Kastriot Kotoni: Turizmi shqiptar s’ duhet t’i ngjajë industrisë fasone, mburremi me turistë kur 60% e shqiptarëve nuk bënë as një javë pushime

48
Sigal

Turizmi shqiptar nuk duhet t’i ngjajë industrisë fasone.

Mburremi se erdhën shumë turistë kur 60% e shqiptarëve nuk bënë as një javë pushime në det

Megjithëse gëlojnë portalet e mediat për çështje patriotizmi, nuk kemi parë ende një reagim të shoqërisë për ngritjen e çmimeve në kohën e verës.

  • – As trenin nuk e lanë, të paktën të kishin një mjet me kosto më të ulur në mënyrë që edhe shqiptari më i varfër, mos belbëzonte.
  • -Realisht jetojmë sipas poezisë së Fan Nolit “Anës detit i palarë e anës dritës i paparë”.
  • – Pa zhvillimin e turizmit të brendshëm nuk mund të ketë turizëm të qëndrueshëm.
  • – Njihet botërisht eksperienca e vendeve të tjera, se si i zgjidhin punët për ta stimuluar qytetarin e vet.

Diktaturat i hodhëm të thonë shqiptarët si kudo në vendet e evropës juglindore. Për të shpërblyer shtresën e të persekutuarve janë ngritur struktura financiare e morale, ku janë përfshirë edhe ministri të shumta, si ajo financave e kulturës dhe ajo sociale. Sot historia e tyre i përket muzeumeve dhe ndiqen me kuriozitet nga turistët e huaj. Fjalën këtu nuk e kemi posaçërisht për këtë shtresë dhe as për statistikat e numrit real të kësaj shtrese të nderuar, se me të drejtë edhe ajo duhet të jetë ende në qendër të vëmendjes së qeverive shqiptare. Por qëllimi i këtij shkrimi është për të treguar, se po krijohet një shtresë tjetër e cila, as ndihet dhe as proteston, sa herë vjen sezoni turistik në vend. Megjithëse gëlojnë portalet e mediat për çështje patriotizmi, nuk kemi parë ende një reagim të shoqërisë për ngritjen e çmimeve në kohën e verës nga operatorët privatë të turizmit. Çdo gjë duhet blerë, ajri, rëra, toka e deti, sepse u dashka që gjithçka që i takonte popullit shqiptar, sot është privatizuar, po nga kush? Nga ca e ca, honxhobonxho të ashtuquajtur investitor strategjik. Deri dje kjo farë “Sokoli” pastronte tunelet e bunkerët me 7 lekë, e merrnin ndonjë rrogë me mbledhjen e bimëve medicinale, sot e kanë blerë, ose ua kanë falur tokën në bregdet për një copë bukë. Vijnë ish emigrantët e ambasadave dhe të tjerët pas tyre e pyesin? Ku shkuan gjithë ato hotele, vila e kampe pushimi? Kush i mori? Po me trenin ç’patën? E mirë atëherë ikën kundra regjimit diktatorial komunist, por tani pse ikin shqiptarët? I ndjeri Hysni Bregu ( 16 herë kampion noti e me shkollë të lartë, përkthyes i 5 librave filozofik), hyri në “Ambasadën Gjermane” dhe kur u kthye pas nja 7 vjetësh të tregonte “Po unë ika, sepse nuk po zhvillohej komunizmi ashtu siç e mendonim ne, sipas leximeve të veprave të Marksit dhe Engelsit, po edhe të Fletoreve Filozofike të Leninit të cilave u riktheheshim duke i nënvizuar”. E ku ta dinte Cikja dhe bashkëkombasit e tij, të cilët nuk i vodhën asnjë gozhdë këtij atdheu se në pushtet kish ardhur një njeri, që pasi kish takuar Enver Hoxhën kish mbajtur dorën pa e larë për nja dy javë dhe kish shkatërruar gjithçka nën emrin e luftës kundër komunizmit përfshi këtu hapësirat publike të bregdetit shqiptarë. As trenin nuk e lanë, të paktën të kishin një mjet me kosto më të ulur në mënyrë që edhe shqiptari më i varfër, mos belbëzonte poezinë e Fan Nolit kur shkruan- “Anës detit i palarë e anës dritës i paparë”. Po gëlltitet gjithë kjo ikje pa fre e shqiptarëve mbas 32 vjetësh? Politika e 32 vjetëve i ka vjedhur dhe i ka poshtëruar shqiptarët dhe ata ikin nga sytë këmbët e larg detit të tyre, sepse nuk janë si këta minjtë, që e vodhën e rropën shqiptarin për çdo ditë. Por edhe pa detin e lumin e malin i keni lënë. Sa janë këta ? Janë 100 mijë, apo 10 mijë që bëjnë ligjin si “Maliqi” në Shqipëri dhe nuk ka zot, apo “SPAK” që t’i bëjë zap. Shikon vila bosh nëpër fushat që duhet të ishin mbjellur, e dëgjohet veç kënga e kukuvajkës. Po ja ta zemë se i ke 10 milion turistët sot, por duhet të mendosh more shqiptar, se pas 5-6 vjetësh turisti, nuk do të hajë tulla e pllaka të bukura të hoteleve dhe resorteve, por duhet ushqim i freskët dhe mundësisht sa më bio, kush do t’i punojë tokat?

Po ja të erdhi fati si me industrinë fasone.

U ngritën investitorët e huaj nga Siria e Libia e Maroku, për arsyen e luftrave dhe erdhën në Shqipëri dhe gjetën krahun e lirë të punës. Për këtë turizëm si fasoneria na mburresh zotrote, sepse u ngritën çmimet në bregdetin e Pulias dhe të Spanjës e ndaj përfiton Shqipëria? Por sa përfiton shqiptari për frymë nga ky lloj turizmi, as nuk e thua? Hajde se po ua mbledh taksat këtyre që e kanë privatizuar detin, se plazhin po se po! Me këtë mentalitet që ka investitori strategjik, kur si në sezonin turistik edhe gjithë vitin çmimin nuk e ndryshon. Kjo tregon se i ka paratë informale të përfituara nga trafiqet. Një investitor që ka detyrim për të shlyer këstin me bankat, jo vetëm do të ulte çmimet, por edhe do i lutej turistit shqiptar dhe të huaj, do të ishte rritur konkurenca, e cila do ta impononte uljen e çmimit.

Pa zhvillimin e turizmit të brendshëm nuk mund të ketë turizëm të qëndrueshëm.

Dihet botërisht kur hyjnë kompanitë prestigjoze të turizmit nëpër botë, atëherë krijohet klima për industri turizmi të qëndrueshëm. Ka modele se si u zhvillua industria e turizmit në Karaibe, Turqi, Greqi, Spanjë e Itali Mbaji njëherë shqiptarët në këtë vend të bekuar, jepu një mundësi minimale që ta duan këtë vend. Ka politika kombëtare bota dhe i parashikon në mënyrë shkencore fenomenet demografike në Evropë edhe në botë, dhe ndaj marrin masa. Njihet botërisht eksperienca e vendeve të tjera, se si i zgjidhin punët për ta stimuluar qytetarin e vet, ta zemë sipas vështirësive, ku hynë punët më të rënda, që nga pastruesit e rrugëve dhe ato të plehrave deri tek zjarrfikësit dhe emergjencat civile, shoferët e autobuzëve, paguhen me disa fish nga rrogat normale. Dihet gjithashtu se tjetër logjikë përdoret për punët sipas preferencave, ose diskriminim pozitiv, ose negativë, e këtu futen ato të mësuesisë dhe edukatoreve, të cilat kanë edhe shkallë lodhjeje më të madhe, sepse kanë të bëjnë me mosha shumë të vogla e të brishta dhe kujdesi ndaj tyre është më i madh, ndaj paguhen nëpër botë dyfishin e rrogës së një petagogu në universitet. Më pas vazhdon me ofertën e meritokracisë, se kush do t’i prijë me shkencë nevojave të shoqërisë, e cila ka për t’u zhvilluar dhe kërkon nga e gjithë bota njerëzit ekselent me profesione të paguar disa fish, këto nuk janë shpikje, por modele që i kanë zbatuar kombe me popullsi sa e jona dhe pa resurset tona natyrore, por me një ndjenjë të lartë patriotizmi dhe nuk krijojnë ëndrra në sirtar, as me metalugjira e as me naftën shqiptare, si çlirimi i dytë, apo i tretë i shqiptarëve. Honxhobonxhove që erdhën nga hiçi e nëpërmjet politikës, të cilët i futën duart në xhepat e popullit me të ashtuquajturat tendendera dhe PPP, sado që vishen firmato dhe kanë jahte e avionë privatë e shtatë (VC , për kafshët shtëpiake), nuk do të mund ta fitojnë titullin konservator me gjallje, se kur t’u vijë koha për ftesa çaji do t’u ketë mbirë bari, në ato varret prej faronësh. Do thoni ju pse nuk thua, se do të hyjnë në shoqërinë e lartë më shpejt duke kryer vepra filantropike, apo duke luajtur në fusha golfi. Po si t’u them juve, e kemi një përvojë të hidhur me këto zonjat e para që organizonin të tilla zihafete bamirësie me një oligark shqiptar….Fushat e golfit janë shumë të sofistikuara për këta oligarkët tanë, të cilët janë akoma në eksplorimin e ushqimeve dhe seksit, dmth çështje zorre. Aty janë lojtarët sipas shtresave shoqërore dhe pozicionit politik. Ua tregon njëri që mbahet si ideologu i opozitës dhe që në kohën e diktaturës emrin ia kish vënë udhëheqësi “Xhaxhi Enver”, fotografinë me të cilin e zinte një faqe muri dhe druaj se fle me të, ose e ka futur poshtë krevatit.