Koncesionet në shëndetësi kushtojnë 400 miliardë lekë për 10 vite

639
Sigal

Dështojnë PPP-të në mjekësi. Denoncon kirurgu Artan Koni: Ministria urdhër, të ulim numrin e operacioneve, se mbaruan paratë, ndërkohë që çmimet janë 25% më të shtrenjta se vlera reale. Kush është emigranti që fitoi PPP-në 100 mln euro të sterilizimit me 1 të punësuar. Ja reagimi i ekspertëve

Fitime marramendëse nga PPP e mjekësisë për 2018-ën: Sterilizimi 2.7 miliard, Check-up 1 miliard dhe Dializa 500 milion lekë. Fitimet e PPP në shëndetësi u rritën me 60% në vitin 2018

Emigranti që fitoi koncesionin 100 milionë USD me një të punësuar për sterilizimin. 25 herë më e shtrenjtë, është fatura nga vlera reale

Hetim, gjykim dhe pranga për të gjithë ata që kanë abuzuar me miliardat dhe gjakun e taksapaguesve shqiptarë. Ministria e Shëndetësisë duhet të jetë në krye të listës së SPAK dhe B K H, në mënyrë që tu kthehet besimi qytetarëve dhe taksapaguesve shqiptar. Shumave prej 311 milion euro për 10 vjet koncesione duhet tu shtohet edhe kontrolli i Sigurimeve Shëndetësore i cili duke përfituar nga pozita monopol grumbullon rreth 160 milion euro çdo vit nga taksa e punonjësve shtetëror dhe privat si pagesë për sigurimin shëndetësor. Ministri i Shëndetësisë së Kohës së PPP-ve Ilir Beqaj duhet të jetë i pari që të japë llogari për miliardat e shpenzuara ,pasi në spitale qytetarët duhet të paguajnë për gjithçka. Në mënyrë absolute të nisë hetimi për kontratën e Check-up dhe të bëhet publike se përse kontrata nuk figuron e publikuar në faqet zyrtare dhe nga letërkëmbimet që “Telegraf” disponon me firmë dhe vulë , me ministrinë e Ekonomisë, Financave, Shëndetësisë, ISKSH, të gjithë deklarojnë se nuk e posedojnë këtë kontratë. Ka dhe të tjera material por që do bëhen publike pikërisht kur të nis funksionin SPAK dhe BKH. Bizneset që e kanë të lidhur aktivitetin e tyre me koncesionet, të llojit Partneritet Publik-Privat, janë duke realizuar fitime të larta, mbi mesataren e tregut. Norma mesatare e fitimeve në ekonomi ishte 7-8% sipas të dhënave të INSTAT në vitin 2017, ndërsa norma e fitimit në koncesionet e shëndetësisë ishte 13% më 2018. Vitin e kaluar, fitimet e koncesioneve të sektorit të shëndetësisë u rritën 60% në raport me 2017, sipas të dhënave nga bilancet zyrtare që kompanitë kanë dorëzuar në Qendrën Kombëtare të Biznesit, të përpunuara nga “Monitor”. Të tria kompanitë që zotërojnë koncesione në shëndetësi raportuan 3.2 milionë euro fitime, nga 2 milionë euro që raportuan në vitin 2017. Pjesa më e madhe e fitimeve është realizuar nga koncesioni i sterilizimit nëpërmjet kompanisë SaniServis me rreth 2 milionë euro, teksa 3P Life Logistic që zotëron Check Up-in dhe koncesioni i Hemodializës raportuan fitime më të ulëta se një vit më parë. Vetëm duke përllogaritur fitimet që rrjedhin nga koncesionet e shëndetësisë, që janë kontribut i pastër i taksave të shqiptarëve, shuma do të ishte e mjaftueshme për të ndërtuar një qendër spitalore publike moderne. Koncesioni i Laboratorëve –Spitalor në vlerën e mbi 90 miliard lekëve do jetë objekt i analizave investigative në numrat në vijim.

01

Koncesionet në shëndetësi kushtojnë 311 mln euro për 10 vjet

Qeveria shqiptare, deri më tani, ka autorizuar 311 milionë euro pagesa për katër koncesione në sektorin e shëndetësisë për 10 vitet në vijim. Ekspertët të sektorit të shëndetësisë po ankohen gjithnjë e më shumë se burimet financiare për sektorin po shkojnë në drejtimet dytësore dhe tretësore, ndërsa parandalimi i sëmundjeve dhe trajtimi i tyre kërkon investime në pajisje dhe teknologji të reja, por realiteti është edhe më i trishtë, pasi edhe numri i shtretërve nuk mjafton në shumicën e pavijoneve të QSUT-se. Megjithëse koncesionet PPP në sektorin e shëndetësisë kanë hyrë në vitin e katërt, ka shumë pak transparencë ndaj tyre dhe analizat e kosto-përfitimeve mungojnë. Por të dhëna të fragmentuara që burojnë nga dokumente zyrtare tregojnë se koncesionet po rezultojnë me kosto shumë herë më të larta se përfitimet.

27 miliardë lekë sterilizimi

10 miliardë lekë Check Up

5 miliardë lekë Dializa

60 % u rritën fitimet e PPP-ve në 2018-n

13 % më e lartë norma e fitimit të PPP në 2018-n

Sektori i Shëndetësisë, historikisht ka qenë i nën financuar në Shqipëri, duke u vërtitur në mes 2-2.5% të PBB-së ndër vite. Me këto financime, shëndetësia shqiptare është më pak e financuar se në të gjitha vendet e Evropës. Për rrjedhojë, shqiptarët paguajnë nga xhepi 50% të kostove të shërbimeve shëndetësore që, sipas Bankës Botërore, që ka bërë këtë matje, është niveli më i lartë në Evropë

02

Sterilizimi trefishon fitimin më 2018-n. Emigranti që fitoi koncesionin 100 milionë USD me një të punësuar

Kompania SaniServise, që ofron shërbimin e sterilizimit për instrumentet kirurgjikale, raportoi 265 milionë lekë fitime ose rreth 2.1 milionë euro, sipas deklarimeve zyrtare në bilancin 2018. Të ardhurat e kompanisë arritën në 1.7 miliardë lekë vitin e kaluar, ndërsa norma e fitimit ishte 15%.

Për çdo operacion që ofrohet në sallat shqiptare të operacionit, SaniServis paguhet 37,700 lekë për ndërhyrjet me intensitet të lartë, 22,300 lekë për ndërhyrjet me intensitet të mesëm, 13,900 lekë për ndërhyrjet me intensitet të ulët dhe 266 lekë për ndërhyrjet dhe 266 lekë për paketimet.

Fitimet e SaniServis u trefishuan në raport me 2017. Kompania SaniServis ka fituar koncesionin e sterilizimit, me një total prej 12,3 miliardë lekësh për periudhën 2016-2025. Për çdo operacion që ofrohet në sallat shqiptare të operacionit, SaniServis paguhet 37,700 lekë për ndërhyrjet me intensitet të lartë, 22,300 lekë për ndërhyrjet me intensitet të mesëm, 13,900 lekë për ndërhyrjet me intensitet të ulët dhe 266 lekë për ndërhyrjet dhe 266 lekë për paketimet. Ekspertët e Shëndetësisë pohojnë se kostot e sterilizimit kanë kaluar kostot e operacionit, dhe kjo është absurde sipas tyre

03

Po kush është emigranti që fitoi PPP-në 100 milionë USD të Sterilizimit?

Një biznesmen i vogël shqiptar nga Peruxhia, pronar i një agjencie ndërmjetësimi dhe një kompanie ndërtimi qëndron pas tenderit të kontestuar me vlerë 100 milionë USD të Ministrisë së Shëndetësisë për sterilizimin e pajisjeve kirurgjikale dhe sallave të operacionit. Për më shumë se një dekadë, Ilir Rrapaj drejtoi një kompani të vogël ndërtimi me vetëm një të punësuar, të regjistruar në një zonë të qetë rezidenciale në qytetin e Peruxhias të rajonit Umbria në Itali, të cilën e themeloi së bashku me dy të afërm të tij në vitin 2000 me një kapital të vogël prej 1500 eurosh. Megjithatë, pas fitores së Partisë Socialiste në zgjedhjet e qershorit 2013, emigranti me origjinë nga fshati Rexhepaj i Vlorës u kthye në Shqipëri dhe vendosi kontakte me kreun e shëndetësisë shqiptare, Ilir Beqaj, me të cilin ka pasur takime të shpeshta, ku kanë marrë pjesë edhe biznesmenë italianë, të interesuar në tregun e shërbimeve mjekësore. Dy vjet pas rikthimit në atdhe, me anë të një kompanie të regjistruar në Kosovë, Rrapaj është shpallur fituesi kryesor i një kontrate koncesionare prej 100 milionë dollarësh në një tender të kontestuar. Kontrata e sterilizimit të pajiseve mjekësore në Shqipëri është marrë nga Kompania Sani Servis me pronar Ilir Rrapaj , me vlerë prej 12,3 miliardë lekësh për periudhën 2016-2025. Konsorciumi humbës pretendon që shpallja fitues e konsorciumit në të cilin Rrapaj ka shumicën e aksioneve është e paligjshme, pasi ai ka dhënë një ofertë që tejkalon fondin limit. Ajo e ka ankimuar vendimin e Komision të Vlerësimit të Ofertave, KVO të Ministrisë së Shëndetësisë në Komisionin e Prokurimit Publik, KPP. Të dhënat e mbledhura nga BIRN sugjerojnë se konsorciumi i emigrantit shqiptar, Ilir Rrapaj ka pasur kontakte të vazhdueshme me ministrinë e shëndetësisë dhe ministrin Beqaj që nga viti 2013. Mbetet e paqartë, se çfarë roli luan kompania Invetital Ll.C në konsorcium, duke qenë që ka vetëm 1 të punësuar, kapital minimal dhe në dukje zero eksperiencë në fushën e mjekësisë. I pyetur nëpërmjet telefonit për marrëdhënien e tij me Ilir Rrapajn, ministri Beqaj në fillim mohoi ta njihte. Pasi BIRN i dërgoi ministrit disa fotografi ku ai shfaqej me biznesmenin nga Peruxhia, Beqajt iu rifreskuar memoria, duke pranuar se “kishte njohje me z.Ilir Rrapaj.” Më të detajuar këtë PPP dhe lidhjet me ish-ministrin Ilir Beqaj do e pasqyrojmë të zgjeruar në numrat në vijim.