Asnjë segment i rrugës Milot-Fier s’plotëson volumin e trafikut

293
Sigal

Skandali i rrugës së “florinjtë” Milot-Fier. Taksapaguesit do të përballojnë kostot marramendëse

 Asnjë segment nuk plotëson volumin e trafikut. Qeveria garanton 10 %

Të 6 seksionet e aksit Milot-Fier që do të ndërtohet me koncesion nga një kompani private kundrejt tarifimit,  nuk plotësojnë volumin e trafikut që kërkohet. Sipas kushteve të garës, rruga duhet të gjenerojë një trafik prej 28-30 mijë makinash në ditë, të cilat do të mund t’i sigurojnë koncesionarit të ardhurat e nevojshme për investimin, mirëmbajtjen, dhe fitimin, që sipas dokumenteve të tenderit, do të jenë 4,1 miliardë euro për të gjithë periudhën e koncensionit deri me 2055. Por sipas të dhënave mbi trafikun që i takojnë vitit 2018, seksioni me lëvizjen më të madhe të makinave është ai Rrogozhinë –Lushnjë, ku do të kalojnë 26 mijë makina në 24 orë. Ndërsa trafikun më të ulët të lëvizjes e ka aksi Lushnjë -Fier me vetëm 15 mijë makina në 24 orë (shih tabelën bashkëngjitur). Trafiku mesatar i 6 seksioneve të koncesionit është 21 mijë makina në ditë, por fisibiliteti i rrugës parashikon një trafik jo më pak se 28-30 mijë makina në ditë. Më 1 korrik, Ministria e infrastrukturës e çeli garën për ndërtimin e segmentit Milot-Fier, pjesë e korridorit Adriatiko-Jonian, me koncesion. Fituesi i garës do të paguajë pjesën e punimeve, të cilat do të jenë rreth 1,2 miliardë euro (pa TVSH). Ndërsa qeveria do të garantojë deri në 10% të trafikut të munguar, një shumë e barabartë 121 milionë euro për koncesionarin për 17 vitet e para të operimit, nga viti 2024 që parashikohet të jetë viti i parë deri në vitin 2040. Me gjithë TVSH dhe shpronësimet, kosto e koncesionit arrin mbi 1,7 miliardë euro. Ekspertet pohojnë se, tarifa e përdorimit të rrugës është shumë e lartë në raport me nivelin e jetesës në Shqipëri. Për më tepër, ata e argumentojnë të fryrë pagesën, pasi disa segmente të aksit Milot-Fier, të tilla si Milot-Thumanë dhe Unaza e Tiranës nuk do të ndërtohen nga koncesionari. Pjesa e parë e segmentit nga Miloti në Thumanë, rreth 13 kilometra, është e përfunduar. Koncesionari do të bëjë vetëm disa përshtatje të vogla, por autostrada aktuale është me katër kalime 2+2 dhe me shpejtësi 100 km në orë. Inxhinierët që janë të azhurnuar me projektin thanë se shqiptarët nuk kanë pse të paguajnë për këtë pjesë, pasi e kanë paguar njëherë nëpërmjet buxhetit të shtetit. Gjithashtu një pjesë të rëndësishme të këtij aksi, Unaza e Tiranës, është një projekt që do të ndërtohet nga donatorët. Në hyrje të Fierit tashmë autostrada është e bërë, dhe Bypass-i i Fierit, gjithashtu.