Ku shkoni, o shqiptarë?

722
Sigal

Nga Sevo Tarifa

“Jashtë atdheut je një kokër rërë,  në atdhe je një shkëmb i tërë!”

Vitin e kaluar ikën dhe 15 mijë shqiptarë! Ku skoni, o bashkëadhetarë? Me fjalën e urtë populli na thotë: “Jashtë atdheut je një kokër rërë, në Atdhe je një shkëmb i tërë!” Është provuar, marrin rrugën e mërgimit edhe kuadro të lartë, deri truri i kombit. Po me ç’punë merren atje ku shkojnë? A vazhdojnë në profesionet e tyre?

Edhe po, edhe jo…

Më është dhënë rasti të njoh drejtpërdrejtë jo pak prej tyre kur janë në vendin mik duke jetuar e punuar ose kur vijnë në Shqipëri në festa familjare e shoqërore. Ka prej tyre që janë në marrëdhënie të mirë pune e të kënaqur nga të ardhurat që fitojnë. Ka që i hyjnë një pune të re, jashtë profesionit, por nuk mungojnë edhe raste që bëjnë punë të vështira, të rëndomta, ndryshe nga ato që kryenin në Shqipëri. Dhe në vartësi të punës, marrin pagën.

Por lidhur me këtë, nuk shikohet siç meriton raporti material me atë moral. Kam ndeshur raste që, në Shqipëri, ai është me arsim të lartë, i diplomuar për mjek dhe ka vite që e ushtron këtë profesion, por në Shtetet e Bashkuara të Amerikës pranohet në punë si infermier! Tjetri, në Kosovë ka mbaruar për filozofi, në Brazil punon kuzhinier! Njëri  ka diplomën e inxhinierit dhe vjen nga prodhimi, por në Kanada punon si teknik ose përgjegjës i një pallati! Tjetri është me gradën “Docent” në Greqi pranon çdo lloj pune: “Dru me pre”, kamerier, deri dhe në ngarkim-shkarkim! Për të marrë më shumë të ardhura, përpiqet të japë dhe “disa orë mësim shqip”… Në Shqipëri ka qenë oficer madhor, në Greqi  punonte roje 26 vjet! Një grua me arsim të lartë pedagoge matematike dhe e gjuhës ruse, u shërbente për vite të tëra disa plakave të vetmuara! Nuk flas për ata që zënë punë si barinj ose çfarëdo qoftë, mjafton të shpërblehet më mirë se në vendin e tij nga i cili ka mërguar!

T’u shtojmë këtyre edhe faktin që për t’u pranuar në punë, në vendin fqinj, në Greqi, ndrrohet dhe emri! Më takoi një djalë nga Fushëbardha, kur e pyeta “Si të quajnë”, u përgjigj: “Thanas”! Ku ka Thanas në Fushëbardhë”,- i thashë. U skuq në fytyrë dhe më tregoi të vërtetën e emrit, duke shtuar se “Ndryshe greku s’të merr në punë”! Një tjetër, djalosh i zgjuar dhe punëtor në Shqipëri, në Greqi mësoi dhe punoi bojaxhi, e ka emrin “Ibrahim”, por meqë ka lindur në janar, u quajt “Vasil”! Në një rast tjetër, u ula te një klub për kafe. Erdhi shpejt kamerierja, një vajzë e re, e shkathët dhe me buzëqeshjer. Ma prezantoi shoqëruesi: “Është nga Mallakastra”. Meqë u “dekonspirua” se është shqiptare dhe nga frika se mos e marrë vesh pronari që nuk qenka greke dhe e pushon, kafet na i solli jo ajo, por një kamerier shqiptar, “guximtar”, që “nuk trembej” po të merrej vesh se ishte shqiptar!

Megjithse bëhen manovrime të tilla për të qenë në punë, nuk mungojnë edhe raste që shkojnë jashtë për punë, por, edhe pse përpiqen mbeten pa punë. Katandisen mos më keq. Takova një burrë me moshë nesatare, që shkoi në Kretë, por nuk gjeti punë as për të mbledhur ullinj! E ndihmoi një shqiptar i njohur, mjek dhe mundi të khehet në vëndlindje. Mësova për një tjetër, malësor nga Kukësi. Shkoi në Greqi dhe punë nuk gjeti. Mbaroi dhe paratë që kishte dhe mbeti rrugëve. Ishte burrë zakoni. Shkoi te një dyqan. U prezantua se nga është. Tregoi se jo vetëm është pa ngenë, po do të krthehet në familje, por  s’ka mundësi financiarte. Pronari i atij dyqani, me zemër bujare, i jep një grusht me pare. Malësori nuk ia merr, i thotë se “Nuk e kemi zakon të lypim”. I tregon se duke qenë malësor, është njeri i besës. i kërkoi një qese me gurë cakmaku, me besë që t’i shesë në Shqipëri e të kthehet t’i japë paratë. Miku grek u bind dhe ia dha gurët që i kërkoi. Pas një muaji malësori shqiptar u khye  në Greqi dhe i pagoi paratë. I zoti i dyqanit u befasua me besën e kuksianit dhe ia fali ato të holla! Malësoi nuk i merrte: shty ai e shty ky atë qese me para! Dhe të dy u bënë miq!

Nga këta e të tjerë shembuj nuk është vështirë të shihen edhe pasojat pozitive e negative për shqiptarin dhe Shqipërinë. Qëndrimet e mira flasin për karakterin e shëndoshë të shqiptarit, për virtytet e mira të tij. E kundërta ndodh me qëndrmet negative, të clat janë në dëm të personalitetit te shqiptarit. E pëson nderi dhe prestigji i tij, ushqehet inferioriteti  dhe, ajo që ka rendësi dëmtohet rëndë imazhi i Shqipërisë. Nga këta shqiptarë, ka që kur janë me punë në  vendin e tyre, pavarësisht se kanë më pak të ardhura, janë dikushi, kanë emër, gëzojnë respekt të merituar, pra në vendin e tyre janë “Shkëmb i tërë”, kurse në vendin e huaj janë si “rërë”, pa peshë, të përbuzur!

 “Gjuha, kombi e atdheu, gati janë e njëjta gjë”.

Për të larguarit nga atdheu një problem atdhetar me rëndëasi është ruajtja e gjuhës shqip. Tipari kryesor i të gjithëve është kujdesi që gjuha amtare të mbahet gjallë nga brezi në brez. Shembujt janë të shumtë. Kanë kaluar shekuj dhe familje të tëra që kanë emigruar në Greqi e në Itali ende flasin shqip, madje ruajnë edhe zakone e tradita të adheut të tyre. Më është dhënë rasti të shkoj në familje shqiptare, ikur prej viteve në Amerikë, në Holandë e në Mal të Zi, në Itali e Greqi dhe kam vënë re  që e flasin shqipen për bukuri.

Flasin e skruajnë edhe të tjerë që shkojnë me shërbim ose në njerëz të tyre jashtë vendit, duke u shprehur  në mënyrë pozitive për gjuhën shqip që mbahet gjallë. Kur Jonuz Mersini, shumë vite më parë shkoi në Argjentinë me një shërbim, tregon se për gjuhën shqip shqiptarët e atjeshëm bënin punë të veçantë.  “Kur flasin ata futin edhe ndonje fjalë spanjisht, por e kuptojnë dhe përpiqen të korrigjohen. Një grua, Sariable Bleta nga Verniku i Vlorës, punonte me vendosmëri që fëmijët e saj kurrë të mos e harrojnë shqipen. Ajo kshte aritur sa të mbante një mashë dhe me të në dorë  u thoshte: Flisni shqip, a u çaftë derri, se po folët spanjisht në shtëpi, ua theva kërcinjtë me këtë mashë!”

Janë të shumta familjet shqiptare,  pjesëtarët e të cilave flasin shqip mids tyre, jo vetëm në shtëpi, por edhe jashtë saj. Irena dhe vajza e saj Lorena, erdhën në Shqipëri dhe u takuan me një grup shokë e shoqe, të cilëve u bëri përshtypje sa mirë e flisnin gjuhën. Këtë e vuri re sidomos mjeku poet Izet Çulli, i cili ndjek me pasion shqipen dhe gjuhë të tjera. Kam parë në një dyqan në Toronto një grua shqiptare, me një fëmijë as 5 vjeç që e mbante nga dora, e cila i thoshe atij: “Mos prek gjë me dorë”. Ndërhyra dhe i sugjerova që “Ndoshta është më mirë t’i flasë anglisht, që kur të shkojë në shkollë ta ketë më lehtë!” Por ajo me të drejtë m’u përgjigj se “anglishten e mëson me shokët e moshës së tij, ndaj ne i fliasim shqip që të ta mësojë e të mos e harrojë këtë gjuhë”. I dhashë të drejtë.

Nga shembuj të tillë mund të mësojnë të gjithë, që  nocionet “Komb, Atdhe e Gjuhë t’i shohin në unitet”. Është nismë e mirë puna që bëhet në këtë fushë edhe duke hapur kurse për mësimin e gjuhës shqipe në vende ku ka fëmijë shqiptarë.

Do të doja t’i mbyllja këto radhë, duke kujtuar se për Atdheun personalitete të shquar shqiparë e të huaj na kanë dhënë një varg margaritar me fjalë të mençura.

Fjalë të Arta  

Janë fjalë të rralla, me rrënjë e përmbajtje filozofike dhe vijnë nga thellësia e shekujve. largimet nga vendi, nuk janë një fenomen i ri, që shfaqet sot. Flet hisoria e popujve të ndryshëm. Por pa qenë nevoja të qëndrojmë në pasazhe me karakter historik, le të përcjellim fjalë të zgjedhura e të mençura, që flasin për atdheun.

“Atdheu është trashëguesi i vërtetë i njeriut, madje edhe eshtrat e tij i mbeten atdheut. Pasuria dhe trupi ynë janë prodhim i tokës së shenjtë që quhet, Atdhe.

Shqipëria përsipër lule e gjethe

brenda argjend e flori.

Sytë e bukur të Atdheut më vështrojnë pa pushim

Gjersa zhyten dalngadalë, mu në shpirt të gjakut tim.

Ne jemi shqiptarë dhe kemi për detyrë të mbetemi siç kemi qenë prej kohe, stoli e maleve të larta dhe e qiellit.. Nuk ka sëmundje më fisnike sesa malli për atdheun. Ai që mohon atdheun, mohon vetveten. Edhe më i merituari i ka borxh atdheut më shumë se atdheu atij. Endacaku i shqetësuar, më në fund, dëshiron të kthehet në vendin e tij, atje ku gjen atë kënaqësi, që më kot e ka kërkuar duke shëtitur botën.

Gëzimet që ke në atdhe, më kot i kërkon në dhe të huaj. Nuk gjendet tokë më ushqyese dhe më e shëndoshë për njeriun se sa toka ku është rritur. Virtyti i parë i njeriut është përkushtimi ndaj atdheut. As dielli nuk të ngroh në vendin e huaj. Askush nuk lufton në betejë me aq shpirt të paepur, se ai që lufton për atdheun e vet. Çfarë mendimi tjetër mund të tejkalonte në zemrën time, i denjë se jam shqiptar. Ngado që të shkoj Atdheun e marr me vete. Ai që mohon atdheun, mohon vetveten. Vlera e jetës së njeriut qëndron në lidhjen e tij me vendin e vet.

Asnjëherë nuk lodhesh duke ndihmuar atdheun. Atdheu është më i shtrenjtë se vetë jeta. Edhe kockat qajnë për atdheun. Jetoni për Shqipërinë dhe vdisni për të. Më mirë të jesh nëpunës në vendin tënd, se mbret në vend të huaj. Njeriu në atdhe është si luani në pyll ose si korkodili në lumë. Njeriu pa atdhe, është si bilbili pa këngë. Një dimër në vendin tënd, është  më I ëmbël se njëqind pranvera në vend të huaj. As dielli nuk të ngroh në vend të huaj. Patriotizmi nuk është vetëm dashuria për vendin, por dhe dashuria për te shkuarën. Po të humbasësh mikun e dashur, do ta kujtosh shtatë vjet, po të braktisësh atdheun, do ta kujtosh deri ë vdekje. Unë jam më mirë  kur është mirë Shqipëria. Unë nuk mund të ndihem ndryshe nga populli, të cilit i përkas”, e të tjera.

S’ka si Atdheu ku ke lindur e je rritur, ke mësuar e punuar. Këtu nis jeta tënde. Këtu e pe diellin më parë. Lidhja jote me vendin, duke filluar që nga lindja, është nderi yt. Kudo që të shkosh, po i thua vetes patriot i vërtetë, merre Atdheun me vete, mbaje  në zemër dhe kltheu përsëri në gjirin e tij, ku “balta është më e ëmbël se mjalta”!