Maksim Rushi: Ja si shteti injoron personat me aftësi të kufizuar

696

Personat me aftësi të kufizuara, të pa përfshirë tërësisht në jetën shoqërore!

Nga Maksim Rushi*

3 dhjetori i vitit 1981 për personat me aftësi të kufizuar mbetet një ditë e veçantë. Kjo datë u shënua nga Kombet e Bashkuara si Dita Ndërkombëtare e Personave më Aftësi të Kufizuara. Ndërsa shoqata jonë e Personave të Paaftë u krijua më 4 dhjetor 2012; që nga atëherë kanë kaluar 7 vjet, por edhe sot e kësaj dite, “në Shqipëri, personat me aftësi të kufizuara nuk janë ende tërësisht të përfshirë në jetën shoqërore” , në këtë përfundim kanë dalë hartuesit e projektit të emërtuar “Reforma e vlerësimit të aftësisë së kufizuar në sistemin e mbrojtjes sociale”, gjë që do të thotë se ecuria e përmirësimit të jetës së personave me aftësi të kufizuar ka qenë ngadaltë. Ende shoqatat e aftësisë së kufizuar përballen me probleme të shumta, në një kohë kur përvoja botërore ekziston prej 38 vjetësh. “Sipas statistikave të fundit nga Shërbimi Social Shtetëror (SHSSH) në gusht 2018, numri i personave që janë njohur zyrtarisht që kanë një aftësi të kufizuar në Shqipëri është 141,740 (4.8 % e popullsisë së vendit). Nga këta, 73,425 persona janë invalidë pune që përfitojnë si nga pagesat e sigurimeve shoqërore ashtu edhe nga pagesat shtesë të skemës së mbrojtjes sociale dhe 68, 315 fëmijë e të rritur që marrin pagesat e aftësisë së kufizuar dhe përfitime të tjera në sistemin e mbrojtjes sociale. Nga këta të fundit, 19,060 persona (28%) marrin edhe pagesë për të mbuluar shërbimin e ndihmësit personal që më parë është quajtur shërbimi i kujdestarisë”. Pra, nga sa shihet më sipër përqindja e personave me aftësi të kufizuara shkon në 4,8, ku një pjesë e tyre janë fëmijë, të cilët bëjnë pjesë në grupimin prej 68,315 persona.

Problematikat e personave me aftësi të kufizuar

Shoqata Shqiptare e Personave të Paaftë me seli në qytetin e Korçës ka bërë të njohura kohë pas kohë problemet e shoqatës së vet, por tashmë janë të pranuara edhe nga institucionet shtetërore. Studimi i përfitimeve të aftësisë së kufizuar në sistemin e mbrojtjes sociale ka nxjerrë në pah këto problematika:

(a) ka trajtim të privilegjuar e të pajustifikuar të disa kategorive të aftësisë së kufizuar, të cilët përfitojnë si nga sistemi i sigurimeve shoqërore ashtu edhe nga sistemi i mbrojtjes sociale;

(b) nuk ka përshkallëzim të pagesave sipas nevojave të shkaktuara nga efekti i aftësisë së kufizuar në kryerjen e veprimtarive bazë të jetës;

(c) nuk ka përcaktime ligjore për moshën tavan të komisionimit, gjë që bën që shumë nga sëmundjet e pleqërisë të trajtohen me pagesa të aftësisë së kufizuar, dhe

(d) në kundërshtim me përvojën ndërkombëtare, nuk ka diferencime për pagesat për fëmijë dhe të rritur.

Regjistri Elektronik i Aftësisë së Kufizuar është përmirësuar nëpërmjet zgjerimit të funksioneve të monitorimit dhe vlerësimit nga operatori ekonomik”, por, megjithatë, deri më tani synimi për përmirësimin e jetës së personave me aftësi të kufizuara, nuk ka qenë i prekshëm, madje pajisja me librezë e tyre nga ana e qeverisë, ka sjellë shqetësim për këtë kategori personash, sepse procesi në fjalë ka mbetur i parealizuar, e për pasojë një pjesë e personave me aftësi të kufizuara nuk janë pajisur ende me librezat.

Vetë qeveria punon në të zezë

Ndërkohë te “Reforma e vlerësimit të aftësisë së kufizuar në sistemin e mbrojtjes sociale”, ndër të tjera thuhet: “Si pjesë e përpjekjeve për mirë menaxhimin e fondeve publike dhe për të siguruar qëndrueshmërinë financiare të skemës, do të realizohet ristrukturimi i disa pagesave, përfitimeve dhe shërbimeve të aftësisë së kufizuar në përputhje me nevojat e përfituesve. Ky ristrukturim përfshin

(a) ristrukturimin e përfitimeve në pagesë

(b) ristrukturimin e përfitimit të ndihmësit personal dhe

(c) kthimin e përfitimeve në përfitime në natyrë”, por ndërkohë ende nuk thuhet çfarë do të bëhet me ndihmësin personal të personave me aftësi të kufizuar, pasi këta të fundit, edhe pse qeveria i njeh si të punësuar, sërish i lë jashtë skemave të sigurimeve shoqërore.

Këmbëngulim në të drejtat tona

Gjithashtu, i rikërkojmë qeverisë për sa më poshtë:

  1. Të përjashtohemi nga taksa e aparatit të televizorit, .
  2. Të përjashtohemi nga taksa e kontrollit të automjeteve,
  3. T’u sigurohet udhëtimit urban falas dhe interurban me 50 % të biletës.
  4. Të përjashtohen nga tarifa e shkollës së lartë në universitete publike të vendit për personat studentë me aftësi të kufizuara, ose ata që kanë në familje një prind apo person me aftësi të kufizuar.
  5. Të përcaktohet minimum jetik për këtë kategori qytetarësh në përqasje të vazhdueshëm me rritjen ekonomike të vendit.
  6. Të bëhet unifikimi i librezës së personave me aftësi të kufizuara dhe fotokopjoja e librezës së personave me aftësi të kufizuar të jetë pjesë e dosjeve në bashkitë e vendit ku jetojnë.
  7. Pagesat e paaftësisë të bëhen në një datë fikse të çdo muaji, pasi çdo vonesë sjell problem në jetën e personave me aftësi të kufizuar.

 

*Kryetari Kombëtar i Shoqatës Shqiptare të Personave të Paaftë