Intervista/ Spiro Brumbulli: Rritja e normës bazë, sinjal i nevojshëm përballë shtimit të rreziqeve, pasi kemi një inflacion pranë nivelit 4%

308
Intervistë me Spiro Brumbulli, Sekretar i Përgjithshëm, Shoqata Shqiptare e Bankave
Sigal

 

Rritja e normës bazë të interesit duhet lexuar si një sinjal për të rritur kujdesin përballë rreziqeve që po shtohen.Spiro Brumbulli, Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës Shqiptare të Bankave, thotë se kjo masë do të ndikojë në shtrëngimin e kushteve në tregun financiar dhe do të përkthehet në një qasje më konservatore të bankave në vendimet për të financuar projekte të reja të investimeve.Sipas tij, reflektimi më i shpejtë do të jetë në tregun primar të letrave me vlerë të qeverisë, por bankat do të fillojnë të bëjnë rregullime të politikave të tyre për sa u takon politikave të çmimit të huave.

Si e vlerësoni vendimin e BSH për të rritur normën bazë të interesit?

Mendoj se ishte një vendim i pritshëm. Banka e Shqipërisë kishte përcjellë sinjale për një rritje të afërt që prej tremujorit të fundit të vitit të kaluar.

Kjo lidhet me presionet e forta inflacioniste që u krijuan, pasi ekonomia globale filloi të rimëkëmbej nga efektet e pandemisë. Por, sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës krijoi një përshkallëzim të mëtejshëm dhe serioz të situatës inflacioniste, përtej atyre që mund të ishin pritshmëritë e mëparshme.

Ne kemi një inflacion pranë nivelit 4%. Në kohë, ndoshta ndërhyrja e Bankës së Shqipërisë erdhi pak më shpejt nga sa mund të pritej, pikërisht për shkak të këtij përshkallëzimi të situatës. Megjithatë, në parim, ndryshimi ishte i pritshëm dhe besoj se ishte lëvizje në rrugën e duhur.

Megjithatë, ka nga ata ekspertë që mendojnë se ndoshta shtrëngimi i shpejtë monetar nuk do të ishte i dobishëm, duke u nisur kryesisht nga fakti se inflacioni i lartë u detyrohej sidomos faktorëve të ofertës. Besoni se kjo rritje e normave të interesit do të rezultojë e efektshme?

Sigurisht, kjo rritje nuk është direkt ilaçi që do të na shërojë nga inflacioni. Por, rritja e normës bazë tregon vëmendjen e shtuar kundër këtij fenomeni dhe tenton të përcjellë një sinjal të caktuar, në raport me rreziqet e shtuara që mund të kemi në vazhdim. Si ekonomi e vogël, ne jemi të varur nga zhvillimet në tregjet ndërkombëtare.

Është normale se situata e krijuar do të reflektohet edhe në ekonominë tonë. Importojmë me çmime të rritura, importojmë madje edhe me vështirësi, sepse për shumë artikuj është e vështirë edhe sigurimi i sasive të nevojshme. Nevoja për të gjetur tregje të reja, do të përkthehet edhe në kosto më të larta operacionale, duke u bërë në vetvete në një faktor shtesë me ndikim në inflacion.

Një situatë e tillë sigurisht që shtron rreziqe më të mëdha. Jam i prirur ta shoh këtë vendim sidomos në këtë prizëm, pra, të sinjaleve që jep për ekonominë dhe tregjet, për rreziqe të shtuara. Në një situatë të tillë, mund të jetë e nevojshme shtyrja e planeve të investimit dhe zhvendosja më e madhe e fokusit drejt kursimit, pikërisht si përgjigje ndaj rreziqeve të shtuara.

Sinjali u dha. Çfarë do të ndodhë më tej është e vështirë të parashikohet. Shumë prej faktorëve që kushtëzuan këtë vendim mund të ndryshojnë. Për shembull, nëse arrihet një marrëveshje për përfundimin e luftës, mund të kemi një situatë më të relaksuar në tregje. Por, nëse lufta zgjat më shumë në kohë, edhe vështirësitë do të jenë më afatgjata.

Kur do të fillojnë të reflektohen efektet e lëvizjes së Bankës së Shqipërisë në tregun financiar?

Ka një kohë të nevojshme, që lidhet edhe me shkallën e zhvillimit të tregut financiar. Zakonisht, duhen disa javë për të parë lëvizje në drejtim të transmetimit të sinjalit të politikës monetare në normat e interesit të tregut financiar. Megjithatë, logjikisht besoj se reflektimi më i shpejtë do të jetë në tregun primar të letrave me vlerë të qeverisë.

Nga ana tjetër, bankat do të nisin të bëjnë axhustimet e politikave të tyre për sa i takon çmimit të huave. Gradualisht, kreditë e reja do të fillojnë të jepen me norma më të larta interesi, ndërsa ato kredi, që kanë si indekse referuese letrat me vlerë të qeverisë, do të reflektojnë rritjen e pritshme të yield-eve të këtyre instrumenteve.

Një reflektim mund të ketë edhe në interesat e depozitave, por përgjithësisht reflektimi në interesat e depozitave është pak më i vonuar në kohë. Kjo ndodh kryesisht sepse sistemi në përgjithësi është likuid dhe nuk ka shumë presion për të shtuar nivelin e depozitave. Megjithatë, gradualisht do të ketë patjetër lëvizje edhe te depozitat.

Prisni efekte domethënës në kursin e këmbimit, qoftë edhe afatshkurtër?

Nuk mendoj se do të ketë ndonjë ndikim shumë të rëndësishëm në kursin e këmbimit. Mendoj se kursi për momentin duket i qëndrueshëm dhe nuk pres ndonjë lëvizje shumë përcaktuese, të paktën jo nga vendimi që lidhet me rritjen e normës bazë të interesit.

Besoni se cikli i shtrëngimit monetar do të vazhdojë më tej gjatë këtij viti?

Jam i mendimit se politikat shtrënguese janë të domosdoshme, në situata krizash dhe kur rreziqet paraqiten të larta. Besoj se një qasje më e kujdesshme ndaj këtyre rreziqeve është zgjidhja më e arsyeshme.

Mund të mbajmë ato norma interesi që kemi, të vazhdojmë të japim kredi me të njëjtat kritere, por pas gjashtë muajsh të gjendemi përballë një pamundësie paguese, për shkak të përkeqësimit të situatës ekonomike. Kjo do të përkthehej në humbje për bankat, shtrëngime më të mëdha, nevojë për injektime kapitali e kështu me radhë.

Ndaj, është më mirë që të përgatitemi për situata të vështira. Me siguri mund të ketë kritere më të shtrënguara në huadhënie. Projekte të caktuara, që me normat ekzistuese të interesit mund të rezultonin eficiente, mund të mos jenë më të tilla në kushtet e reja.

E njëjta gjë mund të ndodhë edhe në kreditimin e individëve, ku rritja e kostove mund të bëjë që shumë individë të mos kualifikohen më si kredimarrës. Pra, mund të jetë e pritshme që kriteret të fillojnë të shtrëngohen.monitor