Ish-oficerët që kanë shërbyer në jug, takim sot në Sarandë

676
Sigal

Dikur në këtë kohë ishim në stërvitje, në poligone, larg familjeve mes privacioneve që na jepte detyra

Sot në qytetin e Sarandës, takim i ish-oficerëve tepelenas që kanë shërbyer në Jug

Në kuadrin e 75-vjetorit të çlirimit të atdheut, ish-ushtarakë nga Tepelena organizojnë  në qytetin bregdetar  të Sarandës  një takim brezash me ish-ushtarakë efektiv  që kanë shërbyer në Tepelenë-Gjirokastër-Delvinë dhe Sarandë. Në këtë takim patriotik-shoqëror do jenë mbi 120  ish-ushtarakë, oficerë dhe nënoficerë që shërbyen ndër vite në këto njësi të avancuara të mbrojtjes së atdheut. Në fakt, për ne nuk ky takim nuk është një diçka e panjohur, përkundrazi, është hera e dytë brenda periudhës 2016-2019 që ushtarakët e liruar tepelenas që kanë shërbyer  në këto rrethe, mblidhen në takime të tilla miqësore, çmallëse dhe argëtuese. Ish-oficerët e këtyre rretheve  ndonëse kanë kaluar mbi 20 vite në lirim nuk e kanë harruar për asnjë çast jetën dhe punën e tyre në këto zona të vështira, shoqërinë dhe dashurinë që kanë për njëri-tjetrin. Edhe pse sot banojnë anë e kënd Shqipërisë, edhe pse tek të moshuarit rëndojnë vitet e sëmundjet, pjesëmarrja në këtë takim mendohet të jetë  tej parashikimeve. Këto  lloj takimesh ka shumë arsye që sjellin një atmosferë ndryshe. Këto takime kanë shumë emocion  sepse i shtyn nostalgjia e viteve të paharruara si ish-ushtarakë aktivë, dashuria e sinqertë e kolektivave ushtarakë të kohëve të mëparshme, gjurmët e pashlyera në mëndje dhe në zemër të solidaritetit të pashoq midis tyre. E themi me bindje se sot pas shumë viteve rezulton se ky solidaritet ishte vëllazëror, i lindur dhe i forcuar vetvetiu, sepse së bashku ne derdhnim djersë e mund në fushat e stërvitjes, në rajonet e mbrojtjes, në vijat e zjarrit, në acar dhe në zhegun e vapës, sepse së bashku bënim sakrifica të panumërta në emër të dinjitetit, në zbatim të betimit ushtarak, në shërbim të forcimit të mbrojtjes së atdheut. Në stërvitje, në poligone, larg familjeve për shumicën e ditëve të muajit, ushtarakët ndanin midis tyre problemet e punës, privacionet që na jepte detyra, por qanin edhe hallet familjare, për t’iu gjendur njeri-tjetrit në të mirë dhe në të keq, si prindër dhe vëllezër të mirë. Prandaj dhe as sot nuk është zbehur respekti dhe dashuria midis ushtarakëve të liruar, ndonëse shumë prej tyre u larguan nga radhët e ushtrisë në moshë të pjekur. Në tërë rrugëtimet e jetës ata mbeten njerëz dinjitozë, atdhetarë të vërtetë. Edhe pas dekadash ata mundohen që miqësinë e tyre ta ruajnë të pastër si dikur dhe mundohen t’ua përcjellin edhe brezave, bijve dhe bijave të tyre. Solidariteti njerëzor, uniteti i virtytshëm, është si një kala e pathyeshme dhe vezullon si një meteor i pashuar. Në këtë takim ne do sjellim copëza nga jeta jonë, nga vështirësitë në stërvitje, sakrificat në shërbime, nga netët pa gjumë, kontrollet e shërbimeve natën.. Si vite më parë në Tepelenë pas takimit përshëndetës do kemi  një shëtitje nëpër rrugët e Sarandës, disa takime spontane me të njohur të vjetër që kanë mbetur ende në këtë qytet me fllad të pashoq. Sigurisht nuk do të mungojë dreka ku në fund do ketë shtrëngime duarsh, përqafime dhe lot ndarjeje… por të bindur se do të takohen sërish. Takime të tilla si ky duhen nxitur e përkrahur më shumë, për t’u kthyer në rite tradite, bashkëbisedimi, përcjellje vlerash dhe ruajtje të traditave të veçanta të ish-ushtarakëve tanë. Duke krijuar këtë traditë që në thelb ka miqësinë, dashurinë ndaj njeri-tjetrit, i shërbehet drejtpërsëdrejti edhe ngjizjes së një dashurie midis brezave, respektit për punën dhe sakrificat e bëra, vlera të cilat me keqardhje, por që janë zbehur, sidomos gjatë viteve të vështira të këtij tranzicioni të gjatë.

Grupi organizator

Mejdi Zholi, Ymer Merkaj, Zylfo Pahsa, Agim Bajrami