Luan Shtëpani: Nga grabitja e pasurisë te falimenti i sindikatave

658
Sigal

Sindikatat, ja përse po vetëshuhen

Nga Luan Shtëpani

Shumë vite më parë kam treguar me fakte gjendjen në të cilën ndodhen sindikatat shqiptare. Ajo që po ndodh sot me avokaten e punonjësve, që s’ka të bëjë me COVID-19, po i çon drejt vëtëizolimit dhe në fund, drejt vëtëshuarjes.

Shpresëplotë  kam “udhëtuar” mediatikisht, sepse mendoja se do të ketë ndryshim në lëvizje dhe konceptim nga sindikatat. Në gazeta dhe në televizione, me ndjeshmëri qytetare, pasqyroja kërkesat e tyre, pra të punonjësve, i bindur se me këtë veprim do të ndihmoheshin me dhjetra familje. Në ato ditë të gazetarisë intensive dhe brenda llojit tonë gazetaresk kishte shumë nga ata që i shpërfillnin. Bëheshin pengesë serioze, pavarësisht se nuk e kishin idenë se si funksiononin me të mirën dhe të keqen e tyre. Në gjithë këto vite, sindikatat në Shqipëri kanë pësuar deformime, ikje me bujë dhe pa bujë, krijime të sindikatave të reja, pra luftë për pushtet dhe karrige. Kanë mbyllur gazetat e tyre, jo se s’kanë fonde, por sepse nuk u duhen më. Në rrjetet e tyre sociale punojnë të paaftët që s’dinë shqip. Më keq akoma i përdorin germat për kultin e shefit, dhe për të sulmuar  kundërshtarët, apo të larguarit. Me vite përmenden të njejtat arritje, mungojnë idetë, sepse tashmë servilët dhe të paaftët e kanë marrë në dorë situatën. Po kjo a vlen për të gjithë? A duhet të mbajnë ato mbi supe anashkalimin apo përdhosjen e veprimtarisë së tyre?. Pikërisht këtu fillon dhe ndarja mes meje dhe të etiketuarve dëmtues të sindikatave. Sepse jo të gjithë janë fajtorë!. Njoh shumë prej tyre të ndershëm dhe të përkushtuar që kanë bërë shumë punë, pavarësisht se pushteti  dhe vetë dëmtuesit sindikalë nuk kanë lënë gjë pa bërë për t’i nënvleresuar apo për t’i sulmuar.

Sot njohuritë për veprimtarinë  e sindikatave janë të cunguara. Si kanë funksionuar, si janë bashkuar dhe ndarë sindikatat nga grupimet e tyre, a i ka ribashkuar dhe ndarë politika, a janë vënë në shërbim të tyre ? etj. E vërteta është se politika shpeshherë ka luajtur pin-pong me to duke i afruar dhe larguar sipas interesave të saj. Ndërsa sindikalistët e thjeshtë në të shumtën e rasteve nuk e kanë parë politikën si mjet shpëtimi. Por, dialogun me institucionet si mjet komunikimi për zgjidhjen e problemeve të tyre. Sa herë që politika i ka lënë një hapsirë të vogël, krerët sindikalistë kanë “trashur” zërin, por kur politika ka folur ndryshe, kanë bëre sikur se kanë dëgjuar, apo më keq kanë heshtur përballë realitetit. Në këtë panoramë aspak shpresëdhënëse na lind e drejta të gjykojmë gjakftohtë se pas vitit 1991 ata që morën në dorë për të drejtuar “pushtetin” e  sindikatave u emëruan nga partitë, me raste përjashtuese. ose erdhën si pjesë e ish Bashkimeve Profesionale, e ish Frontit Demokratik apo e bashkëpunimit  me ish sigurimit e shtetit ku dhe për këtë ka shumë të dhëna. Pra, parashikimet e para u arritën. Sepse ata që morën në dorë fatet e punëtorisë, ishin njerëzit lehtësisht të përdorshëm nga elita politike kur të ishte nevoja. Lëvizjet sindikale në të shumtën e rasteve, përveç fillimeve të demokracisë ishin sporadike, pra sipas interesit të momentit. Fuqia vertikale e drejtimit gjithnjë e ka mbytur atë horizontale. Kuptohet njerëzit e bazës në të shumtën e rasteve trajtohen dje dhe sot jo si drejtues lokalë, por shërbëtorë të qëndrës dhe mbushës të sallave. Të shndërruar tashmë si dikur në leva të partisë, sindikatat e kanë humbur misionin e tyre historik në mbrojtje të punonjësve. Sa herë ndërrohet pushteti, punohet nga njëra palë në dëm të grupimit tjetër. Qeveritë i krijojnë hapsira anëtarësisë së preferuar, e cila  përpara interesit të kuotave sindikale mbyll gojën. Ndërsa pjesa tjetër  bën ndonjë protestë modeste, për t’i dhënë mesazh opozitës se është pjesë e saj. E gjitha është shfrytëzuar mirë nga politika. Asaj i ka interesuar përçarja e avokates së punonjësve, nënshtrimi i tyre. Ndërkohë një rol negativ kanë luajtur dhe sindikatat ndërkombëtare, përjashtuar këtu fillimet e demokracisë. Vijnë dhe iknin pa lënë gjurmë. Të njejtat leksione. Mbyllje në salla hotelesh dhe shëtitje në vendet turistike. Në kthim, raport për gjendjen e rëndë të sindikalizmit në Shqipëri me qëllimin e afërt e të largët për të përfituar sërish fonde. Nga ana tjetër pjesëmarrja e sindikalistëve shqiptarë në aktivitetet ndërkombëtare nuk ka munguar jo se të huajve u dhimbset sindikalizmi në Shqipëri, por sepse sindikatat paguajnë kuotën e anëtarësisë në organizmat botërore për aktivitete dhe mbështetje. Me disa përjashtime në këto aktivitete shkojnë po të njejtët persona. Sistemi TIMS është i mbushur me emrat e atyre që ditët e vitit i kalojnë më shumë jashtë se brenda vendit. Pra, po gjallërohet “turizmi sindikal”. Kaq është e mjaftueshme për të kuptuar se ku ka rënë avokatja e punonjësve.