Shqipëria importuesi më i madh i mishit, çmimi më i lirë i shitjes, ndërkohë që ka normën më të madhe e fitimit nga kompanitë e importimit dhe të përpunimit
Sa të (Pa)garantuar janë shqiptarët nga mishi që hanë?!
Gazeta “Telegraf”
Nëse shikon tregun ushqimor, gjen produktet e mishit me bollëk të madh. Nëse mbikëqyr sadopak etiketat e shoqërimit të produkteve ushqimore, atëherë vështirë të lexosh në to vendin e origjinës së mishit. Madje shumë herë në etiketimet e produkteve dhe nënprodukteve të mishit lexon se ky është prodhim i kompanisë së përpunimit të mishit. Kur dihet, që asnjë nga kompanitë e përpunimit të mishit në Shqipëri nuk ka asnjë kompleks të mbarështimit të kafshëve, nga të cilat të sigurojnë sadopak sasi mishi që përpunojnë dhe tregtojnë.
Rritet konsumi i mishit, rriten fitimet e kompanive, ndërsa prodhimi vendas në vend-numëro!
Konsumi i mishit dhe nënprodukteve të tij në Shqipëri shënoi rritje në vitin 2018, ndonëse prodhimi vendas ka mbetur në vend-numëro. Tetë kompanitë kryesore deklaruan në vitin 2017 rreth 10 miliardë lekë ose 75 milionë euro, me një rritje të lehtë 1%. Në vitin 2018, prodhimi vendas përllogaritej rreth 161,3 mijë ton, me një rritje të papërfillshme krahasuar me një vit më parë (0,1%), sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Bujqësisë. Prodhimi i mishit të gjedhit, derrit dhe shpendëve kanë pësuar rënie, duke ua lënë vendin importeve. Prodhimi i mishit të gjedhit për 2018-n ishte 68 mijë ton, nga 72 mijë ton në 2017. Prodhimi i mishit të derrit nga 17 mijë ton, ishte 16,9 në 2018-n. Rënie shënoi dhe prodhimi i mishit të shpendëve, i cili ka pasur trend rritës prej 2012-s. Në 2018-n u prodhuan 19,7 mijë ton nga 20 mijë një vit më parë. Prodhimi vendas nuk i përgjigjet as kërkesës së kompanive të përpunimit për lëndë të parë, të cilat kërkojnë sasi, të cilat fermat e vogla në vend nuk mund t’ia plotësojnë. Fragmentarizimi i tokës bujqësore ka krijuar ferma të vogla me 1-5 krerë bagëti dhe me sipërfaqe mesatare 1.4 hektarë.
Mishi i importuar me çmime shumë të ulëta. Mos vallë: Çfarë blejmë edhe hamë?!
Nëse u referohemi vendit të origjinës së mishit të importuar në Shqipëri, Brazili dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë 2 vendet kryesore, ndërkohë që çmimet e blerjes së mishit nga këto vende është zakonisht 2-3 herë më i lirë, ose 200 – 300 % më i lirë nga çmimi i shitjes së mishit në treg. Ka edhe raste kur mishi i shitjes është edhe mbi 5 herë më i shtrenjtë nga çmimi i blerjes. Në 2018 u importuan 39.7 mijë ton mish, me rritje nga një vit më parë. Gati 30% e mishit të importuar në 2018-n në Shqipëri erdhi nga Brazili, me peshë rreth 10 mijë ton. Vendin e dytë, me 16% të totalit të sasisë së importuar e zë mishi me origjinë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Këto dy vende përgjigjen për pothuajse gjysmën e importeve të mishit. “Monitor” përllogariti vlerën mesatare në lekë të një kilogram mishi që ka hyrë në Shqipëri nga këto vende me përkatësisht 212 lekë/kg nga Brazili dhe 107 lekë/kg nga SHBA. Jo rrallëherë, autoritetet kanë bllokuar ngarkesat e mishit nga Brazili, për arsye të mosplotësimit të standardeve. Çmimi i ulët lidhet me cilësinë e dobët. Shumë herë janë kapur dhjetëra tonelata mish nga Brazili me salmonelë, por asnjëherë nuk janë publikuar cilat kompani e kanë importuar, cilët janë pronarët, që kanë vënë në rrezik shëndetin publik, për hatër të fitimit. Gjithashtu, nuk janë publikuar, mishi i infektuar me salmonelë, u ble i tillë në Brazil, për shkak të çmimit të ulët apo mishi u infektua gjatë transportit? Atëherë çfarë mishi hamë? Derisa çmimi i blerjes së mishit në vendin e origjinës është 2-3 herë më i lirë nga çmimi i shitjes, ndërkohë, që çmimet e shitjes në vendin tonë, mund të krahasohen shumë pranë çmimeve të tregtimit të mishit në vendet e Rajonit por edhe të Evropës.
Spekulimi me cilësinë e mishit në treg
Shumë herë në etiketat e shoqërimit të produkteve të mishit të përpunuar, shkruhet se prodhimi është i kompanisë që e përpunon, por nuk shënohet gjëkundi vendi i origjinës, domethënë ku është prodhuar mishi. Në Shqipëri, apo është mish i importuar? Madje, në asnjë etiketë shoqërimi nuk ka të shkruar data e therjes së llojit të bagëtive, por thjesht në raftet e supermarketeve lexojmë një tabelë: “Mish i freskët”! Mish i freskët dhe i importuar njëkohësisht, nuk mund të ketë, kur dihet, që nga Brazili dhe SHBA-ja mishi mund të dojë edhe me muaj të tërë që të mbërrijë në vendin tonë. Thuajse i munguar është kontrolli i cilësisë në produktet e përpunimit të mishit në sallame, ku zakonisht ato prodhohen me mishin e importuar dhe natyrisht, edhe të blerë me çmimin më të ulët të tregut. Në asnjë etiketë të tregtimit të sallameve nuk shënohet vendi i origjinës së mishit, data e therjes së bagëtive etj.
Eksporti i mishit shqiptar është thuajse i papërfillshëm
Një tregues i mungesës së mishit të prodhuar në Shqipëri është edhe sasitë e vogla dhe të papërfillshme të eksportimit të mishit . Eksportet e mishit dhe nënprodukteve të tij nga Shqipëria në vendet e BE-së dhe CEFTA-s kanë qenë të kufizuara, edhe pse operatorëve kryesorë, ata plotësojnë kushtet mbi standardet e sigurisë. Shkaku kryesor për kufizimin e eksporteve në vendet e BE-së është mungesa e gjurmueshmërisë në produktet me prejardhje shtazore në vend. Procesi i matrikulimit i bagëtive në Shqipëri nuk ka përfunduar. Për rrjedhojë, sipas operatorëve Shqipëria shënjohet si një vend origjine jo të sigurt. Ata pohojnë se hasin barriera në eksport edhe në vendet anëtare të CEFTA-s, me të cilat kemi marrëveshje të tregtisë së lirë. Kryesisht vendet e rajonit, nëpërmjet barrierave jo-tarifore, vështirësojnë tregtinë e mallrave Made in Albania, duke shtuar kontrollet higjieno-sanitare në doganat e tyre. Për vitin 2018, Shqipëria eksportoi rreth 568 ton mish, nga 365 ton një vit më parë.
Në Shqipëri nuk investojnë për prodhimin e mishit
Shkaku kryesor i mungesës së prodhimit të mishit në Shqipëri është mungesa e investimeve për të ndërtuar komplekse të mbarështimit të bagëtive, por edhe mungesa e politikave subvencionuese dhe nxitëse nga qeveria për fermerët. Një tjetër shkak është edhe monopolizimi i thertoreve, duke ua bërë jo vetëm të vështirë por edhe të pamundur fermerëve, fshatarëve që të çojnë ato pak krerë bagëti që kanë në thertoret e monopolit që janë në një qytet tjetër dhe shumë larg, kështu që fermerët dhe fshatarët nuk akne më interes që të tregtojnë mishin e freskët.