Kozma Gjini: Për çfarë ju duhen emrat e maturantëve protestues?

364
Sigal

Po. Kjo ëdhtë pyetja e parë dhe e fundit, zonja ministre: Për çfarë ju duhen emrat e maturantëve protestues?
Në datën 11.06.2020, u zhvillua provimi i gjuhës e letërsisë i maturës shtetërore. Fill pas daljes nga provimi, nxënësit maturantë, fillimisht të Tiranës, pastaj,  shih rrushi rrushin dhe…., reaguan edhe maturat e disa qyteteve. Maturantët zgjodhën këtë formë reagimi ndaj ministrisë së arsimit, sepse, sipas tyre,  teza e provimit të gjuhë-letërsisë kishte pyetje jashtë programit mësimor dhe se testi ka patur alternativa të ndërlikuara, qëllimisht, që nxënësit të dilnin dobët.(?). Çfarë kërkojnë maturantët? Ata kërkojnë rivlerësim të provimit ose anullimin e tij. Nëse e zhbirojmë më tej këtë kërkesë, ata duan:
1. Të ulet kufiri i notës 9 dhe i notës 10, në parametra konkretë, që do të thotë që, të merret parasysh me 60%  nota mesatare në shkollë gjatë vitit mësimor dhe me 40% ajo në testim.
Reagimi i ministrisë, nëpërmjet zj.R. Vrapi, dr.e QSHA-së, ishte: “Nuk do të ketë rivlerësim të tezës, por do të ketë rishpërndarje të pikëve”.
Nxënësit këtë deklaratë e konsideruan absurde dhe vazhdojnë të protestojnë duke iu përmbajtur pikave të tyre, të cilat janë dokumentuar edhe në një peticion verbal drejtuar ministres së arsimit. Më tej, nxënësit do të presin reagimin e dikasterit deri të dielën, sot pasdite dhe në rast mosdakortësie, do të bojkotojnë provimin pasardhës.
Ministria ua plotësoi maturantëve kërkesën për kohën në dispozicion të testit, nga 2 orë, e çoi në 2,5 orë. Të tjerat do t’i shohim në vijim.
… Si mësues i gjuhës dhe letërsisë shqipe, pasi  lexova me kujdes tezën e këtij viti, mendoj se është hartuar me tendencë për të sjellë një risi në përmbajtje, por që fatkeqësisht e dalë prej shinave të testeve tona tradicionale, madje anon për nga testet diletante e amatoreske.”Çfarë do të bëjë Turi pasi pa shkëmbin në ujë?” Kjo pyetje shtrohej dhe jepeshin disa alternativa: a b c d. Po ka më diletantizëm? Pse, kaq poshtë paska rënë niveli i nxënësve tanë në shkollë?
Do të ishte disa herë më mirë që teksti t’i referohej një shkrimtari nga letërsia shqipe, qoftë edhe pa emër të madh, por të paktën do t’i nxiste nxënësit pasues që t’i drejtohen librit artistik, sepse kjo dëshirë është zëvendësuar me dashurinë pas rrjeteve sociale, shkurt, me celularin.

Sërish, po t’i referohemi vetëm rastit të mësipërm, të lë të kuptosh se janë dy, në mos tre mundësi alternimi, sipas logjikës krijuese të secilit nxënës. Pse duhej kjo hallakatje? Kësaj i thonë, ti mbyll grushtin dhe thërret: “Hë, e gjen dot se çfarë kam unë në dorë”?

Si prindër e si qytetarë, kemi ndjerë keqardhje për dy shqetësime që burojnë për shkak të protestës:
E para, lidhet me shqetësimin e fëmijëve, sepse janë marrë emrat e atyre që kanë qenë pjesë e protestës dhe e dyta, më shqetësuese kjo, thirrja e djalit që u shpreh i revoltuar: “Mos guxoni të na hiqni prindërit nga puna, për shkak se ne po protestojmë….në rast të kundërt, ne….”
Kjo është shumë e dhimbshme, jo se deri më sot është bërë ndonjë veprim i tillë, si kundërvënie adresuar prindërve dhe as që e mendoj të bëhet, por më vjen keq që kjo rini, e cila nuk e ka jetuar hakmarrjen politike të pushtetarëve, qoftë në monizëm, qoftë në demokraci, e ka bërë atë pjesë të ndërgjegjes, të qenies së tyre, për shkak të së kaluarës së mbartur, të treguar apo të jetuar nga prindërit, qoftë nga protestat studentore të 90-ës, e më pas me listat e punonjësve të iinstitucioneve që u bëhej presion të vinin firmat, ata që do të shkonin në metingjet partiake. E shikoni të nderuar politikanë se çfarë llojë fare keni mbjellë në popull? Frikën nga i madhi, frikën nga drejtori, frikën nga pushteti. Kështu do të ecë brezi i ri, me frikën e rrezikut për vendin e punës? Thirrini mendjes zotërinj, dhe mateni fjalën para se ta nxirrni nga goja, se me banalitetet e çdo spektri u ambjentua ky milet.(!)
“Të gjithë atyre që kanë protestuar, u kanë marrë emër e mbiemër, prandaj numri i protestuesve është në ulje” ,-u shpreh një vajzë.
Po të jetë e vërtetë kjo, pyes: Kush e bëri këtë çilimillëk, zonja ministre? Punonjësi juaj, apo dikush i ngjyer me politikë? E nëse është bërë me tjetër qëllim, thuajani shqip fëmijëve, prononcohuni, ç’ humbisni ju, përveçse zbutni tensionet dhe qetësoni të madh e të vogël. Ç’i doni emrat e protestuesve? A nuk është ky një dhunim i së drejtës për shprehjen e  fjalës së lirë? Këtë protestë ju e keni konsideruar si e nxitur politikisht, por këtë e hedh poshtë reagimi i nxënësve, të cilët s’e kanë ngatërruar aspak me politikën shqetësimin e provimit. Por nëse specialistët kanë dalë jashtë kapaciteteve të njohurive që përmban programi, atëhere ata duhet të prononcohen e të ulen me protestuesit, ose t’i bindin me fakte që kjo s’është e vërtetë, ose të kërkojnë falje. Por më keq tingëllon frika e fëmijëve nga hakmarrja e shtetit ndaj prindërve që punojnë në administratë.
Mendoj se një defekt  jo i vogël që po e vuan mësimi dhe edukimi në shkollat tona, me gjithë punën e ndërgjegjshme të mësuesve, është çekuilibri i zyrave arsimore të rretheve, të cilat si hallkë lidhëse mes dikasterit dhe bazës, janë katandisur në një minimum punonjësish të cilët mezi kryejnë detyrimet shkresore burokratike, pale të merren me çështjet thelbësore të shkollës, me përmbajtjen dhe kontrollin e punëve, rendimentin dhe cilësinë e mësimdhënies, vlerat mat
tëse  të mësueve e të drejtuesëve të shkollave. Gjykoj kështu, sepse, po të ishin njohur nxënësit me gjithçka lidhet me maturën, nuk do të shkonte puna deri në këtë protestë të maturantëve,ose, në të kundërt, do të pranojmë që nxënësit nuk janë praktikuar gjatë vitit me teste analoge të këtij formati. Uluni mes vedit dhe me fëmijët zonja ministre, se rrugëzgjidhjet janë të mundme. Mbijetesa nga Covid-19, na e dha këtë mësim.

Ps. Emrat e nxënësve protestues iu kërkuan mësuesve kujdestarë të klasave përkatëse. Përse?  A duhej që ata ta kryenin këtë “detyrë”?