollimi dhe formimi intelektual

Fitretja ka mbaruar gjimnazin Qemal Stafa në vitin 1959, dy vitet e fundit i ka kryer pa shkëputje nga puna. Po në këtë vit filloi studimet në Fakultetin e Mjekësisë të UT, të cilin e mbaroi në vitin 1964. Pas përfundimit të studimeve emërohet si ordinatore në Klinikën e Otorinolaringologjisë në Spitalin nr. 1 të Tiranës. Mbas mbarimit të specializimit dyvjeçar, në vitin 1968 emërohet si asistente në Katedrën Otorino-okulistik, pranë Fakultetit të Mjekësisë. Dhe në vitin 1971, emërohet pedagoge. Në vitin 1970, merr një bursë italiane njëvjeçare, dhe dërgohet në Klinikën “La Sapienca”, Romë, për specializim, në fushën e Audio-Vestibulometrisë. Kthehet pas 6 muajsh për arsye shëndetësore. Megjithatë, me dijet, që përftoi, hapi kabinetin e Vestibulometrisë. Dhe me rezultatet e arritura, në diagnostikimin e mjekimin, botoi shumë artikuj. Dha provimet pasuniversitare të ORL-së dhe kirurgjisë Maksilo-Faciale, si dhe provimet për tre gjuhë të huaja, italisht, rusisht, frëngjisht, dhe sot zotëron edhe gjuhën angleze. Në vitin 1977, për punë të mirë pedagogjike dekorohet me Medaljen ‘’Naim Frashëri’’dhe i jepet titulli pedagogjik ‘’Docent’’.

Në vitin 1981 mbrojti Gradën, ‘’Kandidat i Shkencave Mjekësore”, me temën ‘’Sëmundja e Menierit në patologjinë e veshit të brendshëm”, temë, të cilën e botoi si monografi. Ka qenë bashkautore në librin për studentët dhe në një monografi me titull ”Trakeotomia’’, si dhe ka referuar në shumë sesione shkencore. Në vitin 1984 dërgohet në Paris, Francë, me një bursë franceze 4-mujore për përvetësimin e funksionit të Elektronistagmografisë. Nga fundi i vitit 1988, mbrojti shkallën e dytë të kualifikimit’’ Doktor i Shkencave Mjekësore’’. Dhe në vitin 1989 më jepet ky titull.

Ka botuar 42 artikuj, 26 prej tyre në Revistën Shkencore Mjekësore.

Në maj të vitit 1990, zgjidhet Shefe e Katedrës Otorino-Okulistikë si dhe Shefe e Klinikës të Otorinos, pranë Spitalit nr 1 Tiranë.

Në vitin bëhet 1971 anëtare e partisë së punës. Specializimet e saj, në shtetet e Perëndimit e bënë që, të shikonte me sy dallimin rrënjësor midis dy sistemeve, atij komunist dhe kapitalist. Mori pjesë në lëvizjen studentore të dhjetorit të vitit 1990, duke qenë antare e Partisë Demokratike në 26 dhjetor të po këtij viti, ku në gazetën ‘’Rilindja Demokratike’’, emri i saj, së bashku me shumë pedagogë të fakultetit filloi të përmëndet. U ftua nga Partia Demokratike, por nuk pranoi të merrej me politikë. Me kalimin e viteve pësoi një zhgënjim të madh, me mënyrën e saj të qeverisjes, pa u dalluar shumë nga Partia Socialiste. të cilat nuk kanë formuar shtet të demokracisë së vërtetë! Ajo thekson se : “Në Shqipëri ndërrojnë kushtetutën sipas qejfit, nuk dominon ligji, por korrupsioni, droga e krimi”.

Largohet nga detyrat shtetërore dhe pedagogjike, nga dhjetori i vitit 1992, duke shkuar në SHBA me bashkim familjar. Në SHBA nuk kam punuar si mjeke, por e çertifikuar si shoqëruese (kompanjën) për të moshuarit, nga ku doli në pension. Edhe pas daljes në pension ka punuar deri në moshën 74 vjeçare. Është qytetare amerikane. Bashkëshorti saj, Victor (Vexhir) Xhemal Dobro, nga Fushëbardha, Gjirokastër, larguar nga Shqipëria, në gusht të vitit 1944, për arsye politike (si nacionalist), qëndroi në Austri e Itali dhe, në vitin 1948 emigron në SHBA, ku mbaroi studimet në fushën e Kulinarisë e Menaxhimit  të Ushqimeve. Ka qenë profesor në Universitetin e Merilendit dhe në kolegjin e Kulinarisë, Baltimor. Vdes në moshë 68 vjeçare, në vitin 1994.

Falënderimi i saj:    

Falënderoj prindërit e mi, tetë motrat dhe vëllezërit dhe bashkëshortin, kolegët e mi, me të cilët kam bashkëpunuar ngushtë si dhe të gjithë ata, që kanë kontribuar   ‘’TË JEM KJO, QË JAM’’!!!