Lindjet zbresin në nivelin më të ulët që prej ’90!

379
Sigal

 

Për vitin 2020 në Shqipëri, bonusi i bebeve u shpërnda për 36,188 lindje apo rreth 4,5% më pak se një vit më parë.Sipas shifrave të Ministrisë të Shëndetësisë në 2020 shpërblimi i bebeve me vlerë 40 mijë lekë u shpërnda për 36,188 lindje nga 37,810 lindje që përfituan shpërblim në 2019.Tkurrja e numrit të martesave në 2020 dhe pasiguritë e shëndetit të embrionit nga Covid-19, po jep efektet te lindshmëritë. Gjatë 2020 është regjistruar numri më i ulët i lindjeve që nga viti 1990.

Mjekët obstetër gjinekologë të materniteteve shtetërore shpjeguan më herët se po vihet re që shumë çifte ngurrojnë për planifikime shtatzënie, pasi janë të frikësuar nga problemet që mund të shkaktojë tek embrioni COVID-19.

Mjekja obstetër gjinekologe, Afërdita Kruja, pranë Spitalit Amerikan 2 shpjegoi se shumë çifte kanë shtyrë planifikimin pas vaksinimit. “Disa çifte po hezitojnë për nisje të shtatzënisë, për disa arsye. Së pari, shumë çifte presin të vaksinohen dhe më pas të nisin një shtatzëni të mbarë dhe lindje të shëndetshme të fëmijës”, u shpreh znj. Kruja.

Në 2020 sipas të dhënave të INSTAT rënie të ndjeshme pësuan edhe martesat. Sipas të dhënave të INSTAT, vitin e kaluar u lidhën rreth 17.5 mijë akte martese në vend. Ky është numri më i ulët i martesave që raportohet të paktën që prej vitit 1990. Në krahasim me 2019, celebrimet ranë 22%.