Skandal në kohën e pandemisë/ SPAK: Blerjet e Manastirliut për tenderat e kiteve dhe 54 respiratorëve u blenë me vlerë disa herë më të lartë

304
Sigal

Dosja e plotë: Tenderat e kiteve dhe 54 respiratorët ,me një çmim 6400 euro secili nga ministrja Manastirliu, SPAK: Janë blerë me vlera disa fish më të larta

Zbardhet dosja e hetuar nga SPAK për tenderat e kiteve dhe respiratorëve, ku sipas institucionit të akuzës për të dy këto tendera prokuroria ka gjetur shkelje.

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka gjetur shkelje në dy tendera që Ministria e Shëndetësisë ka zhvilluar gjatë periudhës së pandemisë.

Nga hetimet paraprake të zhvilluara nga Prokuroria e Posaçme rezulton se komisionet e ngritura nga QSUT, por edhe të Ministrisë nuk kanë bërë vlerësime të tregut, për përcaktimin e fondit limit, duke blerë respiratorë dhe kite në vlera disa-fish më të larta.

Por, edhe pse ka gjetur shkelje SPAK për këtë çështje ka shpallur moskompetencë, duke e deleguar dosjen në Prokurorinë e Tiranës vetëm për “shpërdorim detyre”, pasi sipas prokurorëve nuk janë gjetur elementë të veprës penale përsa i përket “korrupsionit”.

Në dosjen e SPAK-ut, në të dy tenderët, Komisionet kanë përcaktuar përkatësisht fondin limit, ne shumën 129.727.371 lekë (pa tvsh) për blerjen e një sasie prej 54 respiratorësh, që iu korrespondon vlera prej 2.402.338 lekë për një respirator. Sipas Prokurorisë fondi është përcaktuar pa studim të tregut, por duke bërë një mesatare të ofertave të bëra nga kompanitë. Ndërkohë, fondi limit për lotin nr.1, shkon në shumën 422 800 Iekë (pa tvsh) për blerjen e 12 njësive me 100 teste secila prej tyre, që i korrespondon një vlere 352 lekë për 1 test.

Për lotin nr.2 komisioni ka përcaktuar vlerën e fondit limit në shumën 9.433.333 lekë (pa tvsh) për blerjen e 20 njësive me 50 teste secila prej tyre, që i korrespondon nje vlere 9.433 lekë për 1 test. Nga vlerësimi i prokurorisë, vlera e blerjes së këtyre kiteve shkon në deri 8 herë më e lart se vlera e tregut. Sa më sipër krijohen dyshime se sipas Prokurorisë së posaçme për anëtarët e komisioneve të cilët do i kalojnë për kompetencë prokurorisë së kryeqytetit për dyshimet e shpërdorimit të detyrës.

Dosja e plotë :

Në media janë publikuar njoftime se në Kryerjen e këtyre procedurave nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, janë kryer veprime në kundërshtim me ligjin dhe aktet nënligjore, duke u pretenduar se çmimi i blerjes së kiteve dhe pajisjeve mjekësore që janë përdorur gjatë pandemisë së përhapjes së virusit Covid 19 janë disa herë më të larta se çmimet që këto mallra kanë në treg dhe se çmimi që këto mallra janë deklaruar në pikat doganore në momentin e importit të tyre.

Nga organi procedues duke marr në konsideratë këto njoftime mediatike është kërkuar informacion nga Ministria e Shëndetësisë dhe mbrojtjes Sociale për blerjen e këtyre mallrave, të kiteve për laboratorin e ISHP, për blerjen e respiratorëve, për blerjen e mjeteve mbrojtëse për stafet mjekësore, për periudhën mars-prill të vitit 2020, si dhe është administruar dokumentacioni përkatës për zhvillimin e këtyre procedurave.  Konkretisht:

Së pari, me urdhrin e brendshëm nr 87, datë 13.03.3020 të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, është urdhëruar ngritja e komisionit për argumentimin e fondit limit dhe specifikimeve teknike për proceduren e prokurimit me objekt  “Blerje kite dhe reagente të përshtatshëm për t’u plotësuar me pajisjen Maglum 800 të firmës Snibe Co. Ltd dhe me pajisjen Existation të firmës Bioneer”. Komisioni me shkresën nr.1388/7 prot, dt. 13.03.2020 iu është drejtuar nëntë operatorëve ekonomikë për marrjen e ofertave për çmimet e blerjes së kiteve dhe reagentëve, të ndarë ne dy lote : Loti l, kite për laboratorin mikrologjik për diagnozën serologjike të përshtatshme për pajisjen Maglum 800 të firmes Snibe Co. Ltd ose ekuivalent për paktime me 100 teste. Loti 2, kite për laboratorin mikrologjik për realizimin e RT-PCR të përshtatshëm për tu përdorur për pajisjen Existation të firmës Bioneer ose ekuivalent, për paketime me 50 teste.

Mbi bazën e ofertave të marra nga operatorët ekonomikë komisioni ka përcaktuar vlerën e fondit limit për blerjen e mallrave të mësipërme. Për lotin nr.1 ka përcaktuar vlerën e fondit limit në shumën 422 800 lekë (pa tvsh) për blerjen e 12 njësive me 100 teste secila prej tyre, që i korrespondon një vlere 352 lekë për 1 test. Për lotin nr.2 komisioni ka përcaktuar vlerën e fondit limit në shumën 9.433.333 lekë (pa tvsh) për blerjen e 20 njësive me 50 teste secila prej tyre, që i korrespondon nje vlere 9.433 lekë për 1 test. Me urdhërin nr.200, datë 24.03.2020 të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, të nëshkruar nga sekretari i përgjithshëm në cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor, është urdhëruar ngritja e komisionit të vlerësimit për marrjen, shqyrtimin dhe vlerësimin e ofertave.

Në vijim, Komisioni me shkresën nr.1574/2 prot, date 26.03.2020, iu ka dërguar kërkesë për propozim dy operatorëve ekonomikë për blerjen e “kite për laboratorin mikrologjik për realizimin e RT-PCR, të përshtatshëm për tu përdorur për pajisjen Existation të firmës Bioneer” në sasinë 20 paketime me 50 kite secili paketim, me fond limit 9 433 333 lekë. Nga operatorët ekonomikë që iu është drejtuar kërkesa për propozime ka paraqitur ofertë operatori O.E.S Distrimed.shpk në shumën në total 8 500 000 lekë, që i korrespondon shumë për 425 mijë lekë për një paketim me 50 teste, pra 8 mijë e 500 lekë për 1 test. Kjo shoqëri ka deklaruar se prodhuesi i këtyre testeve është kompania “Bioneer Corporation”, me vend origjinë Korenë e Jugut.

Njëkohësisht, ky operator ekonomik ka depozituar edhe kopje të autorizimit në datë 23.03.2020 të shoqërise “Bioneer Corporation” me anë të të cilit konfirmohet marrëdhënia e tyre financiare me shoqërinë  “O.E S Distrimed” sh.p.k, me seli në Tiranë. Shoqeria “O.E.S Distrimed” sh.p.k është shpallur fituese për këtë procedurë dhe ka lidhur me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale kontratën me nr.1574/ prot dt.30.03.2020.

Kjo kontratë është miratuar me V.K.M nr.272, datë 03.04.2020. Së dyti, në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale është zhvilluar procedura për furnizimin dhe vendosjen e respiratorëve me dy modalitete për Covid-19. Me urdhërin nr. 151, datë 10.03.2020 të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale është urdhëruar ngritja e grupit të punës për përcaktimin e specifikimeve teknike.

Me urdhërin nr.154, datë 10.03.2020 të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale është urdhëruar ngritja e komisionit të vlerësimit për marrjen, shqyrtimin dhe vlerësimin e ofertave të paraqitura nga kandidatët. Grupi i punës ka kërkuar oferta nga disa operatorë ekonomikë dhe pasi ka marrë ofertat e paraqitura ka përcaktuar vlerën e fondit limit në shumën 129.727.371 lekë (pa tvsh) për blerjen e një sasie prej 54 respiratorë, që iu korrespondon vlera prej 2.402.338 lekë për një respirator. Komisioni i mësipërm iu ka dërguar kërkesë për propozim disa operatorëve ekonomikë që kanë paraqitur ofertat e tyre dhe në përfundim të procedurës është shpallur fituese shoqëria “T.B.S 96” sh.p.k, për furnizimin dhe vendosjen e një sasie prej 54 respiratorësh me vlerën 76.060.000 lekë, që i korrespondon vlerës 1.139.000 lekë për njësi. Operatori ekonomik që është shpallur fitues ka paraqitur gjatë procedurës dokumente për origjinën e mallit, deklaratë të shoqërisë “Axent Medical”, me seli në Gjermani. Në perfundim të procedurës është lidhur kontrata e furnizimit me nr.1365/36 prot dt.27.03.2020.

Duke krahasuar vlerën e fondit limit të përllogaritur nga komisioni i ngritur me urdhërin nr.87, datë 13.03 2020 të Q.S.U.N.T-së, ku për lotin 2, “kite per laboratorin mikrologjik e RT-PCR të përshtatshëm për t’u përdorur për pajisjen Existation të firmës Bioneer ose ekuivalent për paketime me 50 teste, ka përcaktuar vlerën e fondit limit në shumën 9.433.333 lekë pa TVSH, për blerjen e 20 njësive me 50 teste secila prej tyre, që i korrespondon një vlerë 9 433 lekë per 1 test, me vlerën 9 USD dhe 6 USD per një test që është shitur nga shoqëria “Bioneer Corporation”,  rezulton që vlera e llogaritur në fondin limit me atë të blerjes është të paktën tëtë herë me e lartë.

Në llogaritjen e çmimit të blerjes sipas shumave 9 USD dhe 6 USD për një kit duhet ti shtohen edhe kostot e transportit, të pagimit të detyrimeve doganore apo shpenzime të tjera të nevojshme, por në çdo rast çmimi i llogaritur për fondin limit është disa herë më i lartë se çmimi real në tregun ndërkombëtar. Në këtë mënyrë, krijohen dyshime të bazuara se anëtarët e komisionit të ngritur me urdhërin nr.87, datë 13.03.2020 të  Q.S.U “Nënë Tereza” për argumentimin e fondit limit dhe spefikimeve teknike kanë vepruar në kundërshtim me nenin 59/2 te V.K.M nr.914, datë 29.12.2014 “Për miratimin e rregullave te prokurimit publik”, që kanë qenë të zbatueshme në rastin konkret për sa i përket përcaktimit të fondit limit.

Ky komision nuk rezulton që të ketë kryer asnjë verifikim për çmimet e kiteve, çmime të botuara, në çmime zyrtare, në çmime të kontratave të ngjashme apo çmime ndërkombëtare të shpallura publikisht. Por, për llogaritjen e vlerës së fondit limit komisioni i është referuar vetëm disa ofertave të paraqitura nga disa operatorë ekonomikë, duke përcaktuar mesataren e çmimeve që i janë paraqitur, oferta që nuk përfaqësojnë çmimin e tregut real por vetëm ofertat që paraqiten. Një ofertë që paraqitet nga një operator ekonomik jo domosdoshmërisht paraqet çmimin e tregut, por vetëm ofertën në treg.